Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 5.4
NËNTEMATIKA 5 LITOSFERA
LLOJET E SHKËMBINJVE DHE FORMIMI I TYRE
Korja e Tokës përbëhet nga shkëmbinj të ndryshëm
Shkëmbinjtë janë bashkime natyrore të mineraleve të formuar në procese të ndryshme gjeologjike. Mineralet janë bashkime kimike natyrore që formohen si rezultat i proceseve fiziko-kimike të shkaktuara në brendësi të Tokës, në sipërfaqen e saj dhe në basenet e ndryshme ujore. Në koren e Tokës gjenden rreth 1000 lloje shkëmbinjsh, që dallojnë nga njëri-tjetri nga përbërja kimike, e mineraleve, origjina, vetitë fizike etj. Shkëmbinjtë sipas krijimit të tyre mund të ndahen në tri grupe kryesore: në magmatikë, sedimentarë dhe metamorfikë. Përbërja dhe përhapja e tyre nuk është e njëjtë. Në koren e Tokës 92% e shkëmbinjve zihen nga magmatikët (65%) dhe metamorfikët (27%). Kurse 8% e saj zihet nga sedimentarët, që gjithsesi kanë një shtrirje të madhe gati 75% të sipërfaqes së Tokës. Po cilat janë proceset shkëmbformuese kryesore?
►Shkëmbinjtë magmatikë
Shkëmbinjtë magmatik formohen si rezultat i ngurtësimit të magmës. Magma është një përzierje komplekse silikate në gjendje të shkrirë (600-1600°C) e shoqëruar nga gaze e avuj uji. Ajo formohet në shtresën e Astenosferës (100-350km), ose pjesa e sipërme e mantelit të Tokës, që është në gjendje agregate të lëngshme. Shtresat e Tokës janë në një ekuilibër termodinamik (temperature dhe trysnie). Por ndryshimi i këtij ekuilibri si rezultat i prishjes së njërit prej faktorëve, ulja e trysnisë ose rritja e temperaturës, çon drejtpërdrejt në ndryshimin e gjendjes agregate të lëndës nga gjendje e ngurtë në të lëngët. Ky proces shoqërohet me reaksione të fuqishme kimike ku përveç silicës SiO2 krijohen edhe gaze ose elementë flurorë. Gazet kanë një trysni tepër të lartë dhe një lëvizshmëri të madhe. Kjo bën që ato të shfrytëzojnë të çarat dhe hapësirat e tjera boshe të krijuara nga tërmetet, ose tektonika. Dalja e shpejtë e gazeve orienton magmën të lëvizë në mënyrë kaotike drejt sipërfaqes së tokës. Ngurtësimi i magmës në thellësi të ndryshme të sipërfaqes së Tokës krijon shkëmbinj magmatikë të tipit: intruzivë e efuzivë. Kur energjia e magmës është e madhe ajo arrin të dalë në sipërfaqe të Tokës në trajtë llave nëpërmjet vullkaneve. Llava ngrin shpejt në sipërfaqen tokësore në kontakt të drejtpërdrejtë me atmosferën duke krijuar shkëmbinjtë magmatikë efuzivë (40%). Ndërsa kur magma nuk ka energjinë e duhur, sepse prania e gazeve është e dobët, ajo nuk arrin të dalë në sipërfaqe. Magma ngurtësohet në brendësi, duke formuar shkëmbinjtë magmatikë të tipit intruziv (25%). Në këtë rast ngurtësimi i magmës për shkak të temperaturave më të larta në brendësi, bëhet më ngadalë. Ajo krijon kristale të mëdha dhe mineralet metalore janë shumë më të pasura. Klasifikimi i shkëmbinjve magmatikë bëhet edhe nga sasia e SiO2 që ato kanë. Ata grupohen në katër tipe: acidë 65 – 75 % SiO2, mesatarë 52 – 65 %, bazikë 45 – 52 % dhe ultrabazikë nën 45%. Tek shkëmbinjtë magmatikë gjejmë shumë minerale të dobishme metalore si: hekuri, kromi, bakri, silikatet, ari, argjendi, piritet etj. Shkëmbinjtë magmatikë kanë një shtrirje të madhe në Shqipëri deri 3000km².
►Shkëmbinjtë sedimentarë
Proceset sedimentare janë baza e formimit të shkëmbinjve sedimentarë. Ato janë procese komplekse. Gjatë miliona vjetëve realizojnë shkatërrimin, transportimin, sedimentimin dhe diagjenezën. Fillimisht shkëmbinjtë shkatërrohen nën ndikimin e forcave ekzogjene (të jashtme), të tjetërsimit, gërryerjes (erozionit) dhe denudimit (rrëzimit shpator të materialeve që nuk kanë lidhje me shkëmbin mëmë). Ky material transportohet në trajtë copash ose tretësirash me anë të ujërave rrjedhëse, erës, akullnajave dhe detit. Ato depozitohen në fundin e baseneve detare, por edhe në brendësi të kontinentit, në liqenet, luginat lumore, kënetat ose në stere. Këto materiale të depozituara quhen sedimente dhe janë të natyrave të ndryshme:
– mekanike, të formuara nga grumbullimi i materialeve në trajtë copërash.
– kimike, të formuar nga precipitimi i tretësirave kimike në një basen ujor,
– organogjene, të krijuara nga depozitimi i mbeturinave me origjinë bimore e shtazore.
Sedimentet në fillim janë në gjendje të shkrifët. Më pas ato pësojnë ndryshime fiziko-kimike gjatë procesit të diagjenezës (rikrijimit), domethënë materialet i nënshtrohen ngjeshjes, tretjes dhe çimentimit. Shkëmbinjtë sedimentarë mund t’i ndajmë në grupe të ndryshme, sipas origjinës, përbërjes, ngjyrës etj. Nga origjina ata ndahen në:
• Shkëmbinj copëzorë
• Shkëmbinj kimikë
• Shkëmbinj organogjenë.
Shkëmbinjtë sedimentarë copëzorë përbëhen prej copave të shkëmbinjve ose kokrizave të mineraleve, të cilat mund të jenë të mprehta ose të rrumbullakosura. Ato mund të jenë në gjendje të shkrifët ose të çimentuar. Copat shkëmbore mund të jenë me origjinë sedimentare, magmatike, metamorfike ose të përzierë. Ato sipas madhësisë së copave ndahen në:
1) shkëmbinj copëmëdhenj, ku përmasat janë mbi 1mm dhe hyjnë çakëlli, poplat, zalli, guralecat, brekçiet e konglomeratet (këto shkëmbinj janë të çimentuar).
2) Shkëmbinj copëmesëm, me përmasa 1-0.1mm, ku futen rërat dhe ranorët.
3) Shkëmbinj copëvegjël, me përmasa 0.1-0.01mm, ku hyjnë alevritet dhe alevrolitet.
4) Shkëmbinj argjilorë, me përmasa nën 0.01mm, ku futen argjilat e argjlitet.
Shkëmbinj sedimentarë kimikë krijohen nga precipitimi i kripërave të tretësirave në basene të ndryshme ujore, ose si rezultat i reaksioneve kimike që ndodhin në litosferë e në sipërfaqen e saj. Këtu futen shkëmbinjtë karbonatikë, gipset, dolomitet, anhidridet dhe kripa e gurit.
Shkëmbinjtë sedimentarë organogjenë krijohen nga depozitimi i lëndës organike bimore e shtazore, si p.sh gëlqerorët organogjenë e silicorë dhe shkëmbinjtë organikë të djegshëm. Këta të fundit i gjejmë në gjendje agregate të ngurtë, si qymyret, torfa,bitumi, rreshpet e djegshme, në gjendje të lëngshme nafta dhe në gjendje të gaztë gazi natyror.
►Shkëmbinjtë metamorfikë
Shkëmbinjtë metamorfikë krijohen gjatë procesit të metamorfizmit. Ky proces konsiston në transformimin e shkëmbinjve sedimentarë, magmatikë e metamorfikë të vjetër, në thellësi të kores së tokës, nën veprimin e temperaturave e trysnive të larta dhe gazeve e tretësirave të ndryshme që krijohen nga magma. Metamorfizmi karakterizohet nga transformimi i përbërjes mineralogjike, pra ndryshimin e rrjetave kristalore, në rrjeta të reja kristalore, të atomeve e molekulave dhe jo ndryshimi kimik i tyre. Si rezultat i këtij procesi krijohen shkëmbinj me një qëndrueshmëri mjaft të lartë ndaj forcave ekzogjene, prandaj në to gjejmë pikat më të larta të relievit. Përfaqësuesit kryesorë të tyre janë gnejset dhe mermeret. Gnejset janë metamofizimi i shkëmbinjve magmatikë (kryesisht i graniteve) dhe i shkëmbinjve sedimentarë, ranorë. Ata janë shkëmbinjtë metamofikë më të përhapur dhe në Shqipëri i gjejmë më shpesh në blloqe të mëdha dhe si konglomeratë në Përrenjas dhe në Shebenik. Ndërsa mermeret janë rikristalizimi i gëlqerorëve dhe dolomiteve, tani me një qëndrueshmëri shumë më të lartë.
►Cikli i formimit të shkëmbinjve
Megjithëse mekanizmi i proceseve të formimit të shkëmbinjve magmatik, sedimentar dhe metamorfik është kompleks, ato nuk zhvillohen të pavarur prej njëritjetrit. Këto procese bëjnë pjesë në një cikël shkëmbformimi që përfshin qarkullimin e të gjithë shkëmbinjëve në litosferë. Cikli litogjenentik (i shkëmbformimit) nxjerr në pah ndryshimin e shkëmbinjve dhe lidhjet e ngushta midis proceseve të ndryshme shkëmbformuese. Skematikisht cikli fillon me procesin magmatik, ku magma duke rrjedhur drejt sipërfaqes tokësore formon shkëmbinjtë intruzivë ose efuzivë. Njëherazi qëndrimi i magmës në thellësi magma provokon një proces metamorfizmi në kontakt me shkëmbinjtë që e rrethojnë. Shkëmbinjtë intruzivë gjenden të zhytur nën Tokë. Ndërsa shkëmbinjtë efuzivë modelohen nga agjentët ekzogjenë dhe hyjnë në ciklin sedimentar. Sedimenti që akumulohet “varoset” dhe gjatë diagjenezës formohen shkëmbinjtë sedimentarë. Shkëmbinjtë sedimentarë dhe magmatikët intruzivë mund të gjenden poshtë shtresave të tjera të sedimentit duke u shtyrë në thellësi të brendësisë së Tokës. Herë pas here ata gjenden në një proces metamorfik. Nëse më pas shkëmbinjtë e zhytur në thellësi ndikohen prej një temperature dhe presioni të lartë, atëherë provokohet fenomeni i anatesës (procesi i shkrirjes parciale të një shkëmbit metamorfik që vjen nga thellësitë e mëdha të kores së Tokës dhe formon një magmë dytësore) dhe formohet magma e re. Cikli i qarkullimit të shkëmbinjve në litosferë mbyllet. Në realitet ka dhe mundësi të tjera; shkëmbinjtë metamorfikë mund të metamorfizohen pa kaluar procesin e sedimentimit dhe shkëmbinjtë metamorfikë mund të sulmohen nga agjentët ekzogjenë pa kaluar në shkrirje. Litosfera qarkullon materiale nga fundi i Tokës (kujto magmën primare që vjen nga manteli i poshtëm) dhe ndërvepron me shtresat mbështjellëse: atmosferë hidrosferë e biosferë.