Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 2.4
NËNTEMATIKA 2 HARTOGRAFIA
PROJEKSIONET HARTOGRAFIKE
► Projeksionet hartografike
Procesi i transferimit të një sipërfaqe tridemensionale së bashku me rrjetit gjeografik në plan, si një elipsoid tokësor, quhet projeksion. Mënyrat që njerëzit përdorin për të paraqitur saktë në rrafsh sipërfaqen tredimensionale të Tokës dhe rrjetit gjeografik, quhen projeksione hartografike. Këto projeksione janë të ndryshme dhe deri diku ato i kufizojnë shformimet. Por përmasat e shformimit varen drejtpërdrejt nga sipërfaqja që do paraqitet në hartë. Projeksionet hartografike më të përdorshme janë: projeksioni azimutal, konik dhe cilindrik. Projeksioni azimutal krijohet kur rrjeti i meridianëve e paraleleve projektohet në një rrafsh tangjent me një pikë të Tokës. Ky rrafsh mund të jetë tangjent në pol, në ekuator ose në një pikë ndërmjetëse. Kur plani është tangjent në pol atëherë paralelet shfaqen si rrathë bashkëqendrorë, ndërsa meridianët paraqiten si vija të drejta që dalin nga qendra (poli) me kënde të barabarta. Ky projeksion quhet azimutal polar. Çdo element paraqitet me saktësi të madhe sidomos në gjerësitë pranë polit. Projeksioni konik krijohet atëherë kur rrjeti gjeografik paraqitet në sipërfaqen anësore të konit, që është tangjent me një paralel. Më këtë rast paralelet paraqiten në formë harqesh paralel me paralelin fillestar. Ndërsa meridianët janë vija të drejta të baraslarguara që dalin nga një pikë. Paraqitja e sipërfaqes dhe rrjetit gjeografik është me saktësi të madhe në gjerësitë gjeografike mesatare. Shformimet janë të mëdha drejt majës së konit. Projeksioni cilindrik krijohet nga pasqyrimi i rrjetit gjeografik mbi sipërfaqen anësore të cilindrit tangjent me globin në ekuator. Në këtë rast meridianët e paralelet paraqiten si vija të drejta që ndërpriten me njëri – tjetrin me kënd 90°. Rrjeti gjeografik është elementi bazë i hartës, që përcakton gjithë shformimet e elementëve të tjerë. Përdorimi i një projeksioni të vetëm sjell në mënyrë të pashmangshme shformime. Kështu me projeksionin cilindrik paraqiten saktësisht zonat ekuatoriale, por në zonat polare kemi shformime të mëdha, p.sh. Groenlanda paraqitet më e madhe se Amerika e Jugut. Prandaj për krijimin e hartave sidomos atyre shkollore, ku sipërfaqja është e pandryshueshme, përdoren duke u ndërthurur një ose dy projeksione.
►Si të ndërtojmë një hartë?
Lundruesit në antikitet dhe hartografët e parë kishin përshkruar dhe dizenjuar mbi fletë tiparet kryesore të sipërfaqes tokësore që ata kishin parë: brigjet, malet, lumenjtë etj. Ato ishin përshkrime shumë të përafërta që kërkonin të jepnin një ide të territorit të parë nga syri i njeriut. Rritja e njohurive prej udhëtimeve të shumta dhe domosdoshmëria e paraqitjes me detajim e saktësi hartografike, solli nevojën e krijimit të një metode të vërtetë për hartimin e një harte.
Për të ndërtuar një hartë është e nevojshme:
– Të zgjedhësh tipin e projeksionit më të përshtatshëm për tematikën e hartës;
– Të hedhësh rrjetin bazë gjeografik;
– Të njohësh pozicionin e pikave gjeodezike të territorit që dëshiron të paraqitësh;
– Të bësh një koleksion të saktë të të dhënave që duhet të jenë të ilustruara nga harta;
– Të përdorësh një kampion të caktuar shenjash e ngjyrash konvencionale për të paraqitur objektet që ekzistojnë në sipërfaqen tokësore, sepse mbi bazën e kësaj njohurie bazohet më pas interpretimi i hartës;
Më vonë pasi është pasqyruar rrjeti i meridianëve dhe paraleleve është e nevojshme të individualizohen të gjithë elementët (kuotat, largësitë, drejtimet) të nevojshme për paraqitjen e territorit që ndodhet në çdo hallkë të rrjetit gjeografik. Për realizimin e një qëllimi të tillë përdorim metodën e triangulacionit dhe rilevimin topografik ose aerofotogrametik.
►Triangulacioni dhe rilevimi topografik
Për të krijuar triangulacionin e një territori të caktuar zgjidhen dy pika A dhe B të dalluara mirë në terren. Pika të tilla që quhen kulme ose pika trigonometrike hidhen në hartë. Masim distancën e tyre (që është dhënë nga drejtëza AB) të cilën e quajmë bazë gjeodezike, e cila zakonisht nuk i kalon disa qindra m. Më pas zgjidhet një pikë e tretë C e dallueshme nga pikat A e B. Bashkohen të tre pikat dhe kështu formohet një trekëndësh nga i cili maten këndet e bazës nëpërmjet një teodoliti (pajisje me dylbi që shërben për të matur me saktësi këndet azimutale e zenitale). Nëse në një trekëndësh njohim një brinjë dhe dy kënde kufitare mund të llogaritim elementët e tjerë pra gjatësinë AC dhe BC dhe këndin tjetër të trekëndëshit. Më pas zgjedhim si bazë gjeodezike e një nga 2 brinjët e tjera, p.sh., brinjën BC në lidhje me një pikë të re. Duke vazhduar me të njëjtin sistem ndërtojmë edhe trekëndësha të tjerë pra një rrjet që vjen e bëhet gjithnjë e më i dendur. Në këtë mënyrë kemi gjetur distancat dhe pozicionin e një numri të madh pikash sipas shkallës së zgjedhur. Por nuk njohim veçoritë e territorit të përfshirë në çdo trekëndësh. Prandaj duhet të kryhet rilevimi topografik që lejon të matë drejtpërdrejt distancat, kuotat dhe drejtimet e pjesës më të madhe të pikave në brendësi të çdo rrjeti trekëndëshash. Ky proces që vijon me krijimin e izoipseve quhet nivelim.
Kohët e fundit është prezantuar edhe sistemi i studimit aerofotogrametrik që zëvendëson triangulacionin me trifaqezimin, pra matjen e brinjëve e trekëndëshave shumë të mëdhenj të kryera nga radari. Për të realizuar këtë tip studimi fluturohet mbi një rajon dhe merren fotografi të zonës kufitare me territorin nga pika të ndryshme. Këto imazhe vëzhgohen në mënyrë të mbivendosur dhe me ndihmën e instrumentave të posaçëm të quajtur kthyes fotogrametrikë që marrin imazhe tridimensionalë të zonës në fjalë. Një nga arritjet më të fundit të teknikës hartografike është se aerofotogrametria realizon vrojtime edhe në kushtet e këqija vizuale (mot me vranësira dhe reshje). Ndërsa në procesin e triangolacionit në ditët e sotme matja e të dhënave bëhet në mënyrën më të saktë të mundshme me instrumente me rreze laser. Por satelitët artificialë të pajisur me instrumente vëzhguese shumë më të ndjeshëm se sa objektivi fotografik kanë hapur perspektiva të reja. Telerilevimi ose rilevimi i sipërfaqes së Tokës me anë satelitësh solli një progres të rëndësishëm në hartografi. Në fakt satelitët janë një platformë e shkëlqyer vëzhguese nga e cila mundësohet paraqitja në rrafsh e oqeaneve dhe kontinenteve gjë që nuk realizohet me mjetet tradicionale të rilevimit.
Informacioni i siguruar prej satelitëve është shumë i madh. Prej tyre është e mundur të kontrollohet ndryshueshmëria e nivelit të ujit në basenet artificiale hidroenergjetike dhe në rrjedhjet lumore të zonave të gjera. Gjithashtu mund të krahasohen imazhet e të njëjtës zone në përparimet dhe tërheqjet akullnajore, zgjerimet e shkretëtirave, përhapjet e përmbytjeve të ndodhura në distanca mujore, duke mundësuar edhe vlerësimin e ndikimit të tyre në ekosisteme dhe komunitetet përreth. Me rëndësi të madhe janë edhe zbulimet e mineraleve që shpesh zonohen në hapësira të kufizuara tokësore, si p.sh., bakri, uranium etj. Për zbulimet meteorologjike sot janë në përdorim satelitët meteosat të vendosur në orbita gjeostacionare që lejojnë të vëzhgohet në vazhdimësi në një pikë fikse lidhur me Tokën një pjesë e gjerë e sipërfaqes së saj. Teknika e telerilevimit ose skanimit të Tokës në largësi quhet remote sensing. Ajo është realizuar përmes satelitësh si ato landsat dhe bazohet në shpërndarjen jo të njëjtë të energjisë elektromagnetike që përcjellin trupat me veti të ndryshme fizike e kimike. Remote sensing evidenton aspekte të ndryshme që zhvillohen në sipërfaqen tokësore si p.sh., forma erozioni në strukturat gjeologjike; mbulesat bimore, tipin e kulturave bujqësore dhe gjendjen e tyre vitale; apo edhe ndotjen e ujit. Paraqitja e sipërfaqes tokësore përmes imazheve satelitore nuk mund të zëvendësojë hartat klasike. Por ajo ndihmon dhe jep mundësi për të vëzhguar në kohë reale dhe njëkohësisht ngjarje komplekse në sipërfaqe të gjera që do të ishin të pamundura të zbuloheshin nga Toka.