Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 7.12: Veprimtaria karstike dhe akullnajore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.12

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

VEPRIMTARIA KARSTIKE DHE AKULLNAJORE

Karsti
Me veprimtari karstike do të kuptojmë tretjen e shkëmbinjve karbonatikë nga uji, ndërsa me forma karstike do të kuptojmë të gjitha format e relievit që krijohen nga kjo veprimtari. Termi”karst” vjen nga krahina Kras në Slloveni ku dukuria e karstit është tipike. Reaksionin në shkëmbinjtë karbonatikë e kemi shpjeguar në mësimin mbi tjetërsimin: me pak fjalë, uji, sidomos kur është i pasur edhe me dioksid karboni, tret shkëmbin karbonatik. Peizazhi karstik është tipik dhe lehtësisht i dallueshëm. Ka disa shenja për këtë, por më të rëndësishmet janë 3: prania e shkëmbinjve karbonatikë, mungesa e rrjedhjeve ujore sipërfaqësore, prania e argjilës së kuqe.

Shenja 1. Kur shikoni shkëmbinj të fortë me ngjyrë të bardhë në gri, ju po shikoni shkëmbinj karbonatikë ose gëlqerorë. Përbërësi kryesor i i këtij lloj shkëmbi është karboni. Kudo ku ka shkëmbinj karbonatikë mund të jeni të sigurt se ka tretje të shkëmbinjve që quhet “dukuri karstike”, që krijon pastaj format karstike.

Shenja 2. Mungesa e rrjedhjeve ujore sipërfaqësore. Zona karstike quhet ndryshe edhe “peizazh i thatë në një zonë me klimë jo të thatë”. Në Shqipëri, peizazh tipik karstik është peizazhi i Malit me Gropa. Edhe emërtimi “me gropa” nënkupton pikërisht format karstike që i quajmë dolina: e rëndësishme është që në Malin me Gropa nuk ka ujë.

Shenja 3. Uji tret vetëm karbonatin e kalciumit, por shkëmbi karbonatik ka edhe një përqindje jo-karbonatike. Kjo pjesë është argjilë, pra dhe i kuq në të kafenjtë. ndërkohë që ndodh procesi i tretjes së shkëmbinjve kjo argjilë mbetet gjithmonë në sipërfaqe të shkëmbit karbonatik, në sasi shumë të vogla. Më tej, nga ujërat e shiut dhe për shkak të procesit të rëndesës, ajo depozitohet në pjesët më të ulta të atij peizazhi. Kështu, krijohet shtresa me argjilë të kuqe, të cilën e hasim gjithmonë tek format depresive karstike, që nga ato më të voglat e deri tek dolinat dhe poljet.

Format karstike
Format e relievit karstik ndahen në: forma sipërfaqësore dhe forma nëntokësore; në forma të krijuara nga veprimtaria tretëse dhe forma të krijuara nga veprimtaria akumuluese. Format sipërfaqësore më të mëdha dhe më të rëndësishme janë dolinat (nga sllovenishtja dola-luginë) dhe poljet (nga sllavishtja në përgjithësi, polje-fushë). Dolinat janë gropa me përmasa të ndryshme, përgjithësisht të vogla, të krijuara nga tretja dhe shembja e shkëmbinjve karbonatikë, dhe nga depozitimi i argjilës. Dolinat dhe poljet janë zona të rëndësishme bujqësore. Ato kanë toka me porozitet të lartë për shkak të përmbajtjes së guriçkave, si dhe për faktin se nuk e mban lagështirën. Kultura që kultivohet më mirë në to është vreshtaria. Vreshtat e zonave karstike janë shumë cilësore. Ndër format më të rëndësishme nëntokësore janë shpellat. Shpellat janë ekosisteme me rëndësi të veçantë për disa lloje speciesh si p.sh. për lakuriqët e natës etj. Po ashtu, shpellat mund të ofrojnë gjetje arkeologjike për shkakun se ato kanë përbërë vendbanime të periudhës parahistorike. Një element tjetër me rëndësi në shpella janë stalagmitet dhe stalaktitet. Ato janë forma akumuluese: karbonatet në përbërje të ujit, kur gjejnë kushte qetësie topografike dhe në kontakt me oksigjenin e lëshojnë ujin dhe depozitohen duke krijuar kalcite.

Veprimtaria e akullnajave
Akullnajat janë masivë të mëdhenj akulli, i akumuluar prej vitesh me radhë gjatë të cilëve bora që bie nuk shkrin asnjëherë. Kjo masë e madhe akulli krijohet në lartësitë e mëdha, dhe më vonë për shkak të peshës së saj zhvendoset për në drejtim të pjesëve më të poshtme deri aty ku mund të arrijë pa u shkrirë. Akullnajat krijohen sot në zonat e larta malore, si p.sh. në Alpet e Europës, si edhe në zona gjerësive të mëdha gjeografike si në Skandinavi, në Groenlandë etj. Edhe në Shqipëri ka pasur akullnaja në lartësitë e mëdha malore, deri para 13 mijë vjetësh kur përfundoi periudha e fundit akullnajore. Forma më e përhapur akullnajore në Shqipëri është ajo e cirqeve akullnajore, dhe e liqeneve akullnajore. Liqenet akullnajore krijohen atëherë kur pasi shkrin akullnaja, në një pjesë të zonës së çliruar prej saj mbetet një depresion ose gropë që mbushet me ujë. Liqenet më të famshme akullnajorë në Shqipëri janë Liqenet e Lurës.

Zhvendosja e akullnajës, ngrirja dhe shkrirja e periferive të saj, gërryerja e anëve të luginave apo akumulimi i copëzave të gërryera, quhet “veprimtari akullnajore”. Format e relievit që krijohen quhen forma akullnajore. Format e akullnajore janë gërryese dhe akumuluese. Në figurën në krah ne mund të shohim se si ka qenë peizazhi në kohën kur ka pasur akullnaja, dhe se si është sot. Dy format më të rëndësishme të krijuara vërejmë: Luginën akullnajore, që është formë akullnajore gërryese, sepse krijohet nga presioni i akullnajës ndaj pareteve të luginës. Luginë akullnajore tipike në Shqipëri është lugina e Bogës, në Alpet Perëndimore të Shqipërisë. Morenat që janë forma pozitive akumuluese. Materialet copëzore që grumbullon akullnaja gjatë zhvendosjes së saj, dhe të cilat pastaj i lëshon pasi shkrin. Ato formojnë kodra të vogla të gjata. Morena në Shqipëri gjejmë në të gjithë zonën e Alpeve, por më të ruajturat janë ato të zonës së Razmës.