Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 1.5
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
FORMA E TOKËS DHE RRJETI GJEOGRAFIK
► Forma dhe përmasat e Tokës
Forma e Tokës, ka zgjuar kureshtjen e njerëzve qysh në lashtësi. Ata u përpoqën, të përcaktojnë jo vetëm formën, por edhe përmasat e saj. Grekët e lashtë u përpoqën të nxjerrin një model të formës së Tokës duke u mbështetur edhe tek zbulimet e fenikasve. Ata përdorën të parët, konceptin e pozitës gjeografike të një vendi, mbi bazën e gjatësisë dhe gjerësisë gjeografike, bazuar në shtrirjen hapësinore të Mesdheut. Harta e Homerit që daton në shek. IX p.e.s e paraqet Tokën si një disk të rrafshtë. Ajo rrethohej nga të gjitha anët me oqeane dhe në qendër vendosej pellgu i Mesdheut dhe lugina e Nilit. Megjithatë, ideja e trajtës sferike të Tokës vjen prapë nga lashtësia dhe i takon dijetarit grek Pitagora (shek. V p.e.s.). Provat e para mbi rrumbullakësinë e Tokës u grumbulluan nga Aristoteli. Më pas ato u plotësuan nga Ptolemeu( shek. II) si më poshtë: – Vëzhgimet e eklipsit të Hënës tregojnë se kur Toka vendosej midis Diellit e Hënës, hija e lëshuar prej saj, ishte në formën e një harku rrethi. Hije të tilla lëshojnë vetëm trupat sferikë: vëzhgimet qiellore tregonin se gjithë trupat përbërës të sistemit tonë diellor ishin sferikë. Toka si një prej këtyre trupave, nuk mund të ishte ndryshe, por vetëm sferë; prej lëvizjes ditore të diellit shohim çdo mëngjes që dielli ndriçon fillimisht objektet më të larta e më pas ato më të ulta. Kjo është veti e trupave të mysët; lartësia e yjeve në kupën qiellore respekton rrafshin e vëzhgimit, sepse në gjerësi të ndryshme gjeografike ata shihen, në lartësi jo të njëjtë. Ylli Polar, i cili shënon drejtimin e veriut në hemisferën tonë, nuk ka një lartësi fikse. Nëse e shohim atë duke u zhvendosur nga veriu për në jug, lartësia e tij bëhet gjithnjë edhe më e ulët në hori zont dhe kjo është veti e trupave të mysët. N. q se Toka, do të kishte formë të rrafshtë, atëherë Ylli Polar do të kishte lartësi të njëjtë në të gjithë vendet e hemisferës sonë. Periudha e Mesjetës ringjalli idenë e Tokës së rrafshtë, por tek shumë mendimtarë të kësaj kohe, kjo ishte një çështje e kapërcyer. Lundrimet e Kristofor Kolombit, viti 1492 dhe Ferdinand Magelanit 1519-1522, provuan përfundimisht se Toka ishte një trup sferik. Sot vërtetësinë e formës sferike të Tokës e japin provat e pakundërshtueshme që vijnë në çdo çast prej imazheve të sondave kozmike e satelitëve artificialë. Në fund të shek. XVII matja e forcës gravitacionale tregoi se ajo nuk ishte e njëjtë në gjerësi gjeografike të ndryshme. Pra, Toka nuk ishte një trup sferik. Forma e Tokës i përafrohej asaj të një elipsoidi, ku rrezja ekuatoriale është më e gjatë se ajo polare. Për shkak të rrotullimit ditor të Tokës rreth vetes, ekziston një shtypje në polet e saj dhe forca e rëndesës është më e madhe në pole dhe më e vogël në ekuator. Ndërkohë, matja e harkut prej 1° tek meridianët, tregoi se këto gjatësi ishin të ndryshme.
Forma reale e Tokës është e ndërlikuar, sepse sipërfaqja e saj nuk është e rrafshtë, por me male, fusha, lugina e forma të tjera relievi. Forma ideale e Tokës mund të jepet me anë të gjeoidit (greqisht “gjeo” – Tokë dhe “idea” – shëmbëllim). Gjeoidi është trupi që formohet, nga zgjatja imagjinare e sipërfaqes së qetë të deteve dhe oqeaneve nën kontinente (pa ndikimin e fenomenit baticë-zbaticës). Sipërfaqja që do krijohet ka vetinë: të jetë pingule, në çdo pikë të saj, me forcën gravitacionale. Ekziston një diferencë midis elipsoidit dhe gjeoidit në pjesë të ndryshme të Tokës. Në Polin e Veriut, gjeoidi gjendet 10 m mbi nivelin e elipsoidit, ndërsa në Polin e Jugut, si rezultat i “ndrydhjes” së tij drejt qëndrës së Tokës, kemi një ulje prej -30 m. Kurse në ekuator vërehet përputhja e këtyre dy vijave imagjinare. Kështu forma e Tokës është e ngjashme me atë të një dardhe. Matjet e para të përmasave të Tokës, janë kryer nga dijetari grek Eratosteni (shek. III p.e.s). Ai ishte i bindur se Toka ishte një trup i rrumbullaktë dhe përcaktoi gjatësinë e perimetrit të Tokës, prej afërsisht 40 000 km. Është e habitshme, por gabimi i tij është vetëm 9 km. Në përcaktimin e përmasave të Tokës, për lehtësi studimi merret elipsoidi, pasi diferencat midis elipsoidit dhe gjeoidit janë të vogla. Duke qënë se diferenca a – b është e vogël dhe pa ndonjë rëndësi të madhe praktike, për qëllim studimi formën e Tokës e marrim sferike dhe me rreze 6 371.1 km.
►Rëndësia gjeografike e formës dhe e përmasave të Tokës
Pasojat që vijnë nga forma sferike e Tokës lidhen me këndin e rrënies së rrezeve të diellit, që nuk është i njëjtë në pika të ndryshme të Tokës. Në ekuator rrezet e Diellit bien me kënd të madh deri pingul dhe drejt poleve ky kënd vjen e zvogëlohet deri në 0°. Forma e Tokës përcakton shpërndarjen zonale të ngrohtësisë dhe elementëve të tjerë klimatikë. Ajo kushtëzon funksionimin e ligjit të zonalitetit për gjithë elementët gjeografikë. Brezat kryesore janë: brezi i nxehtë, brezat mesatarë dhe brezat polarë. Përmasat e tokës kushtëzojnë forcën e gravitetit, e cila është e aftë të sigurojë praninë e atmosferës që garanton ekzistencën e jetës në të. Gjithashtu masa e Tokës është e mjaftueshme për të mbajtur rreth vetes edhe satelitin e saj të vetëm Hënën.
►Rrjeti gjeografik
Toka, si çdo trup tjetër qiellor rrotullohet rreth vetes sipas një vije imagjinare që quhet bosht i rrotullimit. Ai e ndërpret sipërfaqen tokësore në dy pika, që qëndrojnë të palëvizura gjatë rrotullimit. Këto janë polet gjeografikë; Poli i Veriut dhe Poli i Jugut. Polet gjeografikë shërbejnë si pika referimi për të lokalizuar të gjitha pikat e tjera të sipërfaqes tokësore. Nëse e ndërpresim sipërfaqen tokësore me një plan imagjinar që kalon pingul me boshtin e rrotullimit, atëherë përftohet një rreth imagjinar që quhet paralel. Kur plani është pingul me boshtin e Tokës dhe në qendër të tij, krijohet paraleli me perimetrin më të madh që quhet ekuator. Ai është njëherazi edhe i barazlarguar nga polet. Plani ekuatorial e ndan Tokën në dy hemisfera: në Hemisferën Veriore ose Boreale dhe në Hemisferën Jugore ose Australiane. Ne mund të ndërtojmë një pafundësi paralelesh. Megjithatë ato zakonisht janë vendosur në një distancë këndore prej 1° njëra nga tjera.
Ekuatori thuhet ndryshe se është edhe paraleli 0°. Gjithsej kemi 180° paralele nga të cilat 90 në Veri dhe 90 në Jug të ekuatorit. Paralelet janë të gjithë të ndryshëm brenda secilës hemisferë, si dhe gjenden simetrikë me njëri – tjetrin kundrejt ekuatorit. Gjatësia e perimetrit të çdo paraleli zvogëlohet nga ekuatori drejt poleve. Nga Poli i veriut mund të shohim një pafundësi rrathësh bashkëqendro rë që zvogëlohen progresivisht, për të përfunduar në një pikë që është vetë poli. Paralelet më të rëndësishme përveç ekuatorit, janë: paraleli 23°27’, ose Tropiku i Gaforres në Veri të ekuatorit dhe simetriku i tij Jugor, Tropiku i Bricjapit. Paraleli 66°33’ V, i cili quhet rrethi polar Verior, ose Arktik dhe simetriku i tij Jugor, rrethi polar Jugor, ose Antarktik. Sipërfaqja tokësore mund të pritet edhe me plane që kalojnë përmes boshtit të Tokës. Rrathët imagjinarë që krijohen do të jenë të mëdhenj, të barabartë dhe quhen meridianë. Polet janë pikat ekstreme të boshtit tokësor dhe pika ku takohen të gjithë meridianët. Prej vitit 1884, me marrëveshje ndërkombëtare u pranua zyrtarisht nga 25 vende koha standarte dhe u caktua si meridian bazë ose fillestar, meridiani Greenwich. Një shirit metalik shënon vendosjen e tij egzakte në Observatorin e Greenwich – it pranë Londrës. Duke u nisur nga meridiani bazë, ose meridiani 0, numërohen 179 meridianë në Lindje dhe 179 meridianë në Perëndim. Meridiani 180°, quhet edhe antimeridian ose vija e ndërrimit të datës. Ai kalon mespërmes Oqeanit Paqësor në zona të pa banuara duke patur një ndikim minimal në përcaktimin lokal të datës. Meridiani fillestar e ndan Tokën në dy hemisfera: në Hemisferën Lindore dhe në Hemisferën Perëndimore. Çdo hemisferë përbëhet nga një pafundësi meridianësh, por zakonisht konsiderohen meridianë ata që vendosen në një distancë këndore prej 1°, pra, gjithsej 360. Meridianët në dallim nga paralelet kanë të njëjtën gjatësi, pra janë të gjithë të barabartë. Paralelet dhe meridianët na shërbejnë për të dhënë konceptin e gjerësisë dhe të gjatësisë gjeografike. Gjerësia gjeografike e pikës P është distanca këndore midis paraleles që kalon në pika e dhënë dhe ekuatorit.
Ne mund ta përkufizojmë edhe si madhësia e këndit në gradë, që formohet midis vijës që bashkon pikën e dhënë P, me qendrën e Tokës dhe vijën e ekuatorit. Gjerësitë maten me gradë dhe fraksione të gradës dhe lëvizin nga 0° në ekuator në 90° në V (Poli i Veriut) në hemisferën boreale veriore, si dhe nga 0° në ekuator në 90° në J (Poli i Jugut) në hemisferën australiane ose jugore. Bashkësia e pikave në një paralel ka të njëjtën gjerësi gjeografike. Çdo pikë, në veri të ekuatorit ka gjerësi gjeografike veriore, ndërsa në jug të tij kanë gjerësi gjeografike jugore. Gjatësia gjeografike nga një pikë P është distanca këndore midis meridianit që kalon në pikën P dhe meridianit fillestar. Ajo mund të përkufizohet edhe si madhësia e këndit në gradë që formohet, midis rrafshit të krijuar në pikën e dhënë, me rrafshim e krijuar nga meridiani fillestar Greenwichit. Gjatësia gjeografike varion nga 0° në 180° (i cili quhet dhe ndryshe antimeridiani i Greenwich – it, ose vija e ndërrimit të datës). Të gjitha pikat që gjenden mbi të njëjtin meridian kanë të njëjtën largësi këndore prej meridianit fillestar të Greenwich – it, pra kemi të njëjtën gjatësi gjeografike. Ndërprerja e meridianëve dhe paraleleve formon një rrjetë imagjinare, që quhet rrjeti gjeografik. Ajo na ndihmon në përcaktimin e pozitës gjeografike të një pike në sipërfaqen e Tokës, ose të koordinatave gjeografike të saj. Tirana, kryeqyteti ynë, gjendet në paralelin 41°19’ gjerësi gjeografike veriore. Por vetëm meridiani që kalon në Tiranë me gjatësi gjeografike 19°49’ lindore e pret këtë paralel. Ndërprerja e paralelit 41°19’ gjerësi gjeografike veriore dhe meridianit 19°49’ gjatësi gjeografike lindore përcaktojnë koordinatat gjeografike të Tiranës. Pozita gjeografike e Tiranës është unike dhe nuk ngjason me asnjë tjetër. Rrjeti gjeografik ndihmon edhe në orientimin e saktë hapësinor të njeriut. Gjithashtu, ky rrjet imagjinar na ndihmon edhe në krijimin e hartave.