Keni Pyetje?
Mesazhi u dërgua. Mbylle
0
0 vlerësime

Gjeografia klasa 10

Kategori
188 Studenta Regjistruar
  • Përshkrimi
  • Kurrikula
  • Vlerësimi

Gjeografia për jetën

Mirëserdhët sërish në mësimin e gjeografisë! Ky është një kurs dedikuar plotësisht zhvillimit të kompetencave tuaja për jetën. Ju tashmë i keni mësuar konceptet bazë të gjeografisë në arsimin 9-vjeçar, dhe tani keni kaluar në arsimin e mesëm të lartë ku mësimi i gjeografisë do të jetë paksa më i zgjeruar dhe më i thelluar.

Gjeografia është një prej disiplinave origjinale të dijes njerëzore, së bashku me filozofinë për ta përdorur atë për jetën. Sot ajo është një prej disiplinave shkencore të teknologjisë më të lartë të studimit të hapësirës dhe marrëdhënieve të njeriut me të. Gjeografia është një disiplinë unifikuese e kërkimeve, që na ndihmon të kuptojmë mjediset fizike, humane, e kulturore me një fokus në ndërlidhjet dhe dinamikën hapësinore midis tyre. Prandaj, studimi i Gjeografisë është çelësi për të kuptuar kompleksitetin e botës së sotme. E pra, nëse dikush mendon se Gjeografia është një memorizim i emrave të maleve, lumenjve, kryeqyteteve, apo i ngjyrave të hartave, ka koncept të gabuar. Këtë tashmë ju e dini, pasi në arsimin 9-vjeçar ju keni studiuar Gjeografi.

Lënda e gjeografisë ka dy nënndarje të mëdha: gjeografia fizike-mjedisore dhe gjeografia humane. Gjeografia fizike-mjedisore lejon gjeografët të fokusohen në trajtimin e relievit dhe dinamikës së modelimit të tij, klimës dhe ndryshimeve klimatike me origjinë njerëzore, shpërndarjes hapësinore të biodiversitetit dhe rreziqeve të tij, origjinës së problemeve mjedisore dhe përhapjes së tyre hapësinore, mjedisit human dhe ndikimit të tij në mjedisin gjeografik etj. Ndërsa Gjeografia humane i lejon gjeografët të analizojnë parimet e shpërndarjes hapësinore të elementëve përbërës dhe problemeve të popullsisë, urbanizimit, hapësirës rurale, ekonomisë, kulturës njerëzore, çështjeve sociale, gjuhës, fesë, e deri tek përpunimi i rezultateve zgjedhore. Në këtë kuptim mund të themi se gjeografia është një shkencë diagonale, fizike dhe humane, por ka gjithashtu “kompetencën” akademike për t’u marrë me studimin e ndërveprimit midis tyre. Ajo çfarë e bën disiplinën e gjeografisë të ndryshme nga disiplinat e tjera shkencore është hapësira. Gjeografët studiojnë mjedisin fizik dhe human me anë të teknologjisë gjeohapësinore që përfshin sisteme të imazheve satelitore dhe ajrore të Tokës, sisteme të pozicionimit global (GPS). Gjeografët i përfshijnë këto në “GIS – Sistemi i Informacionit Gjeografik”.

Teksti “Gjeografi 10”, që ju do të përdorni këtë vit shkollor është konceptuar dhe hartuar në funksion të qasjes kurrikulare që bazohet tek koncepti i kompetencave. Përmes mësimeve të zhvilluara, punëve praktike, përmbledhjeve, projekteve të sugjeruara, vetëkontrollit të njohurive, ju do të zhvilloni kompetencat e fushës “Mjedisi dhe shoqëria”, kompetencat kyçe të cilat ju mundësojnë të bëni lidhjen me fushat e tjera lëndore si dhe kompetencat e lëndës që lidhen me to. Teksti është i strukturuar rreth tematikës “Proceset natyrore dhe shoqërore”, me nëntematikat: Sistemi diellor; Hartografia; Atmosfera; Hidrosfera; Litosfera; Biosfera; Dinamika e Tokës; Mjedisi dhe ndikimi i veprimtarisë njerëzore, të parashikuara në programin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për këtë lëndë.

Në hapësirën që programi i MAS, lejon për hartuesit e tekstit, kemi sjell risitë tona si autorë për të lehtësuar punën e nxënësit dhe mësuesit në procesin e mësimnxënies dhe mësimdhënies të tilla si:
– duke respektuar rekomandimet e programit për ndryshime të lejueshme, kemi zhvendosur nënçështjen “Rrjetin gjeografik” nga nëntematika “Hartografia” tek nëntematika “Sistemi ynë diellor dhe Toka”, te mësimi “Forma e Tokës dhe rrjeti gjeografik”. Këtë e kemi bërë, sepse në mësimin pasardhës juve ju duhet të mësoni “formimin e stinëve”, të cilën nuk e kuptoni dot mirë nëse nuk njihni më parë rrjetin gjeografik dhe elementët e tij si ekuatori, tropikët, brezat polarë dhe polet.
– Kemi synuar që përmes situatave jetësore argëtuese të mësoni duke kryer punë konkrete, p.sh. të ndërtoni instrumente, të jepni rekomandime si qytetarë për përmirësimin e kushteve jetësore të vendbanimit tuaj e vendit tonë, duke nxitur fantazinë e energjitë tuaja në dhënien e sugjerimeve, hartimin e projekteve etj.
– Ju kemi përshtatur arritjet më të fundit të shkencës me nevojën tuaj për të përdorur teknologjinë. Kështu ju keni detyra qytetare dhe shkencore që kërkojnë konsultimin me teknologjinë bashkëkohore (si smartfonët tuaj, përdorimi i internetit në kompjuter, GPS etj.) në kohë reale për të bërë përditësime të tilla si p.sh., sa është niveli i oqeanit botëror çdo ditë, sa është niveli i dyoksidit të karbonit çdo muaj, ku po bien tërmete në këtë çast, si të orientoheni me GPS, do të shikoni video të shkurtra ilustruese apo ndërgjegjësuese etj.
– Ne kemi përditësuar të dhënat e gjeografisë fizike me të gjitha të dhënat më të fundit të çështjeve që përbëjnë shqetësime të mëdha globale siç janë menaxhimi i rreziqeve apo ndryshimet klimatike.
– Ju kemi ofruar për çdo nëntematikë të rëndësishme nga një hartë koncepti të plotë, me anë të së cilës ju mund të bëni vetëkontrollin e njohurive (i sugjeruar).
– Ju kemi ofruar një aparat metodik të përshtatur me nevojat tuaja të të nxënit. Aparati pedagogjik është i ndarë në dy pjesë. Tek pjesa hyrse (në krye të çdo njësie mësimore) synojmë t’ju tërheqim vëmendjen paraprakisht me “Termat, konceptet dhe idetë e reja”, të njësisë mësimore përkatëse, si dhe t’ju motivojmë të hyni në këtë njësi duke ju kërkuar të “Rikujtoni nga gjeografia VII” ato njohuri që lidhen me njësinë e re mësimore.

Pjesa e dytë e aparatit pedagogjik është e vendosur në fund të njësisë mësimore. Gjithçka që është e vendosur aty ka një synim të caktuar dhe kërkon të realizojë të mësuarit me kompetenca për jetën.

Aty do të gjeni rubrika të tilla si: “Provoni veten”( ju kërkon të jepni përgjigje për njohuritë e dhëna në një njësi mësimore); “Punoni me ilustrimet” ( foto, harta, diagrame), e cila kërkon që të punoni me to, si një nga elementët më të rëndësishëm të fitimit të kompetencave jetësore; “Ide për t’u diskutuar”, ku keni mundësi të merrni pjesë në debate, diskutime për të shpalosur njohuritë e qëndrimet tuaja kritike; “Punoni si gjeograf”, me anë të së cilës synojmë të merrni njohuri fillestare të punës shkencore, ashtu si dhe punon një gjeograf; “Punoni si qytetar”, kërkojmë të zbuloni ndikimin dhe të bëni lidhjen e fenomeneve dhe dukurive gjeografike me jetën e njeriut, për të parandaluar apo minimizuar ndikimet negative të tyre përmes bashkëpunimit me institucionet qeverisëse vendore apo qendrore etj. Në fakt, edhe vetë trungu i njohurive gjeografike, të dhëna përmes njësive mësimore, punëve praktike, hartave të koncepteve për vetëkontrollin e njohurive përmban brenda vetes didaktikën e të mësuarit për jetën. Kështu ato janë të strukturuara në nënçështje dhe të ilustruara me harta diagrame apo foto që i përgjigjen njohurive, pyetjeve, detyrave etj.

Një faktor i rëndësishëm për ju si nxënës është mësuesi. Teksti është hartuar në mënyrë të tillë që mësuesi t’ju udhëheqë në rrugën tuaj të formimit për jetën. Për më tepër, mësuesit i kemi përgatitur materialin “Libri i mësuesit, Gjeografi 10” ku shpalosim idetë që na kanë udhëhequr në hartimin e tekstit, përmes orëve mësimore model, planit mësimor, testeve, hartave të koncepteve të plota (jo memece) për kontrollin e njohurive tuaja etj.

Libri që ju keni në duar është hartuar në bazë të kurrikulës së re, që vendos në qendër aftësimin tuaj me kompetenca për jetën. Për këtë arsye orët model që i sugjerojmë mësuesit në librin e tij janë hartuar pikërisht mbi një mësimdhënie me bazë realizimin e kompetencave tuaja për jetën.

Suksese