Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 3.6
NËNTEMATIKA 3 ATMOSFERA
LAGËSHTIA E AJRIT
►Çfarë është lagështia e ajrit?
Ajri i atmosferës ka një përqindje të caktuar avujsh uji, e cila ndryshon nga njëri vend në tjetrin dhe nga njëri moment i ditës apo i vitit në tjetrin. Këtë e ndjejmë edhe ne ndonjëherë, kur themi: “ajri sot është i lagësht”, apo “ajri në Durrës ka shumë lagështi” etj. Kjo sasi avujsh e pranishme në ajër e ka prejardhjen nga procesi i avullimit: në përqindjen më të madhe nga avullimi prej sipërfaqeve ujore të planetit dhe shumë më pak nga avullimi prej bimësisë dhe sipërfaqes së steresë. Kjo sasi e pranishme e avujve të ujit në ajër quhet lagështi e ajrit. Ajo ndikon mbi dukuritë meteorologjike, mbi kushtet e mjedisit të organizmave të gjallë dhe mbi mirëqenien e njeriut.
►Treguesit e lagështisë
Lagështinë e ajrit e matim duke studiuar katër elemente: lagështinë absolute, lagështinë maksimale, pikën e ngopjes dhe lagështinë relative.
Lagështia absolute (LA). Sasia e avujve të ujit në përbërje të ajrit në një moment të caktuar është lagështia absolute e atij ajri në atë moment. Në gjuhë të ndryshme ajo shënohet me akronimet përkatëse, si AH, UA, HA etj, ndërsa në shqip shënohet LA (nga Lagështia Absolute). Për të përcaktuar LA-në e një zone, në një moment të caktuar, matim se “sa gram avuj uji gjenden në 1 m3 ajër” në atë moment të caktuar. LA-ja shprehet me g/m3 , pra “gram për metër kub ajër”. LA-ja ndryshon në varësi të temperaturës së ajrit, sipas një përpjesëtimi të drejtë: sa më shumë rritet temperatura e ajrit, aq më shumë rritet lagështia absolute në ajër. Pse? Sepse rritja e temperaturës së ajrit në një moment të caktuar bën që të shtohet avullimi nga sipërfaqet ujore dhe tokësore, si edhe nga evapotranspiracioni (frymëmarrja) i bimësisë. Ky shtim avullimi favorizon futjen në përbërje të ajrit të një sasie më të madhe avujsh uji, duke bërë që LA-ja të rritet. Kjo lidhje e LA-së, që është në përpjesëtim të drejtë me temperaturën, çon drejt një faktori tjetër që e përcakton atë: lartësia mbi nivelin e detit. Kuptohet se lidhja është në përpjesëtim të zhdrejtë: sa më e madhe të jetë lartësia mbi nivelin e detit, aq më e ulët është LA-ja në ajër. Kjo vjen për shkak se me rritjen e lartësisë ulet temperatura e ajrit dhe si rrjedhim ulet avullimi dhe sasia e lagështisë në ajër. Sasia e lagështisë në ajër ka një pikë maksimale ku mund të mbërrijë. Kjo quhet lagështia maksimale. Sa më e lartë të jetë temperatura, aq më e madhe është sasia e ujit në gjendje të gaztë që ajri mund të përmbajë. Pika e lagështisë maksimale ka një vlerë të caktuar për çdo temperaturë të ajrit. Disa prej këtyre vlerave janë paraqitur në tabelë. Kur arrihet vlera maksimale e parashikuar, për një temperaturë të caktuar, ajri ka arritur “pikën e ngopjes”. Në këtë moment, nëse sasia e avujve të ujit shtohet, apo nëse temperatura zbret, fillon procesi i “kondensimit të avujve të ujit”, ose shndërrimi i ujit nga gjendje e gaztë në gjendje të lëngët. Për këtë arsye, nëse lagështia në ajër nuk ndryshon, por temperatura ulet menjëherë, atëherë një sasi e caktuar lagështie del tepër dhe si rrjedhim shtohen mundësitë për të rënë shi. Kjo ndodh sepse pika e ngopjes varet nga temperatura e ajrit: sa më shumë të rritet temperatura, aq më i etur bëhet ajri për avuj uji, pra aq më e lartë bëhet pika e ngopjes. Bazuar mbi tabelën e mësipërme, marrim një shembull: nëse sasia e lagështisë mbetet e pandryshuar, por temperatura zbret nga 25ºC në 20ºC, do të zvogëlohet edhe sasia maksimale e lagështisë. Si rrjedhim diferenca midis 23,07 g/m3 dhe 17,32 g/m3, (pra një sasi uji prej rreth 5,6 g/m3) do të kondensohet. Këtë rregull mund ta verifikojmë me një vrojtim nga e përditshmja jonë: në një ditë të ftohtë dimri, ajri që nxjerrim me gojë ka një sasi lagështie dhe një temperaturë më të madhe sesa mjedisi rrethues. Si rrjedhim mund të shihet qartë formimi i avujve të ujit në sasinë respektive, që përbën diferencën mes dy sasive përkatëse të lagështisë që kondensohet. Kështu, nëse diferenca është midis 35 dhe -3ºC, lagështia që do të kondensohet është në sasinë rreth 35g/m3 ajër i frymëmarrjes (shiko tabelën).
Lagështia relative (LR). Lagështia relative është raporti midis lagështisë absolute dhe lagështisë maksimale. Meqë është raport, LR-ja shprehet në përqindje, ku vlera 100% i përkon pikës së ngopjes së ajrit në një temperaturë të caktuar. LR-ja varet nga dy faktorë:temperatura dhe lagështia absolute.
►Kondensimi
Kondensimi i avujve të ujit të ndodhura në ajër, jep dy lloje dukurish meteorologjike: grupi i mjegullave dhe grupi i reshjeve. Mjegullat. Mjegulla është kondensimi i avujve të ujit që shndërrohen në pikla shumë të vogla uji me dimension 5-10 mikron (të mijtat e milimetrit). Ato ia ndryshojnë cilësitë optike ajrit, duke ia pakësuar tejdukshmërinë. Sipas Organizatës Meteorologjike Botërore, mjegull është atëherë kur njeriu shikon deri në më pak se 1000 m largësi. Mjegulla krijohet në afërsi të sipërfaqes së tokës, kur lagështia relative e një mase ajrore arrin 100%. Mekanizmat e arritjes së lagështisë relative 100%, pra të krijimit të mjegullës, janë dy: ose rritja e lagështisë absolute në ajrin afër sipërfaqes së tokës, që formon “mjegullën e avullimit”, ose ulja e temperaturës së ajrit në afërsi të sipërfaqes së tokës, që formon “mjegullën e ftohjes”. Në grupin e fundit të mjegullave futen edhe “mjegullat e rrezatimit”. Këto formohen zakonisht pas perëndimit të diellit, kur toka lëshon energji nëpërmjet pasqyrimit, duke çuar në ftohje të saj. Temperatura e shtresave të ajrit afër tokës ulet, duke bërë kështu që të arrihet më shpejt kufiri i ngopjes, i cili çon në kondensimin që krijon mjegullën.
Reshjet. Reshjet janë të ngurta (bora, breshëri, bryma) dhe të lëngëta (shiu, vesa). Vesa është njëra nga format e reshjeve atmosferike në gjendje të lëngët. Ajo paraqitet si pikla uji mbi sipërfaqen e tokës apo mbi bimësinë afër saj. Vesa krijohet atëherë kur avujt e ujit në përbërje të ajrit bie në kontakt me sipërfaqe më të ftohta. Ndërsa, nëse këto sipërfaqe janë me temperaturë nën 0ºC, atëherë nuk formohet vesë, por brymë.