Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 3.12
NËNTEMATIKA 3 ATMOSFERA
NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE POLITIKAT ZBUTËSE E PËRSHTATËSE
Klima e planetit tonë ka ndryshuar vazhdimisht në mënyrë natyrore, pak a shumë, çdo 80-120 mijë vjet. Ne e dimë tashmë që gjatë 1, 8 milionë vjetëve të fundit, gjatë periudhës që quhet Kuaternar, ka patur të paktën katër periudha akullzimi dhe katër periudha çakullzimi (ose ndërakullnajore), me një ndryshim temperature midis tyre që shkonte 5 – 15 °C. Ndërsa, që prej rreth 13 mijë vjetësh, ne jemi në një periudhë ndërakullnajore, pra më të ngrohtë. Edhe brenda këtyre 13 mijë vjetëve ka patur luhatje të temperaturës. Kështu, p.sh, gjatë shekujve XVI-XVII ka ndodhur një ftohje e klimës që njihet si “periudha e vogël akullnajore”, ku temperatura u ul me rreth 1-2 °C . Por gjatë shekujve XX dhe XXI janë vërejtur ndryshime të pashpjegueshme në temperaturë dhe reshje, që kanë shqetësuar njerëzimin.
►Shkaqet natyrore të ndryshimeve klimatike
Shkaqet e këtyre ndryshimeve afatgjata mijëravjeçare klimatike janë të njohura shkencërisht. Këto shkaqe grupohen në disa grupe:
Shkaqet e Tokës. Lëvizjet malformuese që mund të ndryshojnë rrënjësisht relievin e Tokës, duke e bërë më të lartë ose më të ulët; ndryshimet në qarkullimin e rrymave oqeanike, që mund ta bëjnë klimën shumë më të ftohtë ose anasjelltas; ndryshimet në pllakat tektonike që ndryshojnë raportin midis tokës dhe oqeanit dhe shkaqet diellore.
Shkaqet astronomike. Ndryshimet strukturore në brendësi të Diellit që ndryshojnë sasinë e energjisë që ai lëshon. Kalimi i Tokës në orbitën rreth Diellit nga pozicioni perihel në afel dhe anasjelltas, që ndodh çdo 19-23 mijë vjet. Ndryshimi i këndit të boshtit të rrotullimit të Tokës rreth Diellit që ndodh çdo 41 mijë vjet. Kalimi i orbitës së Tokës nga forma eliptike, në formë më pak eliptike që ndodh çdo 95-136 mijë vjet.
Ndërsa ndryshimet më afatshkurtra që ndodhin gjatë dekadave apo shekujve, lidhen edhe me grupin e shkaqeve atmosferike: ndryshimet në sasinë e gazrave, si p.sh. i CO2 në atmosferë; ndryshimet në sasinë e avujve të ujit në atmosferë; prania e hirit vullkanik në masë të madhe në atmosferë etj.
►Shkaqet e ndryshimeve aktuale klimatike
Ndryshimet aktuale klimatike nuk mund të shpjegohen me asnjë nga shkaqet e ndryshimeve aftagjatë të klimës. Kjo, sepse, asnjë nga këto dukuri afatgjata, nuk po ndodh. Shkencëtarët nuk kanë identifikuar asnjë prej tyre. I vetmi element që ka ndryshuar është përqendrimi i CO2 në ajër: që prej vitit 1750 e deri tani ky përqendrim është rritur nga 0,03% në 0,04%. Kemi shpjeguar se përqendrimi i CO2 është shumë i rëndësishëm për planetin, për shkak të efektit serrë që ky gaz ka. Për shkakun se një ndryshim sado i vogël është shumë i rëndësishëm, ne e shprehim përqendrimin e CO2 në atmosferë, jo në “për qindje”, por në “pjesë për milion (ppm)”. Aktualisht, në maj të vitit 2016, përqëndrimi i CO2 ishte 407 ppm (ose 0,0407%). Njerëzimi e monitoron nivelin e CO2-shit me shumë kujdes. Në faqen https://www.co2.earth/ ju mund të shihni se sa është niveli i CO2 çdo muaj në planetin Tokë. Për këto të dhëna merret si referencë stacioni i matjes, në majë të malit Mauna Loa. Kjo për shkakun se ky mal është në mes të oqeanit, në ishujt Hawai, dhe është 4100 m i lartë, prandaj matjet aty janë të pandikuara nga ndotja lokale me CO2 nga automjetet. Meqë i vetmi element që ka ndryshuar është përqendrimi i CO2 që prej vitit 1750, atëherë shkencëtarët kanë bërë lidhjen shkak-pasojë. Viti 1750 shënon fillimin e Revolucionit Industrial, pra fillimin e përdorimit të karburanteve fosile me bazë karboni (qymyri, nafta, dhe gazi natyror). Përdorimi i karburanteve ka shtuar sasinë e emetuar në ajër të CO2-shit dhe kjo ka çuar dhe po çon në rritjen e temperaturës. Prej këtej rrjedh edhe zgjidhja për ndryshimet klimatike; njerëzimi duhet të zhvillohet pa konsumuar karburante fosile.
►Burimet e të dhënave shkencore
Lind pyetja: nga e dinë shkencëtarët që dioksidi i karbonit ka qenë 0,03% në vitin 1750, ndërkohë që matja e drejtpërdrejtë e këtij gazi në malin Mauna Loa ka filluar vonë në shek. XX? Matjen e CO2 e ka filluar shkencëtari Keeling në vitin 1957 në Polin e Jugut, ndërsa stacioni i Mauna Loa ka filluar në vitin 1958. Keeling, pas më shumë se 25 vite matjesh ndërtoi kurbën e rritjes së CO2-shit në atmosferë, e cila mban emrin e tij. Ai ishte i pari që zbuloi faktin që CO2-shi po rritej në atmosferë dhe që kjo rritje ishte në përpjestim të drejtë me rritjen e temperaturës që po regjistrohej në planet. Por burimi më i sigurt i të dhënave për përqendrimin e CO2 në atmosferë është akulli i Antarktidës. Akulli aty nuk ka shkrirë që prej miliona vjetësh. Bora e pakët e çdo viti ka rënë mbi borën parardhëse duke e ngjeshur atë. Prandaj akulli i Antarktidës është një muze i borës që ka rënë çdo vit gjatë këtyre miliona vjetësh. Mjafton të çpojmë një pus dhe të nxjerrim akullin si kolona dhe ne mund të kemi në laborator borën e gjithë viteve që kanë kaluar. Meqë bora është gjithmonë përzierje e akullit me ajrin, në çdo shtresë bore, ne gjejmë një kampion ajri të vitit, kur ajo shtresë bore ka rënë. Prej analizimit të çdo shtrese ne nxjerrim sa ka qenë përqendrimi i CO2-shto dhe sa ka qenë temperatura çdo vit.
Në vitin 1998 në stacionin Vostok të Antarktidës u çpua një pus 3623 m i thellë, i cili siguroi një kolonë akulli që kapte periudhën deri para 400 mijë vjetësh. Nga analiza, u ndërtua kurba e njohur si “kurba e Vostokut” ku u mbivendosën të dhënat e temperaturës dhe të CO2-shit për 400 mijë vitet e fundit. Aty shihen qartë dy elemente:
1) që vlerat e CO2-shit gjithmonë kanë përcaktuar edhe vlerën e temperaturës, që do të thotë që sa herë që niveli i CO2-shit është rritur edhe temperatura është rritur;
2) Niveli i CO2 ka lëvizur përgjithësisht midis 172 dhe 300 ppm, dhe në asnjë rast nuk e ka tejkaluar vlerën 360 ppm. Kjo do të thotë se niveli i sotëm, është diçka e re dhe e pazakonshme për planetin. Prandaj kjo rritje ka shkaqe njerëzore, ose ndryshe antropogjene.
►Pasojat e ndryshimeve klimatike
Temperatura mesatare e globit është rritur me rreth +1°C në krahasim me nivelin e vitit 1750 ose me nivelin paraindustrial. Ndryshimet klimatike janë konsideruar si “rreziku më i madh jo-ushtarak që ka njohur ndonjëherë njerëzimi”. Ato shkaktojnë çrregullime në të gjitha elementët e klimës dhe të jetës së njerëzimit. Ndryshimet klimatike bëjnë që vendet e thata të bëhen edhe më të thata, ndërsa vendet e lagëta edhe më të lagëta. Kështu Shqipëria po bëhet një vend me më pak ujë, por me më shumë reshje në formë rrebeshi. Ujërat e lumenjve të Shqipërisë do të pakësohen me rreth 20% brenda vitit 2030. Shtimi i rreshjeve në formë rrebeshi po shton përmbytjet, por edhe thatësirat në mbarë botën, si edhe në Shqipëri. Ndryshimet klimatike shkaktojnë shkrirjen e akujve kontinentalë (në majat e maleve dhe në Groenlandë, Antarktidë, e Siberi). Shkrirja e akujve oqeanikë (Oqeani i Ngrirë i Veriut) nuk e rrit nivelin e oqeanit drejtpërdrejt (Për këtë referojuni ligjeve të fizikës). Por shkrirja e akujve oqeanikë bën që të zvogëlohet sasia e energjisë që kthehet mbrapsht nga akujt (kujtoni albedo-n) dhe rrjedhimisht kjo çon në ngrohjen e oqeanit, bymim të ujit, dhe rritje të nivelit të oqeanit botëror. Ndërsa, shkrirja e akujve kontinentalë është shkaktare e drejtpërdrejtë e rritjes së nivelit të oqeanit botëror. Që prej vitit 1870 niveli i oqeanit botëror është rritur me rreth 20 cm. Në këtë faqe web ju mund të shikoni se sa është niveli i oqeanit botëror aktualisht: http://climate.nasa.gov/vital-signs/sea-level/ Pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike, në nivel planetar, i pësojnë vendet e varfra të brezit tropikal dhe ekuatorial, si vendet afrikane, amerikano-latine, dhe aziatike. Këto vende po vuajnë thatësira, përmbytje, valë të të nxehtit, rënie të sasisë së ujërave në lumenjë, dhe më tej, rënie në prodhimet bujqësore etj.
►Zbutja dhe përshtatja
Njerëzimi, përballë ndryshimeve klimatike ka vetëm dy rrugë: t’i zbusë (frenojë) ato ndryshime sa të mundet dhe të përshtatet me ato ndryshime. Që prej vitit 1987 OKB ka krijuar UNFCC (Konventën Kuadër të OKB për Ndryshimet Klimatike), ku bëjnë pjesë të gjitha vendet. Anëtarët e UNFCC mblidhen dhe diskutojnë çdo vit në atë që njihet si Konferenca e Palëve (COP – Conference of Parties). UNFCC ka krijuar IPCC-në (Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike) që është një organizëm shkencor që mbledh të dhënat e matjeve dhe studimeve të të gjithë shkencëtarëve në të gjithë botën, që, pasi i certifikon, i boton si një raport për ndryshimet klimatike. Që prej vitit 1987 IPCC ka botuar 5 raporte. Më i fundit është botuar në vitin 2014. Nëse në raportin e parë (1992) IPCC shprehej se “ndryshimet klimatike kanë mundësi të ndodhin”, që prej raportit të katërt ai shprehet se “ndryshimet klimatike po ndodhin”. Që prej këtij momenti, përvec përpjekjeve për të frenuar ndryshimet klimatike, ka hyrë në fuqi edhe strategjia tjetër: meqë ato po ndodhin, ne duhet të përshtatemi me to. Ju mund të shkarkoni një kopje të AR5 në https://www.ipcc.ch/report/ar5/. Për të frenuar ndryshimet klimatike, komuniteti ndërkombëtar kishte arritur marrëveshjen Protokolli i Kyotos (qyteti japonez ku u nëshkrua në 1997). Ajo synonte uljen e emetimeve serrë (CO2, metan etj.) duke reduktuar konsumin e karburnateve fosile dhe duke rritur sipërfaqen e pyllëzuar në botë. Por ajo marrëveshje nuk i arriti dot synimet e saj, për shkakun se disa vende si SHBA, Kina etj., nuk vepruan për uljen e emetimeve të tyre serrë. Por, meqenëse, tashmë të gjitha vendet po i pësojnë fort ndryshimet klimatike, u arritën kushtet që në Paris në dhjetor 2015 të arrihej një marrëveshje e re që përfshin të gjitha vendet. Objektivi i Marrëveshjes së Parisit është që “mos të lejohet që temperatura të rritet më shumë se sa 2°C, në krahasim me periudhën paraindustriale”. Rritja mbi këtë nivel, do të kishte pasoja të paparashikueshme për planetin. Për të arritur këtë qëllim, çdo vend ka paraqitur në OKB një dokument që quhet INDC (Objektivi i Pikësynuar Kombëtar), që është angazhim konkret se sa ai vend do t’i reduktojë emetimet e veta serrë deri në vitin 2030, në krahasim me nivelin e vitit 2009. Shqipëria ka marrë angazhim që deri në vitin 2030 të reduktojë me 11,5% emetimet e veta serrë në krahasim me vitin 2009.
Përshtatja ka të bëjë me ndryshimet që çdo vend apo qytet duhet të bëjë që të bashkëjetojë me ndryshimet klimatike duke u dëmtuar sa më pak prej tyre. P.sh., një masë pështatëse për uljen e pasojave të përmbytjeve nga shirat rrebesh në zonat urbane është rritja e nivelit të infiltrimit të ujërave; sa më shumë ujë të infiltrojë nën tokë, aq më lehtë e kanë kanalizimet nëntokësore të përballojnë sasinë e madhe të ujit të shiut. Për këtë qëllim, në qytete trotuaret apo rrugët mund të shtrohen me beton dhe asfalt drenazhues, i cili nuk e çon ujin në kanalizime, por e përçon nëntokë, duke shmangur mbingarkimin e kanaleve apo rrugëve të qyteteve me ujë: https://www.youtube.com/watch?v=8rbNznCBKI8.