Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.7
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
VULLKANET
Termi “vullkan” rrjedh nga periudha e Romës së lashtë: “Vulcanus” ishte një nga zotat romakë, ai i zjarrit dhe punimit të metaleve. Natyrisht që banorët e qytetërimeve të lashta nuk e njihnin mekanizmin gjeologjik të gjenerimit të vullkaneve. Ne tashmë e dimë se edhe vullkanet janë thjesht demonstrimi i jashtëm i asaj ç’ka ndodh në brendësi të Tokës: gjithçka shpjegohet sot me teorinë e tektonikës së pllakave. Pjesa më e madhe e vullkaneve kryesorë aktivë jo detar është e përqendruar përgjatë harqeve ishullorë apo harqeve vullkanikë. Ky vullkanizëm është i lidhur me procesin e subduksionit në raport me brigjet shkatërrues midis pllakave, përkatësisht në kufijtë konvergjentë.
►Vullkanet dhe elementët përbërës
Vullkanet janë çarje në koren tokësore përmes të cilave dalin materiale magmatike që vijnë nga brendësia e Tokës. Këto çarje mund të jenë në formë pike apo linerare. Një vullkan zakonisht ka formën e një mali me shpate disi të harkuara dhe të rregullta. Ky mal në fakt është koni vullkanik, i krijuar nga ngurtësimi i materialit të lëngët që del prej vullkanit. Në majë të këtij mali gjendet krateri kryesor, nga ku dalin materialet magamtike gjatë shpërthimit. Nuk përjashtohet që një vullkan të ketë edhe krater dytësor që gjenden në lartësi më të vogël se ai kryesori. Shpërthimet nga krateret dytësore janë edhe më të rrezikshme, sepse ndodhen më afër me qendrat e banuara që përgjithësisht popullojnë shpatet e vullkaneve. Krateri ushqehet me materiale magmatike nëpërmjet oxhakut vullkanik, i cili i përthith ato materiale nga rezervuari që quhet “dhoma magmatike”. Kjo “dhomë” gjendet kryesisht në thellësinë nga 2 deri në 10 km thellësi. Materialet vijnë nga manteli, prej nga ku shtyhen për lart nga lëvizjet konvektive për shkak të peshës së tyre të lehtë dhe dendësisë së vogël. Vullkanet mund të klasifikohen mbi bazën e formës dhe mbi bazën e llojit të shpërthimit. Mbi bazën e formës ata ndahen në: vullkane mburojë, dhe vullkane me shtresa. Vullkanet e tipit mburojë kanë shpate jo të pjerrëta (pjerrësi rreth 5°), dhe kanë bazë shumë të gjerë. Ata krijohen kur llavat janë më të lëngshme duke arritur deri në distanca të mëdha përpara se të ngurtësohen. I tillë është vullkani Mauna Kea, në Hawai. Ndërsa vullkanet me shtresa kanë kon vullkanik me pjerrësi më të madhe, dhe prandaj kanë bazë më të vogël. Ata krijohen kur llavat janë më viskoze dhe nuk arrijnë distanca të mëdha para se të ngurtësohen. Klasifikimi, sipas llojit të shpërthimit, i ndan vullkanet në 5 lloje: hauajan, strombolian, vullkanian, vezuvian, dhe pelean. Mbi bazën e evolucionit të ciklit jetësor të një vullkani, ne mund të dallojmë: vullkane aktivë, vullkane të përgjumur, dhe vullkane të shuar. Vullkanet aktivë janë të gjithë ata që janë ende në aktivitet. Treguesit e aktivitetit vullkanik janë tërmetet e vogla që bien vazhdimisht, ekzistenca e magmës në dhomën magmatike etj. Vullkanet aktivë shndërrohen në vullkane të shuar atëherë kur dhoma e tyre magmatike nuk ka më magmë. Vullkanet shuhen atëherë kur pllakat tektonike janë zhvendosur në mënyrë të tillë që vullkanet nuk janë më në kontakt me kufijtë konvergjentë. Vullkani i shuar mund të shndërrohet në një gropë, e cila mbushet gradualisht me ujë, duke e shndërruar atë në një liqen vullkanik.
► Materialet dhe dukuritë vullkanike
Materialet që dalin nëpërmjet shpërthimeve vullkanike mund të jenë në gjendje të ngurtë, të lëngët, dhe të gaztë. Materialet e ngurta. Këto përbëhen kryesisht nga copëza shkëmbi të cilat presioni i shpërthimit i shqit nga muret anësore të oxhakut vullkanik. Këto materiale quhen “piroclaste” (nga greqishtja, piro-zjarr dhe clastis-copëtim). Ato kanë përmasa të ndryshme. Hiri vullkanik përfaqëson grimcat me përmasa më të vogla. Hiri del me forcë në ajër, dhe ndonjëherë ai ngjitet shumë lart dhe mund të qëndrojë për një kohë shumë të gjatë në atmosferë e mund të transportohet në distanca të mëdha nëpërmejt erës. Pjesëzat me përmasa disi më të mëdha janë ato që quhen “lapilet”. Pasi dalin gjatë shpërthimit, ato nuk rrinë gjatë në ajër, por bien përgjatë shpateve të vullkanit ose në afërsi të tij. Shpërthimi vullkanik mund të nxjerrë me forcë edhe pjesëza me përmasa më të mëdha, me peshë deri edhe prej disa mijëra kilogramësh, të cilat quhen “bomba vullkanike”.
Të gjitha materialet piroklaste, më herët e më vonë, bien në tokë dhe për shkak të nxehtësisë së tyre krijojnë një lloj bashkimi me njëri-tjetrin duke krijuar shtresëzime që i quajmë shkëmbinj piroklastikë.
Materialet e lëngëta. Këto materiale janë llava dhe ndonjëherë edhe magma, të cilat kanë temperaturë që shkon nga 600 deri në 1200°C. Llavat ndryshojnë dhe ndahen fizikisht nga magma në dhomën magmatike, sepse nuk kanë përmbajtje gazi. Llavat, menjëherë pas shpërthimit ftohen në ajër dhe shndërrohen në material të ngurtë që bie në tokë si material piroklastik.
Ne dallojmë disa lloje llave: i) llavat me viskozitet të ulët, me përmbajtje silici më të ulët se 52%; ii) llavat me viskozitet të lartë, me përmbajtje silici më të lartë se 65%. Ndodh që vullkani të nxjerrë edhe magmë drejtpërdrejt nga dhoma magmatike. Kur magma është më viskoze, ajo ngurtësohet shpejt si llavë përreth kraterit, duke krijuar konin vullkanik me shpate të pjerrët. Kur magma është në gjendje më të lëngët, llava që del nga krateri mund të përshkojë distanca shumë të mëdha deri sa ngurtësohet, dhe krijon kështu një vullkan të sheshtë me bazë shumë të gjerë.
Materjalet e gazta. Këto materjale janë me natyrë të ndryshme dhe janë të vështira për t’u identifikuar, sepse sapo ata dalin në atmosferë përzihen me gazet e pranishme në ajër. Ndonjëherë vullkanet lëshojnë të ashtuquajturat “re përvëluese”, të përbëra nga gaz dhe pluhur llave në gjendje inkandeshente, dhe që djegin çdo gjë që hasin në rrezen e shpërndarjes së tyre. Kështu ndodhi në vitin 1902, kur shpërthimi i vullkanit Monte Pelee në Martinikë, provokoi vdekjen e 30 mijë personave.
Gazrat që mbizotërojnë në shpërthimet vullkanike janë hidrogjeni, avulli i ujit, dioksidi i karbonit, gazra me bazë squfuri, me bazë klori, me bazë azoti, me bazë fluori etj. Studimi i tyre nuk ka thjesht rëndësi kurioziteti. Duke njohur ato gazra ne kemi mundësi të dimë se si ka qenë përbërja e atmosferës në faqëzat e para të evolucionit të planetit, veçanërisht përpara shfaqjes dhe evolucionit të organizmave të gjalla. Dukuri të tjera vullkanike janë burimet termale dhe geizerat. Geizerat janë një dukuri spektakolare. Ato s’janë gjë tjetër veçse hedhje uji të nxehtë të përzier me avull, që dalin me intervale të rregullta kohore sa herë që uji nëntokësor mbërrin në kontakt me shtresa gjeologjike të nxehta, dhe për këtë shkak arrin shumë shpejt temperaturën e vlimit dhe shpërthen në sipërfaqe.
►Shkaqet dhe përhapja gjeografike
Magma gjendet në mantel, ku i nënshtrohet një trysnie të fortë të ushtruar nga shtresat e litosferës. Kjo forcë, që quhet “trysni litostatike”, e mban magmën në ekuilibër me materialet rreth saj. Veçse, në disa raste, ekuilibri thyhet dhe magma fillon të dalë në sipërfaqe: gjatë kësaj ngjitjeje trysnia litostatike zvogëlohet, gazrat në përbërje të saj çlirohen dhe formojnë bulëza gjigande që ngjiten drejt sipërfaqes. Janë pikërisht këto gazra që e shtyjnë magmën drejt kraterit duke shkaktuar shpërthimin. Dukuria shpërthyese është e ngjashme me daljen e verës së gazuar nga shishja kur trysnia brenda saj pakësohet me hapjen e tapës.
Rreth 90% e të gjithë vullkaneve aktivë gjendet përgjatë linjave të zgjerimit të fundit oqeanik (kufijtë divergjentë, si në Islandë) ose përgjatë zonave të subduksionit (kufijtë konvergjentë, si në Ande apo në Japoni) . Siç e dimë, në zonat e zgjerimit të fundit oqeanik ndodh formim i ri i kores tokësore kur magma del jashtë mantelit për shkak të lëvizjeve konvektive. Ndërsa, në zonat e subduksionit, korja e pllakës oqeanike shtyhet me një kënd 45° për poshtë pllakës kontinentale, dhe arrin kështu deri në mantel ku shndërrohet në gjendje të shkrirë. Për shkak të peshës, ngjitet lart nëpër shtresat e kores kontinentale nën të cilën ndodhet, dhe për këtë arsye vullkanet e Andeve gjenden në pozicione pak më të avancuara se sa vetë kufiri midis pllakave.
Për të provuar këtë është studiuar përmbajtja e magmës që ka krijuar vullkanet e Andeve: u provua se ato s’janë gjë tjetër vecse korja oqeanike e dikurshme, e ricikluar si magmë. Kjo quhet dukuria e “kores së ricikluar”. Megjithatë, disa vullkane nuk lokalizohen përgjatë kufijve mes pllakave, por më në brendësi të këtyre të fundit. Tektonika e pllakave e shpjegon edhe këtë: këto pika të nxehta janë thjesht dalja në sipërfaqen e tokës e “bulëzave” me material të ngurtë, por të nxehtë dhe të lehtë që ngjitet nga thellësitë e mantelit. Pikat e nxehta qëndrojnë në të njëjtin pozicion dhe nuk ndjekin lëvizjet e pllakave litosferike. Por, lëvizja e pllakave shkakton edhe shuarje graduale të disa vullkaneve që largohen shumë nga kufijtë e pllakave.
►Relievi vullkanik
Vullkanet krijojnë reliev vullkanik në kontinent dhe në det. Vullkanet madje ndërtojnë edhe kore tokësore, dhe ata, po ashtu krijojnë edhe stere’, siç është rasti i ishujve apo grupeve të ishujve vullkanikë. Kështu, për të bërë vetëm disa shembuj, ishujt Hawai, ishujt e Indonezisë, dhe ishujt e Japonisë janë rezultat i aktivitetit vullkanik. Malet në ishujt vullkanik janë edhe malet me strukturë më të lartë në botë. Kështu, ne njohim si malin më të lartë majën e Himalajeve, Everestin, që është 8848 m i lartë. Por, ai nuk është në fakt mali më i lartë. Nëse ne e masim malin në të gjithë strukturën e tij, nga fundi i detit e deri në majën e tij, atëherë rekordin botëror si “mali më i lartë” e mban mali Mauna Loa që ngrihet në lartësinë mbidetare 4170m. Por shpatet e Mauna Loas vazhdojnë të pandryshuara edhe nën det, në një thellësi që shkon 5.000 m deri në bazamentin funddetar, prej ku vazhdon edhe për 8.000 m të tjera deri në dhomën e vet magmatike. Kështu, nga baza në thellësi të mantelit e deri në majë të malit, Mauna Loa shënon, gjithsej, 17.170 m lartësi.
► Menaxhimi i rrezikut nga vullkani
Zonat përreth vullkaneve kanë qenë historikisht, gjithmonë, shumë tërheqëse për njerëzit. Dikur kjo lidhej me faktin se toka vullkanike është shumë pjellore, dhe njerëzit i përdornin për kultivim bujqësor. Fatkeqësisht, njerëzit, edhe kur e kanë njohur rrezikshmërinë e një vullkani, sërish kanë krijuar vendbanime dhe ferma përreth tij. Kjo gjë i ka rrezikuar vazhdimisht. Në histori njihen shumë raste të shpërthimeve që kanë shkaktuar mijëra viktima. Rasti më i famshëm nga historia është shpërthimi i vullkanit Vezuv që varrosi në hi qytetin romak të Pompeit në vitin 79 p.e.s., duke vrarë të 11.000 banorët e tij. Që prej fundit të shek. XIX rrënojat e Pompeit vazhdojnë të zbulohen dhe përbëjnë një atraksion të fortë turistik.
Megjithëse Vezuvi njihet si një vullkan aktiv, edhe sot, zona në afërsi të tij dhe përreth qytetit të Napolit, është e banuar dendësisht. Rrjedhimsiht e gjithë popullata dhe pasuritë e tyre janë të rrezikuara. Meqë është e pamundur të largohen banorët e asaj zone, atëherë është gjendur një mënyrë e ndërmjetme: si për çdo vullkan aktiv, edhe këtu është instaluar një “sistem i paralajmërimit të hershëm” i cili vë menjëherë në alarm strukturat e emergjencave civile për të evakuuar banorët në rast se vërehen shënja të aktivizimit të vullkanit. Këto struktura zbatojnë një Plan Evakuimi të banorëve, për t’i larguar ata sa më shpejt nga zona e rrezikut.
Për të shmangur ndonjë katastrofë të mundshme në zonat përreth vullkaneve, ne i mbajmë nën vëzhgim të gjithë vullkanet aktive në botë. Institucionet kërkimore si Universitetet apo Institutet kanë krijuar struktura të monitorimit që quhen “observatorë”, ku shkencëtarë vullkanologë studiojnë me kujdes aktivitetin vullkanik. Ju mund t’i shikoni këto vrojtime në kohë reale në kompjuterin tuaj: http://www.volcanodiscovery.com/erupting_volcanoes.html . Ky monitorim nga afër bën të mundur që të identifikohen të gjitha shenjat që paraprijnë shpërthimet vullkanike, dhe kështu të aralajmërohen komunitetet që të marrin masa.