Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.1
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
BAZAT E TEORISË SË TEKTONIKËS SË PLLAKAVE
►Teoria e “izostazisë” dhe e “zhvendosjes së kontinenteve”
“Toka është një planet i gjallë”. Megjithëse e kemi dëgjuar shpesh këtë shprehje, sërish nuk e kemi kuptuar plotësisht. Kjo shprehje nuk lidhet vetëm me faktin se në Tokë jetojnë gjallesa midis të cilave aktualisht edhe njeriu. Kjo lidhet sidomos me faktin se edhe ajo pjesë e planetit që nuk është “e gjallë” në kuptimin që ne i japim kësaj fjale, është në lëvizje të vazhdueshme dhe në ndryshim të pandërprerë sipas disa ligjësive të mirëpërcaktuara. Dukuri të fuqishme si vullkanet, tërmetet, magnetizmi, gravitacioni, janë thjesht demonstrime të dukshme të forcave që veprojnë në brendësi të këtij planeti “të gjallë”.
Në themel të këtij vitalitetit të planetit qëndron energjia e tij e jashtëzakonshme, që vjen nga ngrohtësia që prodhohet në brendësi të tij, që në masën më të madhe shkaktohet nga shpërbërja radioaktive e disa elementëve kimikë si toriumi dhe uraniumi. Teoria më e fundit që na mundëson të fusim në një kornizë logjike edhe dukuritë më të dukshme të dinamikës së Tokës, si vullkanet dhe tërmetet, është teoria e tektonikës së pllakave. Ka disa teori dhe arritje që kanë kontribuar gradualisht në këtë përfundim. Le të shohim në rend kronologjik se si ka arritur njerëzimi dhe shkenca e tij deri te kjo teori dhe te ky shpjegim.
Teoria e parë është ajo e “izostazisë” (nga greqishtja isio-e barabartë, dhe stasi-pozicion), që do të thotë “pozicione të barabarta” ose “të njëjta”. Kjo teori filloi të kristalizohej në fund të viteve 1800 nga gjeologu amerikan Clarence Dutton. Izostazia i ka rrënjët tek parimi i Arkimedit për pluskimin e trupave mbi ujë: një trup që pluskon mbi ujë, zhvendos masë uji që mund të jetë më e madhe apo më e vogël në varësi të peshës dhe të masës së vetë trupit. Midis litosferës dhe astenosferës vendoset një gjendje ekuilibri pluskimi, që njihet si izostazia: nëse litosfera e rrit masën e vet, ajo zhytet më thellë në astenosferë, ndërsa nëse litosfera e zvogëlon masën e vet, ajo ngjitet më në sipërfaqe të astenosferës.
Teoria e dytë është ajo e “zhvendosjes së kontinenteve”. Në 1912, Alfred Wegener përpunoi hipotezën se korja e Tokës nuk lëviz vetëm vertikalisht për shkak të izostazisë, por edhe horizontalisht. Wegener ofroi prova se 200 milionë vjet më parë Toka kishte vetëm një kontinent të madh të quajtur Pangea (Wegener e quajti me termat greqisht pangjithë dhe gea-tokë, pra “gjithë Toka”), ndërsa kishte vetëm një oqean që ai e quajti Panthalasa (nga greqishtja, pan-gjithë, dhe thalasa-det). Sipas tij, Pangea filloi të shpërbëhej 180 milionë vjet më parë për të marrë konfiguracionin e sotëm të kontinenteve. Ai ofroi prova që i grupoi në disa kategori:
Provat topografike: bregu perëndimor i Afrikës përkon shumë me bregun lindor të Amerikës së Jugut, njësoj si copat e një pazëll-i. Në fakt, sot , me mjetet moderne, është provuar se brigjet e vërteta të këtyre kontinenteve ndodhen në thellësi 900 m nënë det, dhe nëse i afrojmë ato përkojnë në mënyrë të përkryer.
Provat paleontologjike (të fosileve): u zbuluan fosile të disa specieve të pranishme në kontinente të ndryshme. Rasti më interesant ishte ai i krokodilit Mesosauri, tashmë i zhdukur, fosilet e të cilit u gjendën si në Afrikë, ashtu edhe në Amerikën e Jugut, ndërkohë që kjo kafshë e ka patur të pamundur të kalojë oqeanin, sepse jetonte vetëm në ujëra të ëmbla.
Provat litologjike (të shkëmbinjve): u zbuluan të njëjtat lloje shkëmbinjsh të së njëjtës moshë, në të dy kontinentet, çka bën të mendohet se këta kontinente kanë qenë të bashkuar dikur. P.sh., shtresat e qymyrit në Pensilvani (SHBA) kanë të njëjtën moshë dhe përbërje me ato në Gjermani apo Poloni, ç’ka bën të mendohet se këto dy zona kanë qenë dikur të bashkuara.
Provat paleoklimatike: u zbuluan depozitime akullnajore të njëjta me moshë 300 milionë vjet, në zona aktualisht tropikale të Afrikës dhe Amerikës së Jugut. Kjo bën të mendohet se të dy kontinentet kanë qenë të bashkuar dhe akullzimi i ka mbuluar të dy në të njëjtën kohë. Edhe pse Wegener dha prova të drejta, ai gaboi tek hipoteza mbi mekanizmin që kishte bërë të mundur lëvizjen e kontinenteve: ai sugjeroi se kjo zhvendosje ka ndodhur si rezultat i inercisë dhe forcës qendërikëse që buron nga rrotullimi i Tokës rreth vetes.
Teoria e tretë është ajo e “lëvizjeve konvektive”. Teoria e Wegener u plotësua nga Artur Holmes. Në vitin 1931 ai hodhi hipotezën se lëvizja e kontinenteve nuk i detyrohej forcës qendërikëse nga rrotullimi i Tokës, por i detyrohej lëvizjeve konvektive të krijuara në mantelin e Tokës. Sipas tij, në mantel krijohen disa qeliza të lëvizjes së magmës për shkak të ndryshimit të nxehtësisë dhe dendësisë në të. Meqë korja e Tokës pluskonte mbi mantel, lëvizjet e magmës në këtë të fundit bënin që edhe pjesët e kores të zhvendoseshin në të njëjtin drejtim. Një arritje e jashtëzakonshme për të rindërtuar Pangean e vjetër ishte zbulimi i paleomagnetizmit, pra i magnetizmit të dikurshëm të Tokës. Në vitet 1950 u zbulua se shkëmbinjtë magnetizohen në momentin e krijimit të tyre, dhe e ruajnë atë drejtim të magnetizimit të dikurshëm që sot e quajmë “paleomagnetizëm”. Duke studiuar këtë magnetizim të tyre sot, ne mund të rindërtojmë se si kanë qenë të vendosur këta masive shkëmborë në raport me polin e atëhershëm. Duke rindërtuar pjesët e kontinenteve të vjetër, ne mund të rindërtojmë Pangean.
►Teoria e “zgjerimit të fundit oqeanik”
Kjo është teoria e katërt që plotësoi studimin e lëvizjeve të brendshme të Tokës. Në vitin 1962 gjeologu amerikan Hess formuloi hipotezën se fundi oqeanik zgjerohet. U zbulua se fundi oqeanik ka strukturë të ndryshme nga ajo e kontinenteve: ka një pjesë të sheshtë që përshkohet mes për mes nga vargje “malore” nënoqeanike me përmbajtje magme, ndërsa tjetërkund ka humnera oqeanike shumë të gjata. Këto “vargmale nënoqeanike” i detyrohen daljes së vazhdueshme të magmës, e cila ushqen fundin oqeanik duke e shtuar apo zgjeruar atë. Veçse, megjithëse në këto zona formohet litosferë e re, përmasat e tokës mbeten të pandryshuara, sepse në zona të tjera nënoqeanike litosfera shndërrohet në magmë. Kjo ndodh në zonat e “humnerave nënoqeanike” (ose rift valley), që u zbuluan se ndodhen në afërsi të të gjithë arkipelagëve (grupe ishullore) në formë harkore. “Humnerat” oqeanike s’janë gjë tjetër veçse zonat ku një pjesë e kores oqeanike zhytet nën pjesën tjetër të korës oqeanike duke u rishndërruar në magmë të mantelit. Kjo është dukuria e subduksionit. Një element tjetër i fundit oqeanik u zbulua të ishin disa prerje tërthore të vargjeve nënoqeanike, pra që i përshkojnë këto vargje pingul. Këto prerje janë thyerje tektonike përgjatë të cilave korja oqeanike zhvendoset horizontalisht dhe tërthor vargjeve oqeanike. Mundësitë teknologjike të eksplorimit të fundit oqeanik me nëndetëse të ndërtuara enkas, që u realizuan në vitet 1970, provuan të gjitha teoritë e Hess për fundin oqeanik. Në vitin 1965, gjeofizikanti kanadez Wilson përpunoi hipotezën sipas së cilës korja e Tokës nuk ishte një e tëra, por ishte e përbërë nga copa koreje, kufijtë e të cilave përfaqësohen nga vargjet nënoqeanike, humnerat oqeanike, dhe nga thyerjet tërthore nënoqeanike. Së fundi, në vitin 1967 shkencëtarët Morgan, Meckenzie, dhe Parker përpunuan atë që sot e njohim si “teoria e tektonikës së pllakave”, mbi bazën e së cilës mund të shpjegohen të gjitha dukuritë gjeologjike. Sipas kësaj teorie, që është e vlefshme edhe sot, pllakat zhvendosen në raport me njëra-tjetrën sipas 3 lloj lëvizjesh: konvektive, subduktive, dhe tërthore.
►Motori që vë në lëvizje pllakat e Tokës
Cili është mekanizmi që e vë në funksion mekanizmin e ndërlikuar të pllakave? Kjo ende nuk është e qartë në detaje. Për këtë ka nevojë ende për studime dhe për prova. Hipoteza më e përkrahuar sot është që ekziston një sistem qelizash konvektive në brendësi të mantelit: ndryshimet në temperaturë (dhe pra në dendësi) midis pjesëve të ndryshme të astenosferës krijojnë lëvizje konvektive në lëndën që e përbën.
Lëvizjet konvektive janë ngjitje të lëndës së nxehtë, si më e lehtë, dhe zbritje të lëndës së ftohtë. Hipoteza mbështet idenë se në një moment të caktuar të evolucionit të planetit, janë vënë në lëvizje këto qeliza konvektive. Lëvizja e tyre shumë e ngadalshme prej disa centimetrash në vit sigurohet dhe shkaktohet nga nxehtësia e prodhuar vazhdimisht nga shpërbërja e izotopeve radioaktive, si dhe nga nxehtësia që vjen nga thellësitë më të mëdha të Tokës. Volume të mëdha shkëmbinjsh të thellësive, në gjendje të shkrirë dhe gjysmë të shkrirë, më të nxehta dhe për këtë arsye më të lehta se lënda që i rrethon, tentojnë të ngjiten drejt sipërfaqes. Ndërsa shkëmbinjtë më afër sipërfaqes së Tokës, që nga ana e tyre janë më të ftohtë dhe për këtë arsye më të rëndë, tentojnë të zbresin për t’u nxehur. Pasi nxehen ata rifillojnë të ngjiten, dhe kështu merr formë një mekanizëm që i ngjan atij që krijohet në një kusi me ujë kur uji fillon e zien: uji i nxehtë nga fundi ngjitet lart, ndërsa uji i sipërfaqes që është më pak i nxehtë zbret poshtë vazhdimisht.