Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 8.1: Mjedisi gjeografik dhe Njeriu

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 8.1

NËNTEMATIKA 8 MJEDISI DHE NDIKIMI I VEPRIMTARISË NJERËZORE

MJEDISI GJEOGRAFIK DHE NJERIU

Mjedisi dhe njeriu
Mjedisi gjeografik paraqet tipare të ndryshme sipas kushteve gjeografike natyrore. Në shumë zona të Tokës, tiparet themelore janë transformuar nga ndërhyrja e njeriut, që ka shfrytëzuar burime natyrore për të ndërtuar qytetërimet e veta. Gjatë dy shekujve të fundit, pra pas Revolucionit Industrial, intensiteti i përdorimit të burimeve natyrore ka krijuar probleme më të rënda, si ndotja, zhdukja e specieve, dhe ndryshimet klimatike. Për këtë shkak, del detyrë e njeriut që të ndryshojë mënyrën e përdorimit të burimeve natyrore dhe mjedisit. Ne sot jetojmë në një epokë që është njëkohësisht e bukur, por edhe e tmerrshme. Të bukur sepse si asnjëherë më parë, e ardhmja e Planetit është në dorën tonë: ajo që do të ndodhë nesër do të varet në masë të madhe nga mënyra se si komunitetit njerëzor vepron sot. Të tmerrshme sepse brezi ynë është i pari në histori që ka forcën për të shkatërruar në pak kohë atë që na vjen nga e shkuara, duke kompromentuar në mënyrë të pakthyeshme atë që përbën të ardhmen tonë dhe të planetit tonë. Që kur është shfaqur mbi Tokë, Homo Sapiensi (siç quhemi ne në shkencën e antropologjisë), ka filluar të ndryshojë mjedisin për të jetuar. Njeriu dhe mjedisi kanë bashkëjetuar dhe kanë kundërshtuar njeri-tjetrin. Njeriu për një kohë të gjatë e ka konceptuar veten si “i zgjedhur” për të sunduar mbi Planet dhe për të shfrytëzuar burimet natyrore të tij. Sot ne e dimë që kjo është e gabuar, dhe që kjo na ka sjellë në një situatë degradimi të mjedisit shpeshherë të pakthyeshme.

Kujtoni esenë e Xhejms Rit “Një zile në mesnatë” (But a watch in the night): planeti ka ekzistuar pothuajse gjithë kohës pa njeriun. Pra është e kotë që ne të mendojmë se jemi në qendër të elementëve përbërës të Planetit. Njeriu nuk është gjë tjetër, veçse një nga shumë elementët përbërës të planetit, njësoj si edhe gjithë gjallesat e tjera. Njeriu ndikon mbi mjedisin nëpërmjet veprimtarive të tij si përdorimi i naftës dhe qymyrit, keqpërdorimi i tokave dhe bimësisë, mbipërdorimi i ujërave etj. Këto shkaktojnë probleme si ndotja e ajrit, ujit, dhe tokës, degradimi i tokave, humbja e biodiversitetit dhe zhdukja e specieve, acidifikimi i ujërave dhe oqeaneve etj. Problemi më i ri dhe më i rëndë që ka shkaktuar dhe po shkakton njeriu është ai i ndryshimeve klimatike, për të cilin kemi folur në një mësim të veçantë. Ndryshimet klimatike shkaktohen nga njeriu, dhe pastaj me pasojat e tyre ndikojnë mbi njeriun. Problemet më të rëndësishme mjedisore globale të planetit janë shkaktuar nga njeriu dhe veprimtaria njerëzore. Nga ana e tyre këto probleme ndikojnë në varfërimin e një pjesë të popullsisë së planetit ose në mosdaljen dot nga varfëria të pjesës tjetër të popullsisë. Kështu p.sh., kërkuesit e shkencave humane (Gjeografia humane ose Gjeografia rurale) kanë vënë re se nëse mbivendosen harta e zonave më të varfra rurale me hartën e zonave me erozion më të lartë të tokës, ato kanë një përputhje shumë të madhe mes tyre. Kjo do të thotë se erozioni i tokës shkakton një rreth vicioz: varfëri rurale, që çon në migrim të brendshëm drejt qyteteve, që çon nga ana e tij në braktisje të tokave, çka shkakton rëndim të erozionit në ato zona me rezultat përfundimtar sërish zgjerimin dhe rëndimin e varfërisë rurale.

Rrugët e përmirësimit të situatës
Sfida më e madhe e njeriut sot është që, duke ruajtur kushtet e domosdoshme dhe të nevojshme të jetesës, të ndalojë degradimin e mjedisit duke ulur përdorimin e burimeve natyrore. Pengesa më e madhe është ajo e mentalitetit: njeriu është i bindur, në mënyrë të gabuar, se zhvillimi ekonomiko-social, domosdoshmërisht, do të çojë në degradim të mjedisit. Në fakt jo! Ka shumë mënyra se si njeriu të mund të zhvillohet dhe njëkohësisht të ruajë burimet natyrore dhe mos të shkaktojë pasoja negative në mjedis. Kjo sfidë quhet Opsioni A është “shkëputja relative”. Ai kërkon që zhvillimi ekonomik të rritet më shpejt se sa përdorimi i burimeve. Ekonomia botërore bëhet një ekonomi me eficensë të burimeve, por në tërësi përdorimi i burimeve mund të vazhdojë të rritet edhe për disa kohë. Opsioni B është “shkëputja absolute”. Ai kërkon që përdorimi burimeve të pakësohet, ndërkohë që zhvillimi ekonomik vazhdon të rritet. Opsioni C është “shkëputja dinamike’. Ai kërkon që përdorimi i burimeve të pakësohet, qoftë edhe me koston e rënies së zhvillimit ekonomik, por me kusht që mirëqenia e njerëzve të rritet.

►Burimet që njerëzit përdorin për të plotësuar nevojat e tyre
Një përkufizim i ”burimeve” mund të ishte: gjithçka që ne kemi apo marrim nga mjedisi ynë, me qëllimin për të plotësuar nevojat tona të mbijetesës, jetesës, apo luksit. Ne e dimë që njeriu ka disa nivele nevojash: mbijetesë (ushqim, veshmbathje, strehim, higjienë), nevoja jetese (transport, arsimim, sport etj.), dhe nevoja luksi (banesa të stërmëdha, automjete për çdo person etj.). Në botë aktualisht 1 ndër 7 njerëz nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e mbijetesës. Mund të bëjmë shumë shembuj të burimeve që njerëzit përdorin për të plotësuar nevojat e tyre, si uji, mbulesa e tokës, mbulesa bimore, kulturat bujqësore e blegtorale, nafta, të gjitha llojet e mineraleve, rrezet e diellit etj. Janë të rëndësishme 3 ide që t’i kuptojmë thellë:
1) që secili
burim është i tillë pikërisht, sepse përdoret nga njeriu për një nevojë të caktuar;
2) që të gjitha burimet, pavarësisht nga llojet, e
kanë bazën e origjinës së tyre vetëm e vetëm tek mjedisi, vetëm tek Planeti ynë;
3) që nuk mund të flasim për “shfrytëzim të burimeve”, por për “përdorim të tyre” (kur i përdorim, ne e bëjmë këtë në përputhje me rregulla të caktuara, ndërsa ”shfrytëzimi” është i egër dhe pa menduar për të ardhmen).

Kriteret që e bëjnë një lëndë
të veçantë të quhet “burim” për njerëzimin Janë tri kritere që e bëjnë një lëndë të veçantë të quhet ”burim” për njerëzimin. Aftësia krijuese e njeriut. Njeriu, gjatë 160 mijë vjetëve që ekziston mbi sipërfaqen e Tokës me karakteristikat e sotme mendore e fizike, ka dëshmuar një aftësi të veçantë: aftësinë të krijojë vazhdimisht mënyra të reja të përdorimit të lëndëve që gjen në natyrë. P.sh., çfarë konsideron njerëzimi sot burim ”karburant”, pra lëndë të parë për të vënë në lëvizje motorët në përgjithësi? A mund ta konsiderojmë “ujin” si të tillë sot? Jo! Dhe, nëse nxënësve të gjeografisë të përpara 130 vjetëve do t’u kishim bërë pyetjen “a ka ndonjë lëndë djegëse të lëngshme që mund të zëvendësojë qymyrin në lokomotivat tona”, të jeni të sigurt që do të kishim marrë të njëjtën përgjigje: Jo! Sepse edhe atëherë njeriu me aftësinë e vet krijuese nuk kishte shpikur ende motorin me djegie të brendshme i cili përdor naftën, dhe prandaj nafta nuk ishte ende një ”burim energjie”. Edhe ne sot, ende nuk e kemi krijuar teknologjinë e ujit si lëndë për të vënë në lëvizje motorët. Por mund ta krijojmë nesër. Pra, nëse bëjmë një histori të lëndëve djegëse si “burime” do të kemi këto rezultate: në fillim të Revolucionit Industrial gjenia njerëzore zbuloi mënyrën për të nxjerrë qymyrin nga thellësitë e minierave dhe zëvendësoi, kështu si ”burim energjie” lëndën drusore; më tej gjenia njerëzore zbuloi se si ta nxjerrë naftën nga nëntoka dhe se si ta përdorë atë në motora, dhe kështu krijoi një burim të ri që zëvendësoi qymyrin; sot nafta po zëvendësohet nga burimet e ripërtërishme të energjisë si dielli, era etj. Pra, është gjenia njerëzore që po prodhon automjete me energji elektrike, që po krijon kushtet që burimet e ripërtërishme dhe energjia elektrike e prodhuar prej tyre të zëvendësojnë naftën.

Faktori ekonomik.
Nëse sot në botë njihen
zona me naftë, por që janë shumë thellë në brendësi të Tokës, ato mund të mos përdoren dot për shkakun, sepse që ta nxjerrësh atë naftë kushton shumë. Kjo kosto e lartë ekonomike bën që këto burime mos të përdoren dot, pra mos të konsiderohen si ”burime”, të paktën për momentin.

Faktori kulturor.
Kështu, për shkak të kulturës
sonë mjedisore, megjithëse ne e dimë se në nën detin e Arktikut ka naftë, nuk e konsiderojmë atë si ”burim” për shkakun se duam të mbrojmë atë zonë të brishtë mjedisore. Kriteri kulturor vlen edhe për burimet ushqimore. Kështu, në kulturën Indù nuk konsiderohet si ”burim ushqimor” mishi i gjedhit sepse lopa është e shenjtë në atë kulturë, në kulturën Islame nuk konsiderohet si ”burim ushqimor” mishi i derrit, ndërsa në kulturën kineze konsiderohet ”burim ushqimor” mishi i çdo qenieje të gjallë shtazore.

►Klasifikimi dhe parimet e përdorimit të burimeve
Burimet i ndajmë në:
1) burime, periudha e ripërtëritjes së të cilëve është aq e gjatë saqë konsiderohen si të
paripërtëritshme (mineralet metalore dhe jometalore, nafta, gazi, qymyri etj.);
2) burime, periudha e përtëritjes së të
cilëve, teorikisht është më e shkurtër se sa koha e përdorimit nga njerëzit dhe që i quajmë të ripërtërishme (uji, ajri, bimësia, tokat etj.). Në grupin e burimeve të ripërtërishme kemi edhe dy nëngrupe: a) burimet e përhershme, sasia e të cilave nuk ndryshon asnjëherë (energjia e diellit, energjia e valëve etj.); b) burimet e ripërtërishme delikate, të cilat teorikisht ripërtërihen, por që nëse i përdorim me ritme shumë më të shpejta se sa ato riciklohen mund të mos ripërtërihen dot më (tokat, mbulesa pyjore, uji i pijshëm i baseneve nëntokësore etj.).

Të gjitha këto lloje burimesh kanë rregullat e tyre për t’u administruar më mirë. Burimet e paripërtëritshme kanë të vetmin rregull “zgjatjen e kohës së përdorimit të tyre”. Kjo do të thotë që, p.sh., me 1 litër naftë të bëjmë më shumë km se sa më parë, apo që të sigurohemi që, çdo përdorim i hekurit dhe metaleve të tjera të përfundojë me riciklim të tyre. Kjo ka lidhje me konceptin e de-coupling që shpjeguam në mësimin e kaluar. Një nga rrugët më të rëndësishme dhe strategjike për të realizuar “de-coupling” është “eficensa”, pra përdorimi i më pak burimeve natyrore për të përmbushur të njëjtat ose më shumë nevoja. Burimet e përhershme duhen përdorur sa më shumë për të prodhuar energji për të zëvendësuar burimet e paripërtëritshme. Burimet e ripërtërishme delikate duhen përdorur me ritme që respektojnë ritmin e tyre të ripërtëritjes. Kështu, p.sh., uji nëntokësor ka një ritëm ripërtëritjeje të caktuar nga ujërat e shiut, por nëse ne ç’pojmë shumë puse dhe marrim një sasi më të madhe, mundet që në zonat bregdetare vendin e ujit të ëmbël nëntokësor ta zënë ujërat e kripur të nëndetit, duke i kthyer zonat në zona të kripura. 

Raste keqmenaxhimi të burimeve
Edhe në botë edhe në Shqipëri ka shumë raste të keqmenaxhimit të burimeve. P.sh., rasti më i famshëm në nivel global është pasoja që kemi sot, ndryshimet klimatike, dhe që ka ardhur si rezultat i keqmenaxhimit të burimeve të energjisë si nafta dhe qymyri. I kemi përdorur më shumë dhe më keq se sa duhet, dhe kjo ka çuar në rritjen e përqendrimit të dyoksidit të karbonit në atmosferë nga 0,03% në mbi 0,04%, gjë që na ka sjellë ndryshimet e klimës që po i vuan planeti. I njëjti shkak vlen edhe për pasojën e acidifikimit të ujërave të oqeaneve, që po shkakton vdekjen e koraleve dhe humbjen drastike të biodiversitetit detar. Në vendin tonë, pyjet janë keqmenaxhuar, me pretekstin se ato janë të ripërtërishme. Edhe në periudhën komuniste, kur kodrat u shpyllëzuan masivisht, edhe gjatë viteve të tranzicionit kur pyjet u prenë për përfitime materiale, ne kemi keqmenaxhuar një burim jetik për tokën, ujërat, dhe klimën tonë. Aktualisht ne kemi humbur mbi 1/2 e pyjeve që kishim në fillim të shek. XX. Raste të tilla në vendin tonë janë ata të mbishtrytëzimit të baseneve lumore, të keqpërdorimit të ujërave të lumenjve për HEC-e të vegjël e të mesëm, keqpërdorimi i tokës bujqësore për ndërtim dhe urbanizim etj.