Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 5.1
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
NDËRTIMI I BRENDSHËM I TOKËS
►Ndërtimi i brendshëm i Tokës
Grekët e lashtë e quanin koren e Tokës litosferë, ose një “lëmsh shkëmbor”. Ata ishin të pavetëdijshëm që korja shkëmbore krahasuar me gjithë planetin është vetëm guacka e hollë e vezës. Studimet e fundit gjeofizike dhe sizmologjike tregojnë se Toka nuk është një trup homogjen. Ajo përbëhet nga disa shtresa në trajtën e shtresave të qepës. Këto shtresa ndryshojnë midis tyre prej përbërjes fizike, kimike, gjendjes agregate të lëndës dhe quhen gjeosfera. Ato ndahen në të jashtme dhe të brendshme.
Gjeosferat e jashtme janë: Atmosfera; Hidrosfera; Biosfera; Korja e Tokës ose Litosfera, ndërsa gjeosferat e brendshme janë manteli dhe bërthama. Nëse do të bënim një prerje të Tokës, nga sipërfaqja në qendër, do të dallonim tri shtresa:
1- Koren e Tokës
2- Mantelin
3- Bërthamën.
Korja e Tokës vendoset midis sipërfaqes së Tokës dhe kufirit Moho (Mohoroviçi ishte shkencëtari që ka fiksuar këtë vijë ndarëse me anë të studimeve sizmike). Mbi koren e Tokës qëndron atmosfera dhe hidrosfera, ndërsa nën të shtrihet manteli. Studimet gjeofizike tregojnë se korja e Tokës është heterogjene. Ajo përbëhet nga dy shtresa kryesore: korja kontinentale dhe oqeanike, që dallojnë nga gjeneza dhe evolucioni specifik i secilës prej tyre. Korja kontinentale ka trashësi të ndryshme, në varësi të relievit. Kështu nën zonat malore ajo është më e trashë 45 – 50 km në Alpet Shqiptare, ndërsa në zonat fushore arrin në 30 km. Ajo përbëhet nga disa shtresa: sedimentare, granitike dhe bazaltike. Shtresa sedimentare përbëhet prej shkëmbinjsh të lehtë sedimentarë, me densitet 2.7 g/cm². Ata ndodhen sidomos në pjesën e sipërme të kores në një trashësi deri në 18 – 20 km, por shtrirja e tyre mbulon gati gjithë koren tokësore. Shtresa granitike përbëhet kryesisht (90 %) nga shkëmbinj magmatikë të pasur me silic e alumin, por edhe nga shkëmbinj bazikë të metamorfizuar (10 %). Dendësia e tyre rritet në 2.7– 2.8 g/cm² dhe ndërton pjesën më të madhe të kores tokësore. Kjo shtresë hollohet deri në zhdukje poshtë oqeaneve.
Shtresa bazaltike, ndërtohet nga shkëmbinj magmatikë dhe metamorfikë kryesisht hekuroro–magneziale, të varfër me silicë, por me dendësi të madhe 2.9 – 3.0 g/cm².
Korja oqeanike plotësohet me praninë e shtresave sedimentare dhe bazaltike, ndërsa ajo granitike nuk ekziston. Shtresa e kores së Tokës shpesh quhet SIAL, sipas simboleve të dy elementëve më të përhapur në të (silicit dhe aluminit). Trashësia e saj nuk është e njëjtë. Ajo lëviz nga 5 – 12 km nën oqeane deri në 20–80 km në kontinente. Masa e saj nuk e kalon 1% të masës dhe gati 3 % të volumit të Tokës.
Manteli është një gjeosferë shumë e trashë, që zë 83 % të vëllimit dhe 2/3 e masës së Tokës. Ai vendoset nga 5 – 80 km deri në 2900 km, midis kufirit Moho lart dhe atij të Gutenbregut poshtë. Përfundimet mbi ndërtimin e mantelit janë hipotetike. Ai është heterogjen dhe ndahet në mantelin e sipërm deri në 900 – 1000 km dhe në mantelin e poshtëm deri 2900 km. Manteli i sipërm përbëhet nga shkëmbinj magmatikë të rëndë si p.sh., ultrabazikët. Veçoria kryesore e kësaj pjese është ndryshimi i gjendjes agregate të lëndës nga e ngurtë në viskoze ose të lëngshme. Kjo shtresë viskoze quhet Astenosferë dhe ndodhet në thellësinë 100 – 350 km nën sipërfaqen e Tokës. Ajo dallohet për trashësi të ndryshme nën oqeanet e kontinentet.
Manteli i poshtëm mendohet se është më homogjen. Ai përbëhet nga minerale edhe më të rënda si oksidet e Mg, Fe, Si, Cr etj dhe ruan gjendjen fillestare të Tokës.
Bërthama e Tokës zë 14 % të vëllimit dhe rreth 1/3 e masës së Tokës. Ajo shtrihet nga 2900 km deri në qendër të Tokës (6371 km). Bërthama ndahet në pjesën e jashtme në gjendje të lëngët (2900 – 5100 km) dhe atë të brendshme në gjendje të ngurtë. Mendohet se bërthama përbëhet nga hekuri dhe nikeli, prandaj quhet dhe NIFE. Korja e Tokës dhe manteli i sipërm deri në 120 km thellësi përbën litosferën.
► Dendësia
Një tipar dallues midis planetëve është edhe dendësia e materialeve që i përbëjnë ato. Denduria e një trupi jepet nga raporti midis masës dhe vëllimit të tij. Dihet nga ligjet e Njutonit se tërheqja gravitacionale që ushtron Toka mbi një trup çfarëdo varet nga masa e saj. Mbi këtë bazë mund të merret masa tokësore, e cila rezulton me 5.976 x 1024 kg. Për shkak se vlera e vëllimit tokësor është e barabartë me 1.083 x 1021 m³ dendësia mesatare e Tokës rezulton të jetë 5.5 x 10 kg/m³ (ose 5.5 g/cm³) një vlerë 5 herë më e madhe se dendësia e ujit. Sigurisht presionet e larta në brendësi të Tokës provokojnë një rritje të dendurisë. Nga këto vëzhgime ka lindur hipoteza se pjesa e brendshme e Tokës përbëhet nga materiale me dendësi të lartë mjaft të ndryshme për përbërjen kimike krahasuar me ato sipërfaqësore (sipas llogaritjeve materialet e zonës qendrore të Tokës do të kenë densitet 13 g/ cm³).
Temperatura. Në sipërfaqen e planetit tonë temperatura shfaq ndryshime ditore dhe stinore. Luhatje të tilla nuk ndihen përtej thellësisë prej 15-30 m ku niveli i ngrohtësisë përputhet me temperaturën mesatare vjetore të sipërfaqes. Përtej këtij niveli temperatura rritet me rreth 3°C për çdo 100 m thellësi. Ndryshimi i temperaturës në funksion të thellësisë quhet gradient gjeotermik. Vlera e këtij gradienti nuk është e njëjtë në çdo pikë të Tokës, por mund të variojë për shkak të pranisë së magmës, ujërave termale etj. Nëse ruhet vlera e gradientit gjeotermik me rritjen e thellësisë, temperatura do të shkojë rreth 87.000°C në fundin e mantelit (2900 km) dhe 200000°C në qendër të Tokës.
Qenia konstante e gradientit termik do të sillte ndryshimin e gjendjes agregate të lëndës në pjesën më të madhe të planetit tonë. Ajo do të ishte në gjendje të shkrirë. Por një hipotezë e tillë nuk vërtetohet nga të dhënat e marra prej studimit të valëve sizmike (të tërmeteve) që përhapen vetëm në shtresat e forta. Në momentin që ato përhapen në mantel kjo shtresë duhet të jetë e përbërë nga materiale të ngurta dhe për më tepër temperatura shumë më të ulta. Matjet e drejtpërdrejta në shtresën e hollë të kores së Tokës tregojnë se rritja e temperaturës me thellësinë nuk ndjek një tendencë konstante. Besohet se temperatura në fundin e mantelit arrin në rreth 3500 °C dhe në qendër të tokës ajo luhatet midis 4000 – 5000 °C.
►Hipotezat mbi brendësinë e Tokës
Toka nuk është një trup homogjen, por i shtresëzuar. Ka pasur hipoteza të ndryshme mbi ndërtimin e saj të brendshëm. Kështu sipas Suess (1885) Toka përbëhet nga tri shtresa koncentrike të quajtura (nga jashtë brenda):
– SIAL me përhapjen e shkëmbinjve të silicë e alumin;
– SIMA me dominimin e shkëmbinjve silicë e magnez;
– NIFE me mbizotërimin e shkëmbinjve të përbërë nga nikeli dhe hekuri.
Goldschmidt (1922) e shtresëzoi brendësinë e Tokës në 4 nivele. Koren e tokës e quan SIAL, ndërsa mantelin e sipërm e diferencon në SIMA dhe të poshtmin në OSOL, që përbëhet nga oksidi dhe sulfuri metalik. NIFE përbën bërthamën qendrore të Tokës. Kohët e fundit janë formuluar hipoteza të tjera bazuar në studimin e përhapjes së valëve sizmike përmes masës tokësore. Valët sizmike janë gjatësore, ngjeshëse ose ndryshe valët P dhe tërthore të çrregullta ose valët S. Nëse mjedisi do të ishte homogjen valët sizmike do të shpërndaheshin njëtrajtësisht. Por kjo gjë nuk ndodh. Përhapja e valëve sizmike përthyet në kontaktin midis shtresave që kanë veti fizike dhe gjendje agregate të ndryshme.
I pari që vuri re mosvijueshmërinë midis kores së Tokës dhe mantelit ishte Mohoroviç në 1909. Kufiri Moho dallonte kalimin nga shtresat e ngurta të kores tokësore në pjesën viskoze të mantelit të sipërm në thellësinë 35 km. Ndërsa në 1924 Gutenmbergu dalloi mosvijueshmërinë midis mantelit (2900 km) e bërthamës, përkatësisht në gjendje të ngurtë e të lëngët. Ekziston edhe një mosvijueshmëri më e vogël e përcaktuar në kufirin 5170 km midis bërthamës së jashtme (e lëngët) dhe të brendshme (e ngurtë) nga Lehman në vitet ’70 të shek të kaluar.