Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 4.5
NËNTEMATIKA 4 HIDROSFERA
UJËRAT KONTINENTALE NËNTOKËSORE
►Ujërat nëntokësore dhe faktorët ndikues të tyre
Ujërat nëntokësore gjenden në poret, çarjet dhe zbrazëtitë e tjera shkëmbore nën sipërfaqen e Tokës. Ato janë shumë të përhapura dhe shtrihen jo vetëm në zonat me klimë të lagët, por edhe në stepat e thata dhe shkretëtirat. Ujërat nëntokësore përbëjnë vetëm 0.6 % të ujit në nivel global. Por më e rëndësishmja është se ato përfaqësojnë rezervat potenciale të ujit të freskët për njeriun, që arrijnë në 90% duke mos llogaritur ujin e ngrirë. Nëntokë gjendet afërsisht 37 herë më shumë ujë krahasuar me gjithë sasinë pellgjet ujore sipërfaqësore të steresë si: liqenet, kënetat, lumenjtë. Uji ndodhet në shkëmbinjtë dhe mineralet pranë sipërfaqes tokësore në të tri gjendjet agregate të lëndës: të avullt, të lëngët e të ngurtë. Në gjendje avulli uji e hasim në ajrin e zbrazëtirave shkëmbore. Sasia e avullit varet nga temperatura e trysnia e ajrit. Sa më e lartë të jetë temperatura dhe sa më e ulët trysnia, aq më shumë avuj uji përmban ajri që mbush këto zbrazëtira. Me uljen e temperaturës avujt kondensohen duke kaluar në gjendje të lëngët. Uji në gjendje të lëngët, takohet në shkëmbinjtë në forma të ndryshme. Tipet kryesore që dallojmë këtu janë: uji higroskopik, membranor, kapilar dhe të lirë. Në zona të larta malore dhe në gjerësitë polare gjejmë në brendësi të shkëmbinjve edhe praninë e ujit në gjendje të ngurtë. Temperaturat negative shkaktojnë kalimin e ujit në akull.
Ekzistenca e ujërave nëntokësore kushtëzohet nga një numër faktorësh, të cilët nuk janë të njëjtë në sipërfaqe të ndryshme të tokës. Shtresat gjeologjike që lejojnë ose pengojnë kalimin e ujërave nëntokësore quhen të përshkueshme, ose të papërshkueshme. Ndërkohë që hapësirat boshe të shkëmbinjve, çarjet, zgavrat e poret që mbushen me ujë quhen shtresa ujëmbajtëse. Përmasat, forma dhe mënyra e vendosjes së kokrrizave që përbëjnë shkëmbinjtë, përcaktojnë edhe nivelin e përshkueshmërisë dhe aftësinë ujëmbajtëse të tyre. Zhavorrishtet kanë hapësira të mëdha boshe dhe uji i përshkon lehtësisht ato. Kurse argjilat ndërtohen nga kokrriza shumë të vogla, hapësirat boshe midis tyre nuk lejojnë kalimin e ujit duke i bërë ato të papërshkueshme. Klima përcakton regjimin e reshjeve dhe intensitetin e avullimit. Në vendin tonë reshjet janë të përqendruara në vjeshtë e dimër. Në të këtë periudhë kemi edhe nivelin më të lartë të ujërave nëntokësore. Ndërsa në verë reshjet e pakta dhe temperaturat e larta sjellin uljen e nivelit të këtyre ujërave. Prania e bimësisë pengon kalimin nëntokësor të ujit, sepse ajo thith një pjesë të kësaj lagështie në funksion të zhvillimit vegjetativ. Topografia e relievit lehtëson ose ndalon zhvendosjen e shpejtë të ujit.
Ushqimi kryesor i ujërave nëntokësore është infiltrimi i reshjeve atmosferike. Në Holandë është llogaritur se infiltrimi i reshjeve në dunat ranore të zhveshura nga bimësia diferencohet prej atyre të mbuluara nga bimësia. Në të parat infiltrimi arrin në 62 – 83 % të reshjeve dhe në rastin e dytë ulet në vlerën 48 – 52 %. Në rajonet me sasi të vogël të reshjesh, vlerë kryesore në ushqimin e ujërave nëntokësore paraqet kondensimi. Kështu, p.sh., në disa rajone të Karakumit në gropat me rërë, madhësia e kondensimit është e barabartë me 17.8 mm/vit. Por ka edhe rajone ku proceset e infiltrimit dhe të kondensimit mund të ndodhin njëkohësisht, domethënë plotësojnë njëri tjetrin.
►Klasifikimi i ujërave nëntokësore
Vetëm 11% e reshjeve që bien mbi sterenë e planetit tonë infiltrohen në thellësi. Ato mbushin çarjet e poret shkëmbore dhe ushqejnë basenet ujore nëntokësore. Kalimi nëntokësor i ujërave ndërpritet kur ato takojnë shtresa gjeologjike të papërshkueshme zakonisht argjilore. Topografia e këtyre shtresave detyron ujin të lëvizë lehtësisht në një plan horizontal, apo edhe sipas pjerrësisë së tyre. Uji lëviz lehtësisht drejt sipërfaqes deri sa të shfaqet në burime që ushqejnë më pas lumenjtë e degët e tyre. Për klasifikimin e ujërave nëntokësore ekzistojnë kritere të shumta. Ne do t’i përdorim ato sipas kushteve e thellësisë së shtresave, veçorive të regjimit, origjinës etj. Mbi këtë bazë dallohen: ujërat freatike, arteziane, të pore-çarjeve dhe ujëra të thella nëntokësore.
Ujërat freatike janë ujëra të cektë nëntokësore pa trysni. Ato vendosen mbi shtresën e parë të papërshkueshme me thellësi 15 – 20 m nga sipërfaqja e Tokës. Kjo shtresë nuk lejon kalimin e mëtejshëm të ujit duke krijuar një basen të ujërave nëntokësore. Niveli i ujit të këtij baseni është i ndryshueshëm. Kushtet e motit ndikojnë nivelin e basenit ujor për shkak të lëvizjes kapilare që bëjnë ujërat nëntokësore. Niveli i tyre rritet në ditët me reshjet intensive të shiut madje uji mund të dalë edhe mbi sipërfaqen tokësore. Pellgje të vegjël ujorë krijohen kur relievi zihet nga trajta depresive dhe kur thellësia e shtresës së papërshkueshme është shumë e vogël. Ndërkohë që niveli i basenit të ujërave nëntokësore bie në stinën e verës. Në këtë periudhës të nxehtë reshjet mungojnë e temperaturat e larta të ajrit bëjnë që avullimi i ujit në sipërfaqen e tokës të rritet. Ujërat freatike dallohen për mineralizim të lartë.
Ujërat arteziane janë ujëra nëntokësore më të thella dhe nën trysni. Baseni i ujërave arteziane ndodhet në shtresën ujëmbajtëse midis dy shtresave të papërshkueshme në formë harku, apo sinklinali. Zona e ushqimit të ujërave arteziane është kontakti i shtresës së përshkueshme me sipërfaqen tokësore. Përkulja dhe hapësira e këtyre shtresave shkakton një presion hidrostatik tepër të lartë mbi ujërat arteziane. Nëse shpohet në pikën më qendrore të këtij harkimi shtresor duke arritur nivelin e ujërave artesiane, atëherë uji do të shpërthejë në trajtën e një shatërvani. Lartësia e ujit të këtij shatërvani do të varet nga largësia nga qendra e përkuljes së shtresave të papërshkueshme ku presioni hidrostatik është maksimal. Gjithashtu lartësia e këtij shpërthimi do të përcaktohet edhe nga niveli piezometrik (diferenca midis lartësisë së zonës së ushqimit dhe nivelit të ujërave arteziane që prek shpimi i kryer). Prania e shumë niveleve të ujërave arteziane krijon zonat apo pellgjet arteziane. Në vendin tonë zonat arteziane gjendjen në fushat e Tiranës, Elbasanit, Myzeqesë, Korçës etj.
Ujëra të pore-çarjeve formohen kryesisht në shkëmbinjtë sedimentarë kokrizorë të çimentuar dobët, si dhe në gjithë llojet e tjera të shkëmbinjve që përbëhen nga çarje e hapësira boshe. Territoret që dominojnë në një tip të tillë janë ato të ranorëve, zhavorishteve etj.
Ujërat karstike i përkasin grumbullimeve ujore nëntokësore në shkëmbinjtë karbonatikë, si gëlqerorët, gipse, dolomitët etj. Këto lloj shkëmbinjsh karakterizohen nga plasaritje e çarshmëri të madhe. Gjithashtu ata në kontakt me uji statik treten dhe hapësirat boshe rriten. Për këtë arsye ata kanë kapacitete të mëdha ujëmbajtëse. Uji qarkullon në brendësi të këtyre hapësirave duke krijuar element hidrografikë nëntokësore, si lumenj e përrenj, liqene nëntokësore me përmasa të ndryshme. Në shpellën e Trenit pranë liqenit të Prespës së Vogël kemi pasqyra ujore në trajtë liqenesh të vegjël. Ndërkohë që liqeni i Ohrit furnizohet me rreth 16 m³/sek nga rrjedhje lumore nëntokësore. Kur çarjet e karbonatikëve, apo kontakti i tyre me shkëmbinj të tjerë si p.sh., terrigjenë, magmatikë kanë një pjerrësi të caktuar atëherë ujërat karbonatike rrjedhin duke shfrytëzuar pjerrësinë dhe dalin në pika të caktuara të sipërfaqes së Tokës në trajtë burimesh.
Ujërat e thella nëntokësore gjenden në thellësi më të madhe se ujërat freatike. Elementët klimatikë nuk ndikojnë në nivelin apo karakteristikat fizike të ujërave të tyre. Gjithashtu rritja e thellësisë dhe shtresat e shumta që këto ujëra përshkojnë shërbejnë si filtra natyrorë duke bërë që ato të jenë shumë të pastra. Ndërsa në shtresat më të thella të kores tokësore, ujërat nëntokësore shpesh kanë temperatura të larta dhe përmbajnë në tretësirë minerale dhe gaze. Këto ujëra formohen si rezultat i veçimit nga magma i oksigjenit dhe hidrogjenit, të cilët gjatë bashkimit kimik të tyre formojnë avujt e ujit, që pasi kondensohen formojnë ujërat nëntokësore të quajtura ujëra juvenile (të virgjëra).
Ujërat nëntokësore mund t’i klasifikojmë edhe nga temperatura. Ato janë shumë të ftohta kur kanë temperaturë më të ulët se 4 °C; të ftohta me temperaturë 4 – 20 °C; të ngrohta kur temperatura lëviz 30 – 37 °C; të nxehta me temperaturë 37 – 42°C dhe shumë të nxehta kur temperatura luhatet 42 – 100 °C dhe jashtëzakonisht të nxehta, me temperaturë mbi 100 °C.
►Burimet
Shtresat ujëmbajtëse mund të konsiderohen “serbatorë” nëntokësorë ku uji mblidhet pas infiltrimit në terren. Daljet natyrore të ujërave nëntokësore në sipërfaqen e tokës quhen burime. Ato mund të jenë burime zbritëse, përgjatë pjerrësisë të shtresës së papërshkueshme, ngjitëse kur ujërat arteziane rrjedhin në sipërfaqe, pasi depërtojnë nëpërmjet çarjeve, që presin tavanin e papërshkueshëm të shtresave ujëmbajtëse. Nga temperatura e ujërave, burimet mund të jenë të ftohtë, ose termalë. Kur ujërat kanë % të lartë tretësirash minerale, atëherë quhen ujëra minerale, si p.sh. uji i Glinës, pranë Libohovës etj. Kur burimet minerale kanë edhe temperaturë të lartë quhen burime termominerale si p.sh. ujërat e llixhave të Elbasanit, Peshkopisë. Leskovikut, Bilës në Krujë, Langaricës në Përmet etj. Ato përdoren për banjë nga të sëmurët me reumatizëm. Burimet që dalin nga të çarat dhe zgavrat e gëlqerorëve janë burime karstike, si p.sh. Syri i Shegani (Shkodër), Syri i Kaltër (Sarandë), i Viroit (Gjirokastër), të Tushemishtit dhe Volorekës (Pogradec) etj.
Rëndësia e burimeve dhe shfrytëzimi i ujërave nëntokësorë. Ujërat nëntokësore dhe burimet që dalin prej tyre kanë një rëndësi të madhe në proceset natyrore dhe humane. Ato janë pjesë e qarkullimit të ujit në natyrë duke pastruar dhe bërë funksionale ekosistemet. Prania e tyre ndikon drejtpërdrejt në mbulesën bimore dhe procese të tjera të dinamikës së tokës. Vlera e tyre është e madhe sidomos në zhvillimin e ekonomisë bujqësore. Ekzistenca e këtyre ujërave lehtëson kërkesat e bimësisë në zhvillimin e tyre natyror e të kultivuar.
Ujërat freatike kanë një përdorim më të gjerë, jo vetëm civil, por edhe industrial. Përgjithësisht këto ujëra kanë thellësi të vogël nga sipërfaqja e Tokës. Shumë substanca si pesticidet, metalet e rënda etj. të lëshuara në mjedis përzihen me ujërat që depërtojnë në tokë, duke i ndotur ngadalë ato. Lëvizja kapilare e ujit gjatë infiltrimit apo edhe avullimit të tyre sipërfaqësor ruan ndotjen e madhe të tyre. Ndotja e tyre paraqet probleme serioze për furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm. Prandaj ato mund të përdoren sidomos në procese teknologjike apo edhe në ndërtim.
Urbanizimi i lartë që karakterizon qendrat e mëdha urbane po shoqërohet edhe me shfrytëzimin pa kriter të ujërave nëntokësore. Kjo ul mundësinë e furnizimit normal të popullsisë me ujë të pishëm.