Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 1.4
NËNTEMATIKA 1 SISTEMI YNË DIELLOR DHE TOKA
TRUPAT E TJERË QIELLORË TË SISTEMIT TONË DIELLOR
Sistemi ynë diellor përveç planetëve përbëhet edhe nga një numër trupash të tjerë qiellorë që, për nga madhësia, renditen sipas kësaj radhe: asteroidet, kometat, meteorët dhe meteoritët. Ata ashtu si planetët qëndrojnë në orbita të caktuara në marrëdhënie me Diellin, trupin qendror të sistemit tonë.
►Asteroidët
Asteroidet janë trupa qiellorë të vegjël me diametër jo më tepër se 650 km. Ata janë të errët, sepse ndriçohen si të gjithë trupat përbërës të sistemit tonë diellor nga drita e Diellit. Asteroidet janë trupa shkëmborë të çrregullt, që nga përbërja janë të ngjashëm me Tokën. Pjesa dërmuese e tyre (97%) lëvizin në orbita midis Marsit dhe Jupiterit, duke plotësuar një boshllëk në vargun e planetëve nga Dielli. Për këtë arsye mendohet se asteroidet janë mbeturinat e ndonjë planeti të shkatërruar. Gjithashtu, origjina e tyre mund të jetë edhe nga fragmentarizmi në vijueshmëri i përplasjes midis trupave shkëmborë të përbërë nga Fe dhe Ni, të cilat nuk arritën të formonin një planet të vetëm.
Deri tani janë zbuluar rreth 2000 asteroide, por mendohet se numri i tyre mund të arrijë në 100.000. Ata kanë përmasa të ndryshme dhe diametri i tyre shkon nga disa qindra m, më të vegjlit, në 800 km tek asteroidi më i madh, Ceresi. Orbitat e asteroideve janë të ndryshme. Një pjesë e mirë e tyre orbitojnë në trajtë eliptike në hapësirën midis Marsit dhe Jupiterit. Asteroide të tjera si p.sh., Hidalgoja, nga njëra anë i afrohet Dielli gati sa orbita e Marsit, në anën tjetër largohet deri afër orbitës së Saturnit.
►Kometat
Kometat janë trupa qiellorë, që nuk kanë dritën e tyre, por pasqyrojnë dhe bëhen të dukshme prej dritës së Diellit. Mendohet se ato janë trupa përbërës të sistemit tonë diellor dhe numri i tyre mund të arrijë në 100 miliardë me masë sa 1/100 deri në 1/10 e masës së Tokës. Por mund të ketë edhe kometa të reja që vijnë nga zona të largëta të hapësirës dhe qëndrojnë në sistemin tonë diellor.
Ato rrotullohen rreth Diellit, sipas një trajektoreje eliptike, shumë të zgjatur dhe duken si “yll me bisht”. Pra, bishtat e tyre përcaktuan edhe vetë emrin e tyre: kometë-greqisht “flokëgjatë”. Elementet kryesore të kometës janë: koka dhe bishti Në qendër ndodhet bërthama, e cila përbëhet nga një përzierje (konglomerat) lëndësh poroze meteoritësh me gaze të ngrira si metan, avull uji, amoniak dhe gaz karbonik. Temperaturat tepër të ulëta të hapësirës kozmike i kalojnë këto materiale të kometës në gjendje agregate, të ngurtë. Kur kometat i afrohen Diellit, një pjesë e lëndës avullon për shkak të rrezatimit të fuqishëm diellor që bie mbi to. Koka e kometës ruan shpejtësinë e lëvizjes si një trup i ngurtë. Ndërsa pjesa tjetër e saj, e përbërë nga gazet, duke patur shpejtësi lëvizjeje më të vogël, ngelet pas në trajtën e një bishti me gjatësi nga disa dhjetëra e qindra mijëra km në 200-300 milionë km. Bishti i saj zgjatet e zgjerohet për shkak të erës diellore dhe e gjithë kometa fillon të ndriçojnë.Kometat kanë kohë rrotullimi të ndryshme. Erika është një kometë që ka rrotullimin më të shkurtër 3 vjet e 4 muaj. Kometa Hallej rrotullohet rreth Diellit çdo 76 vjet.
► Meteorët dhe meteoritët
Meteorët janë copëza kometash dhe asteroidesh që hyjnë në atmosferën tokësore nga hapësira kozmike me shpejtësi 12–72 km/sek. Ata ndizen në jonosferë si rezultat i forcës së fërkimit në temperatura prej disa mijëra e mijra gradësh. Ky proces shoqërohet me një vetëtimë drite të shkurtër të ndjekur nga një agim i shndritshëm. Gjurma ndriçuese, që del për një moment në qiell çdo natë, në rrugëtimin e saj është quajtur meteor ose “yll i shkëputur”. Gjatë vitit, Toka ka periudha kohore kur në rrugën e saj qiellore ndesh në zona me përqendrim grimcash të shumta të ngurta. Këto grimca, pasi hyjnë në atmosferë dhe marrin zjarr, digjen në mënyrë madhështore në trajtën e një shiu meteorësh. Një nga pamjet më të bukura ka qenë shiu meteorik i 12 nëntorit të vitit 1833 që vazhdoi Meteorë pa ndërprerje për 9 orë, duke arritur deri në 35.000 në orë. Në rast se këta trupa të ngurtë nuk arrijnë të digjen në atmosferë dhe bien në sipërfaqen e Tokës, atëherë ata quhen meteoritë. Kjo ndodh në rastin kur përmasat e tyre janë të mëdha, si dhe kur trajektorja e tyre është gati pingule me sipërfaqen e Tokës. Meteoritët i ndajmë sipas përbërjes prej: hekuri dhe nikeli (66%); të gurtë ose silikate (26%) dhe të përzierë, silikate dhe hekuri. Meteoriti më i rëndë që ka rënë në Tokë është ai i Afrikës së Jugut, me peshë rreth 60 tonë.