Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 1.6: Rrotullimi i Tokës rreth vetes dhe rreth Diellit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 1.6

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

RROTULLIMI I TOKËS RRETH VETES DHE RRETH DIELLIT

Toka si gjithë trupat qiellorë të sistemit tonë diellor, lëviz në hapësirën qiellore. Ajo merr pjesë në 14 lloj lëvizjesh të ndryshme. Midis tyre më kryesoret janë: rrotullimi i Tokës rreth boshtit të vet dhe rrotullimi rreth Diellit.

Lëvizja ditore
Toka rrotullohet rreth boshtit nga perëndimi në lindje, brenda 23h 56’ e 4’’ ose një “ditë natë”. Këtë rrotullim ne nuk e kuptojmë, sepse na duket si një lëvizje e Diellit nga lindja në perëndim. Ky është një imazh i gabuar, i njëjtë me atë “të lëvizjes” së pemëve anës rrugës, kur ne ecim me shpejtësi hipur në një mjet të caktuar. Pra nuk janë pemët ato që lëvizin, por mjeti me të cilin udhëtohet. Dielli nuk rrotullohet rreth Tokës, por Toka lëviz çdo ditë rreth vetes nga perëndimi në lindje.Provat e rrotullimit të Tokës rreth boshtit të vet janë:
• Të gjithë planetët rrotullohen rreth vetes dhe Toka nuk ka arsye që të bëjë përjashtim.
• Toka është një trup i shtypur në pole dhe kjo është pasojë e rrotullimit të saj rreth vetes.
• Eksperimenti i Guglielmit, përcakton se të gjithë trupat që bien nga lart poshtë, zhvendosen për shkak të rrotullimit të Tokës drejt lindjes.

Toka është një trup unik dhe për të mos u shformuar duhet që çdo pikë e saj të rrotullohet në një interval të njëjtë kohe (24h). Përjashtim bëjnë polet që janë të palëvizshëm. Pika të ndryshme me largësi jo të njëjtë nga boshti i saj, përshkojnë rrathë me perimetër të ndryshëm. Pikat e ekuatorit të cilat kanë largësi maksimale nga boshti i tokës, duhet të përshkojnë një rreth me perimetër maksimal me një shpejtësi 465m/s. Pikat e tjera, që kanë një largësi më të vogël nga boshti i Tokës, kuptohet që do t’i përshkojnë rrathët e tyre me një shpjetësi më të vogël: në tropik 420m/s dhe në rrethin polar187m/s. Ndërsa shpjetësia rrotullimit në dy pikat e poleve të palëvizshme, do të jetë 0m/s. Maja e një ndërtese të lartë ka një largësi më të madhe nga boshti i Tokës krahasuar me truallin ku ajo është ngritur. Ajo do të përshkojë në të njëjtën kohë një trajektore më të madhe se sa rrëza e saj. Si rrjedhim shpejtësia e rrotullimit do të jetë më të madhe. Një objekt i hedhur nga maja e ndërtesës do të lëvizë me shpejtësinë fillestare të pikës së hedhjes. Prandaj objekti nuk do të bjerë në rrëzë të ndërtesës, por pak më në lindje të saj. Ky  eksperiment i kryer nga Guglielmi, në 1791 në Bolonjë, provoi lëvizjen e Tokës rreth vetes.

Rrotullimi i Tokës rreth boshtit të vet, shoqërohet me pasoja të rëndësishme gjeografike.
Së pari, formohet ditë – nata, që shkakton regjimin ditor të jetës dhe të dukurive gjeografike në Tokë. Me këtë lidhet ndryshimi i bilancit termik në sipërfaqen e Tokës, midis pjesës së ndriçuar dhe asaj të pandriçuar. Kjo kushtëzon ecurinë ditore të temperaturës, trysnisë atmosferike, lagështirës, lëvizjes së ajrit, avullimin, kondensimin, funksionet jetësore të bimëve, kafshëve dhe njeriut. Rëndësi ka edhe alternimi i ditës dhe natës. Ai përcakton zhvillimin e proçeseve ekzogjene. Pa rrotullimin Tokës ato do të merrnin një karakter tjetër nga ky i sotmi. Si pasojë e kontrasteve më të mëdha termike midis ditës e natës në intervale të gjata kohe, do të formoheshin erëra shumë më të fuqishme. Së dyti, rrotullimi rreth boshtit të vet krijon formimin e forcave centrifugal dhe shtypjen polare Të tokës. Prandaj edhe gjatësia e rrezes ekuatoriale është më e madhe se ajo polare. Së treti, të gjithë trupat që lëvizin horizontalisht, në sipërfaqen e Tokës, shmangen nga drejtimi fillestar, djathtas në hemisferën veriore dhe majtas në hemisferën jugore. Kjo shmangie përbën efektin Koriolis. Dimë se pikat e çdo meridiani kanë largësi të ndryshme nga boshti i Tokës dhe shpejtësia lineare e rrotullimit të tyre zvogëlohet nga ekuatori në pole. Nëse një trup do të lëvizte sipas drejtimit të meridianit nga ekuatori ai do të ruante për inerci shpejtësinë fillestare të pikës së nisjes. Gjatë kësaj trajektoreje trupi rezulton në avancim lidhur me çdo pikë që takon. Kjo përcakton devijim nga drejtimi ekuator – pol i veriut drejt lindjes ose djathtas. Nëse trupi lëviz nga poli i veriut drejt ekuatorit ai do të gjendet në vonesë kunddrejt çdo pike që zhvendosen me shpejtësi lineare gjithnjë e më të madhe, prandaj ai pëson devijim përsëri djathtas drejt perëndimit. Efekti Koriolis shpreh ndikimin e vet në drejtimin e erërave dhe rrymave oqeanike, si dhe në objektet që zhvendosen në mjediset e tyre. Shmangia e rrymës së Atlantikut Verior drejt brigjeve të Evopës Perëndimore, si pasojë e efektit Koriolis, bën të mundur zbutjen e klimës përmes shtimit të rreshjeve dhe rritjes të temperaturës. Për këtë arsye në Finlandë, temperatura mesatare e ajrit është 6°C më e madhe, se gjerësitë gjeografike 60 – 70° në brigjet lindore të kontinentit të Amerikës Veriore.

Lëvizja vjetore e Tokës
Toka, si të gjithë planetët e sistemit diellor, në bazë të ligjeve të Keplerit, lëviz rreth Diellit, në një orbitë eliptike. Kjo lëvizje realizohet nga Perëndimi në Lindje, gjatë një intervali prej 365 ditësh 5 orësh 9 min 9.5 sek. Në këtë rrotullim, boshti i Tokës formon një kënd prej 66°30’ me rrafshin e orbitës tokësore dhe gjatë gjithë lëvizjes rreth Diellit ai ruan pozicionin e tij paralel me veten. Largësia Tokë-Diell është e ndryshueshme, sepse orbita tokësore është eliptike, ku Dielli qëndron në njërën nga vatrat e tij. Kështu, Toka në afel ka largësinë maksimale nga Dielli ose 152.1 milionë km, ndërsa në perihel largësia e saj është minimale 147.1 milionë km. Largësia mesatare Tokë-Diell është 149.6 milionë km, kurse gjatësia e orbitës tokësore, është 940 milionë km. Si rezultat i rrotullimit vjetor të Tokës rreth Diellit, pozicionit të saj në afel dhe perihel, këndit 66°30’ të boshtit me eliptiken dhe të qenët paralel të tij gjatë gjithë lëvizjes, pozita e Tokës ndaj rrezeve të Diellit do të jetë e ndryshme (periheli, greqisht, peri-pranë; heliosdiell; afel-aphelian, greqisht, -ap-larg; helian-diell).

Pasojat e rrotullimit të Tokës rreth Diellit
Pasojë e drejtpërdrejtë e rrotullimit të Tokës rreth Diellit është:
• Formimi i stinëve.
• Ndryshimi i gjatësisë së ditës e natës.
• Ndryshimi i lartësisë dhe gjatësisë së rrugës së Diellit në horizont.
• Shfaqja jo e njëjtë e vendit ku Dielli lind dhe perëndon në horizont.

Ekzistenca e stinëve përcakton karakterin stinor të një sërë fenomenesh e dukurish gjeografike. Për të kuptuar formimin e stinëve dhe pasojat e tyre, analizojmë pozicionet e Tokës ndaj Diellit në data të ndryshme, në ekuinokse (barasnata) më 21 mars e 23 shtator dhe në solstice (diellqëndrim) më 22 qershor e 22 dhjetor. Në ekuinoks, pra më 21 mars ose 23 shtator, Toka ka këtë pozicion ndaj Diellit.Rrezet e Diellit bien pingul në ekuator, tangent në polet dhe me një kënd prej 66°30’ në të dy tropikët, paralelet 23°30’. Në gjerësinë e Tiranës, rrezet e Diellit bien me kënd 48°10’. Kufiri i ndriçimit përputhet me boshtin e Tokës, d.m.th. kalon nëpër të dy polet. Dita dhe nata janë të barabarta në të gjitha pikat e Tokës. Dielli në këto data lind në Lindje dhe perëndon në Perëndim. Këto ditë quhen ditët e ekuinoksit Pranveror dhe Vjeshtor. Pikat e poleve kanë ndriçim të pandërprerë ose ditë polare. Meqenëse këndi i rënies së rrezeve të Diellit ka vlera mesatare dhe dita e nata janë të barabarta, atëherë si bilanci termik edhe ngrohtësia do të jenë të shpërndara thuajse njëtrajtësisht në të dyja hemisferat. Në datën 21 mars kemi fillimin astronomik të pranverës për hemisferën veriore dhe fillimin astronomik të vjeshtës për hemisferën jugore. E kundërta do të ndodhë më 23 shtator për këto hemisfera. Më 22 qershor, rrezet e Diellit bien pingul jo në ekuator, por në paralelin 23°30’ gjerësi gjeografike veriore, ose tropiku i Gaforres. Poli i Veriut është zhvendosur përballë Diellit dhe këndi i rënies së rrezeve të tij mbi të është 23°27’. Në paralelin 66°30’ gjerësi gjeografike veriore të rrethit polar verior, këndi i rënies së rrezeve të Diellit është 46°54’, kurse në Tiranë, 41°20’ gjerësi gjeografike veriore, rrezet bien me kënd 73°52’. Në solsticin veror, Dielli shfaqet në horizont jo në lindje dhe perëndim, por në verilindje dhe veriperëndim. Në këtë datë boshti i ndriçimit nuk përputhet me boshtin e Tokës. Në hemisferën veriore gjejmë të ndriçuar më tepër se gjysmën e çdo paraleli.

Ndërsa nga rrethi polar verior e deri në Polin e Veriut, Dielli nuk largohet nga horizonti, pra kemi vetëm ditë polare. Të gjithë pikat e hemisferës veriore kanë jo vetëm këndet më të mëdha të rënies së rrezeve të Diellit, por edhe gjatësi maksimale të ditës, pra më shumë orë me diell. Energjia diellore ka vlera maksimale për këtë hemisferë, pra, në të kemi fillimin astronomik të verës. Situata në hemisferën jugore është e kundërt me atë të hemisferës sonë. Atje këndi i rënies së rrezeve të Diellit është minimal dhe koha e ndriçimit është më e shkurtër. Pra, bilanci energjetik është minimal, si rrjedhojë kemi fillimin astronomik të dimrit. Më 22 dhjetor, rrezet e Diellit bien pingul në paralelin 23°30’ gjerësi gjeografike jugore, ose në tropikun e Bricjapit. Tashmë është Poli i Jugut ai që ndodhet përballë Diellit dhe ka kënd të rënies së rrezeve të tij prej 23°27’. Përgjithësisht këndi i rënies së rrezeve të Diellit është i madh në hemisferën jugore. Dielli, në solsticin dimëror, lind në juglindje dhe perëndon në jugperëndim, por në JL dhe JP. Në Tiranë rrezet bien me kënd 25°10’. Boshti i ndriçimit nuk përputhet me boshtin e Tokës dhe më tepër se gjysma e çdo paraleli në hemisferën jugore është e ndriçuar. Madje, duke filluar nga paraleli 66°30’ gjerësi gjeografike jugore dhe deri në Polin e Jugut, Dielli nuk perëndon dhe ka ditë polare, ndërsa Poli i Veriut ka natë polare. Bilanci termik për hemisferën jugore është pozitiv dhe për të kemi fillimin astronomik të verës. Ndërsa hemisfera veriore ka bilanc termik negativ për shkak të këndeve të ulëta të rrezeve të Diellit dhe kohëzgjatjes minimale të ditës. Për këtë arsye, për këtë hemisferë, ndodh fillimi astronomik i dimrit.