Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 4.6: Bora e përhershme dhe akullnajat

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 4.6

NËNTEMATIKA 4 HIDROSFERA

BORA E PËRHERSHME DHE AKULLNAJAT

Formimi i borës së përhershme
Ne dimë se reshjet janë të llojeve të ndryshme të tilla si: shiu, bora e breshëri. Rritja e lartësisë mbi nivelin e detit kushtëzon uljen e temperaturës. Zvogëlimi i temperaturës përcakton llojin dhe sasinë e reshjeve. Sasia e borës dhe qëndrueshmëria e saj dallon midis sipërfaqeve të ndryshme tokësore gjatë dimrit. Me shtimin e vlerave të temperaturës në pranverë e sidomos në verë ndodh shkrirja e plotë e borës. Përjashtim bëjnë zonat e larta malore ku vlerat e temperaturës nuk mjaftojnë për të realizuar shkrirjen e plotë të borës. Shpesh bora e parë në fillimin e dimrit bie mbi borën e pashkrirë të vitit të kaluar. Mbi këtë lartësi mos shkrirja e borës kthehet në një fenomen të zakonshëm, që përbën dhe kufirin e borës së përhershme.

Kjo kuotë, përveç rolit të sasisë së reshjeve dhe vlerave të temperaturës është në funksion edhe të gjerësisë gjeografike, lartësisë mbi nivelin e detit si dhe ekspozicionit të sipërfaqes drejt rrezeve të diellit. Në rajonet ekuatoriale lartësia e kufirit të borës së përhershme i përafrohet vlerës 4500 m. Alpet europiane lartësia arrin në rreth 3000 m. Në rrethin polar (66°27’) kufiri pozicionohet në rreth 1000 m lartësi, ndërsa në pole bora e përhershme arrin të krijohet në nivelin e detit. Në vargjet malorë të ekspozuara në pozicionin lindje perëndim, si në Alpet europiane, kufiri është më i lartë në shpatet jugore, ndërsa ulet në shpati verior. Për të njëjtën lartësi mbi nivelin e detit ekspozicioni verilindor shënon nivelin më të ulët hipsometrik të kufirit të borës së përjetshme. Ndërkohë që ekspozicioni jugperëndimor rrit ndjeshëm lartësinë e këtij kufiri.

Krijimi i akullit dhe akullnajave
Borërat e rëna mbi kufirin e borës së përhershme i rezistojnë shkrirjes gjatë stinës së verës. Prania e tyre i jep jetë formimit të akullnajave përmes një procesi gradual të ngjashëm me atë të ngjeshjes dhe diagjenezës që shkakton transformimin e sedimentit në shkëmb.

Bora fillimisht bie në trajtë flokësh të mëdha. Pasi qëndron për shumë kohë në terren, ajo kompaktësohet, kristalet humbasin formën karakteristike dhe bëhen më të vegjël, duke formuar borën grimcore. Gjatë vitit nën peshën e shtresave të mësipërme bora grimcore transformohet në borë kokrrizore ose firn. Ajo bëhet e qëndrueshme, më e dendur dhe e ngurtë. Ajri që ndodhej në të çarat rrallohet dhe poret zhduken. Me kalimin e viteve bora e shtresave më të thella është nën presionin e vazhdueshëm të ngarkesës. Kristalet e borës shkrijnë pjesërisht. Uji që krijohet ngrin përsëri duke u rikristalizuar. Kështu formohet akulli kompakt që sillet si një bllok shkëmbor. Zmadhimi i peshës së akullit prish ekuilibrin statik të tij dhe akulli fillon të lëvizë për shkak të pjerrësisë. Pikërisht akulli që lëviz quhet akullnajë. Lëvizja e akullnajës luhatet nga disa cm deri në disa metra gjatë një ditë nate.

Akullnaja përbëhet nga shtresa të ndryshme, të cilat i përkasin depozitimeve të krijuara në kohë dhe kushte jo të njëjta. Shtresat janë të lidhura fuqishëm falë procesit të rishkrirjes që shkaktohet nga groposja. Ekzistenca e një akullnaje varet kryesisht nga sasia e reshjeve të borës dhe nga vlerat e temperaturës. Reshjet kushtëzojnë akumulimin progresiv të akujve, ndërsa temperatura pengon shkrirjen e tyre. Akullnajat janë të pranishme shpesh në shpatet e një vargu malor që rrihet nga erërat e ftohta dhe që sjellin reshje. Ndërsa në shpatin tjetër pavarësisht se kushtet termike janë favorizuese thatësira frenon formimin e akullnajave. Bilanci vjetor i një akullnaje përcaktohet nga sasia e borës së akumuluar dhe sasisë së akullit që humbet përmes shkrirjes.

Kur sasia e reshjeve të borës që bie kompenson sasinë e borës që shkrin gjatë verës, akullnaja e ruan ekuilibrin e saj. Në rast se sasia e borës së rënë është më e madhe se ajo që shkrin, raporti midis prurjes dhe humbjes është pozitiv dhe akullnaja përparon. Në të kundërt ajo tërhiqet. Aktualisht ekzistojnë më shumë se 100 000 akullnaja të dimensioneve të ndryshme që mbulojnë rreth 10 % të tokave me një volum të vlerësuar përafërsisht prej rreth 30 milion km³. Ato gjenden më tepër në Antarktidë dhe Groenlandë ku formohen kupola mjaft të shpeshta. Kësula akullnajore antarktike mbulon një sipërfaqe prej gati 13 milion km² dhe me një trashësi që në zonat qendrore i kalon të 3000 metrat. Ajo përfaqëson 80 % të akullit aktual mbi sipërfaqen tokësore. Groenlanda është mbuluar pothuajse tërësisht nga akulli që formon një thjerrëz të thellë në qendër prej më tepër se 3000 m me një sipërfaqe mbi 1.7 milion km². Në epokat e mëparshme shtrirja e kapuçëve të akullt ka qenë shumë më e madhe për shkak të situatave të veçanta klimatike siç është: periudha akullnajore.

Klasifikimi i akullnajave
Në një akullnajë dallohen tre elementë kryesorë strukturorë: baseni i furnizimit. Ai është pjesa më e lartë që ndodhet mbi kufirin e borës së përhershme. Këtu akumulohet borë që do të transformohet në akullnajë. Kësula është zona qendrore nga ku akullnaja rrjedh jashtë në formë rrezesh. Akullnajat alpine kanë formën e një amfiteatri drejtuar luginës. Gjuha e akullnajës mblidhet poshtë kufirit të borave së përhershme.

Ajo është zona ku shkrirja e akujve dominon akumulimin. Kjo është pjesa që lëviz poshtë së bashku me mbeturinat e shkëmbit ushtrojnë një veprim gërryes. Pjesa ballore e akullnajës është ajo ku largimi nuk kompensohet nga furnizim. Ai prezanton të ashtuquajturën portë të akullnajës nga e cila del përroi akullnajor që transporton bashkë me ujin e shkrirë edhe materialet që rrjedhin nga gërryerja e akullnajës. Pjesa ballore mund të luhatet periodikisht në lidhje me ndryshimin e ekuilibrit midis largimit dhe furnizimit. Në zonat e ngrohta pjesa ballore e akullnajave tërhiqet në periudhën e verës dhe avancon në atë të dimrit. Të tjera ndryshime modeste të kësaj natyre vërtetojnë oshilacione për periudha më të gjata lidhur me ndryshimet klimatike.

Dallohen dy tipe kryesore akullnajash: kontinentale, të përhapura në zonat polare dhe akullnajat malore tipike të zonave mesatare, por që janë të përhapura në të gjithë gjerësitë. Akullnajat e tipit kontinental janë formuar nga kësula të gjera mbulesa akulli me forma lentesh që janë pothuajse të palëvizshme. Ato hasen aktualisht në Anktartidë, Groenlandë e Islandë. Temperatura e saj është gjithmonë nën 0 dhe mungon totalisht uji i shkrirë. Akulli akumulohet në pjesët qendrore dhe shtrihet deri në det ku blloqeve gjigante copëtohen e shkëputen prej akullnajës dhe fillojnë të lundrojnë në ujërat oqeanike. Këto janë ajsbergët.

Akullnajat malore mund të prezantohen në forma të ndryshme. Ajo më tipikja është alpiniaformohet nga grumbullimin e borërave që zënë depresionet e cirqeve akullnajore në shpatet e larta malore. Nga cirqet, akullnaja malore zgjatet në drejtim të rrjedhjes duke formuar gjuhë të gjata që furnizojnë përrenjtë, lumenjtë e liqenet. Në akullnajat e tipit Himalajan gjuhë të ndryshme shkrijnë së bashku në një luginë të vetme. Në ata të tipit alaskian akullnaja shtrihet në këmbët e luginës në formën e një piedmondi. Akullnajës së tipit Pirenej i mungon gjuha dhe ajo thjesht kap një cirk akullnajor.