Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 5.6
NËNTEMATIKA 5 LITOSFERA
KOHA GJEOLOGJIKE DHE EVOLUCIONI I BOTËS SË GJALLË PËRGJATË SAJ
►Përcaktimi i moshës gjeologjike të Tokës
Planeti ynë Toka ka përjetuar një evolucion të larmishëm qysh nga krijimi i saj. Ndryshimet e vazhdueshme kanë transformuar jo vetëm shtresat gjeologjike, por edhe gjithë jetën e gjallesave në të. Vendosja kronologjike e gjithë ngjarjeve që përbëjnë edhe historinë e Tokës është një detyrë e rëndësishme e gjeografisë. Dallojmë dy sisteme kronologjike: kronologjia absolute dhe kronologjia relative. E para lejon vlerësimin në vite të fenomeneve gjeologjike dhe paleontologjike dhe ju jep atyre një moshë reale, pra moshën absolute. Kronologjia relative mundëson rregullsinë e radhës së ngjarjeve. Mosha relative balancon midis dy fenomeneve se cili është më antik, më i lashtë dhe cili më i fundit. Ajo nuk saktëson moshën e saktë në vite. Nuk ekzistojnë njësi të kohës përfundimtare, por njësi të kohës konvencionale që janë era – periudha – epoka – mosha. Mbi këtë bazë është përcaktuar edhe shkalla gjeokronologjike, e cila përbëhet nga dy periudha:
1. kriptozoi, ose koha e jetës së padukshme, përfshin erërat më të vjetra, arkeane e proterozoike,
2. fanerozoi, ose koha e jetës së dukshme, përfshin tri erëra më të reja: paleozoin, mesozoin dhe kenozoin.
►Evolucioni gjeologjik e organik i Tokës
Era arkeane e proterozoike. Megjithëse fillesat e saj janë 4.6 miliard vjet më parë materiali që i dokumenton këtë interval kohe është mjaft i pakët. Prandaj këto erëra bëjnë pjesë në kohën e jetës së padukshme, ose kriptozoi. Ato janë zhvilluar për afro 4 miliard vjet dhe koha shumë e gjatë ka bërë që si rezultat i veprimit të fuqishëm të faktorëve ekzogjenë, shkëmbinjtë me origjinë organike të zhduken. Nga gjetjet e pakta evidentohet se bota e gjallë organike ka qenë në nivele primitive, të organizmave të gjallë shumëqelizorë. Në zhvillimin gjeologjik ka pasur veprimtari të fuqishme vullkanike në trajtën e vullkaneve linearë. Kurse korja e tokës zhvillohej në gjeosinklinalet e platformat e Europës Lindore, Siberisë, Kanadasë, Australisë, Afrikës, Antarktidës dhe Brazilit. Era paleozoike, ose era e jetës së vjetër zgjati nga 570 milion deri në 245 milion vjet më parë me një kohëzgjatje prej 325 milion vjet. Periudhat që e përbëjnë atë janë: Kembër, Ordovik, Silurian, Devonian, Karbonifer e Permian. Në këtë erë bota e gjallë pësoi një zhvillim të madh sidomos në organizmat e jovertebrorëve detarë në Cm1 ( Cm, Kembër, periudha e pare e erës së Paleozoit: Shihni tabelën, e shkallës gjeokronologjike, fq. 152. Më pas në O kemi krijimin e peshqve të parë, në S dalin bimët e para dhe në D bota e gjallë kaloi për herë të parë nëpërmjet amfibëve edhe në tokë). Në C kemi krijimin e pyjeve të mëdha, që janë baza e krijimit të shtresave të qymyrgurit në gjithë rruzullin tokësor dhe zhvillimi i një bote të pasur shtazore nëpërmjet zhdukjes së shumë jovertebrorëve. Në zhvillimin gjeologjik kemi dy periudha me lëvizje të fuqishme malformuese, që njihen me emrin orogjeneza kaledoniane (Cm-D) dhe ajo herciniane (C-P). Në lëvizjet e para u formuan malet më të vjetër sot në tokë si ato të Skocisë, Skandinavisë e Uralet në Evropë, Apalashet në SH.B.A etj. Gjatë paleozoit ndodhen edhe ndryshime të mëdha klimatike të përcaktuara nga transgresionet e regresionet e fuqishme detare.
Era e Mesozoit filloi nga 245 milion vjet më parë dhe zgjati për 180 milion vjet. Gjatë mesozoit bota e gjallë u zhvillua mjaft sidomos në kalimin përfundimtar në sipërfaqen e tokës me zvarranikët e parë në T, më pas edhe në shtresat e ajrit me shpendët e parë në J. Në fundin e mesozoit n ë Cr bota e gjallë shtazore u përhap e u shtua në gjithë llojet e saj. Nga ana gjeologjike pati përsëri vullkanizim, por dominoi sidomos procesi i sedimentimit. U krijuan shkëmbinjtë karbonatikë (gipset) dhe klima ndryshoi nga transgresionet e regresionet detare në detare ose kontinentale.
Era e kenozoit. Përbën erën e jetës së re e cila zgjat përgjatë 65 milion vjet. Periudhat e kësaj ere gjeologjike janë: paleogjeni, neogjeni e kuaternari 2 milion vjet. Në këtë erë pati një zhvillim sasior e cilësor të botës së gjallë. Seleksionimi dhe evolucioni i gjatë arriti në nivelin më të lartë atë të krijimit të njeriut që përbën pa dyshim ngjarjen më të rëndësishme biologjike të kësaj ere. Nga ana gjeologjike kemi një lëvizje të fuqishme malformuese orogjenezën Alpine. Ajo filloi qysh në fund të mesozoit dhe u intensifikua siodomos në periudhën neogjenike. Gjatë saj u formuan ngritjet më të fuqishme sot në botë si: sistemi Himalajan, Kordilierët, Andet, Alpet evropiane dhe të gjitha malet e trualli shqiptar. Gjatë kenozoit e veçantë ishte ftohja globale, që u shoqërua me akullzim dhe trajtat e relievit të krijuara prej tij.
►Mosha absolute
Në studimin e shkëmbinjve, shpesh ka rëndësi, jo vetëm përcaktimi i vjetërsisë relative midis njëritjetrit, por edhe mosha e saktë e secilit prej tyre. Kjo nënkupton llogaritjen në vite të kohës së formimit të këtij apo atij shkëmbi. Përpjekjet e para për gjetjen e moshës reale, filluan qysh në shek. XVIII. Për gjetjen e moshës absolute janë përdorur metoda të ndryshme, si p.sh., llogaritja e shpejtësisë së akumulimit të sedimenteve në det, kripëzimi i ujit të oqeanit botëror, numërimi i rrathëve vjetorë në trungjet e lashtë, etj. Por metoda më e përhapur sot, është ajo radiologjike, sidomos në shkëmbinjtë magmatikë.
Thelbi i metodës radiologjike është dukuria e radioaktivitetit. Shkëmbinjtë përmbajnë gjithmonë elemente radioaktive të cilat zbërthehen në elementë të tjerë kimikë, të qëndrueshëm, jo radioaktivë. Kjo orë e kurdisur në momentin e krijimit të shkëmbinjve na ndihmon në gjetjen e moshës absolute të secilit prej tyre. Zakonisht metodat radioaktive bazohen në shndërrimin e elementeve të tilla si uraniumi në plumb (U/Pb), rubidiumit në stroncium (Rb/Sr). Metoda e uraniumit përdoret në shkëmbinjtë që kanë moshë mbi 100 milion vjet. Në përbërje të shkëmbinjve gjejmë edhe atome uraniumi U238 dhe U235 të cilët zbërthehen gradualisht në plumb radiogjen Pb207 e Pb206, që është elementi përfundimtar i shndërrimit të tyre. Ekziston një raport midis U238 e U235, i barasvlershëm me raportin midis Pb207e Pb206. Duke përcaktuar shpejtësinë e zbërthimit të një atomi uranium, mjafton të numërojmë atomet e plumbit në përbërjen e shkëmbit dhe të përcaktojmë kështu edhe moshën e këtij shkëmbi. Gjithashtu, mund të përcaktojmë moshën absolute edhe me metoda të tjera. Kështu në Tokë janë gjetur drurë të lashtë me moshë deri 6000 vjet. Po të sharrojmë një trung të tillë jetëgjatë, mund të numërojmë rrathët vjetorë nga qendra në periferi, që japin vitet e tij. Për të saktësuar moshën absolute marrim një mostër nga shtresa që i përket një rrethi me moshë të njohur dhe përcaktojmë me metodën e karbonit radioaktiv (14C) sasinë e atomeve të këtij karboni.