Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 2.2: Brezat e kohës, Përcaktimi i kohës lokale dhe zonale

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 2.2

NËNTEMATIKA 2 HARTOGRAFIA

BREZAT E KOHËS, PËRCAKTIMI I KOHËS LOKALE DHE ZONALE

Koha lokale
Lëvizja rrotulluese e Tokës rreth vetes ndihmon në matjen e hapësirës dhe kohës. Me lëvizjen ditore të Tokës lidhet përcaktimi i rrjetit gjeografik, i kohës lokale, zonale, brezat e kohës, vija e ndërrimit të datës dhe koha zyrtare. Përveç përcaktimit të hapësirës, rrjeti gjeografik shërben edhe për matjen e kohës. Gjatë lëvizjes së Tokës rreth vetes, Dielli shfaqet në kupën qiellore, në lartësi të ndryshme. Në mëngjes ai shfaqet në horizont, në mesditë lartësia e tij arrin një kulm, e cila pastaj vjen e ulet gradualisht deri në perëndim. Të gjitha pikat e një meridiani, në një çast të caktuar gjenden përballë Diellit dhe në këtë moment ato do të kenë mesditë. Çdo meridian që ndodhet në lindje e ka kaluar këtë moment dhe ata do të jetë pasdite. Ndërsa meridianët që ndodhen në perëndim, duke mos e përjetuar çastin e mesditës, do të kenë paradite. Pra nëse meridiani që kalon në Tiranë do të ketë mesditë, në meridianin që kalon nëpër Pragë, ky çast ka kaluar dhe atje do të jetë pasdite, ndërsa meridiani i Madridit që ndodhet në perëndim, do të këtë paradite. Koha që pikat e një meridiani kanë në të njëjtin çast quhet kohë lokale. Meridianë të ndryshëm përjetojnë kohë lokale të ndryshme. Ne dimë se të gjitha pikat e një meridiani kanë të njëjtën gjatësi gjeografike dhe njëherazi të njëjtën kohë lokale. Ndryshimi i kohëve lokale, kushtëzohet nga ndryshimi i gjatësive gjeografike. Kjo lidhje është mjaft e përdorshme. Duke ditur kohët lokale mund të gjejmë lehtësisht gjatësinë gjeografike të një pike të panjohur dhe anasjelltas.

Matja e kohës dhe e hapësirës
Përdorimi i kohëve lokale është jo racional, sepse nëse çdo qytet e fshat do të përdorte kohën e vet lokale, atëherë do të krijohej një kaos i paparë. Për të eliminuar këtë, përdorim kohën zonale. Duke parë lëvizjen ditore të Tokës shohim se planeti ynë e përshkon harkun prej 360° për 24 h. Toka bën një rrotullim të plotë rreth vetes, prej 360 ° për 24 orë. Ndërsa gjatë një ore Toka kryen një rrotullim prej 15° (360 °/24 orë=15°) dhe harkun prej 1° ajo e përshkuan për 4’(60’/15°= 4’). Mbi këtë bazë rruzulli tokësor ndahet në 24 breza me hapësirë prej 15 ° secili. Çdo brez ka si kohë të vet zonale, kohën lokale të meridianit që kalon në qendër të brezit. Si brez fillestar është pranuar meridiani i Greenwich – it dhe quhet brezi zero. Hapësira e brezit 0 (prej 15°) formohet midis meridianëve 7°15’gj.gj P dhe 7 °15’gj.gj L. Koha zonale e brezit 0 konsiderohet koha lokale e meridianit të Greenwich. Brezi i parë gjendet në lindje të brezit zero. Ai shtrihet në hapësirën e krijuar midis meridianëve 7 °15’gj.gj L dhe 22 °30’. Koha zonale e brezit të parë është koha lokale e meridianit 15°. Kështu Tirana, Zagrebi, Vjena, Berlini, Oslo etj. janë kryeqytete që ndodhen në të këtë brez. Megjithëse ato kanë kohë lokale të ndryshme, koha e tyre zonale është e njëjtë:1h përpara brezit zero të Greenwich – it. Koha ka vetëm një dimension. Ajo përparon nëse kalojmë drejt brezave në lindje dhe prapësohet nëse shkojmë drejt brezave kohorë perëndimorë. Kur arrijmë në meridianin 180°, ndryshimi kohor i pikave që ndodhen afër tij është 24h. Nëse në Greenwich – it është mesnata e datës 12 Mars, atëherë në brezin e parë ora do të jetë 1°° e datës 13. Në meridianin 180° ora do të jetë 12°° ose mesdita e datës 13 Mars. Duke kaluar në brezin e parë në perëndim të Greenwich – it ora do të jetë 23h e datës 12 Mars. Po të vijojmë zhvendosjen drejt perëndimit në çdo brez, koha do prapësohet me1h. Ndërsa në meridianin 180° ora do të jetë 12°° e mesditës të datës 12 Mars. Pra ekziston një ndryshim kohor prej 24h ose një ditë – natë në të dy anët e meridianit 180°. Ky meridian shërben njëkohësisht edhe për llogaritjen e datës. Meridiani 180° është zgjedhur si vija e ndërrimit të datës, sepse duke kaluar në mes të hapësirave oqeanike të Paqësorit mundësia e çrregullimeve të datës është e pakët. Nëse do të kalonim vijën e ndërrimit të datës, nga lindja në perëndim (nga Los Angelos në Hong Kong), atëherë do të humbim një ditë, pra nga e diela do të gjenim të martë. E kundërta do të ndodhte në qoftë se do të kalonim këtë vijë nga perëndimi në lindje (nga Tokio në Vankuuver), atëherë do të përsërisnim ditën, sepse e shtuna do të përsëritej prapë nga e shtuna. Periudha nga e diela e fundit e tetorit deri në të dielën e fundit të marsit, i korrespondon kohës natyrore së mirëfilltë. Ndërrimi i orës gjatë verës, duke e çuar atë 1h prapa bëhet për të shfrytëzuar orët me diell dhe kjo quhet kohë zyrtare ose ligjore. Njeriu ka menduar që në kohët më të hershme për të matur kohën me instrumente të ndryshme (ora diellore, uji, rëre apo edhe mekanizma elektronike, atomike etj). Dijet astronomike i kanë siguruar metodat për matjen e kohës. Metoda janë bazuar në lëvizjet periodike më të dukshme të Hënës dhe të Tokës.

Lëvizjen ditore Toka e kryen brenda 24 h. Meqenëse lëvizja vjetore e Tokës nuk është rrethore por eliptike, zgjatja e ditës diellore ndryshon prej largësisë dhe pozicionit që Toka ka me rrezet e Diellit. Shpejtësia rrotulluese tokësore është maksimale në perihel dhe kufizohet në afel. Por gjatësia e ditës diellore në hemisferën veriore zgjatet minimalisht në perihel dhe maksimalisht në afel. Pavarësisht kësaj ne marrim si njësi matëse të kohës ditën mesatare diellore. Ajo rezulton si gjysma e zgjatjes së gjithë ditëve diellore të një viti të plotë dhe i korrespondon me saktësi 24h. Dita mesatare diellore ndahet në 24 orë, ora në 60’ dhe minuta në 60’’. 1 sekondë i korrespondon 1/86400 të ditës.

►Kalendari
Termi kalendar e ka prejardhjen nga fjala latine calendae (dita e parë e muajit). Ai përcakton ndarjen e kohës në intervale për qëllime civile e religjioze. Ndarja e kohës deri në fund të epokës lidhej me lëvizjen e rregullt të hënës dhe të diellit. Me njohuritë e tyre astronomike njerëzit kishin identifikuar kohën e nevojshme që i duhej Tokës për të bërë një rrotullim rreth Diellit. Viti diellor ose tropik ka një zgjatje prej 365d 5h 48’46’’ dhe përputhet me intervalin midis 2 ekuinokseve të njëpasnjëshme. Gjatësia e vitit diellor nuk përkon me një numër të plotë ditësh, prandaj nuk mund të shërbejë për formimin e kalendarit. Kalendari i parë i përdorur në botën romane i referohej muajit hënor me një kohëzgjatje prej 25.9 ditësh dhe viti përbëhej nga 12 muaj hënorë. Një kalendar i tillë nuk ishte shumë praktik, sepse zgjatja më e vogël e vitit (354 ditë) ndaj vitit tropik (me 365.25 ditë) sillte një zhvendosje të stinëve. Për këtë arsye në vitin 45 p.e.s. Jul Çezari paraqiti Kalendarin Julian që e shtoi kohëzgjatjen e vitit. Për të rikuperuar vonesën prej 6 orësh të grumbulluar çdo vit përkundrejt vitit tropik, Kalendari Julian vlerësonte tre vitet e parë me 365 ditë dhe vitin e katërt me 366 ditë. Viti kalendarik mbeti i ndarë në 12 muaj, duke mos u përputhur me muajt hënorë. Për të korrigjuar lidhjen e stinëve të humbur në shekujt e mëparshëm, viti 46 p.e.s zgjati 80 ditë më shumë. Megjithatë, edhe kjo ndarje e re e kohës nuk e zgjidhi problemin e mospërputhjes midis vitit diellor dhe vitit kalendarik. Viti diellor nuk zgjat saktësisht 365d e ¼ sepse është më i shkurtër me 11’14’’ nga viti i kalendarit Julian. Në fund të shek. XVI boshllëku midis vitit kalendarik dhe vitit diellor ishte rreth 10 ditë. Për më tepër që ekuinoksi i pranverës binte në datën 11, në vend të 21 marsit. Për këtë arsye Papa Gregori XIII propozoi dhe futi në përdorim kalendarin Gregorian. Në 1582 u vendos përputhja midis vitit diellor dhe atij kalendarik, duke kaluar nga e marta 5 tetor tek e premtja 15 tetor. Për të evituar mospërputhjet e shumta u vendos që të ishin të brishtë vetëm ato vite të zakonshme që plotpjesëtohen me 4, si p.sh. 2004, 2008, 2012, 2016. Ndërsa vitet shekullore të brishta janë vetëm ato që plotpjesëtohen me 400, si p.sh. 2100, 2200. Një vit i brishtë ka 366 ditë dhe muaji shkurt ka 29 ditë. Kalendari Gregorian përshtatej më së miri me vitin diellor dhe sot për më tepër pranohet universialisht. Të dhënat e fundit tregojnë se ekziston një mospërputhje midis vitit tropik dhe atij kalendarik, ku në 40 shekuj do të kemi 1 ditë vonesë. Reforma e kalendarit të propozuar nga një autoritet religjioz katolik nuk do të pranohej në botën myslimane, hebraike dhe pjesërisht në atë protestante ku janë në fuqi kalendarë të ndryshëm.

Kalendari islamik është kalendar hënor që e ndan vitin (prej 354 ditësh) në 12 muaj me zgjatje prej 29 ose 30 ditë. Vitet numërohen duke filluar nga 15 korriku i vitit 622 (viti 0) dita e fluturimit të Muhametit në Medinë. Ky kalendar shoqërohet me një sfazim të vazhdueshëm të datave dhe të momentit të nisjes së një viti të ri. Kalendari hebraik është një kalendar hënor – diellor. Për hebrenjtë viti 0, nga i cili fillon numërimi, është viti 3760 p.e.s që shënon datën e krijimit të botës.