Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 6.2
NËNTEMATIKA 6 BIOSFERA
BREZI I BIMËSISË MESDHETARE
►Bimësia natyrore e brezit mesdhetar
Mjedisi jetësor në Shqipëri klasifikohet në “zonën mesdhetare”, që shtrihen në gjerësitë gjeografike 30°-45°, në zonën klimatike subtropikale. Bimësia mesdhetare nuk gjendet vetëm buzë detit Mesdhe, por edhe në zona të tjera të planetit që kanë kushte të përafërta klimatike dhe të relievit me të. Natyrisht që zona më tipike është ajo e brigjeve të Mesdheut, prej nga ka marrë edhe emrin vetë ky mjedis. Klima e mjediseve mesdhetare mund të përshkruhet me 3 tipare: dimër i butë dhe i lagësht; verë e nxehtë e dhe e thatë; reshjet janë të përqendruara kryesisht në gjysmën e ftohtë të vitit me 600 deri 1000 mm në vit. Zona e Mesdheut konsiderohet si djepi i të gjitha qytetërimeve, për shkakun se rreth këtij deti kanë lulëzuar qytetërime të lashta që njëri pas tjetrit kanë përcaktuar qytetërimin tonë Europian dhe botëror. Për shkak të këtij përdorimi të hershëm, mjedisi natyror në Mesdhe është ndër më të ndikuarit dhe ndër më të degraduarit nga njeriu. Edhe territori i vendit tonë bën pjesë në mjedisin mesdhetar. Një nga pasojat aktuale të këtij degradimi historik është edhe bimësia e sotme e saj. Bimësia tipike natyrore e Mesdheut ka qenë ajo e pemëve të larta, por shpyllëzimi masiv gjatë 3000 vjetëve të fundit kur njeriu mesdhetar filloi të përdoret metalet ka bërë që kjo bimësi e lartë të mos ripërtërihet dot më. Aktualisht, bimësia tipike e Mesdheut është mbulesa bimore “makje mesdhetare”. Vetë termi “makje” (nga latinishtja, makjenjollë) tregon tipin e bimësisë që e mbulon territorin në mënyrë jo të vazhduar, por si njolla-njolla. Një pjesë e territorit të Shqipërisë ka mbulesë bimore dhe shtazore tipike për zonat me klimë mesdhetare malore. Kjo është veçanërisht tipike në zonat veriore, verilindore, dhe juglindore të vendit tonë. Në këto zona gjendet bredhi.
Në Shqipëri katet bimore janë:
1. Kati i shkurreve mesdhetare 0-700 m lartësi. Këto janë shkurre me gjelbërim të përhershëm. Ndër speciet shkurrore përmendim shqopën, dëllinjën, dafinën, gjineshtrën, etj. Ndërsa ndër llojet drusore me gjelbërim të përhershëm gjenden pisha e butë, qiparisi, Krahas shkurreve, në zonën më pranë bregdetare mesdhetare rriten bimë aromatike barishtore tipike si rozmarina, mendërza, sherbela, rigoni, etj;
2) Kati i dushqeve nga 700-1000 m lartësi, ku gjenden dushqet, gështenjat, etj;
3) Kati i ahut nga 1000 deri 1800 m lartësi, ku rriten pisha, bredhi etj;
4) Kati i kullotave alpine mbi 1800 m lartësi, ku rritet bimësi barishtore.
►Ndikimi njerëzor në bimësinë mesdhetare
Për shkak të pranisë së hershme të qytetërimeve, tipar karakteristik i Mesdheut është shndërrimi i mjedisit natyror në mjedis të kultivuar. Kultura mesdhetare është karakterizuar nga krijimi nga ana e njeriut i “tarracave” me gurë dhe me dhe’. Këto tarraca quhen “tarraca mesdhetare”: krijohen me gurë gëlqerorë të vendosur në të thatë, përgjithësisht pa lidhje (çimento apo qereste), dhe që krijojnë bazë për mbajtjen e dheut, i cili ruhej me kujdes nga erozioni. Në këtë mënyrë janë kultivuar shpatet e kodrave me ndërtim gjeologjik karbonatik apo flishor. Në këto tarraca janë praktikuar që në lashtësi olivikultura (kultivimi i ullirit), vitikultura (vreshtaria), pemëtaria, dhe mbjellja e perimeve. Më vonë, pas shek. XV, në Mesdhe u soll kultura e agrumeve, nga Kina e largët. Këtë kulturë e posedonin fillimisht vetëm ata që e sollën, udhëtarët portugezë, prej nga vjen edhe emri “portokall”. Por bima tipike mesdhetare mbetet ulliri, aq sa është e vështirë të thuash nëse është pjesë e bimësisë natyrore apo e bimësisë së kultivuar. Aq të lidhura janë bima e ullirit me zonën mesdhetare saqë ulliri konsiderohet edhe si “indikator” jo i drejtpërdrejtë i zonave me klimë tipike mesdhetare. Në Mesdhe ka drurë ulliri shumë të vjetër, deri edhe 3000 vjeçarë. Edhe në Shqipëri kemi disa drurë të lashtë ulliri të evidentuar tashmë nga agronomët dhe biologët, si në Berat, Tiranë, Vlorë etj. Ulliri është edhe përbërësi tipik i dietës ushqimore “mesdhetare”, për shkak të vetive të jashtëzakonshme ushqimore që ka. Edhe në Shqipëri tradita gastronomike me bazë ulliri është e fortë.