Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 3.9
NËNTEMATIKA 3 ATMOSFERA
MASAT AJRORE, FRONTET ATMOSFERIKE DHE ERËRAT
►Klasifikimi i masave ajrore dhe fronteve
Masat ajrore kanë tipare të ndryshme. Klasifikimi i tyre bëhet sipas disa kritereve, ku më kryesoret janë:
– Klasifikimi sipas tipareve fizike: Një masë ajrore quhet “e ftohtë” atëherë kur temperatura e saj është më e ulët se ajri që e rrethon. Anasjelltas për masën ajrore të ngrohtë.
– Klasifikimi sipas gjerësisë gjeografike: Nga poli në drejtim të ekuatorit hasim përkatësisht masat ajrore polare, arktike, tropikale dhe ekuatoriale.
Këto masa ajrore me temperaturë dhe trysni të ndryshme lëvizin drejt njëra-tjetrës dhe, kështu, në një moment të caktuar takohen. Sipërfaqja e kontaktit mes tyre quhet “sipërfaqe frontale”, ndërsa vija ku kjo sipërfaqe frontale pret tokën, quhet “front atmosferik”. Është pikërisht fronti atmosferik që ne e shohim nëpër hartat e parashikimit të motit.
Frontet janë disa llojesh. Klasifikimi i tyre mund të bëhet sipas disa kritereve, ku më kryesoret veçojmë:
– Klasifikimi sipas lartësisë: Ndahen në “fronte të lartësive” dhe “fronte të sipërfaqes”.
– Klasifikimi sipas tipareve të zhvendosjes së tyre:
– “fronte të qëndrueshme ose stacionare”. Në nivel planetar, në kontaktin mes masave ajrore, ne dallojmë nga poli në drejtim të ekuatorit përkatësisht frontin polar, arktik dhe tropikal.
– “fronte të lëvizshme”. Ndër këta të fundit dallojmë frontet e ftohtë, të ngrohtë dhe frontet e përplasjeve.
Për të kuptuar se cili front quhet i ngrohtë apo i ftohtë, mjafton të kuptojmë këtë rregull: fronti merr emrin e masës ajrore që lëviz. Pra, nëse është një masë ajrore e ftohtë që lëviz drejt një mase të ngrohtë, fronti quhet “i ftohtë”. Dhe anasjelltas, nëse është një masë ajrore e ngrohtë ajo që lëviz drejt një mase ajrore të ftohtë, atëherë kemi një front “të ngrohtë”. Në të dyja rastet, masat ajrore përkatëse sillen në mënyra të ndryshme dhe, për rrjedhim, krijohen situata të ndryshme me pasoja meteorologjike të ndryshme.
– Fronti i ftohtë krijohet kur masa ajrore e ftohtë është në lëvizje dhe takon masën ajrore të ngrohtë. Duke qenë një ajër i rëndë ai tenton të futet nën masën ajrore të ngrohtë duke e shtyrë atë me forcë lart. Ajri i ngrohtë duke u ngjitur lart ftohet shpejt dhe lagështia në përbërje të masës së tij kondensohet duke krijuar re të llojit që japin rrebeshe shiu. Sa më shumë kalon fronti i ftohtë, aq më shumë ngjitet lart ajri i ngrohtë dhe kjo bën që retë që krijohen të mos japin më reshje. Kështu reshjet pushojnë. Në hartën meteorologjike të parashikimit të motit, fronti i ftohtë shënohet me vijë blu (ose të zezë)me trekëndësha.
– Fronti i ngrohtë krijohet kur masa ajrore e ngrohtë është në lëvizje. Ajo takon masën ajrore të ftohtë, që duke qenë se është më e rëndë, ajri i ngrohtë nuk i imponohet, por ngjitet ngadalë dhe gradualisht mbi të. Në këtë rast krijohen re shtresore. Kalimi i një fronti të ngrohtë mbi një zonë, shënohet nga rritje të temperaturave, rënie të trysnisë, reshje të vazhdueshme, por jo në formë rrebeshi. Fronti i ngrohtë shkakton erëra të forta dhe jep kushte furtune të fortë në det. Në hartën meteorologjike të parashikimi të motit, fronti i ngrohtë shënohet me vijë të kuqe (ose të zezë) me gjysmërrathë.
– Përplasje frontale: Në një situatë takimi të ngadalshëm midis një fronti të ftohtë dhe një fronti të ngrohtë, ajri i ngrohtë ngjitet lart, ndërsa ajri i ftohtë shtresëzohet në kontakt me sipërfaqen e tokës. Në këto kushte krijohen dukuritë tipike të të dy fronteve së bashku: reshje të vazhdueshme për disa orë dhe pastaj reshje në formë rrebeshi. Pasi shkarkohet lagështia në përbërje të ajrit, në zonat e përplasjes së fronteve rikthehet moti i mirë dhe ajri në sipërfaqen e tokës tenton të ngrohet sërish. Në këto kushte thuhet se perturbanca (nga latinishtja, perturbare – shqetësoj shumë) ka kaluar. Në hartat meteorologjike, përplasja frontale shënohet me një vijë të zezë (ose violë) me trekëndësha dhe gjysmërrathë.
► Llojet e erërave
Dimë që erërat ndahen në disa lloje. Erërat e përherëshme janë ato të qarkullimit të përgjithshëm (erërat perëndimore, erërat tropikale, erërat alizej). Ato fryjnë gjatë gjithë vitit në të njëjtin drejtim dhe me të njëjtën forcë. Erërat periodike quhen ato që ndryshojnë vazhdimisht drejtimin gjatë një periudhe të caktuar kohe. Kjo periudhë mund të jetë “stinore” dhe në këtë rast formohen musonet. Periudha mund të jetë edhe “ditore” dhe në këtë rast formohen brizat detare ose erërat e malit dhe luginës. Erërat lokale janë ato që formohen jo rregullisht në zonat mesatare sa herë që krijohen zona ciklonike apo anticiklonike. Të tilla janë bora ose era e veriut (nga greqishtja, vorea-veriu), feni (nga latinishtja, favonius-me rrit), shiroku (nga arabishtja, shuluk-era e jugut), mistrali (nga latinishtja, maestro-kryesor) etj; erëra të çrregullta apo ciklonike, që janë erëra të çrregullta që tipizohen nga lëvizje në formë vorbulle. Ato marrin emra të ndryshme sipas vendeve: “uragan” në brigjet amerikano-veriore të Atlantikut, “tajfun” në Detin e Verdhë (nga kinezçja t’ai fung – shumë i fortë), apo “tornado” (nga latinishtja tornare-me rrotullu) në brendësi të SHBA ose Australi.
►Erërat periodike
Erërat periodike formohen mbi bazën e ndryshimeve periodike të temperaturës dhe trysnisë mbi det dhe mbi tokë. Në mësimin për temperaturën thamë që deti (uji) dhe toka (dheu) kanë sjellje të ndryshme termike, përkatësisht: uji ngrohet më ngadalë dhe ftohet më ngadalë, ndërsa toka ngrohet më shpejt dhe ftohet më shpejt. Musonet krijohen në brigjet e Oqeanit Indian, për shkak se ajo është zonë e nxehtë. Musonet ndryshojnë sipas stinëve. Në verë toka është më e ngrohtë dhe rrjedhimisht edhe ajri mbi të është më i ngrohtë, çka bën që edhe trysnia e ajrit mbi tokë të jetë e ulët. Prandaj era fryn nga oqeani në drejtim të kontinentit, për shkak se mbi det ajri është i ftohtë dhe aty trysnia është më e lartë. E kundërta ndodh në gjysmën e ftohtë të vitit. Toka ftohet, shpejt, ndërsa deti mban ende ngrohtësinë që ka marrë nga rrezatimi diellor në verë. Rrjedhimisht, ajri mbi tokë është më i ftohtë dhe trysnia e tij është më e lartë. Kjo çon në erëra që fryjnë nga kontinenti në drejtim të oqeanit. Brizat krijohen në një shkallë më të vogël, pra në nivel zone apo plazhi. Dukuria është e njëjtë me atë të musoneve vetëm se këtu ndryshon periudha. Brizat janë erëra që ndryshojnë drejtimin brenda 24 orëve. Gjatë ditës toka ngrohet më shpejt se deti dhe kështu ngroh edhe ajrin sipër saj. Prandaj trysnia mbi tokë është më e ulët, çka bën që era gjatë ditës të fryjë nga deti në drejtim të tokës. Gjatë natës toka ftohet, ndërsa deti mban dhe çliron ngrohtësinë që ka marrë gjatë ditës, duke ngrohur ajrin dhe duke ulur trysninë. Rrjedhimisht, gjatë natës era fryn nga toka e ftohtë drejt detit të ngrohtë. Një lloj tjetër i erërave periodike është edhe “era e malit dhe luginës”. Mekanizmi është i njëjti: ndryshimi i temperaturës dhe trysnisë atmosferike gjatë 24 orëve.
► Matja e erës
Era ka dy tipare: drejtimin dhe shpejtësinë. Drejtimin e erës e përcaktojmë me anë të anëve të horizontit. Era ka drejtimin nga vjen. Shembull: kur themi “era fryn nga perëndimi” apo “po fryn erë perëndimore”, kjo nënkupton që era po vjen nga perëndimi dhe drejtimi i saj është perëndim-lindje. Ndërsa shpejtësinë e erës e masim me “metër në sekondë”. Në fusha si lundrimi, fluturimi, turizmi malor etj. i përdorshëm është shkallëzimi Beaufort (Bofor) me 12 ballë. Shkallëzimi Bofor është empirik, sepse ai nuk mat shpejtësinë e erës, por vlerëson forcën e saj pra, aftësinë që ajo paraqet për të lënë pasoja në terren dhe për të shkaktuar vështirësi për aktivitetet e llojit të mësipërm. Faktorët që ndikojnë në përgjithësi në drejtimin dhe shpejtësinë e erës janë: lloji i erës, forca Koriolis, ndryshimi i trysnisë, forca e fërkimit, kushtet e relievit. Nëse i shohim më vete, në rastin e erërave të përhershme, drejtimi dhe shpejtësia e tyre nuk ndryshojnë përgjithësisht. Ndërsa në rastin e erërave periodike, lokale dhe ciklonike drejtimi varet nga kushtet lokale të relievit dhe shpejtësia varet nga ndryshimi i trysnisë dhe nga forca e fërkimit. Sa më i madh të jetë ndryshimi në trysni, aq më e fortë është edhe era. Shpejtësia e erës është më e madhe mbi det apo oqean, sepse era nuk has në pengesa relievi. Mbi sipërfaqen e tokës shpejtësia arrin përgjithësisht deri në disa metra në sekondë. Ne e masim drejtimin dhe shpejtësinë e erës me anë të instrumentit që quhet anemometër. Pasi kemi matur gjatë një viti, ne përllogarisim edhe rastisjen e erërave, sa ditë në vit fryn erë dhe në sa përqind të rasteve era fryn nga një drejtim apo nga një tjetër drejtim. Ne mund të përllogarisim edhe se sa është shpejtësia mesatare e erës nga secili drejtim më vete etj. Me këto të dhëna ndërtohet një grafik që quhet “trëndafili i erërave”, i cili përmbledh të gjitha të dhënat e mësipërme. Quhet “trëndafil” për shkak të formës së grafikut. Trëndafili i erërave ndërtohet mbi bazën e katër anëve të horizontit dhe dymbëdhjetë drejtimeve të ndërmjetme mes tyre.