Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 7.10 Rrëshqitjet, Rrëzimet dhe Shembjet e terrenit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.10

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

RRËSHQITJET, RRËZIMET DHE SHEMBJET E TERRENIT

Rrëshqitjet, rrëzimet dhe shembjet e terrenit
Dukuritë si shembjet, rrëzimet, dhe rrëshqitjet mund t’i përmbledhim në një grup që e quajmë “lëvizje të terrenit”. Me këtë term do të kuptojmë çdo zhvendosje të dukshme të materialeve të një shpati për shkak të forcës së rëndesës. Ato janë rezultati i një vargu procesesh që provokojnë shkëputjen e shkëmbinjve apo të tokës, që bien më pas për shkak të rëndesës. Këto dukuri përgjithësisht ndodhin në zona kodrinore apo malore, por nuk përjashtohen edhe zona fushore.

Rrëzim kemi kur ndodh shkëputja e një pjese shkëmbi nga një shpat vertikal ose afërsisht vertikal, dhe kur lëvizja e pjesës së rrëzuar bëhet me shpejtësi të madhe, me kërcime përgjatë shpatit, ose në rënie të lirë në ajër.

Shembje kemi kur një masë materiali apo shkëmbi me lidhje të dobësuara me pjesën tjetër, zhvendoset nga lart poshtë në një distancë të shkurtër. Shembja ka disa tipare të përbashkëta me rrëshqitjen me drejtim force nga poshtë lart.

Rrëshqitje kemi kur zhvendoset një masë shkëmbi apo materiali në një lëvizje relativisht të ngadalshme përgjatë një sipërfaqeje të caktuar terreni. Këto janë dukuri që favorizohen nga tjetërsimi i shkëmbinjve, dhe përcaktohet nga tri faktorë kryesorë: lloji i materialit që përbën shpatin; pjerrësia e shpatit (pjerrësia e madhe e shpateve kontribuon në tendencën e materialeve për t’u rrëzuar, shembur, apo rrëshqitur); sasia e ujit e pranishme në materialet shkëmborë, që varet nga poroziteti dhe çarjet e tyre, si dhe nga sasia e reshjeve.

Njeriu po luan një rol gjithmonë e më problematik në favorizimin e rrëshqitjeve dhe rrëzimeve. Dukuri si urbanizimi intensiv, ndërhyrjet në rrjedhën e lumenjve, shpyllëzimet etj., e nxisin ose e rëndojnë dukurinë.

Kriteret e klasifikimit të lëvizjeve të terrenit
Dy kriteret mbi të cilat ne klasifikojmë të gjitha dukuritë e lëvizjeve të shpatit, janë shpejtësia e zhvendosjes së materialit, dhe sasia e e lagështirës në të cilën ndodh zhvendosja.

Shpejtësia. Mund të ndajmë tri shpejtësi të ndryshme të lëvizjeve. Ka disa dukuri në të cilat materiali zhvendoset shumë shpejt, si p.sh. rrëzimet e gurëve, përrenjtë baltorë, dhe rrëshqitjet sipërfaqësore. Materiali në këto lloj dukurish zhvendoset brenda pak sekondave, nga vatra deri në pikën fundore. Madje, në rastet e rrëzimeve të gurëve në rrugë, p.sh., materiali zhvendoset brenda disa fraksioneve te sekondës. Ka dukuri të tjera që kanë shpejtësi zhvendosjeje mesatare, si p.sh., rrëshqitjet nga lart poshtë dhe shembjet. Shembjet mund të quhen ndryshe edhe “rrëshqitje nga poshtë lart, për shkakun se fillimisht zhvendoset pjesa më e poshtme dhe pastaj për shkak të humbjes së mbështetjes, zhvendosen pjesët e tjera nga poshtë lart. Në këto raste, kohëzgjatja e zhvendosjes shpejtësi mund të shkojë nga disa minuta në disa ditë apo javë. Lëvizjet më të ngadalshme janë rrjedhjet e baltës (solifluksioni), dhe zhvendosja gravitative e mbulesës së tokës.

Lagështia. Edhe në këtë kriter, ne mund të dallojmë tri nivele të ndryshme lagështie. Lëvizjet që ndodhin në kushte thatësie janë rrëzimet. Në shpate shkëmbore, masa e gurëve që zhvendoset nuk ka nevojë fare për ujë. I vetmi element shtytës i rrëzimeve është forca e rëndesës. Dukuritë që kanë të nevojshme një nivel mesatar lagështie me qëllim që të ndodhin, janë shembjet, rrëshqitjet nga poshtë lart, dhe zhvendosja gravitative e mbulesës së tokës. Ndërsa dukuritë që kanë nevojë për shumë lagështirë që të ndodhin janë përrenjtë baltorë. Në përrenjtë baltorë, materiali ngopet me ujë aq shumë, sa që në kushtet e pjerrësisë masa e dheut lëngëzohet dhe rrjedh poshtë me shpejtësi të madhe duke mbuluar me baltë çdo gjë që has përpara. Rrëshqitjet vetë mund të klasifikohen edhe sipas disa kritereve të tjera. Sipas thellësisë së rrëshqitjes, ne kemi rrëshqitje sipërfaqësore dhe rrëshqitje të thella. Sipas drejtimit të zhvillimit të rrëshqitjes ne dallojmë rrëshqitjet nga poshtë lart (në të cilat pjesa që zhvendoset e para është pjesa e poshtme, e cila çekuilibron mbështetjen e masës së materialit, që për këtë shkak zhvendoset), dhe rrëshqitjet nga lart poshtë (ku pjesa që shkëputet e para është ajo e sipërmja, e cila për shkak të ushtrimit të peshës mbi pjesën e poshtme, e zhvendos edhe këtë të fundit). Ndërsa sipas lëngshmërisë së materialit që rrëshqet, ne kemi lëvizje të lëngshme (përrenj baltore, rrjedhje balte, etj.) dhe lëvizjet e thata (rrëzimet).

Pjesët përbërëse të rrëshqitjeve. Rrëshqitja ndodhin atëherë kur vendosen në kontakt “uji” me “argjilën” (materialin e papërshkueshëm). Këta dy ingredientë të dukurisë së rrëshqitjes mund të bëhen bashkë për shkaqe natyrore apo njerëzore. Në çdo rast, zhvendosja e rrëshqitjes më tej bëhet nën veprimin e forcës së rëndesës.

Rrëshqitjet në Shqipëri
Në territorin e Shqipërisë fatkeqësisht ka kushte të përshtatshme për rrëzime, shembje, dhe rrëshqitje. Këto kushte janë: pjerrësi të mëdha të terrenit, prani të argjilave (shkëmbinj të papërshkueshëm), ujëra sipërfaqësore dhe nëntokësore. Rrëzimet ne i hasim në të gjitha zonat malore të vendit tonë. Materialet e rrëzuara përgjatë shpateve të maleve, shpeshherë bashkohen në fund të shpatit duke krijuar ato që i quajmë kone të depozitimit shpator. Ndërsa rrëshqitjet i hasim edhe në zona kodrinore. Vitet e fundit rrëshqitjet janë shtuar për shkakun se njeriu me ndërhyrjet në shpatet argjilore ka shtuar mundësinë që uji dhe argjila të kontaktohen.