Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.8
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
FORCAT E JASHTME DHE TJETËRSIMI
Në mësimet e deritanishme mbi dinamikën e Tokës, kemi mësuar për forcat e brendshme (endogjene, nga greqishtja endo-brenda dhe genis-origjinë). Në mësimet e mëtejshme do të shohim se si veprojnë forcat e jashtme (eksogjene, nga greqishtja ekso-jashtë dhe genis-origjinë). Sipërfaqja tokësore është një tërësi formash të çrregullta që alternohen dhe ndërfuten tek njëra-tjetra. Kështu, fusha aluvionale, bregdetet, kodra, vargmale, pllaja dhe rrafshnalta, lugina dhe ultësira, pasojnë njëra-tjetrën si në një film të ngadalësuar, dhe marrin çdo moment pamje të ndryshme. Relievi që shohim dhe njohim sot nuk ka qenë kështu para 1000 vjetësh, para 10 mijë vjetësh, dhe aq më pak para 200 milionë vjetësh.
►Agjentët e jashtëm
Korja e Tokës është në ndryshim të vazhdueshëm edhe në saj të agjentëve të jashtëm: me këtë term do të kuptojmë të gjitha ata faktorë që veprojnë nga jashtë litosferës duke shkaktuar shpërbërjen e shkëmbinjve, sheshimin e relievit, dhe krijimin e fushave. Agjentët kryesorë të jashtëm janë: ndryshimet e temperaturës, era, ujërat e shiut, lumenjtë, akujt dhe akullnajat, valët dhe rrymat detare. Veprimi i tyre ushtrohet nëpërmjet tri fazave:
1. Shpërbërja dhe erozioni i shkëmbinjve sipërfaqësorë, që shndërrohen në copëza;
2. Transporti i copëzave, që forca e rëndesës dhe ujërat rrjedhëse i tërheqin nga mali drejt pjesëve më të ulta;
3. Depozitimi i copëzave në zona pak a shumë të largëta nga ajo e origjinës.
Agjentët e jashtëm, pra, nga një anë ushtrojnë veprim shkatërrues përmes procesit të sheshimit të relievit, dhe nga ana tjetër kryejnë veprim ndërtues meqënëse nëpërmjet depozitimeve ata mbushin depresionet dhe pjesë të fundit detar, duke krijuar kështu fusha dhe ultësira.
►Tjetërsimi meteorik
Degradimi (ose tjetërsimi) meteorik është shpërbërja dhe prishja e sipërfaqeve shkëmbore nëpërmjet veprimit të agjentëve atmosferikë, sidomos të temperaturës dhe lagështisë. Vetë termi “meteorik” (nga greqishtja, meteoron-dukuritë qiellore) e shpjegon këtë. Dallojmë disa lloje tjetërsimesh: fizik, kimik, dhe biologjik. Tjetërsimi fizik shkakton shpërbërjen fizike të shkëmbinjve, pa shkaktuar asnjë ndryshim në përbërjen kimike të tyre. Tjetërsimi kimik përfaqëson ndryshime në natyrën kimike të shkëmbinjve, duke çuar në formimin e substancave të reja dhe të ndryshme nga ato të origjinës. Tjetërsimi biologjik përfaqëson ndryshimet në fortësinë dhe përbërjen kimike të shkëmbinjve nën veprimin e organizmave të gjallë. Të tri këta lloje tjetërsimesh veprojnë njëkohësisht. Ne mund të dallojmë që, p.sh., tjetërsimi fizik është mbizotërues në zonat e thata, ndërsa tjetërsimi fizik mbizotëron në zonat e lagëta. Tjetërsimi fizik, ose mekanik, i shkëmbinjve kryhet nëpërmjet tri dukurive: krioklastizmi, termoklastizmi, dhe aloklastismi. Pjesa fundore e termit, pra “klastizmi”, është e përbashkët dhe do të thotë “copëzim”, ndërsa pjesa e parë tregon mekanizmin me të cilin kryhet copëzimi, dhe do të thotë përkatësisht “krio-ftohtë”, “termo-nxehtë”, dhe “alatikripë”.
Krioklastizmi mund të quhet ndryshe edhe “copëzimi nga ngricat”. Kjo është dukuri e gjerësive gjeografike të mëdha ose e zonave malore, ku mungon mbulesa bimore, por ndodh edhe në zonat mesatare. Në tërësi kjo dukuri shkaktohet nga luhatjet e mëdha të temperaturave, të cilat duke u ulur dhe ngritur nga nën 0°C në mbi 0ºC, shkakton ngrirjen dhe shkrijen e ujit që penetron nëpër çarjet dhe poret e shkëmbinjve. Uji, duke u ngrirë e rrit volumin e vet dhe kështu ushtron trysni të fortë mbi paretet e çarjeve ku ndodhet. Kështu çon në krisjen dhe shpërbërjen graduale të shkëmbinjve. Sa më të shpeshta e të shpejta të jenë kalimet e ujit nga gjendja e ngrirë në gjendje të lëngët dhe ansjelltas, dhe sa më e madhe është përshkueshmëria dhe frakturimi i shkëmbinjve, aq më i madh është ky veprim copëzimi krioklastik. Copërat e shkëmbinjve të krijuara nga ngricat përgjithësisht janë të ashpra dhe me cepa, dhe quhen krioklaste.
Termoklastizmi është copëzimi i materialeve shkëmbore për shkak të luhatjes së temperaturave midis ditës dhe natës. Shkëmbinjtë bymehen nga i nxehti dhe tkurren nga i ftohti, dhe pra rrisin ose zvogëlojnë vëllimin e vet. Në këtë mënyrë ata pësojnë një seri çarjesh dhe krisjesh, të cilat pak e nga pak zgjerohen dhe i shndërrojnë pjesët sipërfaqësore të shkëmbinjve, që janë edhe pjesët më të ekspozuara ndaj ndryshimeve të temperaturës dhe të volumit, në copa pak a shumë të mëdha. Pasojat më të ndjeshme të termoklastizmit hasen në zonat ku luhatjet e temperaturës midis ditës dhe natës janë më të mëdha dhe më të shpeshta. Raste tipike ku termoklastizmi është i lartë janë:
i) zonat shkretinore dhe zonat malore me nivel të ulët lagështie dhe pa bimësi;
ii) zonat me shkëmbinj me përbërje heterogjene, ku përbërësit e ndryshëm bymehen dhe tkurren në masë të ndryshme ç’ka rrit mundësinë për shpërbërje;
iii) zonat me shkëmbinjë me ngjyrë të errët, të cilët përthithin më shumë energji ngrohtësie dhe kështu bymehen më shumë. Në këtë rastin e fundit, pra të shkëmbinjve magmatikë të errët (si granitet apo bazaltet) ndodh edhe dukuria e “eksfoliatizimit”, pra e “heqjes shtresa-shtresa”, që është shpërbërja dhe copëtimi i shkëmbinjve në shtresa paralele me sipërfaqen e jashtme.
Aloklastizmi është procesi i veprimit të kripës në çarjet e shkëmbinjve ku ndodhet. Kripa, duke u fryrë për shkak të ujit, apo duke u kristalizuar për shkak të avullimit, mund të shkaktojnë trysni në paretet e çarjeve, dhe kështu mund t’i shkatërrojë ata shkëmbinj. Zonat më tipike të këtij lloj tjetërsimi fizik janë ato përgjatë brigjeve detare, ku era dhe sprucot e ujit detar sjellin substanca kripe në kontakt me shkëmbinjtë. Po ashtu, edhe era mund t’i transportojë këto substanca në distanca më të mëdha, dhe mjafton procesi i lagies dhe tharjes gjatë ditë-natës që të aktivizojë procesin e aloklastizmit. Kjo është arsyeja se pse ndërtesat në breg të detit janë më të ekspozuara ndaj degradimit të fasadave të tyre.
►Tjetërsimi kimik
Tjetërsimi kimik vepron nëpërmjet dukurive si hidroliza, hidratimi, kalcifikimi, dhe oksidimi. Hidroliza (nga greqishtja, hidro-ujë dhe lisio-zgjidhje) do të thotë “shpërbërje nëpërmjet veprimit të ujit”. Kjo dukuri vepron kryesisht mbi shkëmbinjtë silikatë, pra shkëmbinjtë vullkanikë, mbi pjesën dërrmuese të shkëmbinjtë metamorfikë, dhe mbi pjesën më të madhe të shkëmbinjve sedimentarë. Mekanizmi është ky: shkëmbinjtë sulmohen nga produktet e shpërbërjes idrolitike të ujit, pra nga jonet H+ dhe OH- , veprim i cili është në përpjestim të drejtë me temperaturën. Për këtë shkak, hidroliza është më e fortë në zonat ndërtropikale me klimë të nxehtë dhe me lagështirë.
Hidratimi ka të bëjë me kapjen e molekulave të ujit nga disa minerale, të cilët në këtë mënyrë ndryshojnë natyrë dhe përgjithësiht shtojnë vëllimin e tyre. Kështu p.sh., argjilat hidratohen, dhe për këtë shkak në dimër fryhen nga uji, ndërsa në verë thahen e tkurren në volum dhe për këtë shkak çahen.
Kalcifikimi ka të bëjë me shkëmbinjtë karbonatikë, veçanërisht me ata gëlqerorë. Shkëmbinjtë gëlqerorë, në prani të dioksidit të karbonit dhe të ujit të shiut apo atë të ujërave rrjedhëse, fillojnë një reaksion kimik të pandalshëm. Karbonati i kalciumit (Ca CO3) që është përbërësi kryesor i këtyre shkëmbinjve, shndërrohet në bikarbonat kalciumi Ca(HCO3)2 i cili tretet në ujë dhe merret e transportohet nga ujërat rrjedhës. Për këtë shkak, shkëmbinjtë karbonatikë u nënshtrohen proceseve të tretjes dhe gërryerjes që quhen “dukuri karstike”. Për këtë do të flasim në një mësim të veçantë. Në natyrë ndodh edhe procesi i kundërt me tretjen: tretësira që përmban bikarbonat mund ta ridepozitojë atë në formë kalciti.
Oksidimi ka të bëjë kryesisht me mineralet e hekurit dhe magnezit, të cilët në kontakt me oksigjenin e ajrit apo atë të ujit shndërrohen në okside ose në hidrokside. Ky proces jep nuanca të ndryshme ngjyrash (të verdhë, të kuqe, të zezë, të kafenjtë, ngjyrë ndryshku etj.) në shkëmbinjtë e tjetërsuar. Ngjyra ndryshon edhe nga sipërfaqja në brendësi të shkëmbinjve.
►Tjetërsimi biologjik
Me veprimin tejçpues të rrënjëve të tyre bimët mund të zgjerojnë dhe të zgjasin çarje të mëparshme, duke shkaktuar një copëzim të blloqeve shkëmbore. Krahas veprimit të drejtpërdrejtë të shpërbërjes mekanike që ushtron bimësia, ajo ka edhe veprim kimk jo të drejtpërdrejtë. Kjo u detyrohet disa substancave acide që lëshohen nga shpërbërja e mbetjeve bimore. Po ashtu, rrënjët e bimëve si edhe disa specie kafshësh, hapin nëntokë “galeri” të gjata që lehtësojnë qarkullimin e ujit dhe të ajrit, duke favorizuar kështu tjetërsimin fizik dhe kimik. Por nga ana tjetër, duhet patur parasysh edhe e kundërta: që prania e një mbulese bimore ndihmon që toka të mbahet më e bashkuar, duke zvogëluar kështu rrezikun e rrëshqitjeve. Po ashtu, mbulesa bimore mbron shkëmbinjtë nga luhatjet e mëdha të temperaturës.