Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 3.7; Trysnia atmosferike

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 3.7

NËNTEMATIKA 3 ATMOSFERA

TRYSNIA ATMOSFERIKE

Çfarë është trysnia atmosferike?
Në mësimin “Toka forma dhe rëndësia e saj”, ne u njohëm me rëndësinë e forcës së rëndesës që buron prej masës së Tokës. Forca tërheqëse e Tokës është e aftë të mbajë rreth saj atmosferën e vet dhe satelitin e vetëm, Hënën. Grimcat e ajrit si çdo gjë përmbi Tokë kanë një peshë, dhe kjo vjen për shkak se ato i nënshtrohen forcës së saj tërheqëse. Për shkak të kësaj peshe ajri ushtron një shtypje mbi sipërfaqen tokësore dhe mbi bimët, kafshët, apo njerëzit. Sa më shumë ajër të ketë sipër një objekti, aq më e madhe është pesha e ajrit mbi të. Lartësia e shtyllës së ajrit matet duke filluar nga kufiri i sipërm i atmosferës e deri në lartësinë ku ushtrohet shtypja. Gjendet më shumë ajër sipër një objekti që ndodhet në nivel të detit, se sa mbi të njëjtin lloj objekti që ndodhet në lartësinë e Himalajeve. Prandaj pesha e ajrit në nivel të detit është më e madhe se sa pesha e ajrit në lartësitë malore. Sa më shumë ajër ka sipër një objekti, aq më e madhe është trysnia e ajrit mbi të. Me ngjitjen në lartësi ne shohim se ajri rrallohet, për rrjedhim pesha e tij bëhet më e vogël dhe trysnia atmosferike që ai ushtron zvogëlohet. Duke ditur që 1cm³ zhivë peshon rreth 13,6 gram, pesha e kolonës së zhivës që gjendej në tubin 76 cm me seksion 1cm², ishte e barabartë me: 13,6g x 76 = 1033 g, ose 1,033 kg. Për rrjedhim, trysnia e ushtruar nga zhiva ishte: 1,033 kg/cm2 sipërfaqe. Kjo do të thotë se pesha e kolonës së ajrit të atmosferës me bazë 1cm² ajër balancohet nga afërsisht 1kg: nëse në një peshore do të vendosnim nga njëri krah një peshë 1 kg, dhe në krahun tjetër një kolonë ajri me sipërfaqe 1cm², peshorja do të ishte në ekuilibër. Toriçeli shpiku kështu mjetin e parë për të matur trysninë e ajrit: barometrin me zhivë. Trysnia atmosferike matet me metoda të ndryshme dhe me njësi të ndryshme: në “milimetra zhivë” (mm Hg), në “milibar” (mb, ku 760 mmHg përkojnë me 1013 mb), ose në “paskal” (Pa, që përkon me 1/100 e milibarit). Mjeti i matjes së trysnisë atmosferike është barometri (nga Greqishtja, vàros-peshë dhe metro-mas). Në nivelin e detit (në lartësinë 0 m), dhe nëse temperatura është 0°C, trysnia e ajrit arrin të mbajë lartësinë deri në 760mm të kolonës së zhivës (ose një kolonë uji të lartë 10,33m). Pra, trysnia e ajrit është 760 mm Hg, ose 1013 mb dhe kjo quhet trysni atmosferike normale. Kur barometri shënon nën 1013mb, kemi trysni të ulët, ndërsa kur barometri shënon mbi 1013mb, kemi trysni të lartë.

Faktorët që përcaktojnë ndryshimet e trysnisë
Trysnia ndryshon në hapësirë dhe në kohë. Kjo ndodh sepse ajo ndikohet nga dy grup faktorësh: nga faktorët meteorologjikë të atmosferës (temperatura dhe lagështia) si dhe nga faktorët gjeografikë si lartësia mbi nivelin e detit. Trysnia është në përpjestim të zhdrejtë me secilin prej këtyre elementëve: me rritjen e temperaturës, të lagështisë, apo të lartësisë, bie trysnia.

Temperatura. Në zonat me temperaturë të lartë trysnia është më e ulët se sa në zonat me temperaturë të ulët. Një rritje e temperaturës shkakton bymim të ajrit që bën të ulet trysnia: pra, në të njëtin volum, ajri i ngrohtë peshon më pak se ajri rreth e qark, dhe për këtë shkak tenton të ngrihet lart. Anasjelltas, ajri i ftohtë rëndon më shumë dhe prandaj tenton të zbresë, duke shkaktuar kështu edhe rritjen e trysnisë.

Pse ajri i ngrohtë ngrihet lart? Një shembull që na tregon se ajri i ngrohtë është më i rrallë, dhe rrjedhimisht më i lehtë, dhe për këtë shkak ngjitet lart, është balloni. Si e bëjmë ballonin të ngrihet lart? Thjesht duke e ngrohur ajrin brenda tij. Ajri brenda ballonit ngrohet, rrallohet, i lehtësohet pesha, dhe shndërrohet kështu në një “xhep” ajri me trysni më të ulët se sa ajri që e rrethon. Për këtë shkak, ajri brenda ballonit fillon të ngjitet lart, dhe “merr me vete” edhe ballonin dhe koshin e tij. Ju mund ta provoni edhe vetë. Nëpër supermarkete ka “balona fluturuese” të vogla letre. Nëse ndizni qiriun e vogël në bazë të balonit, do të shikoni se çfarë do të ndodhë. Kjo që keni ngjitur është baloni më i vjetër në botë… Ju mund t’i ndizni ato edhe në një festë tuajën në mbrëmje, nëse jeni në ndonjë zonë të hapur dhe pa banesa apo pemë…

Lagështia.
Lagështia ndikon mbi trysninë, sepse avulli i ujit është më i lehtë se
gazet e tjerë që përbëjnë ajrin: kur shtohet avulli i ujit në ajër, masa e ajrit bëhet më e lehtë, ngjitet për lart, e kështu shkakton një rënie të trysnisë në zonën prej nga largohet. Anasjelltas, ajri i thatë përmban më pak avull uji, dhe rrjedhimisht është më i rëndë dhe ushtron një trysni më të madhe. Një vrojtim të thjeshtë lidhur me faktin se “avulli është i lehtë dhe ngjitet lart” ju mund ta bëni vetë në mjedisin e gatimit në shtëpinë tuaj: është lehtësisht e dukshme se avulli ngrihet lart. Kjo ndodh se ai është më i lehtë se ajri përreth.

Lartësia.
Duke u zhvendosur në lartësi përqëndrimi i ajrit ulet: ajri bëhet më i
rrallë. Kjo vlen edhe për çdo gaz që e përbën ajrin: në lartësi të mëdha ka përqëndrim më të ulët në krahasim me nivelin e detit. Prandaj edhe trysnia atmosferike në lartësi ulet. Kjo ulje bëhet mbi bazën e një shkalle që quhet “gradienti barik”: me rritjen e lartësisë me çdo 8.23 m mbi nivelin e detit, trysnia ulet me 1 milibar. Ky gradient natyrisht vlen për “ajrin standard”, pra për ajrin, i cili në nivelin e detit ka trysni 1013 milibar dhe temperaturë 00C. Nëse ajri është më i rëndë apo më i lehtë se vlerat e ajrit standard, atëherë edhe gradienti barikndryshon vlerën e vet. Ndryshimin e trysnisë në lartësi të ndryshme ne e ndjejmë kur zhvendosemi me rrugë tokësore ose ajrore: kemi dhimbje ose bllokim të veshëve.

Zonat me trysni të ndryshme atmosferike
Matja e trysnisë atmosferike kryhet në stacionet meteorologjike. Të gjitha të dhënat përpunohen për të krijuar një lexim të qartë mbi shpërndarjen e trysnisë atmosferike në një territor të caktuar. Ndryshimet e trysnisë paraqiten në hartë nëpërmjet vijave imagjinare që i quajmë “izobare”. Izobari (nga greqishtja isio-e njëjtë, dhe baros-peshë ose rëndesë) funksionon mbi të njëjtin parim si edhe izohipsi dhe izobati që kemi mësuar në hartografi: ai bashkon pikat me trysni të njëjtë atmosferike. Harta që ndërtojmë mbi bazën e izobareve quhet “hartë izobarike”. Nëse izobaret janë larg njëri-tjetrit, ndryshimi i trysnisë midis tyre është i vogël. Kjo do të thotë se kemi njëtrajtshmëri në vlerat e trysnisë atmosferike, ose zona me trysni të niveluar. Nëse izobaret ndodhen afër njëra-tjetrës, kjo do të thotë se ndryshimi i trysnisë është i madh. Në hapësira të ndryshme të planetit trysnia atmosferike ka vlera jo të njëjta. Ne dimë se forma sferike e planetit tonë kushtëzon dukurinë e zonimit (ose zonaliteti), si në rastin e brezave termikë. Nga ana e saj, temperatura si një faktor ndikues mbi trysninë, përcakton edhe zonalitetin e kësaj të fundit, të cilin e quajmë “zonaliteti barik”. Në zonën ekuatoriale ku rrezatimi diellor ka vlera maksimale, ajri bymehet dhe bëhet më i rrallë. Për këtë arsye vlerat e trysnisë atmosferike janë të ulta dhe kjo quhet “zona e minimumit barik”. Kurse në pole, ku kemi rrezatim minimal, ajri tkurret, ngjishet duke rritur peshën e vet. Këtë e quajmë “zona e maksimumit barik”. Ndërkohë, në zonat e gjerësive tropikale dhe mesatare vlerat e trysnisë ndikohen nga karakteri vertikal i qarkullimit të masave të mëdha ajrore, për të cilat do të flasim në mësimet në vijim. Ndryshime të trysnisë i ndeshim edhe brenda një zone barike. Në to ka edhe qendra me vlera trysnie të ndryshme nga zona, ku izobaret marrin forma të mbyllura. Këto quhen “qendra barike”. Ato janë dy llojesh: qendra anticiklonike (ose maksimume barike) dhe qendra ciklonike (ose minimume barike). Në zonat anticiklonike ka trysni të lartë, sepse ajri është më i ftohtë se ajri në zonën përkatëse, pra është më i rëndë. Në një zonë anticiklonike, presioni është i shpërndarë në këtë mënyrë: presioni më i lartë (L) është në qendër, dhe ai sa vjen e ulet në drejtim të periferisë. Në zonat ciklonike ka trysni të ulët, sepse ajri është më i ngrohtë se ajri në zonën përkatëse, rrjedhimisht është më i lehtë. Në një zonë ciklonike, presioni më i ulët (U) është në qendër të saj, dhe sa vjen e rritet në drejtim të periferisë. Në zonat ciklonike ajri lëviz në mënyrë rrethore nga periferia në drejtim të qendrës ku përplaset dhe fillon të ngrihet lart. Ngaqë ajri vjen si një vorbull rrotulluese drejt qendrës, ajo pjesë qendrore e ciklonit quhet edhe “syri i ciklonit”. Prej këtej vjen edhe shprehja “të ndodhesh në syrin e ciklonit”, që do të thotë “të gjendesh në qendër të rrezikut”.