Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 5.2: Forcimi i mineraleve dhe vetitë fizike të tyre

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 5.2

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

FORMIMI I MINERALEVE DHE VETITË FIZIKE TË TYRE

► Formimi i mineraleve
Shtresa shkëmbore e jashtme e Tokës e quajtur Litosferë ka një trashësi prej 1.5% të rrezes mesatare të Tokës. Ajo përbëhet nga shkëmbinj që dallohen për karakteristika të ndryshme. Litosfera përgjatë evolucionit të vet kohor është karakterizuar nga ndryshueshmëria. Ajo ka ndryshuar plotësisht përbërjen e vet, sepse atmosfera, uji, era, organizmat e gjallë, bimorë e shtazorë, e transformojnë dhe e modelojnë shtresën e Tokës, së bashku me fenomenet endogjene si tërmetet e vullkanet. Studimi i përbërjes shkëmbore është hapi i parë për të kuptuar ngjarjet e shkuara dhe aktuale, që kanë modeluar e modelojnë planetin tonë. Njëherazi, kjo na ndihmon edhe për të ndërtuar historinë gjeologjike. Karakteristikat që prezantojnë një shkëmb ose një mineral në fakt varen nga kushtet në të cilat janë formuar. Një analizë e kujdesshme mund të japë të dhëna të vlefshme për rindërtimin e mjedisit fiziko– kimik, klimës dhe forcave që kanë përcaktuar formimin.

Çfarë është një mineral?
Mineralet janë trupa natyrorë inorganikë që prezantojnë një përbërje kimike të caktuar dhe karakterizohen nga veti fizike, kimike të qëndrueshme. Ato janë formuar në vazhdimësi prej proceseve spontane fiziko – kimike të shkaktuara në brendësi të Tokës, në sipërfaqen e saj dhe në basenet e ndryshme ujore. Mineralet e ndryshme diferencohen mes tyre për nga natyra në të cilën atomet, jonet ose grupet molekulare janë shpërndarë në hapësirë. Mineralet mund të ndërtohen nga elementë të thjeshtë si ari, argjendi, squfuri etj. Por ka edhe minerale që përmbajnë dy ose më shumë elementë kimike në raporte të caktuara (p.sh., kuarci përmban C, silicon e O). Në këtë rast çdo mineral ka një formulë mineralogjike që shpreh raportet numerike aktuale midis atomesh dhe elementesh të ndryshme. Shpesh formulat mineralogjike janë shumë të ndryshme nga formulat kimike. Një situatë e këtij tipi verifikohet me frekuencë mineralesh që japin burimin e një solucioni solid. P.sh. në rastin e dolomitit Ca, Mg (Co3)2 nuk është një përbërje që përmban kalcium dhe magnesium, por një përzierje solide prej CaCo3 dhe MgCo3 që lejohen në një grup në dimensione të ndryshme. Në rastet kur një jon mund të zëvendësojë një tjetër, në strukturë të njëjtë, pa u modifikuar mund të flitet për zëvendësim. Pothuajse të gjithë mineralet kanë një strukturë kristalore. Një kristal është një trup i fortë i kufizuar në pjesën e jashtme nga sipërfaqe të sheshta të zhvendosura sipas një forme të caktuar gjeometrike. Struktura tipike kristalore për secilin mineral shërben për identifikimin e tyre. Rrallë mineralet mund të prezantohen në gjendje amorfe ( strukturë e ç’rregullt që reflekton mungesën e një forme të jashtme gjeometrike e specifike). Ndonjëherë, e njëjta përbërje kimike mund të prodhojë minerale kristalor ose amorf, sipas kushteve në të cilat janë formuar. P.sh., opali dhe kuarci kanë të njëjtën përbërje kimike. Por ndërsa kuarci paraqet formën e vet kristalore, opali është një mineral amorf. Në rast se një substancë prezanton struktura të ndryshme kristalore me cilësi jo të njëjta bëhet fjalë për polimorfizëm (shumë formësh).

Vetitë fizike të mineraleve
Struktura e brendshme e mineraleve u jep atyre një numër të caktuar vetish fizike, kimike, organoleptike. Disa nga vetitë fizike më të rëndësishme të mineraleve janë:

Pesha specifike është raporti midis peshës së një trupi dhe asaj të volumit të njëjtë të ujit të distiluar prej 4°. Ajo është një prej vetive më të rëndësishme për njohjen e mineralit dhe përcaktohet me piknometër ose me metodën e lëngjeve të rënda.

Fortësia është rezistenca që një mineral tregon ndaj fërkimit me një trup tjetër të mprehtë. Për të vlerësuar fortësinë e mineraleve të ndryshme mbështetemi tek një shkallë standarde, pra tek shkalla e Mohsit që realizohet me pajisje special të quajtura sklerometër. Minerali më i butë është talku dhe gipsi që gërvishten edhe me thua. Fortësi mesatare kanë kalciti, fluoriti e apatiti që gërvishten me një majë çeliku dhe fortësinë më të madhe e ka diamanti që nuk gërvishtet as nga maja e një çeliku.

Copëtimi është vetia që kanë disa mineraleve që mund të thyhen lehtësisht përgjatë planesh të caktuara me rezistencë të ulët. Copëtimi është rrjedhojë e faktit se forca e lidhjes në kristale mund të ketë vlera jo të njëjta në drejtime të ndryshme. Sipërfaqet e sheshta të qëndrueshme dhe konstante për çdo kristal janë quajtur sipërfaqe copëtimi. Ato janë gjithmonë paralele me sipërfaqen e kristaleve. Edhe mineralet më të fortë si diamanti paraqesin sipërfaqe copëtimi të dukshme. Copëtimi varet nga fortësia.

Fraktura është thyerja jo e sheshtë dhe e çrregullt e një minerali në shumë pjesë. Në përgjithësi ndodh atje ku nuk ka sipërfaqe të copëtuara dhe nën ndikimin e një veprimi mekanik. Sipas aspektit të sipërfaqes të saj një frakturë quhet në formë guaske (opali), tokësore (boksidë) ose fijore (amianti).

Rezistenca është qëndrueshmëria që një trup tregon ndaj thyerjes që një trup është nën presion.

Eleasticiteti është vetia që kanë mineralet e caktuara, (p.sh. mika mineral shkëlqyes silikoni që gjendet në granit) për t’u përkulur shformuar nën veprimin e një force të caktuar, por duke marrë sërish formën e mëparshme. Kur një forcë e tillë vjen e ndërpritet.

Plasticiteti është mundësia që kanë trupa të ndryshëm për të modifikuar formën e tyre papushim, si rezultat i trysnisë së forcave. Plastike janë p.sh., mineralet prej argjile, të cilët të ngopur nga uji mund të marrin forma të çfarëdoshme.

Petëzimi është mundësia për të reduktuar mineralet në shirita shumë të hollë. Substanca më e petëzueshme është ari.

Përkulshmëria është aftësia e disa mineraleve për t’u telëzuar kur kalojnë në procesin tjerës. Minerali më i përkulshëm është platini, i ndjekur nga argjendi e bakri.

Veti të tjera të mineraleve
Vetitë termike shprehin kapacitetin thithës të nxehtësisë. Ata mund të zgjerohen kur ngrohen, ose të kalojnë në gjendje të lëngët, nëse ftohen. Ndjeshmëria magnetike është vetia e disa mineraleve si oksidi i hekurit ose magneti për t’u tërhequr lehtësisht nga një magnet. Përcjellshmëria e rrymës elektrike është mundësia e mineraleve për të qenë përcjellës të mirë ose të këqinj të rrymës. Disa minerale kanë gjithashtu aftësinë për t’u ngarkuar me elektricitet nëse nxehen ose ftohen dhe kur janë nën presionin e forcës ngjeshëse ose tërheqëse. Vetitë optike, përveç përcaktimit të ngjyrës, shkëlqimit, transparencës, fluoreshencës së një minerali, janë, gjithashtu, në lidhje me fenomenin e përthyerjes së një rreze drite që kalon në sipërfaqen e një kristali. Disa minerale si CaCo3 janë në gjendje të ndajnë një rreze që i përshkon dhe quhen përthyes të dyfishtë. Për të njohur mineralet janë të nevojshme dhe vetitë organoleptike që vlerësohen me anë të organeve tona të ndijimit. Shqisa e të prekurit bën që të vlerësohet lyrësia e talkut, ose grafitit. Me buzët mund të ndjejmë lagështinë e baltës ose të argjilës së bardhë (kaolina). Shumë minerale kanë një shije të kripur si kripa e gurit NaCl, ose të hidhur si sulfati i magnezit, ose kripa angleze MgSO4.7H2O.