Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 4.1
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
HIDROSFERA, VEÇORITË E PËRGJITHSHME TË SAJ
►Hidrosfera
Nëse jeni në hapësirë dhe vini drejt planetit Tokë, ju do të vëreni një sferë gjigante blu, sidomos në anën e Oqeanit Paqësor. Ky është uji. Uji gjendet kudo. Ai është në ajër, në tokë, nën tokë dhe në çdo qenie të gjallë. Uji është substanca më i bollshëm në sipërfaqen e Tokës. Ai zë rreth 71% të sipërfaqes së saj. Hidrosfera është rezerva e ujit që mbulon sipërfaqen tokësore. Ajo është një prej katër sferave mjedisore të Tokës. Ajo përfshin të gjitha ujërat sipërfaqësore të lëngshme apo të ngrira (lumenj, liqene, akullnaja), ujërat nëntokësore si dhe avujt e ujit që gjenden në atmosferë. Shkenca që merret me studimin e ujit është hidrologjia. Ajo studion mënyrën se si është përdorur uji; si është i lidhur dhe i ndërvarur me mjediset e tjera jetësore dhe si ai qarkullon në të gjithë planetin. Uji i lëngshëm e bën Tokën një vend të veçantë. Jeta në Tokë është interesante, pikërisht, sepse uji gjendet në të gjitha format e tij, i lëngshëm, i ngurtë dhe i gaztë. Kjo për shkak se planeti ynë karakterizohet nga temperatura të ndryshme.
► Bashkëveprime të hidrosfrës me sferat e tjera të gjeosistemit
Qarkullimi i ujit në natyrë. Është një nga format e lidhjes dhe ndërvarësisë së hidrosferës me sferat e tjera jetësore të Tokës. Cikli hidrologjik bëhet në faza të ndryshme. Dielli është forca lëvizëse prapa të gjitha fazave që zhvillohet qarkullimi i ujit në natyrë, apo cikli hidrologjik. Imagjinoni një pikë uji të pastër (e pa përzierë me komponentë të tjerë) që bie p.sh. në oqeanin Atlantik. Le të ndjekim udhëtimin e saj për të parë se si ajo udhëton në Tokë. Energjia diellore e ngroh pikën e ujit derisa sa ajo shndërrohet në avull uji. Në këtë gjendje të re ajo “ikën” nga oqeani dhe shkon në atmosferë. Procesi i ngritjes së saj në formën e avullit të ujit, në atmosferë quhet avullim. Duke u ngritur lart, natyrisht, që ajo gjendet në kushte atmosferike të ndryshme nga ato të mëparshmet. Pika -avull uji, kur ndeshet me shtresa të atmosferës, me temperaturë më të ulët, kondensohet. Kondensimi është procesi i shndërrimit të pikës -avull uji në një gjendje të lëngët. Ky ndryshim asaj ju shkaktua nga një ndryshim në trysni dhe temperaturë. Pra, pika -avull uji hyri në një fazë tjetër të ciklit të ujit, në fazën e kondensimit (trashjes). Në këtë fazë ajo nuk mund të qëndrojë më në atmosferë, për shkak të peshës dhe fillon të bjerë në tokë, lumë apo oqean. Më pas, ajo fillon përsëri ciklin hidrologjik. Gjatë ciklit hidrologjik molekula e ujit i bëri “vizitë” atmosferës, biosferës (shihni figurën) dhe litosferës. Në vizitën e saj ajo ndikon në ndryshimin e kushteve jetësore të tyre. Sipërfaqja e gjeosferës, ku pjesa shkëmbore e planetit tonë është në kontakt me ujin, ajrin, dhe/ose me jetën në përgjithësi, është pjesa ku sferat ndërpriten dhe ndikojnë njëra-tjetrën. Proceset që lëvizin masën dhe energjinë nga një sferë në tjetër quhen ndërveprime të sferave tokësore. Uji është një element që i lidh të gjitha sferat. Të katër sferat janë të lidhura me njëra tjetrën dhe ndërveprojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe po në këtë mënyrë ndryshojnë. Ndryshimi nuk mund të bëhet i izoluar nga njëra-tjetra. Ato çdo moment dhe çdo ditë veprojnë rreth jush. Kështu hidrosfera ndikon në ndryshimin e klimës dhe të motit gjatë qarkullimit të ujit në natyrë. Krizosfera përmban gjithë akujt e Tokës. Kur temperatura rritet ajo fillon të shkrijë dhe bëhet pjesë e hidrosferës. Ndërveprime të tjera midis tyre ndodhin p.sh. gjatë procesit të qarkullimit të azotit në natyrë. Bakteret që gjenden kudo lëshojnë azot (N), i cili është i nevojshëm për rritjen e bimëve (biosfera). Ndërveprimi midis tyre ka ndryshuar sistemin jetësor të tokës dhe vet ato. Shpërndarja e ujit në tokë. Për të mësuar se ku gjendet uji sot në Tokë mjafton të vëresh globin tokësor. Në hemisferën veriore gjendet sipërfaqja më e madhe tokësore ndërsa në hemisferën jugore gjendet sipërfaqja më e madhe ujore, oqeanet dhe detet. Ujërat në këtë këndvështrim i ndajmë në ujëra kontinentalë dhe në ujëra oqeanikë. Ujërat kontinental janë ujërat që ndodhen në kontinente në të gjitha gjendjet e tij mbi tokë (lumenjtë, liqenet, borërat, akullnajat) dhe nën tokë, ujërat nëntokësorë.
►Vetitë fiziko-kimike të ujit të oqeaneve dhe deteve
Në planetin Tokë gjenden dy lloje ujërash: ujërat e kripura dhe ujërat e ëmbla. Ujin e kripur e gjejmë në oqeane dhe dete, ndërsa ujërat e ëmbla i gjejmë mbi dhe nën Tokë. Sipërfaqja e ujërave të kripura. Pamja nga hapësira tregon një oqean të madh ku uji është i bashkuar në tërë hapësirën. Masa e Tokës e ndan oqeanin e madh në katër pjesë kryesore, të cilat janë: Oqeani Paqësor, Atlantik, Indian dhe Arktik. Shumica e deteve dhe gjireve, janë pjesë e oqeanit të madh. Disa dete, si Deti i Karaibeve janë sipërfaqe ujore brenda një oqeani. Të tjerë, siç është Deti i Kuq, janë të lidhura me një oqean. Detet e kripura, siç është Deti Kaspik janë liqene të mëdha.
Përbërja kimike, kripësia. Uji i detit paraqet në vetvete një tretësirë universale, në përbërje të së cilës hyjnë të gjitha elementet kimikë të njohur deri më sot. Në ujin detar, në tretësirë, gjenden elemente minerale: të ngurta, gazra dhe elementë me origjinë organike dhe inorganike. Ka shumë kimikate në ujin e detit që e bëjnë atë të kripur. Shumica e tyre arrijnë aty nga lumenjtë që sjellin me vete kimikate të tretura nga shkëmbinjtë dhe toka. Kryesori nga kimikatet është kloruri i natriumit, shpesh i quajtur vetëm, kripë. Në ujin e detit ka rreth 35g (7 lugë çaji) kripë në çdo 1000g (rreth një litër) ujë. Kjo sasi duket e vogël, por sasia e përgjithshme e elementëve të ngurta të tretësirës llogaritet afërsisht e barabartë me 5x10x16 tonë dhe është plotësisht e mjaftueshme për të mbuluar gjithë sipërfaqen e Tokës me një shtresë kripe të trashë rreth 4 m. Mënyra më e zakonshme për të ditur sasinë e kripës në ujin e detit është të masësh sasinë e kripës në 1000 g ujë deti, e shprehur kjo në %. Kështu, shumica e ujit të oqeanit ka një kripësi mesatare nga 34 %-36%. Pjesa më e madhe e oqeanit të hapur ka një kripësi midis 34-36%. ( Shihni hartën e kripësisë). Kripësia është e kontrolluar nga një ekuilibër në mes të ujit të larguar nga avullimi dhe ujërave të ëmbla të shtuara nga lumenjtë dhe shiu. Disa nga cilësitë e ujit kanë ndryshuar prej kripës në të. Kripa e bënë ujin e detit më të dendur se ujërat e ëmbla.
Ndryshim në kripësi. Kripshmëria e oqeanit ndryshon nga njëri vend në tjetrin, sidomos në sipërfaqe. Pjesa më e madhe e oqeanit ka kripësinë midis 34-36%, por ka vende që tentojnë ta kenë më të larta ose më të ulët kripësinë. Faktorët që ndikojnë në shpërndarjen e kripësisë në oqeane janë: faktorët fiziko – gjeografikë, hidrometereologjikë dhe oqeanografikë.
Vendet me kripësi të lartë. Harta tregon modelet e kripësisë së oqeanit rreth botës. Ka pjesë të oqeanit, ku vështirë se bie shi, por fryjnë erëra të ngrohta e të thata që shkaktojë avullim të madh. Avullimi largon ujin. Kur avujt e ujit ngrihen në atmosferë, ata e lënë kripën prapa, kështu kripësia ujit të detit rritet. Kjo e bënë ujin e detit më të rëndë. Ju mund të shihni në hartë se pjesa veriore dhe Jugore e Atlantikut kanë kripësi të lartë. Këto janë zona ku fryjnë erëra të forta dhe nuk bie shumë shi. Deti Mesdhe në Europë e ka % e kripësisë shumë të lartë, 38% ose edhe më shumë. Ai është një det pothuajse i mbyllur nga oqeani kryesor, Atlantik, për rrjedhojë avullimi është shumë i lartë dhe sasia e shiut dhe i ujërave të ëmbla të shtuar është më i vogël. Vendet me kripësi të ulët. Në zonën ekuatoriale shtrihet zona e kripësisë së ulët me vlerë kripësie 34– 35 ‰. Një dukuri e tillë është e lidhur me bilancin e ëmbëlsimit pozitiv e sidomos me raportin avullim-reshje. Reshjet në këtë territor janë të shumta. Avullimi, megjithë temperaturat e larta është i pakët për shkak të lagështisë relative të lartë. Pjesët polare të oqeanit botëror karakterizohen nga kripësia e ulët përshkak të temperaturave të ulta, avullimit të pakët, shkrirjes së akujve etj. Ky zonalitet deformohet nën ndikimin e rrymave oqeanike, ardhjes së lumenjve të mëdhenj, formimit dhe shkrirjes së akujve. Rrymat e ngrohta oqeanike, që shkojnë drejt gjerësive më të larta përmbajnë ujë me kripësi të lartë (në pjesën VL të Atlantikut kripësia arrin 35‰, dukuri që nuk takohet në të njëjtat gjerësi gjeografike të këtij oqeani), ndërsa rrymat e ftohta që lëvizin drejt gjerësive gjeografike më të ultë e pakësojnë mjaft kripësinë në brigjet L të Amerikës V.
Densiteti. Densiteti i ujit varet nga temperatura, kripësia e trysnia dhe lëkundet afërsisht nga 1.027 deri në 1.026 gr/cm³. N.q.s. këto tri parametra janë të njohur, mund të llogaritet densiteti i ujit detar. Në përgjithësi densiteti rritet me shtimin e kripësisë dhe të trysnisë dhe me uljen e temperaturës. Ndryshimi i densitetit shkaktohet, para së gjithash, nga avullimi, ngrohja, rënia e reshjeve atmosferike dhe formimi i akujve në sipërfaqen e oqeanit. Densiteti i vogël i ujërave sipërfaqësore në gjerësitë e ulta është pasojë e temperaturave të larta dhe i reshjeve të shumta. Densiteti i madh i ujërave në gjerësitë mesatare është shkaktuar nga kripësia më e madhe, nga intensiteti i avullimit dhe nga sasia e parëndësishme e reshjeve atmosferike. Ujërat me densitet të lartë formohen rreth Antarktidës si rezultat i formimit të akujve detare.
Temperatura. Temperatura ka një efekt të madh në dendësinë e kripësisë. Një kombinim i kripësisë së lartë dhe temperaturës së ulët e rrit dendësinë e ujit të detit në mënyrë të tillë që ai zhytet në fund të oqeanit dhe rrjedh nëpër pellgjet e tij të thellë, si rrymë ujore me shpejtësi të ngadaltë. Përmes rrezatimi diellor të drejtpërdrejtë dhe të shpërndarë, uji detar këmben me atmosferën ngrohtësinë. Një sasi të madhe ngrohtësie uji detar e humbet gjatë avullimit. Në sipërfaqe dhe në brendësi të ujit detar ndodhin në mënyrë të pandërprerë procese që ndryshojnë gjendjen termike të ujit. Raporti i sasisë së ngrohtësisë që vjen në ujë me humbjen e saj si rezultat i bashkëveprimit të proceseve të ndryshme termike dhe dinamike quhet bilanc i ngrohtësisë. Temperatura e ujërave sipërfaqësore lëkundet nga pika e ngrirjes në gjerësitë e larta gjeografike gjatë dimrit, deri në më shumë se +28° C në gjerësi gjeografike të ulta. Temperatura maksimale më lart se 30°C dallohen në zonat tropikale gjysmë të izoluara, si në Gjirin Persik dhe në Detin e Kuq. Në hemisferën veriore temperatura është më e lartë +19°C, ndërsa në hemisferën jugore +16°C. Këto dallime shkaktohen nga shpërndarja tokëdet dhe nga ndikimi i rrymave sipërfaqësore. Ujërat sipërfaqësore të oqeanit botëror në hemisferën veriore janë më të ngrohta se në ato jugore, sepse kanë një izolim më të madh se ato të gjerësive gjeografike mesatare dhe të ulta nga ujërat e ftohta polare në krahasim me hemisferën jugore ku kanë një lidhje mjaft të gjerë.
Dendësia e ujit ndryshon me ndryshimin e temperaturës dhe kripësisë. Kur uji ngrin në 0 ° C, formohet një si rrjetë teli e ngurtë e hapur e molekulave të hidrogjenit. Është kjo strukturë e hapur që e bën akullin më pak të dendur se ujin e lëngshëm. Kjo është arsyeja pse ajsbergët notojnë. Ujë i kripur duhet të jetë më i ftohtë se uji i ëmbël para se të ngrijë. Ulja e temperaturës në mënyrë të vazhdueshme shkakton edhe ngrirjen e ujit. Por ky proces është shumë i ndërlikuar sesa ngrirja e ujërave të ëmbla në 0°C. Uji i detit dhe i oqeanit ngrin në një temperaturën më të ulët se uji i zakonshëm, sepse duhen temperatura më të ulta se 0°C dhe një kohë më e gjatë.