Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 7.13: Veprimtaria e erës dhe e valëve detare

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.13

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

VEPRIMTARIA E ERËS DHE E VALËVE DETARE

Veprimtaria e erës
Era është një agjent i jashtëm i rëndësishëm i modelimit të relievit. Era mund të gërryejë shkëmbinj, mund të transportojë materialet e përmasave të vogla dhe mund të akumulojë këto materiale kur ulet forca e saj transportuese. Kjo quhet “veprimtari eolike” (nga “Eoli” që ishte perëndia greke që kontrollonte erërat). Forca e ajrit në çdo rast ka mundësinë të shkëpusë nga shkëmbinjtë copëza me përmasa të vogla, duke çuar në ndryshimin e formës së shkëmbinjve, por edhe në dobësimin e fortësisë së tyre. Aftësia gërryese e erës është më e madhe në rastet kur era transporton grimca të ngurta. Ato grimca e godasin shkëmbin dhe e rrisin forcën modeluese gërryerëse të erës. Kjo dukuri është më e shprehur në zonat ku era mund të ngrejë grimca rëre: në shkretëtira dhe në zona bregdetare. Shkëmbinjtë që kanë tendencën të gërryhen më shumë nga forca gërryerëse eolike janë shkëmbinjtë e përbërë nga grimca, si p.sh., shkëmbinjtë ranorë, konglomeratikë etj. Relievi më tipik në Shqipëri është Shkëmbi i Kavajës. Ky formacion shkëmbor i madh, me lartësinë e një kodre, përbëhet nga ranorë dhe ndodhet përballë me detin prej nga vjen era që e ka modeluar me forma nga më të ndryshmet. Era ushtron edhe veprimtari akumuluese. Forma më tipike e kësaj veprimtarie është “duna”. Duna është një grumbull sedimentesh ranore të sjella nga era, që zhvendoset vazhdimisht në varësi të drejtimit, forcës së erës dhe zhvillimit të bimësisë.

Energjia eolike
Me energji eolike do të kuptojmë energjinë e erës. Termi vjen nga Eoli, perëndia e erës në antikitet. Forca e erës është përdorur nga njeriu që herët. Kështu, historikisht, në vendet me mungesë të ujërave rrjedhës është tentuar të përdoret forca e erës për të ndërtuar mullinj. Aktualisht, era konsiderohet si një nga burimet e ripërtëritshme të energjisë elektrike. Turbina eolike është pikërisht mekanizmi që shndërron disa lloje energjie në energji elektrike. Fillimisht energjia kinetike e erës shndërrohet në energji mekanike, e cila pastaj përdoret për të prodhuar energji elektrike. Kur në një zonë ngrihen shumë turbina eolike, atëherë aty është krijuar një “fermë eolike”, çka nënkupton që ajo zonë përkatëse prodhon energji elektrike ashtu siç një fermë bujqësore prodhon grurë apo fruta. Fermat eolike janë dy llojesh: on shore, pra në stere dhe off shore, pra në det. Megjithëse sot energjia e erës siguron vetëm më pak se 15% të energjisë që konsumon njerëzimi, ritmi i prodhimit të saj po rritet vazhdimisht. Në shumë vende të botës vazhdojnë të ngrihen shumë ferma eolike. Teknologjia e energjisë eolike përparon vazhdimisht. Kërkesa për energji eolike rritet vazhdimisht, kështu që kërkimi teknologjik tenton të ulë kostot e fermave eolike, por njëkohësisht të shmangë maksimalisht edhe problemet që ajo paraqet.

Veprimtaria e valëve detare
Valët detare përfaqësojnë njërën nga forcat e jashtme modeluese të relievit. Forca e ujit të detit ushtron veprim fizik dhe veprim kimik (nëpërmjet kripës) për gërryerjen e bregut të detit. Kjo dukuri quhet “abrazion detar” (nga latinishtja, gërryerje). Rezultati i gërryerjes varet edhe nga faktorë të tjerë, si fortësia e shkëmbinjve që përbëjnë bregun, drejtimi nga bien shtresat shkëmbore, pjerrësia e bregut etj. Veprimtaria më e madhe gërryese ushtrohet në ato pjesë të bregdetit që ngrihen me shpate të pjerrëta. Ky quhet bregdet i lartë.

 

 

Në këtë lloj bregdeti, vala synon të shkatërrojë shkëmbin dhe si rrjedhim krijohen forma si faleza detare etj. Në bregdetin e vendit tonë, bregdet i lartë është një pjesë e mirë e bregdetit të Jonit si dhe disa zona në bregdetin e Adriatikut (Kepi i Rodonit etj.). Veprimtaria e valëve detare është edhe akumuluese. Forma më tipike e kësaj veprimtarie është “plazhi”. Plazhi është një formë relievi që krijohet përgjatë bregut të detit apo oqeanit, nga veprimtaria transportuese dhe akumuluese e valëve detare. Plazhi zakonisht përbëhet nga copëza shkëmbinjsh me përmasa të vogla, si rërë, gurëza etj. Plazhi mund të jetë ranor, kur përbërja e materialeve është e imët dhe zhavorror, kur përbërja e materialeve është me gurëza. Edhe valët detare dhe baticë-zbaticat konsiderohen si një burim i ripërtëritshëm energjie. Ato kanë filluar të përdoren për prodhim të energjisë elektrike.