Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 1.1: Gjithësia dhe teoritë e krijimit të saj

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 1.1

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

GJITHËSIA DHE TEORITË E KRIJIMIT TË SAJ

Gjithësia, drita dhe hapësira e saj
Hapësira qiellore e përbërë nga yjet, planetët, satelitët, kometat, asteroidet dhe pluhuri kozmik quhet Gjithësi ose Univers, ndërsa grekët e lashtë e quanin Kozmos. Gjithësia është e pakufizuar në kohë e hapësirë dhe pafundësisht e shumëllojshme në format që merr materia në procesin e zhvillimit të saj. Për të kuptuar përmasat e gjithësisë dhe për ta matur atë përdorim konceptin e dritës dhe shpejtësinë e saj prej 300.000 km/sek. Sipas ligjeve të fizikës dimë se kjo është shpejtësia maksimale që mund të arrihet në natyrë. Dritës i duhet pak më shumë se 1 sek për të përshkuar largësinë Tokë – Hënë prej 384.000 km. Ndërsa diametri i sistemit tonë diellor prej 11.800 milionë km përshkohet nga drita për 10 orë 55 min 33 sek. Megjithatë, përmasat “gjigante” të sistemit tonë diellor janë të papërfillshme përballë hapësirës së Galaktikës sonë, ku dritës së Diellit i duhet ta përshkojë nga njëri cep te tjetri për 100. 000 vjet.

Yjësitë, konstelacionet dhe galaktikat
Natën, në kupën qiellore, njerëzit mund të shohin lehtësisht një numër të madh yjesh. Shpeshherë fantazia na bën të shohim ngjashmëri midis vendndodhjes së tyre dhe imazheve të figurave të ndryshme. Njerëzit e parë i kanë grupuar yjet duke u dhënë emra mitologjikë, ndërsa më vonë edhe emra kafshësh, shpendësh e gjallesash të ndryshme. Pikërisht sipërfaqja qiellore brenda grupimit të yjeve që bashkohen sipas një forme (figure) të caktuar përbën një konstelacion. Sot njihen 88 konstelacione të emërtuara me emrat antikë, gjë, e cila është konsideruar si ruajtje e një monumenti të lashtë kulturor. Disa prej tyre shihen zakonisht në hemisferën veriore, ndërsa të tjerë lehtësisht në kupën qiellore të hemisferës së j ugut. Çdo natë, kur qielli është i kthjellët, ne shquajmë konstelacionin e Arushës së Madhe, të Arushës së Vogël, ylli i fundit i së cilës qëndron pingul mbi Polin e Veriut. Kurse banorët e hemisferës jugore shohin yjësinë e Mizës, Hidrës, Bricjapit etj. Pranë çdo ylli grumbullohen trupa më të vegjël qiellorë me forma, përmasa e veti fizike të ndryshme. Ekzistenca e tyre në sisteme të veçanta, të ngjashme me sistemin tonë diellor quhen yjësi. Vendndodhja e lëvizja e tyre qiellore përcaktohet në bazë të ligjit të Tërheqjes Universale, i cili na ndihmon të krijojmë “ndërtesën” e gjithësisë. Por edhe yjësitë janë në lidhje me njëra-tjetrën duke formuar galaktikat. Forma e tyre është e ndryshme dhe i diferencon ato në:

– Galaktikat spirale, përmbajnë sasi të mëdha pluhuri ndëryjor dhe hasen yje të zinj të ndryshëm. Në fazën fillestare yjet më të vjetër ishin lokalizuar në krahët e galaktikave, ndërsa në fazat e vonshme të zhvillimit të tyre ato janë zhvendosur në pjesën qendrore të galaktikës. Kjo tregon se krahët e galaktikave rrotullohen në kah të kundërt me bërthamën. Galaktikat spirale janë më të përhapura me 70 % të totalit. Masa e galaktikave spirale ndryshon nga format e tjera, madje mund të paraqesin ngjyra shumë të ndryshme nga të kuqe në blu.

– Galaktikat eliptike kanë formë sferike ose ovale dhe shpërndarja e yjeve në to është e rregullt dhe homogjene. Ato zënë 17 % të së gjitha galaktikave. Në brendësi të tyre mungojnë yje të rinj dhe nuk vërehet pluhur ose gaze. Përgjithësisht mbizotërojnë yje në fazën e jetës së avancuar dhe masa e galaktikave eliptike është më e vogël sesa ato spirale. Ngjyra zotëruese e tyre është e kuqja.

– Galaktikat e çrregullta, nuk kanë një formë të përcaktuar gjeometrikisht. Në disa prej tyre, si p.sh., reja e Magelanit, forma është e trajtës së një reje të stërzgjatur. Në këto galaktika ka vetëm yje shumë të rinj dhe re pluhuri e gazi në sasi shumë të mëdha. Galaktika jonë ka rreth 200 miliardë yje, që vendosen në kupën qiellore në trajtën e një shiriti të zbardhur që quhet Rruga e Qumështit ose Kashta e Kumtrit. Diametri i saj është 30.000 parsek ose 100.000 vjet dritë dhe futet në grupin e galaktikave të mëdha. Ajo rrotullohet rreth boshtit të saj, jo si një trup i ngurtë dhe shpejtësia këndore vjen duke u zvogëluar nga qendra drejt periferisë. Por gjithësia nuk e ka fundin te galaktikat, sepse janë vëzhguar nëpërmjet teleskopëve, radioastronomisë (si radiorrezatimi i hidrogjenit, spektroskopia etj.) edhe galaktika të tjera. Nëse shohim të zmadhuar një fotografi të këtyre botëve të largëta, të bëra me teleskop të fuqishëm, do të vëmë re qindra miliona galaktika. Ato gjithmonë janë në grupime të mëdha duke bashkëjetuar në struktura të ngjashme me lidhje të veçanta, të tipit Metagalaktika. Pra gjithësia është e pafundme.

Origjina e Gjithësisë
Ekzistojnë teori të shumta mbi origjinën e formimit të gjithësisë. Midis tyre është edhe teoria e Big Bengut. Ajo thekson se në një moment fillestar e gjithë lënda, si rezultat i ndikimit të forcave gravitacionale, ishte e përqendruar në një sferë me trashësi të pafund dhe temperatura të larta. Rreth 14 miliardë vjet më parë ndodhi një shpërthim i jashtëzakonshëm që mundi të gjeneronte lëndën që përbën gjithësinë , duke e shpërndarë atë në të gjitha drejtimet. Më pas, ulja e temperaturës u pasua me grumbullimin në re të bërthamave të gazeve të lehta H2 dhe He. Ky proces përfundoi me formimin e yjeve dhe të galaktikave. Gjithashtu, shpërthimi shkaktoi zgjerimin e gjithësisë që duket nga lëvizja e galaktikave, të cilat vazhdojnë t’i largohen njëra-tjetrës. Brenda galaktikave gjejmë një dinamikë të lartë në krijimin dhe shuarjen e yjeve. Teoria e Big Bengut sot ka dalë nga shumica e astrofizikanëve dhe në vitet e fundit ka pasur prova të ndryshme në favor të saj.