Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 3.3 Struktura vertikale e atmosferës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 3.3

NËNTEMATIKA 3 ATMOSFERA

STRUKTURA VERTIKALE E ATMOSFERËS

Përmbledhje
Atmosfera përbëhet nga pesë shtresa: troposfera ku jetojmë edhe ne njerëzit, e cila gjendet direkt mbi sipërfaqen e Tokës; stratosfera, që mban edhe shtresën e ozonit; mezosfera që është një shtresë e ftohtë dhe me dendësi të ulët me rreth 0,1% të ajrit të atmosferës; termosfera, shtresa ku ajri është shumë i nxehtë dhe shumë i rrallë; ekzosfera, shtresa ku ajri shkrihet me hapësirën.

Struktura e atmosferës
Atmosfera rrotullohet bashkë me Tokën për shkak të forcës së rëndesës, që e mban të lidhur me të. Duke filluar nga niveli i tokës e deri lart, atmosfera i ndryshon gradualisht tiparet e saj. Mbi bazën e këtyre ndryshimeve, brenda kësaj “sfere” të madhe dallojmë pesë “sfera” të tjera që e përbëjnë atë, të cilat dallohen mbi bazën e ndryshimit të temperaturës së ajrit. Sipas drejtimit nga poshtë-lart, në atmosferë ka zona ku temperatura ngrihet dhe zona të tjera ku temperatura ulet sërish. Pikat ku ndodhin këto përmbysje të temperaturës, i quajmë “pauza”, pra “zona të pushimit”. Këto janë zonat ku ndalon ngritja e temperaturës dhe fillon ulja e saj, ose anasjelltas. Këto pauza përfaqësojnë kufijtë ose zonat e tranzicionit midis shtresave ose sferave. Sipër çdo shtrese është një pauzë që mban të njëjtin emërtim: sipër troposferës ndodhet tropopauza, sipër stratosferës ndodhet stratopauza, e kështu me radhë. Pse është e rëndësishme të njohim strukturën e atmosferës? Sepse kjo strukturë përcakton mënyrën se si sillet atmosfera, si dhe kontrollon mënyrën se si krijohen dukuritë e motit dhe të klimës pranë sipërfaqes së Tokës.

Troposfera
Troposfera është shtresa direkt mbi sipërfaqen e Tokës. Ajo ka lartësi të ndryshme mbi zona të ndryshme dhe është më e lartë mbi zonat e ngrohta dhe më e ulët mbi zonat e ftohta. Për këtë arsye ajo është rreth 18 km e lartë mbi ekuator dhe 8-10 km mbi pole. Troposfera ka dendësi të madhe të ajrit dhe përmban 80% të lëndës që përbën të gjithë atmosferën. Ajo përmban pothuajse të gjithë sasinë e avullit të ujit që qarkullon në atmosferë dhe të gjitha grimcat e ngurta të saj. Për shkak të pranisë së avullit dhe grimcave, në troposferë krijohen dukuritë kryesore meteorologjike (nga greqishtja metoron-objektet qiellore dhe logos-shkencë, pra “shkenca e dukurive qiellore”), si retë, erërat, reshjet. Këto dukuri krijohen edhe për shkak se troposfera ngrohet në shtresat e poshtme të saj nga rrezatimi që sipërfaqja e Tokës kthen mbrapsht në atmosferë. Gjithashtu, te këto dukuri ndikojnë disa rryma ajri shumë të forta, që krijohen në shtresat e sipërme të troposferës dhe që lëvizin nga perëndimi drejt lindjes me shpejtësi mbi 500 km/orë. Termi “troposferë” pasqyron pikërisht këtë ndryshim të vazhdueshëm të tipareve dhe të dukurive. Kuptimi i saj rrjedh nga (greqishtja e vjetër: tropo-mënyrë, ndryshim dhe sferë), pra “shtresa që ndryshon vazhdimisht”. Temperatura, në troposferë, fillon të zbresë me ngjitjen në lartësi. Kjo ndodh për shkak se rrezatimi i nxehtësisë nga Toka drejt troposferës është më i fortë në shtresat më të poshtme të saj dhe sa vjen e ulet me lartësinë. Për rrjedhim temperatura e troposferës fillon nga niveli mesatar global prej 15-16ºC në sipërfaqe të Tokës dhe ulet gradualisht deri në -55ºC në lartësinë 10.000 m mbi nivelin e detit. Në lartësitë 8-17.000 m ndodhet tropopauza, kufiri i troposferës me stratosferën. Në tropopauzë fillon ndryshimi i tendencës: temperatura në vend që të zbresë, fillon të rritet.

Stratosfera
Stratosfera fillon me rritjen e temperaturës, e cila ngjitet gradualisht deri në 0ºC në shtresat e sipërme të saj, në lartësinë 50 km. Ngritja e temperaturës ndodh për shkak se në stratosferë oksigjeni është në kontakt të drejtpërdrejtë me rrezatimin ultravjollcë të Diellit dhe e përthith atë. Sa më lart të ngjitemi në stratosferë aq më i madh është rrezatimi ultravjollcë dhe aq më i fortë është kontakti me oksigjenin. Për rrjedhim, temperatura rritet në mënyrë progresive. Ozoni, që krijohet nga ndërveprimi i oksigjenit me rrezatimin diellor, krijon një përqendrim të madh, duke krijuar kështu “shtresën e ozonit”. Kjo shtresë është e domosdoshme për jetën në Tokë për shkak se shërben si filtër për rrezatimin ultravjollcë nga Dielli. Stratosfera mban rreth 19% të masës së ajrit të së gjithë atmosferës, megjithëse lartësia e saj është rreth 40 km. Si rrjedhojë trysnia (presioni) e ajrit është më e ulët se në troposferë: trysnia fillon e ulet deri sa zvogëlohet me rreth 1000 herë në stratopauzë. Stratopauza është zona e tranzicionit nga stratosfera në mezosferë.

Mezosfera
Mezosfera është shtresa e mesme ndër pesë shtresat e atmosferës dhe rrjedh nga (greqishtja meso-mes). Në mezosferë temperatura e ajrit fillon të bjerë sërish me ngjitjen në lartësi, njësoj si në troposferë. Nga 0ºC, që është në stratopauzë, ajo ulet në -90ºC në lartësinë 80-100 km që është edhe kufiri i sipërm i mezosferës, që në e quajmë “mezopauza”. Ndonjëherë, temperatura në mezopauzë arrin deri në -143ºC. Ajo përfaqëson temperaturën më të ulët natyrore në planetin Tokë. Në mezosferë, ajri ka azot dhe oksigjen në të njëjtin raport si edhe në tropopauzë, veçse 1000 herë më të rrallë. Për më tepër, në mezopauzë sasia e avujve të ujit është shumë e vogël, ndaj retë dhe dukuritë e tjera meteorologjike nuk mund të krijohen. Ajri, në këtë shtresë, përfaqëson më pak se 0,1% të masës së ajrit në atmosferë. Në mezosferë haset një shtim i përqendrimit të gazeve të lehta si heliumi dhe hidrogjeni, por edhe shumë jone. Këtu ndodh goditja e pjesës më të madhe të materialeve të ngurta që vijnë nga hapësira (meteoritët) dhe që tentojnë të bien mbi Tokë. Gjatë rrugëtimit të tyre, përmes mezosferës, meteoritët mbinxehen aq sa bëhen të shndritshëm dhe më pas shpërbëhen gradualisht për shkak të temperaturës së lartë. Këta meteoritë, që digjen ndërsa bien drejt Tokës, ne i quajmë “yje që bien”.

Termosfera
Termosfera quhet kështu pasi, në këtë shtresë, temperatura fillon e ngrihet për shkak se ngrohet drejtpërdrejtë nga Dielli. Termi “termo-nxehtësi”, me prejardhje nga greqishtja, pasqyron pikërisht këtë dukuri. Elementi themelor i termosferës është oksigjeni i jonizuar, i përbërë nga një atom i vetëm oksigjen i elektrizuar nga rrezatimi i fortë diellor. Prania e gazeve në formë të jonizuar është aq tipike dhe e rëndësishme për termosferën, saqë ajo quhet edhe me termin “jonosferë”. Për shkak të pranisë së joneve, në termosferë ndodh dukuria e “aurorës”. Nga Toka, në zonat pranë poleve, arrijmë të shohim elektrizimin e joneve, që na shfaqen si “fasha drite plot ngjyra që ndriçojnë qiellin”. Praktikisht, grimcat elektrike që vijnë nga Dielli (elektrone dhe protone) godasin jonosferën dhe kështu ndodhin shkëndijat elektrike. Kjo energji shndërrohet në dritë të dukshme nga Toka dhe njihet si aurora boreale në Polin e Veriut, ose australe në Polin e Jugut. Kufiri i sipërm i termosferës është termopauza, e cila ndodhet në lartësinë 400-500 km.

Ekzosfera
Ekzosfera është shtresa e sipërme e atmosferës. Ajri është aq i rrallë, saqë ekzosfera konsiderohet si zona e kontaktit dhe e shkrirjes së atmosferës me hapësirën. Ekzosfera shkon deri në 2500 km lartësi. Për shkak të largësisë së madhe nga Toka, si dhe të dobësimit të forcës së rëndesës, kjo shtresë pothuajse nuk merr pjesë në rrotullimin rreth Tokës. Dukuritë e jonizimit të ajrit janë të pranishme edhe në ekzosferë. Ekzosfera është e rëndësishme edhe për faktin se në të qëndrojnë satelitët artificialë të Tokës, të lëshuar nga shtete apo organizma të ndryshme për qëllime studimi, vrojtimi, komunikimi etj. Kjo është edhe shtresa ku gjenden një numër i madh “mbetjesh hapësinore”. Copa të shkëputura nga satelitët enden si mbetje në këtë shtresë. Numri i tyre rritet vazhdimisht. Janë mbi 170 milionë mbetje me përmasa rreth 1 cm dhe mbi 30 mijë të tjerë me përmasa disa dhjetëra cm. Kjo tregon se veprimtaria njerëzore, fatkeqësisht, po ndot jo vetëm Tokën, por edhe hapësirën.