Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 1.2
NËNTEMATIKA 1 SISTEMI YNË DIELLOR DHE TOKA
DIELLI
►Origjina e sistemit tonë diellor
Pavarësisht nga ndryshimet e tyre, elementet e sistemit tonë diellor mund t’i shohim si një “familje” e zakonshme, me ndryshimet dhe të përbashkëtat që i karakterizojnë. Kjo “familje” duket se është krijuar afërsisht në të njëjtën kohë. Përpjekjet e para për të shqyrtuar origjinën e sistemit tonë diellor, janë bërë nga filozofi gjerman Kant dhe astronomi francez Laplas. Ata hodhën hipotezën se, krijimi i sistemit filloi me shpërthimin e një reje gazi. Kjo çoi në krijimin e rrathëve të gaztë, që më tej kondensoheshin duke formuar secili një planet. Kjo u quajt “hipoteza nebulare” (nga fjala latinisht nebbia-re’). Dyshimet rreth qëndrueshmërisë së këtyre sistemeve kanë çuar edhe në përpunimin e teorive të tjera. Ato e shpjegojnë krijimin e sistemit diellor me ngjarje katastrofike, si përplasja e Diellit tonë me një diell tjetër. Këto lloj përplasjesh realisht janë të rralla dhe gazet e nxehta që krijohen prej tyre më lehtë mund të zhduken se sa të formojnë planetë. Teoritë e tanishme më të provuara e lidhin formimin e sistemit tonë diellor me krijimin e Diellit rreth 5 miliardë vjet më parë. Në atë pjesë të galaktikës, ku sot ndodhet sistemi ynë diellor, gjendeshin gaze e pluhura të shpërndara në një mjegull. Prishja e ekuilibrit statik të lëndës çoi në formimin e një vorbulle të stërmadhe në trajtë disku. Në qendër të tij lënda u dendësua, iu rrit trashësia dhe temperatura. Kur temperatura arriti në rreth 10 milionë gradë, filluan reaksionet e bashkimit termobërthamor. Në këtë mënyrë mori formë Dielli. Ndërkohë, në gaz ndodhën procese kimike, ku atomet gjatë përplasjes krijuan molekula. Bashkimi i molekulave u shoqërua me formimin e grimcave të imta, që u zmadhuan shpejt dhe u bënë sa guralecët e vegjël. Forcat e rëndesës dalëngadalë i bashkuan gurët e vegjël të diskut në gurë më të mëdhenj, duke formuar planetët. Por edhe Dielli pësoi ndryshime. Ai u bë më i nxehtë. Era diellore u rrit dhjetëra herë. Forca e saj e madhe ndikoi mbi mjedisin gazor prej hidrogjeni e heliumi ku “notonin” planetët e brendshëm. Gjatë miliarda vjetësh era diellore i largoi këto gaze. Ato u kondensuan duke krijuar planetët gjigantë periferikë. Sistemi diellor fitoi një pamje të qëndrueshme, pamjen që ai ka sot, me Diellin në qendër.
►Karakteristikat e përgjithshme
Për ne banorët e Tokës, Dielli është ylli më i rëndësishëm i Gjithësisë, sepse rreth tij rrotullohen Toka dhe të gjithë planetët e tjerë. Ai lëshon në hapësirë një sasi të madhe energjie, por vetëm një pjesë shumë e vogël e saj arrin deri në planetin tonë. Për të studiuar Diellin bazohemi te vëzhgimet e drejtpërsëdrejta nga Toka, por edhe nga hapësira qiellore përmes sondash apo satelitësh. Ndërsa për brendësinë e tij përfundimet mund t’i nxjerrim tërthorazi. Është e pamundur të lëshohen sonda që t’i afrohen Diellit, pasi ato do të shkatërroheshin nga rrezatimi i fuqishëm i tij. Për të njohur karakteristikat e atmosferës së tij janë të rëndësishme imazhet e marra gjatë eklipseve të plota të Diellit. Vrojtimet na çojnë në përfundimet se Dielli është një lëmsh gjigant i gaztë ku H dhe He përfaqësojnë 98 % të masës: përkatësisht 72% dhe 26 %. Këto gaze gjenden në trajtë plazme, pra në formë jonesh e elektronesh të pavarur nga njëri-tjetri. Dielli ka një diametër 1,39 milionë km ose 110 herë më të madh se ai tokësor. Vëllimi i tij është më shumë se 1,3 milion herë më i madh se volumi i Tokës, ndërsa masa është 333 mijë herë më e madhe se ajo e Tokës. Duke qenë së është i përbërë nga gaze, Dielli ka një dendësi mesatare mjaft të ulët, në vlerën 1,4 g/cm³, që përkon afërsisht me dendësinë e ujit. Për krahasim, dendësia e Tokës është 5,5 g/cm³ ose katër herë më e madhe.
►Struktura e Diellit
Bazuar mbi ndryshimin e temperaturës, trysnisë dhe dendësisë, Dielli ka pjesën e brendshme dhe atmosferën. Nga shtresa më e brendshme tek ajo më e jashtme, pjesa e brendshme përbëhet nga: bërthama, zona radioaktive dhe zona konvektive. Nëse do ta shpjegonim me pak fjalë, procesi është ky: bërthama krijon energjinë, zona radioaktive sipër saj e përthith dhe e transmeton si energji, ndërsa zona konvektive e përcjell edhe fizikisht në sipërfaqe. Në bërthamë ndodhin reaksionet termobërthamore, pra shkrirja e dy bërthamave të hidrogjenit për të formuar atë të heliumit. Ky proces shoqërohet me një çlirim të madh energjie. Për shkak të presionit dhe densitetit të lartë, lënda kalon në gjendje plazme. Temperatura e bërthamës është vlerësuar të jetë rreth 15 milionë gradë Kelvin. Zona radioaktive thith energjinë e prodhuar në bërthamë dhe e transmeton atë në shtresat më të jashtme të Diellit në formën e rrezatimit elektromagnetik. Lënda është përsëri në gjendje plazme për shkak të presionit të madh. Zona konvektive karakterizohet nga prania e lëvizjeve konvektive të rrymave të mëdha të gazeve, të cilat transferojnë në sipërfaqe nxehtësinë e brendshme të Diellit. Ndërsa atmosfera diellore përbëhet nga: fotosfera, kromosfera dhe kurora diellore. Nëse do ta shpjegonim me pak fjalë, procesi ndodh kështu: fotosfera përcjell dritën dhe nxehtësinë në gjithësi; kromosfera jep ngjyrën e kuqerremtë, ndërsa kurora diellore e përcjell atë në trajtën e erës diellore. Fotosfera përfaqëson kufirin midis pjesës së brendshme të Diellit dhe atmosferës së tij. Ajo përbën sipërfaqen e dukshme të Diellit që rrezaton energjinë që arrin në Tokë në trajtë drite dhe nxehtësie. Fotosfera sipërfaqësore nuk është as e lëmuar dhe as e ndriçuar në mënyrë uniforme, por ka një përbërje kokrrizore të cilat quhen granula. Granulat janë jetëshkurtra. Ato zhduken dhe rishfaqen në pak minuta nga e para. Kjo bën që fotosfera të duket sikur është gjithmonë në vlim konstant. Në sipërfaqe të fotosferës janë të dukshme edhe njollat diellore. Ato janë grupime më të errëta dhe më të ftohta, të rrethuara nga kreshta të shndritshme të quajtura fakela ose pishtarë me përmasa 100-200 mijë km. Shfaqja e fakeleve vijohet me daljen e njollave diellore në po atë vend. Kromosfera është quajtur kështu për arsye se ka ngjyrë të kuqerremtë. Ajo përbën një shtresë gazesh të ngjyrosura dhe të rralluara, me trashësi prej 10.000 km. Kufiri i saj i jashtëm është i çrregullt, sepse nga ajo dalin “flakë” që janë rrjedhje hidrogjeni të quajtura spikula. Gjithashtu në kromosferë shihen edhe dukuri mjaft interesante, si protuberancat, që janë flakë gjigante në trajtë shatërvanësh zjarri. Ato flakërojnë në formë harqesh me një gjatësi prej qindra e mijëra km nga sipërfaqja e Diellit.
Shtresa më periferike e atmosferës diellore është kurora diellore. Ajo është e tejdukshme dhe mund të shihet vetëm gjatë eklipsit të Diellit ose me anë të koronografit. Kurora rrallohet duke u shtrirë në qindra milionë km pa patur një kufi të përcaktuar. Temperatura e saj tejkalon miliona gradë Kelvin dhe lënda shndërrohet në plazmë. Nga kurora diellore shkëputen flukse grimcash drejt hapësirës kozmike me shpejtësi 300–500 km/sek që përbëjnë erën diellore. Ato drejtohen me shpejtësi rritëse dhe arrijnë hënën dhe satelitët artificialë. Sipërfaqja e Tokës mbetet në mbrojtje falë prezencës së fushës magnetike tokësore. Në afërsi të Tokës era diellore ka një shpejtësi prej 400 km/sek dhe një densitet prej disa dhjetëra grimcash/cm³. Mund të thuhet se korona shtrihet në formën e erës diellore në gjithë sistemin diellor.
►Aktiviteti i Diellit dhe pasojat e tij
Cilësitë e përgjithshme të Diellit kanë mbetur të pandryshueshme për miliarda vjet. Sipërfaqja e zjarrtë e tij ka një temperaturë prej 6000°C, ndërsa në brendësi ajo arrin në rreth 15 milionë gradë. Prej tij çlirohet një energji shumë e madhe, e cila shpërndahet në gjithësi si dritë dhe nxehtësi. E gjithë energjia që merr Toka nga kozmosi është energji diellore. Rruzulli tokësor, ndonëse mjaft larg, 149.6 milionë km, merr vetëm 2 të miliardën pjesë të energjisë të përgjithshme të Diellit, ose 2 kalori për çdo cm² në minutë. Megjithatë, sasia e energjisë që bie në sipërfaqen e Tokës është e lartë 136 kw/m² dhe mjafton për mundësimin e jetës në Tokë. Trupi i tij zien, digjet, duke jetuar konfliktin më tipik të gjithësisë, i përfaqësuar nga balancimi i forcës shpërthyese, që mundohet ta flakë lëndën në hapësirën kozmike dhe forcës së rëndesës që e tërheq atë. Në fakt ky përbën ekuilibrin mekanik. Për shkak të temperaturave dhe trysnive të larta në qendër të Diellit, nga të dhënat teorike mendohet se lënda duhet të jetë plotësisht e jonizuar deri në një largësi prej rreth 0.85 të rrezes së tij. Në këtë zonë zhvillohen reaksione termobërthamore. Bërthamat e hidrogjenit bashkohen, për t’u shndërruar në helium, proces i cili shoqërohet me çlirim të madh energjie në trajtën e rrezatimit elektromagnetik. Shkencëtarët e kanë përcaktuar moshën e tij prej gati 5 miliardë vjetësh, që kur filloi reaksioni i parë i bashkimit të H-së në HE. Sasia fillestare e H-së tani ka ndryshuar nga 94 në 72 %. Ndërkohë që përqindja e HE-së është rritur nga 5.9 % në 26 %. Ky ndryshim i krijuar për gati 5 miliardë vjet, tregon se “karburanti” bërthamor i Diellit do të vazhdojë të digjet ende për miliarda vite të tjera. Ky përbën ekuilibrin e dytë të rëndësishëm të Diellit, atë termik, i cili garanton vijueshmërinë e përhapjes së energjisë në formë drite e ngrohtësie të nevojshme për jetën në Tokë.
►Rëndësia e Diellit
Dielli e furnizon planetin tonë me dritë dhe ngrohtësi duke qenë burim i jetës në tokë. Energjia e dërguar prej tij rregullon dukuritë gjeografike që ndodhin në Tokë:
– Qarkullimin e ujit në natyrë;
– qarkullimin e masave ajrore dhe ndryshimet e elementeve meteorologjike në Tokë;
– ndërrimin e stinëve;
– dukurinë baticë-zbaticë;
– procesin e fotosintezës dhe ciklet e zhvillimit të botës bimore e shtazore;
– proceset gjeologjike që kanë ndodhur dhe ndodhin në tokë;
– rrezet ultraviolet dhe rëntgen, që ushtrojnë një ndikim të madh në atmosferën tokësore duke formuar ozonin dhe duke shkaktuar jonizimin e saj, gjë që ka rëndësi për radiondërlidhjen.
Energjia diellore është burim i të gjitha proceseve të evolucionit kimik dhe biologjik mbi Tokë. Pa dritën e ngrohtësinë e Diellit, Toka do të ishte një trup i ftohtë dhe i pajetë, njëlloj si shumica e trupave të tjerë qiellorë, përbërës të sistemit tonë diellor.