Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.3
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
OROGJENEZA DHE LËVIZJET LUHATËSE
►Orogjeneza
Të gjitha vargjet malore që gjenden mbi Tokë janë krijuar dhe krijohen si pasojë e shtyrjeve që ushtrojnë pllakat midis tyre, siç e treguam në mësimin tjetër: ky proces i formimit të vargjeve malore quhet orogjenezë. Vetë termi “orogjenezë” dhe “lëvizje orogjenetike” kanë kutpimin “krijim i maleve” (nga greqishtja, oros-mal, dhe genesis-krijim ose origjinë). Në antikitet mendohej se malet janë njësi të pandryshueshme, të krijuara nga Toka apo nga një fuqi e mbinatyrshme, por të destinuara të qëndrojnë kështu sic janë në formë apo lartësi. Por, në mes të shek. XV u zbuluan fosile të vjetra të organizmave detare në shkëmbinjtë e Alpeve të Europës, dhe për pasojë, filloi të ndërtohej hipoteza se malet nuk janë njësi të pandryshueshme, por ato mund ta kenë origjinën nga fundi i oqeaneve, dhe të kenë dalë në sipërfaqe e të jenë lartësuar në sajë të dukurive të ndryshme tokësore. U pa se të gjitha malet dhe vargjet malore janë të përbërë nga shkëmbinj sedimentarë me origjinë detare (shkëmbinj të krijuar në fundin e deteve dhe oqeaneve nga procesi i sedimentimit dhe proceset që e pasojnë), të cilët janë deformuar thellësisht nga metamorfizmi, dhe më tej janë deformuar dhe thyer nga shkëputje tektonike apo nga dalja e shkëmbinjve vullkanikë mespërmes tyre.
►Mekanizmi i orogjenezave
Procesi i orogjenezës (ose i malformimit) mund të ndahet në dy faza: faza e parë e sedimentimit, dhe faza e dytë e shtypjes së sedimenteve dhe ngritjes së tyre. Për fazën e sedimentimit dhe të shtypjes së tyre, ju mund të kujtoni mësimet e kaluara mbi shkëmbinjtë sedimentarë. Faza e dytë në vijim mund të ndodhë për shkak të dy lloj veprimesh midis pllakave tektonike: për shkak të subduksionit (nënfutjes) së një pllake oqeanike nën një pllakë kontinentale. Kur dy pllaka afrohen përgjatë kufijve konvergjentë (shkatërrues), njëra rrëshqet nën tjetrën. Rezultati është zinxhir:
i) krijohet fillimisht një hark vullkanesh për shkak të shkrirjes së kores që nënfutet, dhe për shkak të ngjitjes së llavës së krijuar (meqë është më e lehtë dhe me dendësi më të vogël) drejt sipërfaqes; ii) më tej pason faza e orogjenezës, pra e ngritjes së një vargu të ri malor. Shembulli më tipik i orogjenezës së nxitur nga një hark vullkanik është vargmali i Andeve në Amerikën e Jugut. për shkak të përplasjes së dy pllakave që përfshijnë seicila nga një kontinent dhe nga një pjesë oqeanike. Në momentin e parë, afrimi midis tyre con në reduktimin gradual të oqeanit që i ndan. Korja oqeanike hyn në subduksion nën koren kontinentale (që është më pak e dendur, dhe pra më e lehtë). Në përfundim të këtij procesi oqeani do të jetë zhdukur, dhe brigjet e pjesëve kontinentale të pllakave kontaktojnë mes tyre. Ky është momenti kur fillon orogjeneza, dhe kur fillojnë të krijohen malet. Kështu janë krijuar Himalajet dhe Alpet e Europës, por për këtë do të flasim më poshtë.
►Orogjenezat kaledoniane, herciniane dhe alpine
Gjatë historisë gjeologjike të planetit mund të kenë ndodhur shumë faza orogjeneze, por deri tani ne kemi arritur të identifikojmë tri faza orogjeneze. Provat për këto orogjeneza janë malet ose mbetjet e maleve të krijuar gjatë tyre. Këto tri orogjeneza janë tri periudha gjatë së cilave përplasjet midis pllakave kanë qenë më të shprehura duke rezultuar në formim të maleve që ekzistojnë ende sot në një formë apo në një tjetër. Për të kuptuar këto tri faza të orogjenezës le të marrim si pikë referimi evolucionin e kontinentit tonë, Europës.
Orogjeneza Kaledoniane, ka filluar për shkak se pllaka që përbënte bërthamën prej bazalti të Europës u përplas me pllakën e Amerikës së Veriut. Gjatë saj u krijuan: një pjesë e maleve të Anglisë, kodrat e sotme të Uellsit (nga kodrat Kaledoniane të Uellsit ka marrë edhe emrin e gjithë orogjeneza), dhe Alpet Skandinave. Në Amerikën e Veriut janë krijuar Malet Apalashe, që janë malet më të vjetra në SHBA.
Orogjeneza Herciniane ka filluar për shkak të përplasjes së pllakës Euroaziatike me pllakën Afrikane. Gjatë saj në Europë u krijuan masivi i Ardeneve, masivi Bohem, Masivi Qendror Francez, dhe malet Urale. Më vonë, në periudhën midis 250 dhe 100 milionë vjet më parë, të gjitha këto masive malore iu nënshtruan veprimit të erozionit, i cili i rrumbullakosi dhe i uli. Sedimentet që krijoi erozioni u depozituan: një pjesë në fundin e detit Tetis që ndante Europën me Afrikën (i cili u tha gjatë orogjenezës Alpine duke i nxjerrë depozitimet në sipërfaqe e duke krijuar male); një pjesë e mirë e sedimenteve u depozituan duke krijuar pllajën franko-gjermanike dhe gjithë platformën ruse. Në vijim, midis 100 dhe 65 milionë vjet më parë filloi orogjeneza Alpine, e cila vazhdon edhe sot. Alpet e Europës dhe të gjitha vargmalet e Shqipërisë, kanë të njëjtën moshë dhe të njëjtën origjinë. Ato i përkasin pikërisht orogjenezës alpine. Ato janë formuar rreth 50 milionë vjet më parë, kur pllaka afrikane zhvendosej drejt veriut, aty ku sot është Europa. Në atë kohë deti Tetis (që ndante Afrikën, Arabinë, dhe Indinë në jug nga Europa dhe Azia në veri), fillonte procesin e mbylljes së tij graduale. Shkëmbinjtë vullkanikë dhe sedimentarë që përbënin fundin oqeanik të Tetis-it u përthyen e u rrudhosën, u shtynë kundër kontinenteve, mbihipën tek njeri-tjetri në mënyrë pak a shumë kaotike, deri sa në fund u ngritën duke krijuar kështu të gjitha vargmalet rreth e qark detit Mesdhe. Kjo fazë orogjeneze quhet “orogjeneza Alpine”, dhe është më e reja midis tri të tillave që njohim. Prandaj edhe malet e orogjenezës Alpine quhen “male të reja”: që nga malet Atlas në Afrikë, në Alpet e Europës, në Malet Taurus në Azinë e Vogël, e deri në malet e masivit të Himalajeve në Azi. Orogjeneza Alpine vazhdon ende sot dhe provat për këtë janë të shumta. Pllaka afrikane përparon drejt pllakës euroaziatike me një ritëm prej disa cm në vit. Ndërsa Malet Himalaje vazhdojnë të zhvendosen drejt veriut për shkak të shtytjes nga pllaka indiane, si edhe vazhdojnë të ngrihen me 8mm çdo vit.
►Lëvizjet vertikale të kores tokësore
Ndërkohë që lëvizjet në shkallë të gjerë të kores tokësore ndodhin pothuajse të gjitha në drejtim horizontal, shpeshherë zhvendosjet lokale bëhen në drejtim vertikal. Ato e marrin forcën lëvizëse sidomos nga lëvizjet horizontale të pllakave, por mund të ndodhin edhe në distanca të mëdha nga brigjet e pllakave. Këto lloj lëvizjesh pra janë lëvizje të ngadalshme të pjesëve të veçanta të kores tokësore në drejtim vertikal. Pra këto pjesë, ose ulen ose ngrihen. Kështu p.sh., i gjithë gadishulli Skandinav ngrihet si një bllok i vetëm, me një ritëm prej disa mm në vit: këto quhen “lëvizje luhatëse”. Këto lloj lëvizjesh ndonjëherë quhen edhe lëvizje “epirogjenike”, pra “krijuese të steresë” (nga greqishtja epiros-stere’, dhe genesis-krijim) meqenëse ngrenë pjesë të mëdha të kontinentit. Shkaqet e këtyre lloj lëvizjeve janë ende duke u studiuar. Një nga shkaqet më të shpeshta është “eustatizmi i përgjithshëm”: tërësia e dukurive që janë në origjinë apo pasojë e ndryshimeve të nivelit të detit.
Treguesi më i dukshëm i lëvizjeve luhatëse është pikërisht ngritja ose rënia e nivelit të detit. Detet dhe oqeanet në tërësinë e tyre janë një lloj vaske gjigante niveli i ujit të së cilës ndryshon për disa shkaqe: a) për shkak të ndryshimit të përmasave të vetë “vaskës”. P.sh., nëse pellgu i kësaj “vaske” reduktohet për shkak të lëvizjes së pllakave, ndërkohë që sasia e ujit mbetet po ajo, niveli i detit do të rritet; b) për shkak të shtimit apo pakësimit të ujit në të. P.sh., nëse do të shkrinte akulli kontinental i Groenlandës dhe Antarktidës, niveli i detit do të rritej me disa metra. Apo, p.sh., gjatë periudhave akullnajore, kur pjesa më e madhe e ujit ishte larguar nga deti nëpërmjet avullimit dhe ishte fiksuar në kontinent si akull, niveli i detit ra me disa dhjetëra metra deri në 200 m. Në rastin e gadishullit Skandinav që përmendëm më lart, kur stereja e këtij gadishulli ishte e ngarkuar me akullnaja (gjatë periudhave të akullzimit), pesha e saj rritej dhe ai zhytej edhe më shumë në astenosferë: pra niveli i detit si tregues i kësaj lëvizjeje, ngrihej. Ndërsa, kur stereja e Skandinavisë filloi të çlirohej nga pesha e akullit të vet kontinental (që prej 12 mijë vjetësh kur ka mbaruar periudha e fundit e akullzimit), pesha e vetë steresë ra dhe për këtë shkak ajo filloi të ngrihej: niveli i detit, si tregues i dukshëm i kësaj lëvizjeje, filloi të bjerë. Përllogaritet se, që prej fillimit të ngritjes së Skandinavisë 13 mijë vjet më parë, amplituda e kësaj lëvizjeje luhatëse të këtij gadishulli ka arritur në rreth 70-120 m. Kjo lloj lartësie bën që këto lloj lëvizjesh të quhen edhe “kontinent-krijuese”.
Por, ndërkohë që Skandinavia ngrihet për shkak të shkrirjes së akujve kontinentalë, për të njëjtin shkak është ngritur edhe niveli i detit duke e kompensuar disi këtë ngritje të kontinentit. Këtë lloj lëvizjeje luhatëse ngritëse (ose pozitive) e përjeton i gjithë kontinenti Europian, në përpjesëtim me peshën që i është çliruar atij nga shkrirja e akujve kontinentalë. Lëvizjet luhatëse mund të jenë edhe ulëse (ose negative) në rast se pesha e kontinentit rëndohet sërish nga akujt. Lëvizjet ngritëse mund të shkaktohen edhe nga lehtësimi i peshës së steresë për shkak të erozionit të masës së saj. Eustatizmi i përgjithshëm bën që të tentohet gjithmonë ekuilibri midis kores dhe astenosferës, njësoj si ato copat e drurit që pluskojnë mbi ujë.