Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 7.2: Pllakat e Litosferës së Planetit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.2

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

PLLAKAT E LITOSFERËS SË PLANETIT

Tezat themelore të teorisë së tektonikës së pllakave
Elementët kryesore të teorisë së tektonikës së pllakave janë këto:
– Litosfera nuk është një kore e vetme, por është e ndarë në një numër copash, ose pllakash me përmasa shumë të mëdha, të ndërfutura si pjesët e një pazëll-i. Këto copa kanë trashësi të ndryshueshme, që është më e madhe në zonat e kontinenteve dhe më e vogël në zonat oqeanike.
– Pllakat lëvizin pasivisht mbi astenosferë, por ato ndryshojnë vazhdimisht: ato rriten aty ku ndodhen vargjet nënoqeanike, dhe shkatërrohen (konsumohen) aty ku janë humnerat nënoqeanike. Në brigjet e këtyre pllakave janë të lokalizuara edhe aktivitetet vullkanike dhe sizmike (tërmetet).
– Kufijtë e pllakave nuk përkojnë me brigjet e kontinenteve, sepse disa pllaka janë kryesisht kontinentale, disa janë oqeanike, dhe disa të tjera janë edhe kontinentale edhe oqeanike.
– Pllakat kryesore janë 12: Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Eurazia, Afrika, Arabia, India, Antarktida, Paqësori, Filipinet, Nazca, Cocos dhe Australia.
– Pllakat mund të kenë tri lloje kryesore kufijsh, në varësi të faktit nëse pllakat vetë në lëvizjen e tyre divergojnë (largohen nga njëra-tjetra), konvergojnë (afrohen deri sa edhe të përplasen me njëratjetrën), apo transkorrojnë (rrëshqasin anash njëra-tjetrës në drejtime të kundërta pa u afruar apo pa u larguar).

Kufijtë ndërtues
Kufijtë divergjente ose ndërtuese. Brigje ndërtuese janë ato midis dy pllakave që largohen nga njëra-tjetra, pra që janë divergjente. Këto brigje gjenden në të dyja anët e vargjeve nënoqeanike që shpjeguam më sipër. Meqë këto pllaka divergjente largohen nga njëra-tjetra, korja tokësore aty hollohet, dhe pikërisht aty gjen mundësinë që të dalë magma e mantelit, duke e shtuar masën e litosferës: prej këtej rrjedh edhe emërtimi si “brigje ndërtuese”. Shembulli më tipik i vargjeve nënoqeanike është vargu i quajtur “mesorja atlantike”, që ndodhet në mes të Oqeanit Atlantik përgjatë gjithë shtrirjes së tij Veri-Jug. Brigje ndërtuese mund të krijohen edhe kur një pllakë kontinentale “ndahet më dysh”. Ky është rasti i humnerës së ardhshme që po ndan Afrikën: është “rift valley” afrikan. Shihni një hartë të Afrikës. Deti i Kuq është kufiri midis pllakës Afrikane dhe pllakës Arabe. Ky det është një oqean në stadin e rinisë, sepse këto pllaka janë ende duke u larguar. Duhet të dini se kontinenti i sotëm i Afrikës po ndahet në dy pllaka: ajo Afrikane dhe ajo Somaleze në juglindje të kontinentit. Nëse vëreni drejtimin që kanë liqenet e mëdha afrikane (Viktoria, Tanganika, dhe Malaui), do të dalloni që ato janë në vijë të drejtë: kjo është vija e kontaktit midis pllakës Afrikane dhe asaj Somaleze. Këto të dyja po largohen nga njëra-tjetra, dhe prandaj në të ardhmen e largët Deti i Kuq do të bashkohet me detin që do të krijohet aty ku sot janë liqenet afrikane, dhe kontinenti i Afrikës do të ketë tjetër pamje. Pikërisht kontakti midis këtyre pllakave që përbëjnë Afrikën përfaqëson rastin e brigjeve ndërtuese: pllakat largohen, hollohet korja, magma fillon e del dhe ftohet në kontakt me ujin që mbulon gropat që krijohen.

Kufijtë shkatërrues
Këto brigje janë rastet e dy pllakave që përplasen. Kjo tipologji përfshin raste të ndryshme.

Rasti i parë është ai kur përplasen dy pllaka oqeanike. Bregu i pllakës A futet nën bregun e pllakës B. Këtë e quajmë dukuria e subduksionit. Kështu na krijohen dy dukuri shumë të rëndësishme. Së pari, në kontaktin përgjatë këtyre pllakave, për shkak të futjes nën njëra-tjetrën, krijohet një humnerë e madhe nën-oqeanike. Humnera nënoqeanike në brigjet shkatërruese midis pllakës së Paqësorit dhe pllakës Australiane. Kjo hartë e fundit të oqeanit është ndërtuar nga imazhet satelitore. Së dyti, masa e litosferës e pllakës A, duke zbritur në kontakt me mantelin, shkrin pjesërisht dhe kështu prodhohet magmë, e cila për shkak të peshës më të lehtë ngjitet përgjatë litosferës së pllakës B, duke na krijuar dukurinë e dytë, atë të vullkanizmit nënoqeanik. Kur vullkanet arrijnë të nxjerrin aq shumë magmë sa që të dalin mbi nivelin e detit, krijojnë ishuj që në tërësinë e tyre marrin emrin “hark vullkanik”. Ishujt Filipine dhe ishujt e Japonisë janë rastet më tipike të harqeve ishullore vullkanike.

Rasti i dytë i brigjeve shkatërruese është ai kur një pllakë kontinentale takohet dhe përplaset me një pllakë oqeanike. Në këtë rast, pllaka oqeanike, duke qenë më e rëndë, futet nën pllakën kontinentale sipas një plani me pjerrësi 45°, që quhet “plani Benioff”. Kjo bën që pllaka kontinentale të ngrihet lart duke formuar kështu rrudhosje të tyre që krijojnë vargje malore të larta. Ky është rasti i vargjeve të Kordiliereve dhe të Andeve, përkatësisht përgjatë brigjeve oqeanike të Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut. Këto vargmale madhështore shumë të gjata janë krijuar në kontaktin midis pllakës oqeanike të Paqësorit me pllakën kontinentale të Amerikës s ë Veriut. Në këtë lloj kontakti shkatërrues ndodhin tërmete të vazhdueshme dhe të fuqishme. Kështu, në zonën e Andeve (në shtetin e Kilit, ka ndodhur tërmeti më i fuqishëm i regjistruar nga njeriu, prej 9,6 ballë, në 1962). Në këtë lloj bregu shkatërrues, krijohet humnera nënoqeanike dhe po ashtu krijohen shumë vullkane nëndetare.

Rasti tretë i brigjeve shkatërruese është ai kur një pllakë kontinentale përplaset me një tjetër pllakë kontinentale. Në këtë rast asnjë prej pllakave nuk futet nën tjetrën për shkak se ato kanë dendësi të njëjtë, dhe për faktin se astenosfera në to është më e dendur. Për këtë shkak ndodh dukuria që njihet si “saldim” (ngjitje) midis dy pllakave. Për rrjedhim të shtypjes së fortë mes tyre, pllakat deformohen dhe shkaktojnë formimin e vargjeve malore të larta. Disa nga rastet më të rëndësishme të këtij lloji bregu janë Alpet e Europës (që krijohen në përplasjen midis pllakës afrikane me atë euro-aziatike më në veri), vargmalet e Himalajeve (që krijohen në përplasjen midis pllakës indiane me atë aziatike më në veri), etj. Drejtimi dhe ritmi i lëvizjes ë pllakave kryesore të kores tokësore. Me shpejtësi më të madhe, përkatësisht 8-10 cm/vit, lëvizin pllaka e Paqësorit dhe pllaka indiane drejt pllakës euroaaziatike. Të dy këto pllaka ndikojnë në rritjen e përvitshme të lartësisë së Vargmaleve të Himalajeve.

Kufijtë ruajtës
Brigjet ruajtëse ose konservative. Këto brigje krijohen në rastet kur dy pllaka lëvizin përgjatë njëra-tjetrës si përgjatë një shine midis tyre. Për shkakun se këto brigje nuk ndryshojnë njëra-tjetrën, dhe nuk ka as dukuri të subduksionit as dhe as të krijimit të kores së re, ato quhen konservative ose ruajtëse.