Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 7.5: Tërmetet

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.5

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

TËRMETET

Shkaqet e tërmeteve
Në kohëra gjeologjike, prej miliona vjetësh, lëvizjet e brendshme të Tokës kanë shkaktuar dukuri të tilla si zhvendosja e kontinenteve, ndërsa në kohë më të shkurtra, madje të verifikueshme edhe nga jeta e një njeriu, ato shkaktojnë dukuri si tërmetet dhe shpërthimet vullkanike. Çdo dukuri në koren tokësore lidhet vetëm me tektonikën e pllakave të litosferës, dhe tërmetet e vullkanet s’janë gjë tjetër veçse shenjat e jashtme dhe provat e funksionimit të saj.
Çfarë është tërmeti? Tërmeti (ose lëvizja sizmike) është një lëvizje e shpejtë e sipërfaqes së Tokës, e shkaktuar nga dridhjet që krijohen përgjatë thyerjeve në shkëmbinjtë e litosferës në pjesën deri në 720 km thellësi. Këto thyerje shoqërohen me çlirim energjie nën formën e valëve sizmike. Përgjatë këtyre thyerjeve ka gjithmonë një pikë që çliron tensionin e akumuluar, dhe pikërisht aty ndodh thyerja e radhës: pikërisht kjo pikë është ipoqendër. Ndërsa pika që ndodhet pingul mbi të, në sipërfaqen e Tokës, quhet epiqendër. Pra, epiqendra është pika më e afërt me ipoqendrën, dhe si e tillë ajo është pika e parë në sipërfaqe që arrihet nga valët që çlirohen në ipoqendër. Për këtë shkak edhe pasojat e tërmetit janë më të mëdha dhe më shkatërruese në epiqendër dhe rreth saj. Përtej kësaj pike, valët sizmike humbasin energji.

Mekanizmi i krijimit të tërmeteve
Modeli i tektonikës së pllakave është aktualisht ai që më mirë se cilido model tjetër shpjegon pjesën më të madhe të të dhënave dhe vrojtimeve, përfshirë edhe tërmetet e vullkanet. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, sepse më parë ne nuk e njihnim në tërësinë e vet mekanizmin e gjenerimit të tyre. Kështu, p.sh., le të shohim se si e arsyeton kjo teori shpërndarjen e tërmeteve. Përqendrimi i epiqendrave të tërmeteve në zona lehtësisht të dallueshme në planet, shpjegohet me zhvendosjen e pllakave. Sforcimet që ndodhin për shkak të këtyre lëvizjeve të litosferës, të përqendruara në kufijtë e pllakave, provokojnë deformimin e vazhdueshëm të masave shkëmbore, në të cilat akumulohet energji elastike që çlirohet në vijim nëpërmjet tërmeteve. Ky quhet pikërisht “mekanizmi i reagimit elastik”. Energjia e akumuluar gjatë deformimit të vazhdueshëm, në një moment të papritur çlirohet në mënyrë të befasishme. Kur tejkalohet kufiri i elasticitetit, korja thyhet duke krijuar një shkëputje. Ipoqendra ndodhet pikërisht në planin e kësaj shkëputjeje. Momenti i thyerjes shpeshherë paraprihet nga lëkundje më të lehta në ngritje, dhe pasohet nga të tjera lëkundje të lehta në ulje. Zonat në të dy krahët e shkëputjes më tej vazhdojnë të pësojnë forcat mekanike që riakumulojnë energji: shembulli më klasik në planet është thyerja e Sant’Andreas në Kaliforni, përgjatë së cilës zonat zhvendosen me shpejtësi 2 cm në vit.

Tërmetet rreth zonës së humnerave nënoqeanike shkaktohen kryesisht nga lëvizjet e kores përgjatë kufijve konvergues (shkatërrues) të pllakave. Ka një plan përgjatë të cilit ndodhen pjesa më e madhe e ipoqendrave të tërmeteve që regjistrohen në këto zona: ky është pikërisht plani përgjatë të cilit pllaka oqeanike futet nën pllakën kontinentale, dhe quhet “plani Benioff”, ndërsa e gjithë zona e tërmeteve të këtij lloji quhet “zona Bienoff”. Duke ndjekur këtë plan subduksioni, shihet se sa më larg nga humnerat oqeanike të jenë ipoqendrat tërmetet, aq më thellë ndodhin ata. Për këtë shkak, këta tërmete ndodhin poshtë pllakës që ngjitet, dhe në thellësi që shkojnë deri në 670-720 km nga sipërfaqja.

Llojet e valëve të tërmeteve
Tërmetet çlirojnë energji në formën e valëve. Studimi i tyre na bën të mundur të kemi informacion mbi strukturën e brendshme të Tokës, të gjejmë vendndodhjen e ipoqendrës dhe epiqendrës së tërmetit, si dhe të vlerësojmë sasinë e energjisë së çliruar. Valët e tërmeteve janë tri llojesh, P, S, dhe L:
– Valët P janë të parat që arrijnë tek sizmografët që regjistrojnë tërmetet. Ato janë gjatësore, që do të thotë se i bëjnë shkëmbinjtë të lëkunden në të njëjtin drejtim të përhapjes së tyre. Në këtë cilësi ato ngjasojnë me valët e zërit. Ato arrijnë shpejtësi 4-8 km/s, por kjo varet nga homegjeniteti i materialit që ato përshkojnë. Nëse ndryshon materiali, do të ndryshojë edhe shpejtësia dhe ndonjëherë edhe drejtimi i përhapjes. Pikërisht kjo cilësi na ndihmon të identifikojmë me hollësi llojet e ndryshme të materialeve që përbëjnë zonën ku ndodh tërmeti.
– Valët S janë të dytat që mbërrijnë tek sizmografët. Ato janë valë tërthore (transversale), pra që përhapen në drejtim pingul me drejtimin në të cilin lëvizin grimcat. Quhen ndryshe edhe “valë të tendosjes” (të distorisionit). Në këtë cilësi valët S ngjasojnë me valët që krijon një litar që tendoset. Kjo cilësi i bën që ato mos të përhapen kur hasin në lëng, prandaj ato janë shumë të vlefshme për studimin e nëntokës, veçanërisht për gjetjen e baseneve naftëmbajtës. Valët S arrijnë shpejtësi nga 2,3 deri në 4,6 km/s.
– Valët S, pasi mbërrijnë në sipërfaqe transformohen në valë të tipit L. Prandaj valët e llojit L fillojnë të përhapen duke filluar nga epiqendra, në formë rrethore përreth saj. Ato përhapen në sipërfaqe të tokës, dhe janë pikërisht këto që shkaktojnë dëmet shkatërruese të tërmeteve. Ato zhvendosen me shpejtësi 3,5 km/s.

Energjia dhe forca: matja e tyre
Ne mund ta masim energjinë që çliron tërmeti. Këtë e bëjmë duke regjistruar valët që mbërrijnë në aparatin që quhet “sizmograf”. Sizmografi (nga greqishtja, sismo-tërmet dhe grafo-shkruaj) është një aparaturë e pajisur me një akrep shumë të ndjeshme që mund të regjistrojë çdo lëvizje që ndodh në koren tokësore. Këto regjistrime na mundësojnë të përcaktojmë “magnitudën” e tërmetit sipas një shkallëzimi të quajtur “shkalla Rihter”. Magnituda praktikisht mat energjinë që çliron një tërmet. Ajo është një shkallëzim logaritmik me bazë 10, ku çdo nivel është 10 herë më i fortë se sa niveli i mëparshëm. Shkalla më e lartë e regjistruar deri tani është 9,5 ballë (ose shkallë Rihter). Por matja e magnitudës nuk është gjithçka, sepse ndonjëherë mund të rezultojë e pamjaftueshme. Kjo sepse, një tërmet me të njëjtën magnitudë (energji), mund të ketë pasoja më të rënda ose më të lehta: p.sh., një tërmet ka pasoja shumë më të rënda në ndërtimet mbi rërë se sa në ndërtimet mbi bazament të fortë magmatik. Prandaj, ne masim intensitetin e tërmetit duke u bazuar jo tek energjia e tij, por tek pasojat që ai shkakton në terren. Pasojat ballafaqohen me një shkallëzim të krijuar nga shkencëtari Mercalli, dhe mban pikërisht emërtimin “shkalla Merkali” ose MCS.

Pasojat e tërmeteve
Tërmetet mund të shkaktojnë disa lloje dëmesh apo pasojash. Pasoja në njerëz. Një tërmet mund të shkaktojë vdekjen apo plagosjen e njerëzve. Kjo mund të ndodhë gjatë tërmetit apo edhe pas tërmetit. Natyrisht që këto dëme në njerëz nuk shkaktohen për shkak të tërmetit vetë, por për shkak të mënyrës se si njerëzit i ekspozohen tërmetit. Dëme materiale. Një tërmet mund të shkaktojë dëmtime të ndryshme në ndërtimet e njeriut: çarje në rrugë, krisje të ndërtesave, këputje të linjave të energjisë apo të tubacioneve të ujit, rënie të ndërtesave, çarje të digave të rezervuarëve etj. Tërmeti mund të shkaktojë dukuri të tjera gjeografike: rrëzime gurësh, rrëshqitje, etj. Tërmetet nënujore shkaktojnë formimin e valës që ne e njohim me emrin japonez “tsunami” (tërmet detar). Cunamet krijohen vetëm kur thyerja tektonike përgjatë së cilës shkaktohet tërmeti është me kënd të madh në raport me sipërfaqen e Tokës, dhe kështu krijohet depresion nënoqeanik për shkak të tërmetit nënoqeqanik. Cunamet janë praktikisht zhvendosje vertikale të masës ujore oqeanike. Deri sa mbërrin në bregdetin e cekët, cunami nuk krijon valë detare. Vala bëhet gjithmonë e më e lartë sa më afër mbërrin në breg. Vala e shkaktuar nga cunami, nga epiqendra ku është krijuar mund të mbërrijë në brigjet kontinentale apo ishullore në një distancë kohore që shkon nga disa sekondash deri në pak dhjetëra minuta.