Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.6
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
INSTRUMENTET E PARANDALIMIT TË PASOJAVE TË TËRMETEVE
Nëse do t’i riktheheni hartës së “Shpërndarjes së tërmeteve në botë” (në mësimin e kaluar), do të vëreni se ajo nuk është aspak e rastësishme. Përqendrimi i tërmeteve në botë ka një përputhje të plotë me:
1. kufijtë e pllakave tektonike të kores tokësore;
2. Zonat bienoff; dhe
3. Linjat ku vepron sot orogjeneza Alpine.
Pra, të gjitha vendet që i përkasin këtyre trI kategorive janë të destinuar të bashkëjetojnë me tërmetet. Tërmetet në këto zona janë “në shtëpinë e tyre”: Ato kanë ndodhur, ndodhin, dhe do të ndodhin gjithmonë. Kjo vlen edhe për Shqipërinë.
► Shpërndarja e tërmeteve
Në sajë të teknologjisë ne mund të shohim se ku bien tërmetet në çdo moment në botë: http://quakes.globalincidentmap.com/. Harta përditësohet online me të gjitha të dhënat e nevojshme: vendi ku ndodhin, lloji i tërmetit (tokë apo det), thellësia e ipoqendrës, koha, magnituda, burimi i informacionit etj. Nëse e vrojtojmë hartën online do të vërejmë se përhapja e tërmeteve përkon përgjithësisht me tri zonat e sipërpërmendura të kores tokësore. Mbi bazën e të dhënave të rastisjes së tërmeteve, ndërtohen harta siç është “Harta e tërmeteve në Europë”. Harta ka dy lloje të dhënash që mund të lexohen dhe që japin: vendin e ndodhjes së tërmeteve dhe thellësinë e secilit prej tyre. Vendi i ndodhjes dhe numri i tërmeteve lexohet nëpërmjet dendësisë së pikave. Thellësia e tërmeteve shprehet me shkallëzimin e ngjyrave në të djathtë, i cili i klasifikon tërmetet sipas thellësisë së ipoqendrës, deri në 800 km. Sa më thellë të ndodhet ipoqendra e një tërmeti aq më i fortë do të jetë ai, dhe aq më shumë probabilitet për të shkaktuar dëme ka. Tërmetet në Europë janë kryesisht të përqendruar në zonat e orogjenezës Alpine që kap Pirenejtë, Alpet e Europës, Dinaridet, Albanidet, Helenidet, Karpatet, dhe Malet Ballkan. Tërmetet në Europë përgjithësisht janë të cekët (thellësi deri në 33 km, shënuar me ngjyrë portokalli) dhe mesatarisht të cekët (thellësi 33-70 km, shënuar me ngjyrë të verdhë), dhe më pak janë të thellësive mesatare (70-300 km thellësi, shënuar me ngjyrë jeshile dhe blu). Në Shqipëri ne kemi numër të lartë tërmetesh, dhe janë të cekët dhe mesatarisht të cekët.
►Faktorët e shtimit të pasojave të tërmeteve
Në mësimin e kaluar shpjeguam se klasifikimi i tërmeteve sipas shkallës Merkali ka për bazë pikërisht pasojat që tërmetet lënë në terren. Një tërmet me të njëjtën magnitudë Rihter, mund të shkaktojë pasoja më të rënda ose më pak të rënda. Le të marrim rastin e një tërmeti me magnitudë 6 të shkallës Rihter. Pasojat që ky do të shkaktojë do të varen nga disa faktorë:
Lloji i materialeve që përbëjnë terrenin ku bie tërmeti. Nëse terreni është me shkëmbinj magmatikë (si p.sh., zona e Mirditës, etj.) ai shkakton më pak pasoja. Kjo sepse shkëmbinjtë magmatikë janë shumë rezistentë. Nëse terreni është tarracë lumore (si në rastin e qytetit të Tiranës) pasojat do të jenë më të pakta. Kjo ndodh sepse tabani i tarracave të vjetra lumore (me gurë të depozituar e të ngjeshur) është shumë i qëndrueshëm dhe elasitk. Por nëse terreni do të jetë me shkëmbinj argjilorë apo rërë (si p.sh.., zona e Golemit në gjirin e Durrësit) atëherë pasojat kanë mundësi të jenë disi më të rënda. Kjo sepse rëra ka një cilësi që quhet “lëngëzim” i lartë: lëkundjet e shpejta bëjnë që të rriten hapësirat midis grimcave, dhe duke e humbur strukturën e vet, rëra sillet si lëng. Këtë ju mund ta provoni vetë në një plazh ranor: në zonën e ngjeshur të rërës ju mund të qëndroni pa e zhytur këmbën, por nëse e tundni shputën e këmbës disa herë me shpejtësi do të shikoni që këmba do t’ju zhytet në rërë, sepse rëra do të lëngëzohet shumë shpejt.
Lloji dhe cilësia e ndërtimeve të njeriut. Pasojat që mund të shkaktojë tërmeti varen shumë edhe nga cilësia e ndërtimeve. Në kushtet e një tërmeti me magnitudë të njëjtë, dhe në kushtet ë përbërjes së njëjtë të tabanit, pasoja më të rënda tërmeti do të shkaktojë në një vend ku ndërtesat janë ndërtuar pa marrë në konsideratë rregullat teknike anti-sizmike. Rasti më tipik është ai i dy tërmeteve që ranë në harkun e dy muajve: në Haiti (12 Janar 2010) dhe në Kili (27 Shkurt 2010). Tërmeti që ra në Haiti ishte me magnitudë 7.0 të shkallës Rihter, dhe shkaktoi mbi 300.000 të vdekur dhe miliona të pastrehë. Ndërsa tërmeti në Kili, megjithëse ishte shumë më i fuqishëm, përkatësisht 8,6 i shkallës Rihter, shkaktoi vetëm 526 viktima. Arsyeja është tek fakti se Kili ka rregulla shumë më të forta anti-sizmike të ndërtimit të banesave, dhe e zbaton atë në mënyrë shumë rigoroze. Pra, megjithëse të dy vendet janë zona ku bien tërmete vazhdimisht, Kili ishte gati ndërsa Haiti jo. Kili është goditur vazhdimisht nga tërmetet dhe prandaj ka marrë masa për të shmangur pasojat e dhimbshme.
Rregullat e ndërtimit anti-sizmik quhen “Kode anti-sizmike”. Bashkimi Europian ka një të tillë që quhet “Eurokod” dhe i cili përditësohet vazhdimisht. Shqipëria vepron ende me Kodin e vitit 1988, dhe sizmologët mendojnë se ajo ka nevojë urgjente ta përditësojë atë. Përpara se të bëhet çdo lloj ndërtimi, në Shqipëri ashtu si dhe në botë, duhet bërë studimi sizmik i terrenit. Sizmologu bën vlerësimin e cilësive fizike të tabanit, dhe sugjeron se në çfarë niveli duhet të jenë masat teknike të ndërtimit për t’u siguruar nga tërmeti. Kështu, nëse në BE, ndërtimet bëhen që t’u rezistojnë edhe tërmeteve të fuqishëm me probabilitet rënieje çdo 475 vjet, në Shqipëri detyrimi ligjor është që ndërtimet të bëhen për t’ rezistuar tërmeteve që kanë probabilitetin e rënies çdo 50 vjet (pa përjashtuar rastet kur ndërtuesit e respektojnë vullnetarisht legjislacionin e BE-së). Kjo bën që ndërtimet në vendin tonë të jenë disi më pak të sigurta se sa në Bashkimin Europian. Nëse ne konsiderojmë edhe ndërtimet abuzive (informale) që janë ndërtuar në vendin tonë gjatë 25 viteve të fundit, problemi ndërlikohet edhe më shumë. Shqipëria nuk goditet nga një tërmet i fuqishëm që prej vitit 1978 kur një tërmet goditi vendin tonë në zonën e Shkodrës, përgjatë thyerjes Shkodër-Pejë. Për të përcaktuar nivelin e masave që duhen respektuar në ndërtime, sizmologët përllogarisin masën e “rrezikimit” për çdo territor. Për të përllogaritur këtë, merret në konsideratë edhe magnituda maksimale e tërmeteve të një zone, edhe lloji i materialeve që përbëjnë tabanin, edhe shkalla e cilësisë së ndërtimeve që janë të pranishme në atë zonë. Me këto të dhëna, ne ndërtojmë “hartën e rrezikimit”.
Në nivel botëror, përdoret një evidentim i të gjitha zonave që kanë rrezik të goditen nga tërmetet http://www.mapsism.com/Equakepedia#diciottesimavoce, ku 249 zonat emërtohen “regjione sizmike” (krahina sizmike). Për efekt të monitorimit të tërmeteve dhe të menaxhimit të tyre, zonat paraqiten si katërkendorë: regjioni i Shqipërisë mban numrin 199. Në shpjegimet përkatëse thuhet se në regjionin 199 pllaka adriatike futet me subduksion nën pllakën euroaziatike. Në këtë zonë sizmike ka një përqendrim të tërmeteve në pjesën perëndimore për shkak të disa thyerjeve që e përshkojnë zonën. Ipoqendrat ndodhen në thellësi 0-33 km, dhe përgjithësisht ndodhin tërmete me magnitudë 6.8 shkallë Rihter.
►Bashkëjetesa me tërmetet: si të mbrohemi
Ne nuk mund të parandalojmë tërmetin, pra nuk e ndalojmë dot që tërmeti të ndodhë. Po ashtu, ne nuk e parashikojmë dot tërmetin: parashikimi më i shpejtë është vetëm pak sekonda përpara se ai të arrijë maksimumin e magnitudës së tij. Prandaj, mënyra më e mirë e veprimit është ‘zbutja”. Kjo bëhet në dy mënyra: të ndërtohet në mënyrë të sigurt, me qëllim që të parandalojmë pasojat më të mëdha; të edukohet komuniteti që të dijë se çfarë duhet bërë në momentin kur bie tërmet dhe pas tij, me qëllim që të parandalohen edhe dëme më të vogla. Kështu, ka programe të veçanta që çdo njeri të informohet dhe të veprojë.
Këtu janë disa rregulla që duhet të zbatojnë nxënësit e një shkolle në momentin kur bie tërmeti:
1. Futuni menjëherë poshtë bankës dhe mbulojeni kokën.
2. Rrini kërrusur aty deri sa të kenë përfunduar lëkundjet.
3. Pasi të përfundojnë lëkundjet, nën komandën e mësuesit, drejtohuni të organizuar dhe me shpejtësi tek dalja më esigurt.
4. Gjatë tërmetit të shmanget lëvizja dhe të shmangen zona të pasigurta të ndërtesës si shkallët, ashensori, ballkonet etj.
5. Nëse tërmeti ju kap në ndërtesë të qëndroni larg objekteve që mund të bien.
6. Nëse jeni jashtë, të qëndroni nëse mundeni larg objekteve që mund të bien, si shtyllat e elektrikut, pemët etj.
7. Për të parandaluar rënien e objekteve të rrezikshme gjatë tërmetit, bëni kujdes që në shtëpi të siguroni objektet si raftet e rënda, furnelat e gazit etj.
► Mënyrat se si edukohen nxënësit e shkollave për të vepruar në rast tërmeti
Aq e rëndësishme është siguria në shkolla në rast tërmeti sa që ekipe të tëra të inxhinierëve që merren me “design industrial” kërkojnë që të ndërtojnë tavolina më të sigurta, të cilat të durojnë edhe rrëzime muri, me qëllim që fëmijët të jenë të sigurt. Në këtë link ju mund të shikoni një nga këto arritje teknologjike: ttp://www.geohaz.org/#!Earthquake-Desks-in-Actionthe-Video/zn2y8/5762fbe20cf2d021c3ff8636 Zonat me rrezik të lartë cunami, kryesisht ato që lagen nga oqeani Paqësor dhe Indian, kanë instaluar një sistem të quajtur “sistemi i paralajmërimit të hershëm”. Ky sistem bën të mundur që me çdo mjet komunikimi të lajmërohen banorët sa më shpejt në momentin kur regjistrohet një tërmet nënujor në oqean, i cili vlerësohet se mund të çojë në ngritje valësh shkatërruese. Banorët ftohen të sigurohen duke u zhvendosur në zona të larta (kodra) apo në ndërtesa të larta.