Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 4.2
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
DINAMIKA E UJËRAVE TË DETEVE DHE OQEANEVE
►Valët e detit dhe elementët e tyre
Para se ju të futeni në det ju duhet të dini gjendjen në të cilën ndodhet apo do të ndodhet uji i detit, sidomos lëvizjet e tij në mënyrë që të mos gjendeni përpara situatave të vështira. Shumica e njerëzve futen në det pa ditur gjë në këtë drejtim. Uji i deteve lëviz në mënyrë të vazhdueshme duke “rrahur” brigjet e kontinenteve e modeluar ato (shihni foton). Uji i deteve e oqeaneve lëviz në mënyra të ndryshme, sipas këtyre tipeve: në formën e valëve (ose lëvizjet e ç’rregullta); baticë-zbaticave (ose lëvizjet periodike) dhe në formën e rrymave (ose lëvizjet e rregullta).
Pse lëviz uji i deteve dhe oqeaneve? Në masat ujore të deteve e oqeaneve veprojnë disa forca, nën veprimin e të cilave molekulat e ujit humbasin ekuilibrin dhe kryejnë lëvizje rrethore. Shkaqet që çojnë në formimin e valëve janë të ndryshme. Më kryesoret janë: veprimet e erës, që rrjedhin nga ndryshimi i presionit atmosferik; lëvizjet sizmike (shpërthimet vullkanike nënujore, tërmetet).
Valët krijohen më shumë si rezultat i veprimit të erës. Duke u nisur nga shkaqet e formimit të valëve dallojmë disa tipe valësh: valët e erës; valët sizmike (shkaktohet nga vullkanet dhe tërmetet); valët që formohen si rezultat i baticë-zbaticës etj. Një valë uji bën lëvizje ngjitëse dhe ulëse, por asnjëherë lëvizje progresive. Shkaku është se çdo molekulë uji bën një lëvizje luhatëse ngjitëse dhe zbritëse. Kjo kryet në një orbitë rrethore që shtrihet në një plan vertikal dhe molekulat e ujit kthehen gati në vendin e nisjes. Kështu gjithë molekulat e ujit deri në një thellësi të caktuar, përfshihen në lëvizje rrotulluese.
Në thellësitë e mëdha përmasat e rrethit që përshkojnë molekulat vijnë duke u zvogëluar, ndërsa kur vala arrin pranë bregut, me zvogëlimin e thellësisë, ndihet veprimi i forcës së fërkimit. Pra molekulat e ujit në pjesët më të poshtme, fillojnë të mos kryejnë lëvizje rrethore, por eliptike. Në këtë mënyrë krijohet një diferencë në shpejtësinë e lëvizjes së molekulave, gjë që shpie në përplasjen e valës në breg, duke shkumëzuar me shkumë (shihni foton). Elementët përbërës të një vale janë: kreshta e valës, ose pjesa më e ngritur e valës; baza, ose pjesa më e ulët e saj; lartësia e valës, që është diferenca midis kreshtës së valës dhe bazës së saj; gjatësia e valës, që është largësia midis dy kreshtave ose dy bazave të njëpasnjëshme. Lartësia e valës është e ndryshme dhe varet nga fuqia e faktorëve që e krijojnë atë, nga kohëzgjatja, drejtimi, thellësia e basenit ujor etj. Në hapësirat e oqeanit botëror, valët që kanë rastisjen më të madhe e kanë lartësinë e tyre më të vogël se 2.1 m (66 %). Rastisja e valëve me gjatësi mbi 6 m, përbën gjithsej vetëm 8 %. Në Atlantikun Verior dhe pjesët oqeanike pranë Antarktidës, valët mbi 6 m ndodhin mesatarisht 73 ditë ose 20 % të vitit. Vlerat më të larta të valëve janë konstatuar në ujërat Antarktike, në vitin 1958, me lartësi 24.5 m dhe gjatësi 400 m. Zonat e furtunave janë përcaktuar: pjesët veriore të Paqësorit dhe gjithë hapësira e oqeanit botëror në jug të paralelit 40° gjerësi gjeografike jugore. Uraganet e tajfunet tropikale, megjithë shpejtësinë e madhe të erës, nuk krijojnë valë me lartësi të madhe. Në dete, përmasat e valëve janë më të vogla. Këtu ndikojnë një numër faktorësh si: përmasat e deteve, qëndrueshmëria e erërave, relievi i fundit të detit, komunikimi i deteve me oqeanin, mbulesat e akujve etj. Për të gjitha këto arsye lartësia e valëve, nuk i kalon zakonisht 9 m dhe gjatësia nuk shkon më tej se 150 m. Në vendin tonë lartësia maksimale e valëve arrin 3.7 m në Shëngjin, 3.45 m në Vlorë dhe 3.2 m në Durrës.
Valët e shkaktuara nga tërmetet dhe vullkanet. Valët e shkaktuara prej tërmeteve dhe vullkaneve janë valë nënujore katastrofike si, cunami, lartësia e të cilit i kalon të 15 – 30 m. Nga shpërthimi i vullkanit Krakatau në 1883, u krijuan valë me lartësi 40 m që lëvizën me shpejtësi drejt brigjeve më të afërta. Valët duke u përplasur në breg, ndikojnë në zhvillimin e tij, duke krijuar format e abrazionit detar, falezat, tarracat detare, si dhe format akumuluese plazhet, lagunat etj.
►Formimi i baticë-zbaticës
Forca tërheqëse e Hënës dhe Diellit. Shkaku i formimit të baticë-zbaticës, është forca tërheqëse e Hënës dhe ajo e Diellit. Midis Hënës e Tokës lind një forcë tërheqëse. Gjatë rrotullimit të Tokës rreth boshtit të saj lind forca centrifugale (Fc). Kjo forcë kundërshton forcën tërheqëse të Hënës dhe është e barabartë me mesataren e kësaj force tërheqëse. Forca centrifugale, në çdo pikë të Tokës është e njëjtë. Mbi këtë bazë uji që ndodhet në anën e kthyer nga Hëna (në pikën A) ngrihet për shkak të tërheqjes së Hënës (forca tërheqëse është më e madhe se forca centrifugale) duke formuar kështu baticë. Në anën e kundërt të rruzullit tokësor (në pikën A1) ka gjithashtu baticë (megjithëse ndodhet më larg nga Hëna e tërhiqet më pak prej saj), pasi këtu mbizotëron forca centrifugale. Në pikën B dhe B1, në sajë të zhvendosjes së ujit në pikat A e A1, do të ketë zbaticë. Në çdo pikë të sipërfaqes së Tokës, për shkak të lëvizjes 24 orëshe të saj rreth boshtit, dy herë në ditë ka baticë dhe dy herë në ditë ka zbaticë. Baticat në të njëjtin vend e në kohë të ndryshme janë të ndryshme. Batica më e madhe është kur Hëna është në fazën e plotë, pra në fazën e re. Në këtë kohë Hëna, Dielli dhe Toka ndodhen në vijë të drejtë, si rrjedhim, fuqisë tërheqëse të Hënës i shtohet dhe ajo e Diellit. Kur Hëna ndodhet në çerek, baticat janë më të vogla.
Baticat dhe zbaticat kanë rëndësi të madhe gjeografike veçanërisht për dinamikën e brigjeve detare. Ato bëhen pengesë për formimin e deltave. Baticat kanë rëndësi për lundrimin detar, sidomos për portet e cekëta, si Londra etj. Por baticat zotërojnë energji të madhe dhe kjo ka filluar të shfrytëzohet nga njeriu. Kështu në Francë është ngritur një nga stacionet e para baticore për prodhimin e energjisë elektrike, në lumin Rona, me 24 turbina. Stacione të tjera për shfrytëzimin e energjisë së baticave janë ndërtuar në Australi, Britani, Kanada, Indi, SH.BA, Kinë etj. Shfrytëzimi industrial i baticave me energji të madhe është i kufizuar në sektorët e brigjeve me batica të larta dhe vlera të tyre potenciale është llogaritur afërsisht 1 trilion Kë/orë në vit. Përfundimi: Dielli ka 46% të forcës së Hënës për të krijuar baticë-zbaticën. Marrëdhënia ndërmjet masës së Tokës, Hënës dhe Diellit dhe e distancës midis njëri-tjetrit luan një rol të rëndësishëm në krijimin e baticë-zbaticave. Edhe pse Dielli është 27 milionë herë më i madh se Hëna, ai është 390 herë më larg nga Toka se Hëna. Duke qenë kaq larg forca e tij reduktohet në 59 milion herë në krahasim me forcën baticë krijuese të Hënës. Prandaj, forca krijuese kryesore e baticave është Hëna.
Ngritja dhe ulja e nivelit të detit për shkak të veprimit të forcës tërheqëse të Hënës dhe Diellit dhe diferencës midis forcës tërheqëse gravitacionale dhe asaj centrifugale në rruzullin tokësor, gjatë rrotullimit rreth vetes, quhet respektivisht, baticë e zbaticë. Ato përsëriten rregullisht çdo 24h 50min e 28 sek, zakonisht dy herë në 24h uji ngritjet e mbulon vendet e cekëta dhe brigjet e ulëta dhe dy herë në ditë tërhiqet dhe zbulon hapësira të mëdha të fundit të detit të cekët. Lartësia e baticë – zbaticave nuk është e njëjtë, në vende të ndryshme. Kështu, mbi brigjet që ndodhen në platforma të gjera kontinentale, madhësia e baticë – zbaticës arrin vlerat maksimale si, p.sh., Gjiri i Fandit në Kanada me 19.6 m, ose në San Mishel të Francës me më shumë se 10 m. Në brendësi të oqeanit rritja e tyre është e vogël rreth 1m dhe e pandjeshme. Madhësitë më të vogla të baticë – zbaticës (0.1m deri në 1m) hasen në detet e brendshme mesdhetare, ndonëse ka dhe përjashtime si p.sh. në Adriatik me 1.9 m. në brigjet tona të Adriatikut amplituda mesatare ditore ndryshon nga 20 deri në 30 cm.
►Rrymat oqeanike dhe detare
Një rrymë oqeanike është një lëvizje e vazhdueshme dhe e drejtuar e ujit të detit e krijuar nga forca të jashtme që veprojnë mbi këtë rrjedhë, të tilla si, era, efekti Coriolis, temperatura, kripësia etj. Zhvendosjet, pak a shumë të rregullta të masave ujore në drejtim horizontal nga një rajon në tjetrin, nën impulsin e disa forcave të jashtme, quhen rryma oqeanike ose detare. Rrymat dallohen mjaft nga forma, drejtimi, gjerësia, gjatësia, temperatura etj. Ato janë të ngjashme me lumenjtë tokësorë, por rrjedhin në hapësirat oqeanike me mijëra km dhe thellësi disa qindra metra. Rrymat detare kanë veti fizike e kimike të ndryshme nga pjesa tjetër e ujit të oqeanit ose detit ku kalojnë. Shkaqet e rrymave janë të shumta si: era, ndryshimi i kripësisë, niveli i ujit të detit, intensiteti, ose shkaqe me karakter kozmik si rrotullimi i Tokës, formimi i baticave etj. Por shkaku kryesor mbeten erërat kur janë të fuqishme, kur fryjnë për një kohë të gjatë në një drejtim dhe kur janë të vazhdueshme. Era në fillim vë në lëvizje shtresat e sipërme të ujit, pastaj edhe shtresat më të thella, duke krijuar kështu rrymat. Uji që transportohet nga rryma në largësi të mëdha i ruan veçoritë e tij. Rrymat që shkojnë nga ekuatori drejt gjerësive të mëdha gjeografike sjellin ujë me temperaturë të lartë e me kripësi më të madhe se uji që i pret, prandaj quhen rryma të ngrohta, kurse ato që shkojnë nga vendet më të ftohta drejt ekuatorit formojnë rrymat e ftohta. Rrymat ushtrojnë një ndikim shumë të madh mbi klimën e brigjeve që lagin. Erërat e përhershme që fryjnë në të dyja anët e ekuatorit ose pasatet, nga VL dhe JP, krijojnë në oqeane rrymat veriore dhe jugore ekuatoriale. Ato kanë drejtim nga Lindja drejt Perëndimit. Meqenëse rrymat në rrugën e tyre ndeshin pengesa natyrore nënujore ato e ndërrojnë drejtimin e tyre gjatë brigjeve të kontinenteve e shkojnë drejt veriut ose drejt jugut për shkak të lëvizjes 24 – orëshe të Tokës. Kështu, në Atlantik formohet rryma e ngrohtë braziliane, rryma e Golfstrimit, ndërsa në oqeanin Paqësor rryma e ngrohtë e Kuro-Shivos dhe ajo e Australisë Lindore.
Në oqeanin Atlantik ka edhe rryma të ftohta, si ajo e Labradorit, e Groenlandës dhe e Kanarieve në veri dhe ajo e Benguelës në jug. Në Oqeanin Paqësor është rryma e ftohtë e Oja – Shivos, rryma e Kalifornisë dhe e Perusë (në hemisferën jugore). Në Oqeanin Indian kalon rryma e ftohtë e Australisë Perëndimore. Rrymat detare ndikojnë mbi klimën e territoreve ku kalojnë. Në bregdetin e Adriatik e Jon ka rryma të fuqishme detare që në sipërfaqe kanë drejtim nga jugu për në veri, kurse në tabanin e detit Adriatik rrymat lëvizin nga veriu në jug.