Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 5.5
NËNTEMATIKA 5 LITOSFERA
FORMIMI I FOSILEVE DHE RËNDËSIA E TYRE DOKUMENTUESE
►Fosilet dhe epoka që ju përkasin, kriteret e fosileve
Mbetjet e gjallesave të epokave më të hershme gjeologjike kanë qenë për një kohë të gjatë objekt i kuriozitetit të njerëzve të thjeshtë. Shpesh here ato janë konsideruar si “shaka të natyrës”, ose si forma të krijuara nga një forcë e mistershme modeluese që ka pushtuar edhe gurët (shkëmbinjtë). Interpretimi i saktë i fosileve është kryer vetëm në fillim të shek. XIX.
Fosilet janë mbetje të organizmave të para bimore ose shtazore në një epokë më të hershme gjeologjike, që ruhen në shkëmbinjtë e kores tokësore. Procesi i fosilizimit është një fenomen që mundësitë e ndodhjes i ka të rralla. Përkundrejt 1 350 000 specie organizmash aktualë njihen vetëm 130 000 specie fosile, që dukshëm nuk mund të përfaqësojnë të gjithë jetën të mbartur në miliona e miliona vjet në planetin tonë. Në të vërtetë besohet se vetëm një specie në 5000 që kanë jetuar në të shkuarën mund të jetë fosilizuar. Jo të gjithë organizmat e vdekur transformohen në fosile, sepse që të ndodhë procesi i fosilizimit duhet të përmbushen dy kushte favorizuese:
– pas vdekjes së organizmit nuk duhet të veprojë aksioni shkatërrues i organizmave predatorë, por tërheqja duhet të bëhet drejt veprimit të agjentëve ekzogjenë;
– duhet të jetë i përfshirë në një klasë sedimentesh të përbëra nga material fine si argjila, baltë, rërë të cilat nuk lejojnë konservimin.
Shkenca që studion fosilet quhet paleontologji. Nën procesin e fozilimit kalojnë pjesët më të forta të organizmit si dhëmbët, kockat, guackat, skeletet, baza gëlqerore dhe druri. Pjesët e buta shkatërrohen nga procesi i dekompozimit. Parimi themelor i paleontologjisë është se organizmat e gjalla i nënshtrohen një evolucioni progresiv e të pakthyeshëm, nga format më të thjeshta në ato më të ndërlikuara. Sipas ligjit të sedimentimit, në kushtet e gjendjes normale të shtresëzimit, mund të themi se, në shtresat më të poshtme takojmë fosile më primitive, ndërsa në shtresat më të sipërme ato të gjallesave më të ndërlikuara. Por jo çdo gjallesë mund të shërbejë si orientues, për caktimin e moshës së shkëmbinjve.
Studiuesit kanë përcaktuar disa fosile udhëzuese, që përmbushin këto kritere:
1. të kenë përhapje sa më të kufizuar në kohë, pra të kenë evoluar shpejt,
2. të kenë përhapje gjeografike sa më të gjerë, sepse kjo do të mundësonte lidhjen shtresave shkëmbore sado larg të jenë ato,
3. të jenë specie që të kenë jetuar me shumicë, me qëllim që të takohen sa më shumë,
4. të kenë pasur skelet ose guackë sa më të fortë, që mundëson një fosilizim sa më të mirë.
Mbi këtë bazë paleontologët kanë përcaktuar kafshët dhe organizmat e gjalla, që kanë jetuar në këtë ose atë kohë, më parë ose më pas, kush ka evoluar më shpejt ose më ngadalë, si dhe kushtet e mjedisit ku ato kanë jetuar. Në këtë mënyrë mbi bazën e metodave stratigrafike e paleontologjike është përcaktuar historia gjeologjike e Tokës, e ndarë në etapa kohore të veçanta mbi bazën e fosileve të caktuara. Këto ndarje ose etapa, përbëjnë shkallën gjeokronologjike, të përbërë në njësi kohore të ndryshme, si: era-periudha-epoka-shekujt.
►Formimi i fosileve
Fosilizimi mund të përfshijë procese fizike dhe kimike të ndryshme. Në disa raste skeletet dhe ngandonjëherë pjesët e buta përballen me procesin e zëvendësimit. Përbërësit organikë zëvendësohen lehtësisht molekulë pas molekule nga substanca minerale të shkrira në ujërat qarkulluese në sediment. Substancat mund të jenë kalciumet, silikati, piriti, allçi etj. Gjatë këtij procesi, vëllimi dhe karakteristikat e strukturave biologjike nuk alternohen, por përbërja kimike ndryshon totalisht p.sh. një guackë gëlqerore transformohet në një fosile të përbërë nga silica ose në kockat e një vertebrori fosfati i kalciumit zëvendësohet nga karbon kalciumi. Shumë interesante është zëvendësimi me silice (SiO2) në fosilet e drurit sepse ato lejojnë ruajtjen e strukturave të brendshme.
Fosilet janë rezultat i procesit të mineralizimit. Në kocka dhe guacka janë shpesh të pranishme pore dhe zgavra që gjatë jetës ishin zënë nga enë gjaku, nerva ose inde të buta. Substancat minerale hyjnë bashkë me ujin në këto zgavra dhe pore dhe precipitojnë e mbushin skeletet e mbetura. Gjatë mineralizimit skeleti dhe guacka nuk ndryshojnë përbërjen e tyre, por ekzistenca e këtyre substancave kimike bëhet edhe më e fortë dhe e qëndrueshme. Fosilizimi mund të krijohet edhe për shkak të karbonizimit. Ky proces vjen nga pjesët organike të një organizmi: përbërësit flurorë si anidridi i karbonit dhe uji eliminohen dhe në vendin e tyre mbetet një pjesë e vogël karbonike që sjell evidencë të pjesëve të buta. Procesi karbonik është i shpeshtë tek bimët e mbetura të varrosura në një mjedis anaerobik (pa ajër). Shpesh ndodh që organizmat ruhen pa qenë e nevojshme t’ju nënshtrohen verifikimeve të ndryshme kimike ose fizike të rëndësishme. Karbonizimi i kafshëve të vogla është më i shpeshtë kryesisht i insekteve të depozituar në qelibar, ose një fosile rrëshirë. E jashtëzakonshme ka qenë zbulimi i mamuthit në akujt siberianë tek i cili ishin ruajtur pjesët muskulore. Shumë fosile nuk janë ndërtuar nga mbetjet e tyre të vërteta dhe të duhura të organizmave të caktuar por nga modelet e tyre apo gjurmët e mbetura. Në shkretëtirë mbetjet e kafshëve mund të ç’hidratohen dhe të ruhen të mumifikuara.
Një model i jashtëm formohet kur një guackë e futur në një shtresë që shndërrohet në gur, shpërbëhet. Në gur mbetet zgavra që jep imazhin negativ të guackës. Herë të tjera sedimenti përqendrohet në brendësi të guackës dhe konsolidohet; nëse guacka shpërbëhet mbetet një model i brendshëm. Ato janë më interesante, sepse mund të ruajnë gjurmët e raporteve midis pjesëve të buta dhe skeletit të jashtëm të organizmit.
Fosilet gjurmë janë gjurmë, pista apo shenja të çfarëdo lloji të lëna nga organizmat jetësorë që mbeten të mbyllura në sediment. Rëndësia e tyre është e përmasave të mëdha sepse na japin informacion të bollshëm nëse ato kanë qenë katër këmbësh apo dykëmbësha, si lëviznin, ushqeheshin apo për vendbanimin e tyre. Mbetjet e jorruazorëve ujorë janë të panumërt në të gjitha epokat e Tokës. Ndërkohë mbetjet e paraardhësve të njeriut të sotëm apo llojet e primatëve janë të pakta dhe të paplota. Kjo varet nga mjedisi, jeta dhe vdekja (në pyllin ekuatorial ku jetojnë primatët proceset kimike dekompozimit janë shumë të shpejta). Por edhe nga struktura e skeletit( Fosilet na përcjellin informacione për të shkuarën, por nuk mund të jepnin një panoramë të plotë të formave të kafshëve ose bimëve që kanë populluar Tokën në vite. Fosilizimi është një ngjarje rastësore e paparashikuar dhe mbi të gjitha e jashtëzakonshme që i intereson një numri të kufizuar individësh. Në mjediset ujore fosilizimi vjen më lehtësisht ku organizmat e vdekur bien në fund të detit dhe varrosen pa shumë problem. Në shtratin e detit procesi i erozionit dhe dekompozimit janë shumë të limituara. Në sipërfaqet kontinentale proceset e fosilizimit janë më të rralla veçanërisht në mjedise shumë të nxehta dhe me lagështirë dhe në vende ku mbizotëron erozioni. Në fund nuk duhet të harrojmë se fosilet e mbetura mund të ndryshojnë ose shkatërrohen. Në shkëmbinjtë magmatikë fosilet gati nuk i gjejmë kurrë, sepse shkrirja e materialeve shkëmbore në temperatura deri 1200 – 1600 °C e bën të pamundur ruajtjen e fosileve në brendësi të shkëmbinjve. Gjithashtu prania e fosileve në shkëmbinjtë metamorfikë është e vështirë. Transformimi i shkëmbinjve sedimentarë në kushtet e një mjedis specifik me temperatura e trysni të larta e zvogëlon mundësinë e ruajtjes së fosileve.