Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 7.4: Lëvizjet tektonike rrudhosëse dhe shkëputëse

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.4

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

LËVIZJET TEKTONIKE RRUDHOSËSE DHE SHKËPUTËSE

Nën veprimin e forcave që veprojnë për miliona vjet në brendësi të kores tokësore, shtresat shkëmbore mund të përkulen ose edhe të thyhen. Nëse deformimi nuk shkakton thyerje të shkëmbinjve, do të kemi rrudhosje. Nëse shkëmbinjtë thyhen dhe dy blloqet që krijohen zhvendosen në raport me njëri-tjetrin, atëherë kemi shkëputje ose thyerje tektonike.

Llojet e regjimeve tektonike
Forcat tektonike që krijojnë rrudha apo që shkaktojnë shkëputje janë të gjitha të lidhura me regjimin e tektonikës së pllakave të litosferës. Pllakat janë njësi madhore, dhe prandaj zhvendosja e tyre e ngadalshme, për shkak të forcës së madhe të fërkimit shkakton tensione jo vetëm në kufijtë midis pllakave por edhe brenda vetë atyre. Për këtë arsye, pllakat përshkohen në mënyrë gjatësore apo në mënyrë tërthore nga një numër shumë i madh thyerjesh tektonike, nga ato më të mëdhatë e deri tek më të voglat. Kjo është shumë më e prekshme në zonat që janë të përfshira nga orogjeneza aktuale alpine. Për të kuptuar tërësinë dhe përmasat e këtyre thyerjeve, le të shohim disa shembuj në zonat tona: thyerjet gjatësore të detit Mesdhe, thyerjet tërthore Adriatike që përshkojnë fundin detar të tij, thyerja tërthore Shkodër-Pejë që është burim tërmetesh të fuqishme, thyerjet përgjatë krahut jugperëndimor të vargmaleve tona (malet e Skënderbeut, apo mali i Dajtit), thyerjet tërthore që përcaktojnë grykat tërthor këtyre vargmaleve (gryka e Tujanit apo e Erzenit, qafa e Priskës, gryka e Këlcyrës etj). Thyerje të tjera edhe më të vogla janë pasoja anësore të zhvendosjes së pllakave dhe pjesëve përbërëse të tyre, si dhe pasojë e tensioneve që krijojnë orogjenezat. Në varësi të faktit se në ç’drejtime janë të orientuara forcat që veprojnë mbi pjesë të veçanta të kores, shkëmbinjtë kanë pasoja të ndryshme. Njihen tri lloje forcash tektonike, sipas orientimit të veprimit.

Shtypje. Në këtë rast forcat shkojnë kundrejt njëra-tjetrës, dhe ne themi që forcat e brendshme janë në një “regjim në shtypje”. Në këto raste, kemi ngushtim të kores. Në vijim të shtypjes së ushtruar, shtresat rrudhosen, dhe nëse shtypja është e fortë dhe e vazhdueshme, rrudhat mund edhe të shkëputen duke na krijuar thyerje.

Tërheqje. Në këtë rast forcat shkojnë në drejtim të kundërt të njëra-tjetrës, duke e tërhequr masën e shkëmbinjve, dhe në këtë rast përdoret shprehja që “forcat e brendshme janë në rrëgjim në tërheqje”. Në këto raste ne kemi një zgjerim të kores tokësore. Në vijim të tërheqjes, shtresat hollohen, dhe më tej shkëputen, duke krijuar grabene edhe horste.

Anashkalim. Në këtë rast forcat e brendshme shkojnë në drejtime të kundërta me njëra-tjetrën, por pa u përplasur apo tërhequr. Edhe në këtë rast krijohet sforcim, deformim, dhe thyerje tektonike që quhen “shkëputje laterale”, pra shkëputje ose thyerje anësore.

Llojet e rrudhave
Regjimi në shtypje krijon rrudhosje, të cilat nga ana e tyre mund të çojnë edhe në shkëputje. Në varësi të drejtimit të shtresave kemi rrudha antiklinale dhe sinklinale: antiklinale kur shtresat bien nga qendra (aksi) drejt krahëve, ndërsa sinklinale atëherë kur shtresat ngjiten nga aksi drejt krahëve. Rrudhat kanë dy elemente kryesore: aksin dhe krahët. Aksi është linja që ndjek pikat më të larta të antiklinalit dhe pikat më të ulta të sinklinalit. Krahët janë shtresat që bien apo ngjiten nga aksi në drejtime të kundërta. Por, rrudhat rrallë kanë këto forma të përkryera harkore. Përgjithësisht, forcat shtytëse që i kanë krijuar, vazhdojnë ushtrojnë forcë dhe për rrjedhim, rrudhat deformohen, shtrihen, mbihipin mbi njëra-tjetrën, apo thyhen përgjatë krahëve të tyre. Përgjithësisht, një strukturë antiklinale shprehet në relievin e Tokës me male, ndërsa një strukturë sinklinale shprehet në reliev me forma si lugina apo fusha. Në këto raste ne themi që “kemi përputhje të strukturës gjeologjike me relievin”. Ky është rasti i shumicës së vargjeve malore të Shqipërisë: vargmalet e zonës jugore Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë apo Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto, apo vargmalet e zonës qendrore të Shqipërisë si Vargmalet e Skënderbeut, Mali i Dajtit, vargjet e Rrencit dhe Kakarriqit në zonën e Lezhës etj. Këto vargmale janë krijuar nga struktura antiklinale. Po ashtu, lugina e Drinosit, lugina e Shushicës, fusha e Tiranës, fusha e Lezhës, janë të gjitha forma relievi të krijuara në struktura sinklinale. Edhe në këtë rast kemi “përputhje të relievit me strukturën”. Por, mund të ndodhë që forcat ngritëse nga njëra anë dhe erozioni nga ana tjetër, t’i modelojnë aq shumë strukturat e rrudhosura saqë të përmbysin situatën: në struktura sinklinale të krijohen male, dhe në struktura antiklinale të krijohen lugina. Këto janë raste “të përmbysjes së relievit”, dhe ne themi se kemi mospërputhje të relievit me strukturën. Ka shumë raste kur forcat shtytëse bëjnë që rrudhat të sforcohen më tej dhe të shtyhen njëra mbi tjetrën, duke shkaktuar dukurinë që quhet “mbihipje”. Në këtë shtytje krahët e antiklinaleve mund edhe të thyhen nën presion. Kjo është situata e të gjithë vargjeve antiklinale të vendit tonë që përmendëm më lart. Këta vargje kanë drejtim juglindje-veriperëndim, sepse forca shtytëse që i ka krijuar ato ka vepruar me drejtim nga verilindja drejt jugperëndimit. Forca shtytëse ka qenë e fortë dhe për këtë shkak krahu verilindor ka mbihipur mbi krahun jugperëndimor. Ky i fundit është kapur nga një thyerje gjatësore, përgjatë së cilës dalin burime të shumta ujore. P.sh., burimet e Selitës, burimet e Syrit të Kaltër, burimi i Borshit, burimi i Libohovës etj. dalin pikërisht në këto thyerje të krahut të këtyre rrudhave dhe prandaj këto vargje malore na shfaqin në mënyrë shumë të dukshme shtresat e krahut veriperëndimor.

Llojet e shkëputjeve tektonike
Shkëputjet tektonike janë pasojë e regjimit në tërheqje, por edhe e atij në shtytje. Lloji i regjimit krijon lloje të ndryshme të relievit. Llojet kryesore të shkëputjeve janë:

Thyerje e përmbysur. Kjo lloj thyerjeje ndodh në regjimin në shtytje. Kjo thyerje është lloji që shkakton mbihipjet (shihni fig. 4). Në këtë thyerje, blloku që zhvendoset është ai që ngrihet mbi bllokun tjetër.

Thyerje laterale (ose anësore). Këto thyerje nuk krijojnë diferencim në reliev, por pavarësisht kësaj janë shumë të rëndësishme. E tillë është thyerja e madhe Shkodër-Pejë.

Thyerjet normale. Krijohet në regjimin tektonik në tërheqje: shtresat tërhiqen dhe në vijim thyhen. Këto thyerje japin si rezultat krijimin e horsteve dhe të grabeneve. Këto terma vijnë nga gjermanishtja: “horst” do të thotë “pjesë e ngritur” ndërsa “graben” do të thotë “pjesë e ulët”. Zakonisht horsti shprehet në reliev me forma pozitive (mal ose kodër), ndërsa grabeni shprehet në reliev me forma negative (lugina ose ultësira). Por nuk përjashtohet që, si në rastin e strukturave rrudhosëse, të kemi përmbysje të relievit duke pasur mospërputhje të relievit me strukturën. Në vendin tonë, veçanërisht zona juglindore është më e shprehura për këtë lloj relievi. Kështu, mali i Thatë është një horst, midis dy grabeneve si gropa e liqenit të Prespës dhe gropa e liqenit të Ohrit. Zakonisht shpatet e maleve horstikë janë shumë të pjerrëta për shkak të thyerjeve tektonike që i kanë krijuar