Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 1.3: Sistemi ynë diellor Planetet

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 1.3

NËNTEMATIKA 1 SISTEMI YNË DIELLOR DHE TOKA

SISTEMI YNË DIELLOR. PLANETËT

Karakteristikat e përgjithshme të planetëve
Planetët janë trupa qiellorë të rëndësishëm të sistemit tonë diellor. Ata janë trupa sferikë, të ngurtë, të errët dhe marrin dritë e nxehtësi nga Dielli. Rruga qiellore që planetët përshkojnë rreth Diellit quhet orbitë. Përgjithësisht, kjo lëvizje është nga perëndimi në lindje, përveç Afërditës dhe Uranit që e kryejnë atë nga lindja në perëndim. Orbitat janë gati rrethore ose eliptike. Ato mund të konsiderohen si rrathë bashkëqendrorë përkundrejt Diellit, i cili qëndron në qendër të sistemit tonë diellor. Përjashtim bën orbita e Plutonit, e cila është eliptike, mjaft jashtëqendrore dhe njëkohësisht i afrohet shumë orbitës së Neptunit të cilën edhe e ndërpret. Planetët bëhen të dukshëm për shkak të dritës së Diellit që bie mbi ta. Nga të tetë planetët e sistemit tonë diellor me sy të lirë shihen vetëm pesë: Mërkuri, Afërdita, Marsi, Jupiteri dhe Saturni. Ata njiheshin që në lashtësi dhe ishin quajtur “endacakë” për shkak se lëviznin gjatë vitit përmes yjeve. Më vonë u zbuluan edhe tre planetë të tjerë: I pari u zbulua nëpërmjet vrojtimeve (Urani më 1781) dhe dy të tjerët nëpërmjet llogaritjeve: Neptuni më 1846 dhe Plutoni (që e konsideruan planet), më 1930. Orbitat e planetëve duke filluar nga Dielli renditen në këtë mënyrë: Mërkuri, Afërdita, Toka, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani, Neptuni. Ata ndahen në dy grupe: planetët e brendshëm, (Mërkuri, Afërdita, Toka e Marsi) janë të vegjël dhe përbëhen nga shkëmbinj me dominim të hekurit. Ata e kanë kohën e rrotullimit rreth Diellit më të shkurtër, sepse kanë shpejtësi rrotulluese shumë të madhe; planetët e jashtëm, Jupiteri, Saturni, Urani, Neptuni janë shumë të mëdhenj, kanë orbita eliptike dhe shumë satelite. Ata përbëhen nga hidrogjeni, heliumi dhe akulli. Shpejtësia e lëvizjes së tyre është mjaft e vogël dhe koha për të kryer një rrotullim të plotë rreth Diellit është shumë e madhe. Nëse do të hidhnim një shikim mbi këta planet me anë të një anijeje kozmike do të vërenim:

Mërkuri
Mërkuri është planeti më i afërt me Diellin. Ai është gjithashtu planeti më i vogël ndër planetët e brendshëm. Për këtë arsye ai nuk ka atmosferë dhe satelitë. Afërsia me Diellin e bën të vështirë vrojtimin e tij me sy të lirë. Mërkuri kryen një rrotullim rreth Diellit për 89 ditë tokësore, ndërsa rreth boshtit të vet rrotullohet për 59 ditë. Pra, viti kalendarik mërkurian zgjat më pak se dy ditë mërkuriane. Për shkak të përafërsisë së gjatësisë së intervaleve të rrotullimit, Mërkuri i tregon Diellit të njëjtën fytyrë për një kohë të gjatë. Nën “lëkurën” prej silikati të këtij planeti shtrihet një shtresë e madhe hekuri që zë 80 % të diametrit të tij. Densiteti i Mërkurit prej 5.4 g/cm³ është gati i njëjtë me atë të Tokës prej 5.5 g/cm³. Sipërfaqja e tij përbëhet nga kratere të shumta të ngjashme me ato të Hënës. Por origjina e tyre nuk është vullkanike. Në kohën kur sipërfaqja e Mërkurit ishte në gjendje të shkrirë, mbi sipërfaqen e tij përplaseshin meteoritë të shumtë. Kjo dukuri është e njëjtë edhe në trupa të tjerë si Toka, Hëna, Marsi etj.

Afërdita
Afërdita për nga përmasat dhe densiteti është gati e përafërt me Tokën. Orbita e saj rrethore mund të jetë gjithmonë e dukshme në afërsi të Diellit. Afërdita është trupi më i shndritshëm i sistemit tonë diellor pas Diellit dhe Hënës. Të parit me sy të lirë është lehtësisht i mundur në qiell, para lindjes së Diellit apo edhe pas muzgut. Retë e dendura që e rrethojnë reflektojnë dritën e Diellit. Atmosfera e Afërditës në pjesën dërmuese të saj përbëhet nga CO2 (97%). Ajo është 90 herë më e dendur se atmosfera tokësore dhe ashtu si në Tokë shkakton “efektin serrë”. Afërdita ka temperaturën më të lartë ndër gjithë planetet e sistemit tonë diellor prej 477°C. Ky planet rrotullohet rreth Diellit për 224.7 ditë, ndërsa rreth boshtit të vet për 243 ditë sipas sistemit orar nga lindja në perëndim. Afërdita është planeti i vetëm në sistemin tonë diellor që ka ditën më të gjatë se vitin kalendarik. Sipërfaqja e Afërditës nuk duket e valëzuar, megjithëse relievet më të larta arrijnë lartësinë mbi 10 km dhe pjesa më e madhe zihet nga lartësi prej mijëra metrash. Gjurmët e vullkanizimit aktiv mendohet se janë që para 800 milionë vjetësh, kurse aktualisht nuk është provuar ende. Vihen re edhe kratere të ndryshme, ndoshta të shkaktuara nga goditja me meteorët.

Toka
Toka është i vetmi planet i sistemit tonë diellor me atmosferë të qëndrueshme, ujë të bollshëm dhe prani të oksigjenit, elemente që kushtëzojnë zhvillimin e jetës. Planeti ynë merr pjesë në 14 lloje lëvizjesh nga të cilat më kryesoret janë: ajo rreth Diellit, të cilën e përshkon për 365 ditë 5 orë 49 min, si dhe ajo ditore e përshkuar për 23 orë, 56 min dhe 4 sek. Ajo ndodhet mesatarisht 149.6 milionë km larg nga Dielli. Orbita e saj eliptike përcakton ndryshime të largësisë: 152.1 milionë km në afel dhe 147.1 milionë km në perihel. Pra, largësia Tokë–Diell është faktor kyç që përcakton ekzistencën e jetës në planetin tonë. Toka nuk është në largësinë e planetëve të brendshëm si Mërkuri dhe Afërdita, pra në hapësirën tepër të “nxehtë” ku uji avullon dhe kushtet e jetës bëhen të pamundura. Ajo është gjithashtu jashtë hapësirës së ftohtë, në të cilën uji ngrin, ku gjenden të gjithë planetët e tjerë të sistemit tonë diellor. Toka gjendet në një distancë që mund ta quajmë si e “mesme e artë” për nivelin e ngrohtësisë që ajo merr nga Dielli. Masa e Tokës është e mjaftueshme për të garantuar praninë e atmosferës, e cila ka oksigjen dhe uji gjendet në tri gjendje agregate: të lëngët, të gaztë dhe të ngurtë.

Marsi
Planeti i fundit shkëmbor i planetëve të brendshëm të sistemit tonë diellor është Marsi. Për nga masa dhe volumi ai i përafrohet Tokës. Marsi është një trup i shndritshëm dhe ngjyra e tij është e kuqerremtë. Sipërfaqja e tij është vëzhguar në mënyrë të drejtpërdrejtë sepse atmosfera e tij është shumë e hollë. Ajo dominohet nga CO2, por gjejmë edhe praninë e kufizuar të gazeve të tjera si N, Ar, O2. Largësia e madhe nga Dielli bën që temperaturat të jenë të ulëta, ku mesatarja vjetore arrin në -20°C. Ndërsa lëkundjet ditore të temperaturës janë të mëdha nga 80–100°C në ekuator gjatë ditës, deri në -70–100°C gjatë natës. Kjo sjell praninë e erërave të forta në trajtë stuhie me shpejtësi mbi 100 km/orë. Sipërfaqja e Marsit tregon shenjat e një procesi vullkanik dhe tektonik të kaluar. Veçanërisht në zonat e hemisferës veriore janë të dukshme kratere të shumta të provokuara nga përplasjet e meteorëve. Mbi të gjitha bie në sy vullkani më i madh i sistemit tonë diellor, “Monte Olympus” me lartësi mbi 25 km. Marsi ka dy satelitë të vegjël “Deimos” dhe “Fobus”.

►Jupiteri
Jupiteri është trupi qiellor më i madh i sistemit tonë diellor, pas Diellit. Masa e tij është 2.5 herë më e madhe se masa e të gjithë planetve të tjerë. Për nga vëllimi Jupiteri mund të përfshijë 1316 planetë si Toka. Ai është një nga planetët më të shndritshëm të sistemit tonë diellor. Jupiteri mund të fotografohet me vështirësi për shkak të rrotullimit relativisht të shpejtë rreth boshtit të vet. Kohëzgjatja e këtij rrotullimi është më minimalja për të gjithë planetët e tjerë. Ajo është vetëm 9 orë e 50 min në një kohë prej më pak se gjysma e ditë–natës tokësore. Rrotullimi i shpejtë përcakton një zgjerim të dukshëm ekuatorial dhe një tkurrje të sigurt polare. Jupiteri ka një karakteristikë të rëndësishme: çliron energji në formë rrezatimi infra të kuq në sasi dyfish më të madhe se energjia e marrë nga Dielli. Temperatura në sipërfaqen e tij është mjaft e ulët (rreth –140°C). Densiteti i tij është i vogël dhe mendohet se ai nuk duhet të jetë i përbërë prej materialesh shkëmbore, si Toka. Jupiteri ka atmosferë të dendur të përbërë nga hidrogjeni dhe heliumi, por edhe nga amoniaku, azoti e metani dhe avuj uji. Sipërfaqja e tij nuk dallohet për kontraste të theksuara. Ai ka fushë magnetike më të fuqishme se të Tokës dhe dallohet për gravitet të lartë. Gjithashtu, ai dallohet edhe për 16 satelitët e tij, që e bëjnë atë një sistem planetar më vete. Por është zbuluar se sateliti i tij Io (gati si Hëna), mbështillet me atmosferë ashtu si vetë Jupiteri. Pranë ekuatorit gjendet dhe një unazë e hollë e ngjashme me atë të Saturnit.

Saturni
Saturni është rivali i Jupiterit. Masa e tij është tri herë më e vogël, kurse vëllimi i tij është sa 3/5 e Jupiterit. Përmasat e tij janë gjigante, kështu që brenda vëllimit të tij mund të përfshihen 755 planetë si Toka. Ai ka satelitë të shumtë (22), duke përfshirë edhe Titanin me atmosferë të dendur. Ndryshe nga planetët e tjerë, Saturni rrethohet nga unaza e tij e famshme në të gjithë sistemin tonë diellor. Janë zbuluar disa unaza, të cilat nuk janë solide, sepse përbëhen nga një mori trupash të vegjël, që rrotullohen si satelitët rreth një planeti. Saturni ushtron tërheqje të fuqishme mbi satelitët dhe unazat e tij. Marrëdhënia midis tyre mund të konsiderohet si “maket” i sistemit tonë diellor. Por roli i tij dhe i Jupiterit është mjaft i madh edhe mbi planetin tonë. Tërheqja e fuqishme e tyre mbi Tokën i mbivendoset forcës kundërvepruese që ajo ushtron ndaj tërheqjes së Diellit. Kjo garanton largësinë e përshtatshme të Tokës nga Dielli, si dhe ekzistencën e jetës në të.

Urani
Urani ka përmasa tepër të mëdha, të cilat përcaktojnë numrin e madh të satelitëve, plot 15 të tillë. Por e veçanta e tij është pjerrësia e madhe e ekuatorit të tij kundrejt planit të orbitës, që arrin në 98°. Urani ashtu si dhe Afërdita rrotullohet rreth vetes sipas drejtimit orar, pra nga lindja në perëndim. Rreth tij vërehen unaza të ndryshme më të errëta dhe të ndryshme në përbërjen kimike krahasuar me ato të Saturnit. Densiteti i tij (1.2 g/cm³) është thuajse i njëjtë me atë të Jupiterit. Ai ka atmosferë të dendur të ngjashme me atë të Saturnit, por më të ftohtë –185°C. Prania e metanit (CH4) përcakton edhe ngjyrimin e atmosferës në një ngjyrë të kaltër të lehtë.

Neptuni
Ndërsa Neptuni është mjaft i ngjashëm me Uranin, por pak më i ftohtë –200°C. Kjo është normale për shkak të largësisë më të madhe të tij nga Dielli. Neptuni është gjiganti më i largët dhe i katërti i sistemit tonë diellor. Masa dhe dendësia e tij janë më të mëdha se të Uranit. Atmosfera e tij ka strukturë të gaztë të njëjtë me Saturnin dhe Uranin, duke u përbërë nga H2, He dhe CH4. Neptuni ka 8 satelitë, nga të cilët dy janë kryesorë: Tritoni dhe Nereida, ndërsa 6 të tjerët janë të vegjël. Zbulimi i tij ka mbetur si një ngjarje e shënuar në historinë e mekanikës qiellore, mbasi ai u zbulua më parë në letër me anë të llogaritjeve matematikore, të anglezit Adams (1845) dhe francezit Lëverie (1846).

Plutoni
Plutoni është shumë i largët dhe shumë i vogël. Orbita e tij është eliptike dhe ndërpret orbitën e Neptunit, por llogaritjet vërtetojnë se mundësitë e përplasjes midis tyre janë zero, pasi ata janë larg njëri-tjetrit në hapësirë. Plutoni duket i ngjashëm me satelitët prej akulli të Jupiterit ose Saturnit. Plutoni duke qenë larg nga Dielli është aq i ftohtë sa metani ngrin mbi sipërfaqen e tij. Ai është zbuluar, ashtu si dhe Neptuni, fillimisht nëpërmjet llogaritjeve matematikore dhe vetëm më 1930 është shquar përmes fotografive të hapësirës qiellore. Deri më 24 gusht të vitit 2006, Plutoni bënte pjesë në listën e planetëve të sistemit tonë diellor. Astronomët në bazë të kërkimeve, kishin gjetur, përtej planetit Neptun, trupa të tjerë të vegjël njëlloj si Plutoni. Ata i quajtën këta trupa, së bashku me Plutonin, xhuxh (nanoplanetë). Nanoplanetët janë shumë më të largët dhe shumë më të vegjël se planetët e tjerë. Për këtë shkak, në vitin 2006, Bashkimi Astronomik Ndërkombëtar, vendosi të mos i quante planetë “planetët xhuxhë”, midis tyre edhe Plutonin. Për këtë shkak, në vitin 2006, Plutoni nuk u pranua me statusin e planetit.