Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 3.10
NËNTEMATIKA 3 ATMOSFERA
RETË DHE RESHJET
Në një masë ajri të ngopur me avuj uji, çdo sasi që del mbi këte nivel, do të kondensohet: kështu krijohen retë dhe në vijim reshjet. Por procesi është më i ndërlikuar. Uji në gjendje të pastër ngrin vetëm në temperaturën -40°C. Ai mund të ngrijë edhe në temperatura më të larta se kjo vetëm kur hyn në kontakt me grimca të ngurta akulli. Këto grimca janë të përmasave 10 mikron (10 të mijtat e milimetrit) ose më të vogla, por zmadhohen në kontakt me ujin në atmosferë. Duke u zmadhuar, kristalet bëhen më të rënda dhe fillojnë të bien në drejtim të tokës. Nëse temperatura afër tokës është nën +4°C, atëherë do të kemi reshje dëbore, ndërsa, nëse është mbi + 4°C, atëherë kristalet shkrijnë dhe do të kemi reshje shiu.
►Llojet e reve
Në sytë tanë, retë kanë tipare të ndryshme për nga forma, madhësia, ngjyra, etj. Në meteorologji retë ndahen sipas lartësisë në të cilën krijohen: të larta, të mesme, dhe të ulta, të cilat kanë shtrirje gati horizontale. Dallojmë edhe retë vertikale të cilat shtrihen më së shumti vertikalisht. Le të shohim llojet më të rëndësishme.
Retë e larta krijohen kryesisht në kushtet e përparimit të një fronti të ngrohtë, kur masa e ajrit të ngrohtë ngjitet me ngadalësi përgjatë masës së ftohtë ajrore. Këto re janë kryesisht të karakterizuara nga forma delikate dhe ngjasojnë si kacurrela floku apo si pupla. Ato krijohen në lartësitë 6-12 km lartësi. Përbëhen kryesisht nga kristale akulli që transportohen nga era, dhe përgjithësisht nuk japin reshje. Llojet janë: retë puplore, retë puplore-shtresore, puplore-shtëllungore, shtresore të larta, shtëllungore të larta.
Retë e ulta janë përgjithësisht si shtresa-shtresa, prandaj edhe marrin këtë prapashtesë në emërtim. Ato gjenden në lartësi deri në 2 km nga toka, dhe japin reshje të bollshme. Llojet janë: “retë shtresore të ulta” që krijohen deri në 600 m lartësi (dhe për shkak të trashësisë së vogël nuk japin reshje) dhe “shtresore të shiut” të cilat japin reshje të dobëta.
Retë vertikale janë shumë të rëndësishme për pasojat e tyre. Ato krijohen në kushtet e përparimit të një fronti të ftohtë, kur masa e ajrit të ftohtë e shtyn masën ajrore të ngrohtë në një lëvizje të shpejtë vertikale që quhet “konvektive”. Këto lloj resh shtrihen në lartësi dhe mund të arrijnë trashësinë prej 8 km. Ato shkaktojnë reshje të bollshme dhe në formë rrebeshi. Llojet kryesore të reve vertikale janë: retë shtëllungore të zeza (ose retë e stuhive), shtresore-shtëllungore, shtëllungore të larta, etj.
►Kushtet e krijimit të reshjeve
Retë dhe reshjet krijohen, kur ajri nuk e mban dot lagështinë e tepërt. Lagështia del e tepërt në dy raste, që praktikisht kanë të njëjtën origjinë, tejkalohet pika e ngopjes së lagështisë në ajër. Rasti i parë është kur shtohet sasia e lagështisë absolute në ajër, për shkak të shtimit të avullimit, ndërsa rasti i dytë është kur ulet temperatura e ajrit (dhe rrjedhimisht ngrihet lagështia relative). Ulja e temperaturës së ajrit ndodh atëherë, kur një masë ajri ngjitet lart ose përgjatë një shpati mali i cili i del përpara ose vertikalisht, në një lëvizje “konvektive” (nga latinishtja, convectus-përcjell, zhvendos). Në rastin e ngjitjes përgjatë një shpati mali, ndodhin ato që i quajmë “reshje orografike” (nga greqishtja, “reshje mali”) ndërsa në rastin e zhvendosjes vertikale të ajrit, ndodhin ato që i quajmë “reshje konvektive”. Reshjet orografike ndodhin në çdo zonë ku ka male në të cilat përplasen erëra që sjellin ajër më të ngrohtë se ekzistuesi. Të tilla raste në Shqipëri janë, mali i Dajtit, vargmalet e Skënderbeut, mali i Cikës përgjatë bregut të detit Jon, malet e Alpeve Perëndimore etj. Në zonën e Alpeve Perëndimore ndodhet edhe pika me reshjet më të shumta në vendin tonë, në Bogë. Ndërsa reshjet konvektive ndodhin kryesisht në zonat ku kalon një front i ftohtë i cili shtyn me forcë lart ajrin e ngrohtë që gjen, dhe shkakton reshje në formë rrebeshi.
►Reshjet sipas përbërjes
Për nga gjendja fizike e ujit të tyre, reshjet i ndajmë në 3 lloje: shi, dëborë, breshër. Mekanizmi fizik i fazës së parë, pra i krijimit të kristaleve të ujit që formojnë reshjet, është i njëjtë. Ç’ka ndryshon, janë kushtet e fazës së rënies së reshjeve.
– Shiu përfaqëson reshjet në formë të lëngët. Kemi reshje shiu atëherë, kur temperatura afër tokës është mbi 4°C. Sasia e ujit që bie si shi, ushqen drejtpërdrejt qarkullimin e ujit në tokë: ujërat nëntokësore dhe ato sipërfaqësore.
– Dëbora është në gjendje të ngurtë. Kemi reshje bore atëherë, kur temperatura afër tokës është nën 4°C. Sasia e ujit që bie si dëborë ka mundësinë që të mbetet në gjendje të ngurtë për një periudhë kohe që shkon nga disa muaj, deri në disa shekuj apo mijëvjeçarë. Madje ka zona në Tokë, ku bora që bie çdo vit, nuk shkrin kurrë. Këto quhen zona të dëborës së përjetshme. P.sh, në Antarktidë, dëbora nuk shkrin të paktën prej mbi 800 mijë vjetësh, duke u kthyer në akull të shtresëzuar dhe në akullnajë.
– Breshëri krijohet, po ashtu në temperatura të ulta si në rastin e dëborës, por sipas një procesi të ndryshëm. Breshëri formohet, kur kristalet e ujit fillojnë të bien duke shkrirë, dhe më tej, në mënyrë të papritur era e shtyn sërish lart masën ajrore, duke bërë që të ngrijnë sërish pikat e ujit. Sa më shumë të ngjitet, aq më shumë pika uji u bashkëngjiten kristaleve të akullit duke bërë që kokrrat e breshërit të zmadhohen. Ky proces mund të përsëritet disa herë. Nga pesha e vet e madhe breshëri bie në tokë më shpejt se dy llojet e tjera të reshjeve. Breshëri shkakton shumë dëme, sidomos në bujqësi.
► Matja e reshjeve
Kur studiojmë reshjet, ne përllogarisim elemente të tillë si: sasia ditore apo vjetore e reshjeve, sasia maksimale e reshjeve, intensiteti i reshjeve, regjimi vjetor i reshjeve, shpërndarja gjeografike e reshjeve. Ne masim sasinë e reshjeve nëpërmjet dy instrumentave. Më i thjeshti është “pluviometri” (nga fjala latine pluvio-shi, dhe fjala greke metër-matje) i cili është thjesht një enë e shkallëzuar që na tregon se sa mm reshje kanë rënë në një kohë të caktuar. Pluviometri duhet lexuar menjëherë, pasi mbarojnë reshjet, ndërsa “pluviografi” (nga fjala latine pluvio-shi, dhe fjala greke grafo-shkruaj) i shënon automatikisht reshjet e rëna. Këto matje na japin “sasinë 24-orëshe të reshjeve”, ndërsa matjet gjatë gjithë vitit na japin “sasinë vjetore të reshjeve” në një zonë të caktuar. Kur studiojmë një vend apo një rajon të caktuar në të cilën ka shumë pika matjeje, ne mund të evidentojmë se cila është pika me sasinë maksimale të reshjeve. Kështu p.sh, në Shqipëri sasia maksimale vjetore e reshjeve bie në Bogë (Alpet Perëndimore të Shqipërisë), në sasinë rreth 3100 mm në vit. Këto reshje janë reshje orografike, sepse janë si pasojë e përplasjes në shpatet e Alpeve të masave ajrore të lagëta që vijnë nga deti Adriatik. Një element i rëndësishëm i studimit të reshjeve, është edhe intensiteti i reshjeve. Me intensitet do të kuptojmë “sasinë e reshjeve të rëna në njësi të kohës”. Për shembull, e njëjta sasi reshjesh mund të bjerë gjatë 30 minutave ose edhe gjatë 5 minutave. Në rastin e dytë themi që intensiteti ishte më i madh. Kur intensiteti i reshjeve është i madh, atëherë ato janë reshje në formë rrebeshi, ose reshje torrenciale (nga fjala latinisht torrent-përrua) Studimi i intensitetit të rënies së reshjeve është jetik për zonat që rrezikojnë të përmbyten. Të gjithë elementët e mësipërm na japin atë që e emërtojmë regjimi vjetor i reshjeve të një zone të caktuar, pra, mënyra se si janë të shpërndara reshjet gjatë vitit. Kur vrojtimet janë shumëvjeçare, ne mund të përdorim termin “regjim shumëvjecar i reshjeve”. Në planetin tonë ne kemi disa lloje regjimesh shumëvjeçare të reshjeve, si ekuatorial, tropikal, mesdhetar, kontinental, oqeanik, musonik, shkretinor, polar etj. Shqipëria përfshihet në regjimin mesdhetar. Kjo do të thotë që reshjet janë të përqëndruara, kryesisht, në gjysmën e ftohtë të vitit. Vitet e fundit është vërejtur një rritje e rastisjes së reshjeve në formë rrebeshi. Kjo po ndodh edhe në Shqipëri. Shumica dërrmuese e ekspertëve të klimës e lidhin këtë me ndryshimet klimatike që po ndodhin. Shpërndarja e reshjeve mbi sipërfaqen e Tokës ndryshon në varësi të shumë faktorëve, si gjerësia gjeografike, afërsia me detin, relievi dhe pengesat orografike, lartësia mbi nivelin e detit etj. Reshjet janë më të shumta në gjerësitë më të vogla gjeografike, në zonat më afër detit, ku ka edhe pengesa orografike, dhe në lartësitë më të vogla mbi nivelin e detit. Për ndërtimin e hartave të shpërndarjes së reshjeve në botë përdoren izohietat ( vija që bashkojnë vendet me sasi të njëjtë reshjesh atmosferike).