Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 2.3: Elementët e Hartave dhe klasifikimi i tyre

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 2.3

NËNTEMATIKA 2 HARTOGRAFIA

ELEMENTËT E HARTAVE DHE KLASIFIKIMI I TYRE

Shkalla e hartës dhe elementet e saj
Hartat përmbajnë elemente të shumta, të cilat ndahen në:
– elemente matematike të tilla si shkalla e hartës, numerike, grafike ose lineare;
– rrjeti hartografik, me meridianët, paralelet, ekuatorin e polet;
– pikat mbështetëse gjeodezike;
– elemente gjeografike të tilla si relievi, hidrografia, bimësia e tokat;
– elementet social – ekonomike ( ku futen qendrat e banuara, rrjeti i komunikacionit, objektet ekonomike, kulturore, kufijtë politikë si dhe ato administrativë).

Shkalla e hartës është raporti midis gjatësisë së vijës së matur në hartë, me gjatësinë e po kësaj vije të matur në terren. P.sh shkalla 1: 200 000 do të thotë se 1 cm në hartë, është i barabartë me 200 000 cm në terren ose 2000 m, ose me 2 km në terren. Kjo shkallë tregon se në këtë hartë, largësitë janë zvogëluar 200 000 herë. Duhet theksuar se nëse largësia e matur në hartë shprehet në cm, atëherë edhe distanca në terren do të matet me të njëjtën njësi matëse, pra në cm. Shkalla e hartës ndahet në shkallë numerike dhe grafike (lineare).

Shkalla numerike është një raport 1: 200 000, ku numëruesi është 1, kurse emëruesi tregon vlerën e zvogëlimit të distancave midis dy pikave të caktuara. Në qoftë se matim largësinë midis dy pikave në hartë, p.sh., 1cm dhe e shumëzojmë me emëruesin e thyesës, atëherë do të gjejmë largësinë reale të këtyre pikave në terren, pra 1cm x 200 000 = 200 000 cm ose 2 km. Ne mund të përcaktojmë, nëpërmjet shkallës numerike, edhe largësinë korresponduese të dy pikave në hartë me largësinë e matur në terren. P.sh., distancës së matur prej 25 km në terren, me shkallë 1: 200 000 i korrespondon largësia prej 12.5 cm në hartë.

Shkalla grafike ose lineare është shiriti i përbërë nga segmente të barabarta, ku çdo segmenti i përgjigjet një largësi e vërtetë. Ky shirit ndërtohet në këtë mënyrë: brenda vijave paralele të shiritit, vendosen segmente të barabarta çdo 2 cm larg njëri-tjetrit, vlera e të cilëve përcaktohet nga shkalla e hartës. Në shkallën lineare zeroja vendoset në fundin e segmentit të parë, ndërsa në fundin e çdo segmenti të njëpasnjëshëm vendoset, progresivisht, vlera e largësisë në njësinë më të madhe, në km. Kurse në segmentin e parë, majtas zeros, vendosim 10 nënndarje të barabarta, të nevojshme për matjen e madhësive më të vogla.
P.sh. ne mund të kthejmë shkallën numerike në lineare. Për këtë mjafton që emëruesin e shkallës numerike ta kthejmë në njësi më të madhe gjatësie, p.sh., në m ose në km. Duke gjetur distancën që i përgjigjet në terren 1cm në hartë, ne mund të ndërtojmë lehtësisht shkallën lineare. Ndërsa për të kthyer shkallën lineare në numerike, përcaktojmë diferencën midis vlerave të dy segmenteve të njëpasnjëshme në shiritin grafik dhe e kthejmë atë në largësinë e vërtetë. Shkalla e hartës na ndihmon për të njohur dhe kuptuar drejt hartën.

Shenjat konvencionale
Për të realizuar një lexim sa më të saktë të hartës, duhen njohur mirë edhe shenjat konvencionale. Ato janë simbole specifike që përdoren në harta, për të paraqitur sendet apo objektet natyrore e shoqërore. Shenjat konvencionale paraqesin formën e jashtme të sendeve dhe zgjidhen në formë, ngjyrë e madhësi sa më të kuptueshme për lexuesin. Sot përdoren rreth 100 shenja, por numri i tyre në hartat speciale është edhe më i madh. Shenjat konvencionale ndahen në tri grupe kryesore: shkallore, jo shkallore dhe sqaruese.

Shenjat konvencionale shkallore tregojnë sendet dhe objektet që ruajnë formën e përmasat e tyre në shkallën e hartës, madje dhe mund të maten lehtësisht në të. P.sh., sipërfaqja e vendbanimit, pyllit, liqenit etj.

Shenjat konvencionale jo shkallore paraqesin objektet e vogla, të cilat me shkallën e hartës nuk mund të shprehen. Të tilla mund të jenë, p.sh., burimet, shtëpitë e pemët e veçuara, urat etj. Në këto shenja mund të përfshihen edhe gjerësia e përrenjve, rrugëve etj.

Shenjat konvencionale sqaruese tregojnë të dhëna sasiore e cilësore të objekteve të paraqitura në hartë, p.sh., kuotat e majave të relievit, llojin e drurëve të pyllit dhe raportin midis tyre, drejtimin e rrjedhjes së ujërave të lumit, tonazhin e një ure etj. Në harta e sidomos ato topografike përdoren edhe shkrimet sqaruese të plota e të shkurtuara, karakteristika numerike të objekteve dhe ngjyrat. Emërtimet e qendrave të banuara, lumenjve, pyjeve, maleve jepen të plota, kurse të shkurtuarat jepen për liqenet –liq, rezervuar uji rez.uji, çezmat, b. Karakteristika numerike të objekteve përdoren për kuota, depresionet, numrin e shtëpive të një fshati, nivelin e ujit të lumit etj.

Për të lehtësuar leximin e hartës përdoren paralelisht me shenjat konvencionale edhe ngjyrat. Në përdorimin e tyre ekziston një lidhje logjike me përcaktimin e formave të relievit. Ngjyra jeshile përdoret në fusha. Ajo kafe në zonat kodrinore dhe tonaliteti i saj vjen e theksohet në tone të errëta në zonat malore. Ngjyra blu përdoret në basenet ujore detare, liqenore dhe tonaliteti i saj theksohet me rritjen e thellësisë.

Klasifikimi i hartave
Hartat janë të llojeve të ndryshme. Ato mund të grupohen sipas kritereve të tillë, si: shkallës, përmbajtjes, përdorimit etj. Sipas shkallës së hartës kemi:

Planet. Ata kanë shkallë shumë të madhe (me zvogëlim prej 1: 10 deri 1:5000 d.m.th me emërues gjithnjë më të vogël se 10 000). Ato sjellin të gjitha të veçantat e zonës që paraqesin. Planet prezantojnë planimetrinë e qendrave urbane, kurse hartat terrene më të gjera, si p.sh., zonat rurale.

Hartat topografike kanë shkallë të mëdha krahasuar midis 1: 10000 dhe 1: 100000 Duke qenë se sipërfaqja e hartografuar rritet dhe shkalla e përdorur është më e vogël, ato shfaqin më pak informacion krahasuar me planet.

Hartat kartografike kanë një shkallë krahasuar midis 1:100000 dhe 1: 1000000. Ato shërbejnë për të përfaqësuar një rajon ose nganjëherë edhe ndonjë shtet. Prezantojnë një numër më të paktë veçorish, kryesisht për sa i takon relievit dhe infrastrukturës rrugore.

Hartat e përgjithshme gjeografike kanë një shkallë që varion nga 1: 1 000 000 në 1: 10 000 000 e shërbejnë për të paraqitur shtete ose kontinente e për pasojë përfshijnë ulje të konsiderueshme të informacionit.

Hartat e botës janë harta me shkallë shumë të vogël, që e riprodhojnë të gjithë sipërfaqen tokësore në një projektim të vetëm (ato kanë një shkallë shumë të vogël me një emërtim më të lartë se 100 000 000). Ato shërbejnë mbi të gjitha për të dhënë një foto përmbledhëse të karaktereve gjeografike të caktuar të gjithë sipërfaqes tokësore (shpërndarja gjeografike e klimave, me formacione bimore shumë të mëdha etj).Bazuar tek përmbajtja specifike që prezantojnë hartat quhen tematike ose topografike. Ato paraqesin në mënyrë të përmbledhur shpërndarjen dhe intensitetin e një fenomeni në raport me territorin. Hartat tematike ndahen në dy tipa: fiziko – gjeografike dhe social – ekonomike. Hartat fizike me elementët natyrorë të një territori, janë të tilla si: gjeologjike, gjeomorfologjike, pedologjike, klimatike, të bimësisë etj. Ndërsa hartat social – ekonomike prezantojnë veprimtarinë humane që kryhet në një hapësirë gjeografike dhe ndahen në: politike, ekonomike, etnike, demografike, kulturore, administrative, historike etj. Të dhënat statistikore që shoqërojnë hartat tematike, sidomos ato social – ekonomike, jepen me grafikë apo simbole që ruajnë raportin e shpërndarjes së dukurisë në territoret e ndryshme të hapësirave të hartografuara. Hartat topografike paraqesin në mënyrë mjaft të detajuar të gjitha objektet e dukuritë që ndodhen e zhvillohen në territorin e hartografuar. Relievi paraqitet me anë të izoipseve që janë vija imagjinare, të cilat bashkojnë pikat me lartësi të njëjtë mbi nivelin e detit.

Izoipset kanë baras lartësi çdo 5, 10 ose 20m, e kushtëzuar prej formave të relievit (malor, kodrinor e fushor). Nivel të lartë detajimi ka dhe elementi i hidrografisë. Imtësisht jepet vija bregdetare, breg liqenore dhe rrjedha e lumenjve në gjatësi, gjerësi. Ndërsa thellësia e baseneve ujore paraqitet me anë të izobatave, që janë vija imagjinare që bashkojnë pikat me thellësi të njëjtë nga sipërfaqja ujore. Bimësia shfaqet me llojet e saj dhe raportet e tyre. Detajimi është i plotë edhe në pasqyrimin e vendbanimeve me shtëpitë, blloqet e banesave, objektet ekonomike dhe infrastruktura fizike (rrugore, hekurudhore) e sociale (shkolla, spitale, muzeume etj). Elementët natyrorë dhe socialë shoqërohen edhe me specifikime të detajuara, me simbole, numerike dhe ngjyrat. Për nga përdorimi hartat ndahen në mësimore, shkencore, komunikimi, turistike etj. Hartat mësimore përpilohen sipas: lëndës (gjeografi, histori, biologji, astronomi etj.), sipërfaqes (rajon, shtet, kontinent, botë), moshës dhe ciklit shkollor, ku edhe ngarkesa e informacionit i përshtatet qëllimit. Hartat gjeografike ndikojmë cilësisht në nivelin e njohurive gjeografike të dhëna në procesin mësimor. Ato ndihmojnë në saktësinë e njohjes së shpërndarjes gjeografike të dukurive natyrore e humane si dhe lidhjen e varësinë e tyre prej faktorëve globalë, rajonalë e lokalë. Qartësia e paraqitjes së elementëve të hartografuar në përmasat dhe ngjyrimet e duhura mundëson të kuptuarin prej të gjitha kategorive të nxënësve.