Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 3.5: Temperatura e ajrit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 3.5

NËNTEMATIKA 3 ATMOSFERA

TEMPERATURA E AJRIT

Çfarë është temperatura e ajrit?
Përpara se të fillojmë mësimin mbi “temperaturën e ajrit”, pyeteni veten dhe shoqen apo shokun: “Si është koha sot?”. Përgjigja do të ketë disa elemente të ndryshme, si p.sh., “është kohë e mirë” apo “jo e mirë”, “ka re”, “ka shi” apo”fryn erë” etj. Për të gjithë këto elemente do të flasim në mësimet në vijim, por elementi i parë me të cilin fillon përgjigja e një pyetjeje të tillë është: “është ngrohtë” apo “është ftohtë”. Me këtë përgjigje të fundit ju keni filluar të flisni për temperaturën e ajrit.

Temperatura e ajrit s’është gjë tjetër veçse niveli i ngrohtësisë së ajrit.
Nëse do të vazhdonim me pyetje më të detajuara, si p.sh., “sa ngrohtë”, apo “sa ftohtë është tani”, atëherë do të na duhet të flasim për matje të temperaturës, pra për të dhëna sasiore për temperaturën e momentit. Për t’u përgjigjur do të na duhej të shihnim termometrin (nga greqishtja termo-ngrohtësi dhe metromatje), i cili, sipas rregullit, duhet të vendoset në 2 m lartësi nga Toka. Termometri mund të na japë të dhëna me sisteme të ndryshme, sepse temperatura shprehet botërisht në tri sisteme: ºC (gradë Celsius), ºF (gradë Fahrenhait), ose K (Kelvin). Në Europë përdorim sistemin “gradë Celsius”. Termi “gradë” do të thotë “shkallë”. Sistemi “gradë Celsius” bazohet mbi një shkallëzim prej 100 shkallësh, ku niveli 0ºC tregon temperaturën e shkrirjes së akullit. Niveli 100ºC tregon temperaturën e vlimit të ujit, ndërsa të gjitha nivelet midis 0ºC dhe 100ºC janë ndarë në mënyrë të barabartë.

Temperatura mesatare ditore, mujore, vjetore dhe amplitudat e temperaturës
Nëse do të vazhdonim të pyesim “sa është temperatura sot, apo gjatë kësaj jave, apo gjatë këtij muaji”, atëherë do të donim të dinim të dhëna për “temperaturën mesatare, maksimale apo minimale ditore, javore, mujore, apo ditore”. Përveç temperaturës reale të çdo momenti dhe temperaturës maksimale dhe minimale, të gjitha “llojet” e tjera të shprehjes dhe studimit të temperaturës, si p.sh., temperaturat mesatare, janë përllogaritje matematikore. Duke qenë të tilla, ato kanë vlerë përafruese. Çdo metodë përllogaritjeje ka pikat e veta të forta dhe të dobëta. Për të kuptuar se si mbërrijmë deri te këto përfundime matematikore, le të shohim se si është ecuria e temperaturës gjatë një ditë-nate. Ajo ndjek përgjithësisht nivelin e rrezatimit diellor dhe rrjedhimisht atë tokësor. Kështu, me lindjen e Diellit temperatura fillon e ngrihet gradualisht. Ajo arrin nivelin më të lartë (maksimale ditore) në orët e para pas mesditës (në varësi të stinës, 14.00-16.00), pasi Dielli ka zbritur nga zeniti. Pra, siç shihet, temperatura më e lartë e ditës nuk përkon me momentin kur rrezatimi diellor është më i lartë, por me momentin kur edhe rrezatimi pasqyrues i tokës është më i lartë. Temperatura fillon të zbresë gjatë pasdites, por jo menjëherë pasi dielli perëndon: edhe kjo ka lidhje me vazhdimin e rrezatimit pasqyrues tokësor. Temperatura më e ulët (minimale) ditore shënohet në orët e para të mëngjesit (në varësi të stinës 04.00-07.00), atëherë kur as rrezatimi i drejtpërdrejtë dhe as ai pasqyrues nuk transmetojnë mjaftueshëm energji. Nga ky përshkrim kuptojmë se çfarë është “temperatura minimale ditore” dhe “temperatura maksimale ditore”. Ndryshimi midis këtyre dy vlerave, në harkun e 24 orëve, në një vend të caktuar, quhet “amplituda termike ditore”, që do të thotë “madhësia e ndryshimit të temperaturës”. Meqenëse stacionet meteorologjike mbulojnë të gjithë territorin e një vendi, ato ofrojnë të dhëna mbi bazën e të cilave ndërtohen edhe hartat. Ato tregojnë se si është shpërndarja hapësinore e temperaturave mesatare, minimale, apo maksimale ditore, javore, mujore, apo vjetore në një territor të caktuar. Bashkimi i vlerave të njëjta të temperaturave na tregon izolinjat që ne i quajmë izoterma (nga greqishtja, isio-barabartë dhe termo-ngrohtësi). Temperatura mesatare ditore është baza e përllogaritjes së temperaturës mesatare javore, mujore dhe vjetore. Kështu, temperatura mesatare javore është mesatarja aritmetike e temperaturave mesatare ditore të shtatë ditëve të javës. Temperatura mesatare mujore është mesatarja aritmetike e temperaturave mesatare ditore të 30 ditëve të muajit.

Faktorët që përcaktojnë temperaturën
Nëse do të vazhdonim me pyetjet, paksa më të vështira, si: “pse është kaq temperatura” dhe “pse ajo ndryshon gjatë ditës apo gjatë vitit”, atëherë do të flisnim për faktorët që përcaktojnë temperaturën: në ç’gjerësi gjeografike jemi, sa larg apo afër detit jemi, sa lart jemi mbi nivelin e detit etj. Kemi thënë se faktori përcaktues i temperaturës në Tokë është energjia që vjen nga Dielli dhe energjia që pasqyrohet nga sipërfaqja e Tokës. Duhet të përsëritim një element të rëndësishëm: temperatura mesatare e planetit është +15oC, e cila bën të mundur jetën në planet. Ky nivel temperature i detyrohet aftësisë që kanë disa gaze të atmosferës për të mbajtur afër sipërfaqes së tokës energjinë që kjo pasqyron drejt atmosferës. Ky është “efekti serrë” natyror, që ushtrohet nga gazi kryesor serrë i planetit, dioksidi i karbonit. Pa dioksidin e karbonit temperatura mesatare e planetit do të ishte -20oC, duke e bërë jetën të pamundur. Vlera prej +15oC është temperatura mesatare vjetore e gjithë planetit. Por temperatura mesatare vjetore ndryshon nga njëra zonë në tjetrën nga ekuatori drejt poleve, nga deti drejt lartësive etj. Temperatura ndryshon edhe në kohë, midis orëve të ditës, midis ditës dhe natës, nga dita në ditë, nga stina në stinë etj. Konkretisht, faktorët madhorë që përcaktojnë nivelin e temperaturës së ajrit në planet janë: lartësia mbi nivelin e detit, këndi i rënies së rrezeve të diellit, shpërndarja midis deteve dhe Tokës, niveli i bimësisë. Le t’i shohim me radhë.

Lartësia mbi nivelin e detit. Ajri ngrohet kryesisht prej sipërfaqes së Tokës, pra nga drejtimi poshtë-lart. Pra, sa më shumë të ngjitemi, aq më shumë zbret temperatura. Ky është rregulli që përcakton shtresën e troposferës. Konkretisht, vërehet se temperatura ulet me një rregullsi prej mesatarisht 0,6oC për çdo 100 m lartësi. Ai quhet “gradienti vertikal termik”.

Këndi i rënies së rrezeve të Diellit. Tashmë dimë që sa më i madh të jetë këndi i rënies së rrezeve të Diellit, aq më shumë energji diellore përcillet në sipërfaqen e Tokës, pra aq më shumë Toka ngroh ajrin sipër saj. Faktorët që përcaktojnë këndin e rënies së rrezeve të Diellit janë dy llojesh: astronomikë (gjerësia gjeografike, stinët, ora e ditës) dhe topografikë (pjerrësia e shpatit dhe përkundrejtimi/ekspozimi i shpateve).

Faktorët topografikë janë përgjithësisht lokalë. Temperatura është më e lartë në shpatet ku rrezet e Diellit bien në kënde sa më afër 90o dhe ku rrezet rrinë sa më gjatë në kontakt. Në Hemisferën Veriore, shpatet me përkundrejtim jugor janë ato që rrihen më gjatë nga rrezet e Diellit, gjatë trajektores së tij në horizont gjatë ditës. Rrjedhimisht, mund të themi se një shpat jugor me kënd 20-30o ka temperaturë më të lartë se zona përreth. Një shpat me përkundrejtim verior, në hemisferën veriore, është më i ftohtë për arsye se rrezet e Diellit nuk i bien drejtpërsëdrejti.

Shpërndarja e oqeaneve dhe steresë është faktor i rëndësishëm. Ky faktor quhet ndryshe edhe “kontinentaliteti”, i cili na paraqet largësinë e një vendndodhjeje konkrete nga deti. Kontinentaliteti e ndikon klimën për shkak të kapacitetit të madh termik të ujit. Uji ngrohet më ngadalë dhe ftohet më ngadalë, për këtë arsye deti e ngroh ajrin sipër tij. Si pasojë, zonat afër detit dhe oqeaneve, apo buzë liqeneve të mëdha, kanë klimë më të butë, si dhe ndryshueshmëri të temperaturave ditore apo vjetore më të vogla. Edhe rrymat oqeanike ndikojnë në ngritjen apo uljen e temperaturës në zonat nga ato kalojnë. P.sh., rryma e ngrohtë e Golfstrimit, që vjen nga Gjiri i Meksikës, ndikon në rritjen e temperaturës në brigjet e Europës Perëndimore, në kontakt me Oqeanin Atlantik. Bimësia ndikon në zbutjen e temperaturave të zonës përkatëse. Kjo ndodh pasi bimësia përthith energji, për ta përdorur për funksionet e saj jetësore. Pra, në një farë mase, bimësia është një rezervuar energjie.