Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 6.1
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
BIOSFERA DHE FAKTORËT NDIKUES NË ZHVILLIMIN E BOTËS ORGANIKE
►Kuptimi i biosferës
Ne e dimë se planeti ynë përbëhet nga një grup mbështjelljesh disa nga të cilat shtrihen në gjithë globin dhe disa të tjera e mbulojnë atë pjesërisht. Biosfera është zona e jetës, streha e të gjithë gjallesave. Ajo përfshin bimësinë, kafshët dhe njerëzit. Meqenëse ka organizma të gjallë që zhvillohen në dhe (që nga ana tjetër është përbërës i litosferës) dhe bimë të mbjella në të edhe dherat përfshihen në biosferë. Në fakt hapësira gjeografike ku jetojnë të gjitha qeniet e gjalla është mjaft e gjerë. Ajo përfshin pjesën e poshtme të atmosferës, si dhe pjesën e sipërme të litosferës dhe hidrosferës. Biosfera shtrihet në lartësi prej dhjetëra km mbi nivelin e detit e shfrytëzuar nga zogjtë në fluturim, në thellësi të oqeanit prej më shumë se 8 km në çarjen e Porto Rikos. Përtej këtyre ekstremeve shtresa që përmban jetën në Tokë është e hollë: atmosfera e sipërme ka pak O2 dhe temperatura shumë të ulta, ndërsa thellësitë e oqeanit më të mëdha se 1000 m janë të errëta dhe të ftohta. Për këtë arsye mund të thuhet se Biosfera është si cipa e një kokrre molle. Biosfera formohet nga mjedise jetësore që dallohen qartë njëri nga tjetri. Një mjedis jetësor përbën një bashkëjetesë të vetëqëndrueshme të bimëve dhe kafshëve të gjalla me mjedisin fizik jo jetësor: këto mjedise ndryshe quhen ekosisteme. Biosfera është shuma e të gjithë ekosistemeve. Biosfera është një ekosistem global i përbërë nga organizmat e gjallë biotikë (të gjallë) dhe faktorët abiotikë (jo të gjallë) nga të cilët ata marrin energji dhe ushqim. Biosfera është një sistem i karakterizuar nga lëvizja e vazhdueshme e lëndës dhe një rrjedhje shoqëruese e energjisë diellore, në të cilën molekulat dhe qelizat e mëdha janë vetëprodhuese. Uji është një faktor kryesor, sepse e gjitha jeta varet tek ai. Elementët si C, H, nitrogjeni, O, P dhe sulfuri kur bashkohen si proteina, yndyrëra karbohidratet dhe acidet nukleikë sigurojnë blloqet ndërtuese konstruktive, lëndën djegëse dhe drejtimin për krijimin e jetës. Rrjedhja e energjisë kërkohet për të mbajtur strukturën e organizmave me anë të formimit dhe shpërndarjes të lidhjeve të fosfatit. Organizmat janë qeliza në natyrë dhe gjithmonë përmbajnë një strukturë membrane mbështjellëse dhe të gjitha këto kanë acide nukleikë që ruajnë dhe transmetojnë informacionin gjenetik.
►Faktorët ndikues mbi zhvillimin e botës së gjallë
Historia e zhvillimit të jetës në Tokë është paralel me formimin e atmosferës. Atmosfera më e hershme më shumë se 3 miliard vite më parë, ishte e pasur me gaze si: metan, amoniak, dioksid karboni, dhe avuj uji. Rreth 40 vite më parë shkencëtari Stenli Miller mbushi një termus atë çka ai e konsideronte si atmosferën e hershme. Më pas ai vendosi në kontrollin e shkarkimit elektrik dhe të vlimit përmbajtjen gazore (pjesa më e madhe e kores ishte vullkanike dhe e kuqe, e nxehtë). Kjo çoi në formimin e aminoacideve, kubet e proteinave, që janë përbërësit e të gjitha gjallesave në Tokë. Një shkencëtar tjetër u përpoq të ngrinte të njëjtët komponentë dhe nga ai eksperiment dolën material organike që formojnë një nga përbërësit e ADN, që është çelësi i jetës. Besohet se këto eksperimente kopjuan atë që kishte ndodhur me të vërtetë në Tokë mbi 3 miliard vite më parë, ngjarje që udhëhoqën në formimin e molekulave të para komplekse në oqeanin primitive. Format e hershme të jetës, pra algat njëqelizore e bakteret dolën nga këto molekula. Gjallesat janë të shumëllojshme në Tokë, apo planetin e vetëm ku ka jetë në sistemin tonë diellor. Llojshmëria e lartë e gjallesave në planetin tonë pasqyron larminë e mjedisit gjeografik. Organizmat e gjalla kanë kërkesat e tyre jetësore të cilat shpesh herë përputhen me vlerat që mjedisi ofron në një zonë të caktuar. Në rast se kërkesat e gjallesave nuk përputhen me kushtet e mjedisit ku ato ndodhen atëherë ato kanë dy mundësi: të përshtaten, ose të zhduken. Përshtatshmëria shoqërohet ose me shtegtim të gjallesave dinamike si kafshët, shpendët, ose me evoluim, zhvillim të gjallesave statike si bimësia. Ekzistojnë një numër faktorësh që kanë ndikuar dhe ndikojnë në llojshmërinë e evolucionin të gjallesave në planetin tonë, si p.sh, energjia diellore, kushtet klimatike, relievi, veprimtaria antropogjenë. Energjia diellore përcakton direkt apo edhe indirekt me dritën e energjinë e saj jetën e gjallesave. Pa praninë e dritës nuk do të zhvillohej procesi i fotosintezës: dritë e energji 6 CO2 + 12 H2O →C6H12O6 + 6 O2 + 6H2O dioksid ujë karbohidrate oksigjen ujë karboni.
Nga ana tjetër forma sferike e planetit tonë përcakton shpërndarjen zonale të energjisë diellore dhe njëherazi të kushteve klimatike mbi Tokë. Kjo sjell që rrezatimi, temperatura, trysnia, erërat e reshjet të jenë në vlera jo të njëjta nga ekuatori në pole. Vlerat e elementëve klimatikë kushtëzojnë edhe përhapjen e botës bimore dhe shtazore sipas zonalitetit horizontal (brezat e nxehtësisë, mesatarë e polarë) e vertikal. Një rol të rëndësishëm luan edhe relievi. Si një konkluzion i ndikimit të përbërjes e strukturave gjeologjike, të tektonikës, vullkanizimit etj. relievi është i ndryshueshëm. Kjo larmi e theksuar ndikon në zhvillimin sidomos të tokave dhe bimësisë, ndërsa më pak të kafshët e shumë pak të njeriu i sotëm. Nëse në periudha të tjera gjeologjike radha e faktorëve ndikues mbi gjallesat do të kishte pak a shumë këtë renditje, aktualisht njeriu ka rritur së tepërmi rolin e tij ndikues e përcaktues mbi organizmat e gjalla. Zhvillimi human në dimensionet e shumta që e karakterizojnë atë si urban, industrial, komunikativ etj. direkt apo edhe indirekt po cenon kushtet jetësore të shumë biocenozave (tërësinë e organizmave të gjalla të llojeve të ndryshme që jetojnë në një ekosistem)