Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 5.3: Përdorimi i mineraleve

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 5.3

NËNTEMATIKA 5 LITOSFERA

PËRDORIMI I MINERALEVE

Dinamika e përdorimit të mineraleve
Shkëmbinjtë që mbulojnë sipërfaqen e Tokës përbëhen nga minerale të shumta. Pavarësisht karakteristikave fizike të ngjyrës, shkëlqimit etj., mineralet i japin shkëmbinjve një vlerë edhe më të madhe në përdorimin e tyre praktik. Njeriu filloi t’i përdorë mineralet qysh në kohët më të lashta. Përveç intelektit, niveli i përdorimit të mineraleve është tregues kuptimplotë i aftësive dhe kapaciteteve që shoqëria njerëzore zotëronte në periudha të caktuara historike. Në “agimin” e shoqërisë njerëzore, njeriu primitiv ka përdorur mjetet më të thjeshta për sigurimin e kërkesave të tij jetësore. Fillimisht strallet, silica e gurë të tjerë i kanë shërbyer njeriut për krijimin e shkëndijave në ndezjen e zjarrit.

Zbulimi i zjarrit dhe përdorimi i tij solli ndryshime cilësore në jetën e njeriut. Marrëdhënia e zjarrit me gurë e shkëmbinj të ndryshëm u bë shkas për zbulimin e një sërë mineralesh. Shkrirja e ngurtësimi i tyre shfaqi para njerëzve metale, që për nga fortësia rezultonin shumë më rezistente krahasuar me copat e çrregullta të gurëve që ata kishin përdorur deri atëherë. Kjo solli krijimin e veglave të para të punës, të armëve të nevojshme për gjahun dhe mbrojtjen e tyre.

Metalurgjia e antikitetit gjendet e pranishme në shumë vende. Në vendin tonë në trevat juglindore dhe Mirditë gjejmë gjurmë të metalurgjisë deri 2800 vjet p.e.s. Gjithashtu, njeriu arriti të prodhojë edhe enë të shumta prej argjilave nëpërmjet “industrisë” së qeramikës. Vazot dhe enët e ndryshme u shoqëruan edhe me zbukurime prej gërvishtjes së argjilës para fazës së pjekjes, apo edhe ngjyrimit me ngjyra të ndryshme. Pavarësisht mos përdorimit të lëndëve djegëse si nafta, gazi natyror, qymyret etj. njeriu e njihte praninë e tyre shumë herët.

Njerëzit e lashtë kanë njohur dhe përdorur për plotësimin e dëshirave të veta edhe shumë gurë të çmuar, me ngjyra e shkëlqim. Ata kanë përdorur diamantin, rubinin, safirin, smeraldin, si dhe metale me vlerë si arin, argjendin, bakrin, plumbin, zingun, kallajin etj.

Ciklet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore janë dalluar prej njëra-tjetrës prej veglave të punës që njeriu ka përdorur. Njeriu prehistorik i paleolitit (nga greqishtja paleo- i vjetër, olitgur) i përkiste epokës së gurit, sepse edhe mjetet e punës dhe mbrojtjes së tij ishin prej guri të pa përpunuara. Më vonë njeriu filloi të përpunojë veglat e tij prej guri dhe ky moment njihet si “revolucioni neolitik”. Një hap edhe më i madh është fillimi i kultivimit të kulturave bujqësore si thekri, elbi etj. Zhvillimi i bujqësisë primare ndërpreu “migrimet” dhe e lidhi njeriun me tokën dhe burimet e tjera natyrore të saj. Periudhat e mëvonshme, të pasqyruara nga gërmimet arkeologjike, tregojnë mjete të “reja” të krijuara prej përdorimit të mineraleve që arritën të zbulonin.

Periudha e Bakrit (3000-2700 p.e.s) bazohej në njohjen e përdorimin e bakrit e pasqyruar nga një numër i madh objektesh. Pika e shkrirjes së bakrit evidentoi lehtësisht praninë e këtij metali. Më tej përdorimi i “kallëpeve” solli edhe prodhimin në seri të mjeteve më të domosdoshme të punës. Por fortësia e këtij metali nuk ishte shumë e madhe. Prandaj njerëzit të interesuar për vegla më të forta e të qëndrueshme arritën të krijonin përzierje të mineraleve të njohura në raporte të caktuara. Përdorimi i lidhjes së bakrit me kallajin solli një kulturë të re atë të bronzit (2100 p.e.s). Numri i elementëve kimikë të përdorur nga njeriu ka ardhur në rritje. Fillimisht janë përdorur mineralet sipërfaqësore, të cilat shfrytëzoheshin lehtësisht, ndërsa për ato në thellësi as që bëhej fjalë. Gjithashtu metalet e siguruara nga “metalurgjia” e kohës përdoreshin në gjendjen e tyre të pas shkrirjes (ashtu siç dilnin prej shkrirjes). Por kishte disa metale të çmuar si ari e argjendi që pas shkrirjes përpunoheshin në procese të thjeshta të shtrirjes, petëzimit etj.

Periudha e Hekurit (1500 – 1000 p.e.s) krijoi vegla pune shumë më të forta e cilësore. Eksperienca e krijuar deri atëherë u përdor në formimin e një game më të gjerë objektesh. Përdorimi i koksit në shkrirjen e hekurit dhe përzierja me element të tjerë nikeli, mangani etj. ishin baza e zhvillimit të revolucionit industrial. Sidomos në shek. XIX dhe XX janë njohur dhe përdorur shumë minerale, si alumini, magnezi, urani, seleni, teluri, kalciumi etj. Kërkesat ekonomike së bashku me zhvillimin e shkencës e teknologjisë kanë sjellë në një shfrytëzim të gjerë të metaleve, duke bërë që pasuritë e mineraleve, të kërkohen të njihen e nxirren masivisht. Përveç mineraleve metalorë interesi ka qenë shumë i lartë edhe për minerale jo metalorë, lëndët energjetike etj. Vendi ynë është shumë i pasur me minerale të të gjitha llojeve prej të cilave janë shfrytëzuar rreth 40 lloje. Mineralet kryesore të vendit tonë të shfrytëzuara nga antikiteti deri sot janë: bitumi, bakri, kromi, nafta e gazi natyror, hekur – nikeli, si dhe azbesti, kuarci, argjilat, fosforitet, talku e shumë të tjera.

Klasifikimi i burimeve natyrore
Mineralet janë të shumëllojshme për nga karakteristikat që ato bartin si dhe nga shkalla e përdorimit që ato kanë. Në dinamikën e zhvillimit të shoqërisë njerëzore aftësia e njerëzve për përdorim të mineraleve ka qenë e ndryshme. Sot njerëzimi ka arritur një nivel cilësor në zhvillimin teknologjik e industrial dhe aftësitë e shfrytëzimit të pasurive natyrore janë shumë të larta. Por burimet natyrore dhe sidomos të mineraleve janë të llojeve të ndryshme. Sipas aftësisë së ripërtëritjes së sasisë e cilësisë, si dhe rezervave të tyre, ne dallojmë dy grupe kryesore të burimeve natyrore:
-të paripërtëritshme,
-të ripërtëritshme prej natyrës.

Në grupin e parë hyjnë pasuri natyrore që janë krijuar përgjatë miliona vjetëve, në procese gjeologjike dhe kushte mjedisore, klimatike specifike. Mineralet e krijuara në procese gjeologjike të periudhave të kaluara janë p.sh., nafta, gazi natyror, qymyrguri, torfa etj. Këto minerale nëpërmjet nxjerrjes së vazhdueshme janë konsumuar me ritme të shpejta. Por ato nuk ripërtërihen pas përdorimit që njeriu ju bën. Mendohet se rezervat e naftës kanë qenë rreth 2000 – 2500 miliardë fuçi, prej të cilave gjysma supozohet të jetë konsumuar. Ndërkohë që kërkesat për përdorimin e naftës vijojnë të jenë shumë të larta. Kjo është arsyeja që çmimi i naftës të ndryshojë shumë në tregun botëror, për shkak të sigurisë apo pasigurisë së këtij produkti në sasinë e kërkuar në treg. Ndërkohë që vendet prodhuese të naftës kushtëzojnë sasinë e prodhimit, vendet konsumatore shohin alternativa të tjera për zëvendësimin e këtij produkti. Sot jemi dëshmitarë të pranisë së makinave, avionëve që lëvizin me “karburantin” e ri, atë të energjisë diellore.

Grupi i pasurive natyrore që përdoren nga njeriu dhe më pas ripërtërihen nga natyra përfshin: energjinë diellore, të ujit, të erës, gjallesat, tokën, pyjet etj. Qarkullimi i madh i ujit në natyrë na tregon se lumenjtë derdhen në dete e oqeane. Uji avullon nga baseni i oqeanit botëror për të kaluar në atmosferë. Në lëvizjet vertikale e horizontale ajri me lagështi ftohet, kondensohet dhe formon reshjet në trajtë shiu, bore e breshëri. Ujërat e reshjeve hyjnë në shtratin e lumenjve për të përfunduar përsëri në oqeanin botëror. Pra këto pasuri natyrore për shkak të ekzistencës së diellit dhe rrezatimit të tij do të ripërtërihen pambarimisht. Disa nga burimet mund të riciklohen prej veprimtarisë së shoqërisë njerëzore. Stadi i zhvillimit aktual tregon një nivel të lartë konsumi prej njeriut. Një pjesë e produkteve me natyrë inorganike të mineraleve metalorë e jo metalorë sot riciklohen në linja industriale të caktuara. Mbetjet prej plastike, letre dhe alumini përdoren në industri për prodhimin e produkteve të reja prej të njëjtit material. Zhvillimi i jashtëzakonshëm teknologjik ka rritur gamën e riciklimit të mbetjeve edhe në ato të hekurit, çelikut, bakrit, xhamit etj. Përtej vlerës së pasurive natyrore dhe mineraleve që ato kanë, vlera më e madhe i përket mjedisit dhe cilësisë së tij. Sa më i pastër të jetë mjedisi aq më i shëndetshëm është ai. Prandaj llogaritë ekonomike kryhen në të dy anët e “ekuacionit”, të vlerës së mineraleve e pasurive natyrore të ripërtërishme ose jo, si dhe vlerës sa më jetësore të mjedisit nga ana tjetër.