Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 3.11: Moti dhe Klima

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 3.11

NËNTEMATIKA 3 ATMOSFERA

MOTI DHE KLIMA

Moti, klima dhe faktorët që ndikojnë në formimin e saj
Në të përditshmen tonë, fjalët “moti” dhe “klima” shpeshherë i përdorim sikur të kishin të njëjtin kuptim, ndërkohë që në fakt ata janë dy terma shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri.
Me “kohë”, apo “mot”, kuptojmë kombinimin e kushteve të temperaturës, lagështisë, trysnisë, reshjeve dhe erës, të regjistruara në një moment të caktuar dhe në një zonë të ngushtë. Ndërsa, me “klimë” kuptojmë tërësinë e kushteve mesatare të temperaturës, lagështisë, trysnisë, reshjeve dhe erës, të regjistruara në një periudhë 30-vjeçare dhe në një zonë më të gjerë. Thënë me fjalë të tjera, moti është gjendja e momentit ndërsa klima është ligjësia mbi të cilën kjo gjendje e momentit funksionon. Klimatologët dhe gjeografët përdorin një periudhë vrojtimesh meteorologjike të paktën 30-vjeçare, pikërisht me qëllimin që të kenë të dhëna sa më përfaqësuese mbi të cilat të bazojnë klasifikimin e klimës. Klima karakterizohet nga elementë përbërës të saj, dhe nga faktorë që i përcaktojnë këta të fundit.

Elementët e klimës ndryshojnë, dhe janë: temperatura mesatare, lagështia dhe reshjet, trysnia atmosferike dhe erërat. Këta elemente i kemi trajtuar në mësimet e mëparshme.

Faktorët ndikojnë në mënyrë globale ose në nivel lokal mbi elementët, duke i bërë të ndryshojnë. Ata janë: gjerësia gjeografike, rrymat detare, lartësia mbi nivelin e detit, shpërndarja e masave kontinentale dhe oqeanike, distanca nga deti, prania e maleve dhe bimësisë. Le t’i shohim me radhë shkurt.

Gjerësia gjeografike. Në varësi të gjerësisë rrezet e Diellit bien në Tokë me kënd të ndryshëm. Sa më i madh të jetë këndi i rënies, aq më e madhe është ngrohja që rrezet shkaktojnë (shihni foto 2, mësimi 4, nëntematika- Atmosfera).

Rrymat detare. Dimë që rrymat detare janë “lumenj uji që rrjedhin në brendësi të ujit”. Ka rryma të ngrohta që vijnë në zona më të ftohta duke sjellë ngrohtësi (p.sh., rryma e Golfstrimit që vjen nga Gjiri i Meksikës dhe sjell ngrohtësi dhe lagështirë në brigjet atlantike të Europës deri edhe në Norvegji), apo rryma të ftohta që sjellin ftohtësi dhe thatësirë (si p.sh., rryma e Labradorit që rrjedh nga Arktiku dhe sjell ftohtësi dhe thatësirë në brigjet atlantike të Kanadasë dhe të Groenlandës). Për këtë shkak, megjithëse Norvegjia dhe Groenlanda ndodhen në të njëjtën gjerësi gjeografike, vetëm në Norvegji mund të jetohet e të kultivohen kultura bujqësore etj.

Lartësia mbi nivelin e detit. Sa më shumë rritet lartësia, aq më shumë ulet temperatura. Kjo ndodh meqë ngrohtësia e tokës është më shumë pasojë e energjisë që pasqyrohet nga Toka në formën e energjisë termike, se sa pasojë e energjisë që vjen nga Dielli drejtpërdrejt si rrezatim.

Shpërndarja kontinent-oqean. Meqë uji i oqeanit ngrohet dhe ftohet më ngadalë se sa toka, oqeani shërben si një rezervuar (ose magazinë) që ruan ngrohtësi gjatë verës dhe që e lëshon gjatë dimrit. Në këtë mënyrë oqeani zbut klimën dhe bën të mundur që mos të ketë diferenca të forta temperature midis dimrit dhe verës.

Malet. Prania e maleve luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e sasisë së reshjeve: ajri i ngrohtë ngjitet përpjetë shpatit duke krijuar re që sjellin reshje të bollshme, ndërkohë që pasi ka arritur në majë të malit, pasi e ka humbur lagështinë e vet, masa ajrore zbret në anën tjetër si ajër i thatë.

Bimësia. Bimësia ndikon si mbi temperaturat edhe mbi reshjet. Bimët përthithin shumë ngrohtësi nga rrezatimi diellor, duke bërë që të pakësohet sasia e rrezatimit diellor që mbërrin në sipërfaqe të tokës. Prandaj, në prani të një mbulese bimore të qenësishme (pyje të dendura) temperaturat janë më të zbutura se në zona të tjera. Po ashtu, bimët lëshojnë shumë avull uji, duke ndikuar mbi sasinë e lagështisë në ajër dhe mbi sasinë e reshjeve.

Klasifikimi i klimave në planet
Nëse do të bazoheshim tek temperaturat që rrjedhin nga rrezatimi diellor, atëherë në planet do të evidentonim tri lloje brezash klimatikë, përkatësisht llojin ekuatorial, llojin mesatar, dhe llojin polar. Dy llojet e fundit ndahen në brezin verior dhe në atë jugor. Por, në vitet 1910, klimatologu ruso-gjerman, Vladimir Koppen hartoi një klasifikim të klimave të botës, që përdoret ende sot. Ky sistem klasifikimi merr në konsideratë brezat bimorë, pra llojin e bimësisë në botë, sepse ai bazohet në konceptin se bimësia e një zone është shprehja më e mirë e klimës, meqenëse çdo bimësi ka kërkesa të veçanta për temperaturën dhe lagështinë. Prandaj thelbi i klasifikimit të Koppenit është kombinimi mbi vlerat mesatare të dy variabëlve themelore: temperaturës dhe reshjeve. Koppen dallon pesë lloje kryesore klimash, të shpërndara sipas gjerësive në rritje (nga Ekuatori drejt Poleve). Brenda çdo grupi, në bazë të sasisë së reshjeve dhe llojit të asocimit bimor, ai dallon tipe dhe nëntipe të tjerë klimash. Por për klasifikimin e klimave mund të përdoren edhe variable të tjera, si p.sh: raporti reshjeavullim, numri i orëve me diell, lartësia mbi nivelin e detit, apo bilanci i rrezatimit. Prandaj, që prej botimit në vitin 1884, klasifikimi i Koppen-it ka njohur disa përditësime. Më i fundit ka qenë përditësimi i gjeografit amerikan Treuartha, i cili identifikon shtatë lloje klimash. Ky korrigjoi disa mangësi të modelit të Koppen-it, veçanërisht faktin që brezi mesatar i modelit të Koppen-it ishte shumë i gjerë, dhe kështu që brenda tij mund të identifikohen edhe nënbreza. Nga Ekuatori në drejtim të poleve, llojet e klimës janë të bazuara mbi vlerat e temperaturës mesatare. Prandaj përdoren termat “megatermike” (vlera të larta të temperaturës mesatare), “mezotermike” (vlera të mesme të temperaturës mesatare ), dhe “mikrotemike” (vlera të ulëta të temperaturës mesatare).