Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 4.3
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
LUMENJTË DHE REGJIMI I TYRE HIDROLOGJIK
►Lumenjtë dhe regjimi i tyre hidrologjik
Ujërat rrjedhëse sipërfaqësore, në hidrologji, janë rrjedhja e ujit në sipërfaqen e tokës si pjesë e ciklit hidrologjik të ujit. Në ciklin e ujit, një pjesë e reshjeve që bien në sipërfaqen e Tokës rrjedh duke formuar përrenjë e lumenjë. Lumi përfaqëson një rrymë uji, që rrjedh në një shtrat natyror të përpunuar me pjerrësi, sipas një drejtimi të caktuar. Tiparet e lumit varen nga një sërë faktorësh si: klima e basenit lumor, veçoritë e ndërtimit dhe strukturës gjeologjike, tektonikës lokale, karakteristikave të relievit etj. Një lumë është një rrjedhje natyrore, zakonisht e ujërave të ëmbla, drejt një oqeani, deti, liqeni apo një tjetër lumi. Në disa raste një lumë në tokë dhe “zhduket” gjatë rrjedhjes e bëhet i thatë në fund, pa arritur në ndonjë sipërfaqe ujore për t’u derdhur.
Klima luan një rol shumë të rëndësishëm, që shprehet në ekzistencën e vetë lumenjve, në karakterin e llojit të ushqimit të lumenjve, në regjimin e tyre etj. Dihet se ushqimi i lumenjve përbëhet nga reshjet e atmosferës, shkrirja e dëborës dhe akullnajave, nga ujërat nëntokësorë, derdhja e liqeneve etj. Ushqimi i lumenjve në stinë të ndryshme dallon mjaft, p.sh., në kohën e dimrit mund të ushqehen kryesisht nga ujërat e reshjeve të shiut, në pranverë mund të mbizotërojë shkrirja e dëborave dhe akullnajave, në verë nga ujërat nëntokësore etj. Në përgjithësi lumenjtë me gjatësi të madhe në pjesë të ndryshme të tyre ushqehen nga lloje të ndryshme ushqimi (p.sh., Danubi, Vjosa, Drini etj). Po kështu, lumenjtë lindin vetëm atje ku në shtratin e tyre grumbullohet një sasi uji e mjaftueshme për rrjedhje të përhershme dhe për kompensimin e humbjeve nga avullimi i ujërave dhe depërtimi i tij në tokë. Sipas De Martonit, për formimin e ujërave rrjedhëse në zonat e ulëta (ku nuk ekzistojnë dukuri karstike), shuma vjetore e reshjeve atmosferike duhet të jetë në gjerësitë gjeografike mesatare, jo më pak se 250 mm, në zonat subtropikale 500 mm dhe në zonat me klime të nxehtë 1000 mm.
Klima përcakton jo vetëm gjendjen e karakterin e ushqimit, por edhe përhapjen gjeografike. Kështu në zonat e thata rrjeti lumor është shumë më i pakët se në zonat e lagëta, sidomos po të krahasojmë rrjetin lumor në zonat ekuatoriale dhe shkretëtirore. Ndërsa në shkretëtirë sasia e ujit është mjaft e pakët, madje, shpesh, lumenjtë thahen. Në zonën ekuatoriale ka lumenj të shumtë dhe me sasi shumë të madhe uji. Pra lumi është pjellë e klimës, sepse lindja, jeta dhe evolucioni i tij varet shumë nga klima, ndërsa pellgjet lumorë zhvillohen në sfondin e kushteve të peizazhit gjeografik.
►Karakteristikat kryesore të pjesëve përbërëse të lumit
Elementët e një lumi. Lumi përbëhet nga disa elementë si burimi, grykëderdhja, pellgu ujëmbledhës dhe vijat ujëndarëse, degët e tij dhe pjesët e sipërme, të mesme dhe të poshtme. Si fillesa të lumit mund të shërbejnë burimet e ujërave nëntokësore, akullnajave, kënetat, liqenet etj. Duhet theksuar se fillimet e lumit mund të pësojnë ndryshime dhe mund të mos jenë të përcaktuara plotësisht. Kështu fillimet e Bunës nga liqeni i Shkodrës, zhvendosen duke ndjekur luhatjet vjetore të ujërave të këtij liqeni. Lumi mund të humbasë gjatë kalimit në territore me gëlqerorë të karstifikuar, sidomos në shkretëtira, ose nga avullimi e vaditjet dhe përfundon në grykëderdhje në ndonjë det, liqen, kënetë, ose në ndonjë lumë tjetër. Lumenjtë në grykëderdhje mund të formojnë deltë, si Buna, Mati, Semani, Vjosa etj, por mund të formojnë edhe estuare (kur lumenjtë derdhen në gjire të mëdha e të thella) si p.sh., Tamizi, Garona etj.
Rrjedha e sipërme e lumit në përgjithësi dallohet për pjerrësi relativisht të mëdha dhe veprimtari të madhe gërryese. Më tej vazhdon rrjedhja e mesme, me pjerrësi më të vogël ku proceset shkatërruese ekzistojnë, por transporti është dominues. Më në fund, në rrjedhën e poshtme, lumi sjell një masë të madhe uji, por duke pasur pjerrësi dhe shpejtësi të vogël, energjia e lumit është e vogël dhe dominon kështu procesi i depozitimit të aluvioneve. Të gjitha këto veçori ndeshen tek profili gjatësor i lumit, që është lakorja që bashkon burimin me grykëderdhjen e lumit.
Krahas profilit gjatësor, tek lumi vihet re edhe profili tërthor i tij. Me profil tërthor kuptohet sipërfaqja që formohet nga prerja e planit normal me drejtimin e rrymës dhe që kufizohet nga poshtë me shtratin e lumit dhe nga lartë me vijën horizontale të ujit. Nëpërmjet tij mund të llogaritet sipërfaqja e seksionit të gjallë të lumit, gjerësia e tij, thellësia mesatare etj. Sistemi lumor karakterizohet nga zgjatja e lumit, meandrimi i tij. Shkalla e meandrimit të lumenjve karakterizohet nga koeficienti i meandrimit. Ky koeficient përcaktohet sipas sektorëve të veçantë të lumit dhe paraqet në vetvete raportin e largësisë në vijë të drejtë midis pikave të fillimit dhe të mbarimit të sektorit me gjatësinë reale të lumit në këtë sektor.
►Meandret e lumit përgjatë rrjedhjes së vet fushore
Densiteti i rrjetit lumor karakterizohet nga koeficienti i densitetit dhe paraqet në vetvete raportin e shumës së zgjatjes së degëve të rrjetit lumor në një sipërfaqe të dhënë me madhësinë e kësaj sipërfaqe e shprehet në km/km². Densiteti i rrjetit lumor varet nga një sërë faktorësh natyrorë si përbërja gjeologjike e truallit, klima, bimësia, veçoritë e tokave, faktorët gjeomorfologjikë etj. Në vendin tonë lumenjtë dallohen për një koeficient të madh densiteti lumor, si p.sh., Fani 3.5 km/km², Mati 3.4 km/km², Drinos 2.5 km/km², Vjosë 2.2 km/km² dhe për vlera të vogla Buna 0.9 km/ km², Drini i Bashkuar 1.0 km/km². Gjatësia e lumit nga burimi në grykëderdhje mund të jetë dhjetëra, qindra e mijëra km.
Regjimi i lumit ka të bëjë me ndryshimin vjetor të vlerave të elementëve të ndryshëm si rrjedhja, prurja, koeficienti i rrjedhjes, niveli i lumit etj. Sasia e ujit që ka lumi varet kryesisht nga madhësia e pellgut ujëmbledhës, nga sasia e reshjeve që bien në këtë pellg, nga avullimi etj. Prurja quhet sasia e ujit në m³ ose në Litra, që kalon nëpër një seksion tërthor të lumit, në njësinë e kohës (sek) dhe shprehet me m³/s, ose në L/s.
Prurja e lumit ndryshon sipas stinëve. Në dimër e pranverë është më e madhe, sepse në rastin e parë reshjet janë të bollshme, në të dytin shkrin bora në male. Me prurjen lidhet edhe niveli i lumit, ngritja ose ulja etj. Kur niveli i ujit ngrihet shumë lumi del jashtë shtratit të tij, e përmbyt zonat fushore në dy krahët e tij. Këto ndodhin gjatë shirave të bollshme që zgjasin disa ditë. Në vendin tonë vitet e fundit është bërë një fenomen i përvitshëm përmbytja e lumenjve sidomos e Drinit në fushën e Lezhës. Ndërsa në stinën e verës nivelet e lumenjve bien shumë, aq sa disa edhe thahen, sepse sasia e reshjeve është e vogël dhe avullimi shumë i madh.
Lumenjtë janë të rëndësishëm. Ata bartin ujë dhe ushqim të të gjithë zonave të Tokës. Ata luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ciklin hidrologjik të ujit, duke vepruar si kanale kulluese për ujërat sipërfaqësore. Lumenjtë thajnë gati 75% të sipërfaqes së Tokës. Ata ofrojnë habitat dhe ushqim të shkëlqyer për shumë organizma.