Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 4.4: Liqenet, tipet e tyre

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 4.4

NËNTEMATIKA 4 HIDROSFERA

LIQENET, TIPET E TYRE

Liqenet, veçoritë e përgjithshme
Ç’janë liqenet? Liqenet janë masa ujore që mbushin gropa të thella e të mbyllura kontinentale, që nuk kanë lidhje me detin, por që komunikojnë me të nëpërmjet lumit. Një liqen duhet të ketë një thellësi të paktën 10 m në mënyrë që pasqyra ujore të jetë qartësisht e dallueshme dhe të mos thahet as në periudhat e thatësirave të jashtëzakonshme. Ashtu si qarkullimi i madh i ujit në natyrë edhe tek liqenet shohim se uji qarkullon në mënyrë të pandërprerë. Liqenet formohen dhe ekzistojnë në ato raste kur ardhja e ujit në depresionin natyror, është më e madhe se largimi i ujit prej tij. Uji në liqene hyn në rrugë të ndryshme. Ato furnizohen drejtpërdrejt nga reshjet e shiut, borës e breshërit. Liqenet ushqehen edhe nëpërmjet rrjedhjeve ujore sipërfaqësore e nëntokësore me lumenjtë e përrenjtë të quajtura imisarë. Ndërsa largimi i ujit prej tyre bëhet me anë të avullimit dhe me rrjedhje ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore që quhen emisarë. Rrjedhjet ujore të tipit imisar ushqejnë liqenin e Shkodrës me lumenjtë, Moraça, Rjollit etj., apo furnizimet nëntokësore si “Syri i Sheganit”, burimi i Virit etj. Ndërkohë që, lumi Drin i Zi shërben si emisar për liqenin e Ohrit dhe të Prespës, apo Buna për liqenin e Shkodrës. Përveç liqeneve me rrjedhje kemi edhe liqene pa rrjedhje, si p.sh. liqenet e Belshit.

Tipet e liqeneve
Liqenet ndryshojnë nga origjina, madhësia, pozicioni ku ndodhen, si dhe nga vetitë fiziko-kimike të tyre. Sipas origjinës liqenet i ndajmë në:

Liqenet tektonikë krijohen për shkak të lëvizjeve tektonike që shkaktojnë fundosje depresive të një rajoni pak a shumë të gjerë. Zakonisht këto liqene janë të thella me brigje të larta e gati vijëdrejta. Këtu futen liqenet më të mëdhenj të botës, si Tanganika, Viktoria, Niasa, Miçigan e liqeni i Sipërm në SHBA etj. Liqeni Bajkal është më i thellë në botë me 1741 m. Në vendin tonë liqenet më të mëdhenj si ai i Shkodrës, Ohrit, Prespës e Butrintit janë tektonikë. Thellësia më e madhe është regjistruar në liqenin e Ohrit me 295m. 

Liqenet vullkanike formohen në krateret e vullkaneve të shuara, si në Kamçatka, liqeni Nemi në Itali etj. Këto liqene kanë një formë të përkryer rrethore. Liqeneve vullkanikë ju mungojnë rrjedhjet ujore të tipit emisar e imisar.

Liqenet akullnajore mbushin me ujë gropat e gërryera nga akullanjat e kuaternarit në trajtë cirqesh akullnajor. Në zonat e larta malore ato kanë përmasa të vogla e forma rrethore. Zakonisht janë të vendosura në grupe dhe në lartësi mbi 1600 m. Në vendin tonë ato ndodhen në Lurë, Martanesh, pllajën e Dobërdolit, në malin e Lenies, Balgjajt etj. Liqeni më i lartë akullnajor në vendin tonë gjendet në lartësinë 2360 m në Malin e Gramozit. Liqenet para alpinë mund të mbushin depresionet e gërryera nga gjuha akullnajore në fundin e luginave dhe kanë forma të përzgjatura dhe të degëzuara, si p.sh., liqenet Garda, Maxhore, Como etj në Itali. Liqenet akullnajor ndeshen jo vetëm në format e krijuara nga gërryerja e akullnajave, por edhe në format e krijuara nga depozitimi i materialeve të zhvendosura prej tyre. Ato vendosen midis morenave ballore, fundore apo edhe anësore kryesisht në vendet skandinave si Finlandë, Suedi, apo edhe në Rusi e Kanada.

Liqenet karstike mbushin me ujë depresionet sipërfaqësore, si dolinat poljet që lindin nga karsti. Gjatë procesit të tretjes që uji ju bën shkëmbinjve karbonatikë krijohen edhe shtresa me materiale argjilore. Rritja e trashësisë së tyre ndërpret kontaktin e mëtejshëm të ujit me karbonatikët. Në këtë mënyrë rreshjet që bien grumbullohen në sipërfaqen e Tokës duke formuar liqene karstikë. Ato kanë formë rrethore dhe dallohen për cektësi dhe lakueshmëri të madhe të vijës bregliqenore. Liqene karstikë në vendin tonë janë ato të pllajës së Dumresë ku gjenden 83 liqene ku më kryesorët janë ai i Çestijes, Merhojës, Belshit etj.

Liqenet e barrazhit formohen kur sasi të mëdha materialesh ndalojnë rrjedhjen e lirë të ujit, nga këputja e meandrit të lumit, ose nga krijimi i një rrëshqitje dheu si në rastin e liqenit të Alleg i formuar pas rrëshqitjes në 1771 në malet Piz. Edhe depozitimet morenike nga akullnajat apo dhe ngurtësimi i lavës në sipërfaqe me pjerrësi të vogla shkakton formimin e liqeneve të barrazhit.

Liqenet bregdetar formohen në një bregdet ranor, ku proceset akumuluese të lumenjve që derdhen në të janë të fuqishme. Ato ndahen prej detit me rripa të ngushtë toke që krijohen nga kordonet litorale. Uji i tyre është i kripur sepse komunikon përmes disa kanaleve me detin gjatë baticë – zbaticave. Lagunat më të mëdha në vendin tonë janë ato të Karavastasë 43 km², Nartës 42 km², Butrintit 16.3 km², Patokut 5 km² etj. Liqenet bregdetare konsiderohen si ekosistemeve të veçanta natyrore, për biodiversitetin e lartë që kanë. Laguna e Karavastasë, Vilunit e Butrintit janë shpallur në mbrojtje me Konventën ndërkombëtare të Ramsarit.

Liqenet artificiale janë pjesë e peizazhit antropogjen, sepse janë artefakte të ndërtuara prej njeriut. Ndërtimi i tyre është për shfrytëzimin e rezervave ujore për vaditje, ose për prodhimin e energjisë. Këto liqene shfrytëzohen edhe për transportin ujor, peshkim, turizëm etj. Në vendin tonë rrjedhat e disa lumenjve janë shndërruar në liqene artificiale për prodhim energjie si kaskada e Drinit, Matit. Rezervuari i Banjës shërben si rregullator për ujitjen e tokave bujqësore në fushën e Myzeqesë. Liqeni më i madh artificial në vendin tonë është ai i Fierzës me 72.5 km².

Liqenet relikte janë “muzeume” natyrore që tregojnë dinamikën e ndryshimit të proceseve hidrologjike në periudha të caktuara gjeologjike. Këto basene ujore formohen nga shndërrimi i deteve në liqene dhe shembuj ideal janë liqeni Kaspik dhe Aral. Por edhe transformimi i një liqeni të madh ndërmalor në një zinxhir liqenesh, ose në një liqen të vetëm me sipërfaqe më të reduktuar mund të jetë shkak i formimit. Në vendin tonë liqeni i Ohrit është i tipit relikt. Ai është gjurma e transformimit të një liqeni ndërmalor me sipërfaqe shumë të madhe prej të cilës ruhet aktualisht 362.6 km². Shpeshherë liqenet kanë origjinë formimi të përzierë, si psh liqeni i Shkodrës, Ohrit, Prespës me origjinë të dyfishtë tektoniko-karstike. Liqeni Ladoga e Onega me origjinë tektoniko – akullnajore.

Karakteristikat fiziko – kimike të ujit të liqeneve
Temperatura e ujit të liqeneve ndryshon gjatë stinëve në sipërfaqe e në thellësi. Shkaku kryesor është lëvizja vertikale e ujit. Gjatë dimrit shtresat e sipërme ftohen shumë. Kur temperatura arrin në 4°C ato bëhen më të dendura e zbresin poshtë, kurse ato më të lehtat ngrihen lart. Kjo përzierje e ujit vazhdon derisa temperatura e gjithë shtresës së ujit arrin në 4°C, d.m.th. kur uji ka të njëjtin dendësi. Me ftohjen e mëtejshme të sipërfaqes, dendësia i shtresave të sipërme zvogëlohet. Kur temperatura e uji të liqenit arrin në 0°C fillon procesi i ngrirjes. Pranë vijës bregliqenore fillojnë e krijohen cipa të holla akulli që valëzimi i ujit i pengon të bashkohen. Nëse temperaturat negative vijojnë të jenë prezent shtresat e akullit bashkohen dhe trashësia e tij bëhet gjithnjë e më e madhe. Liqenet morenikë në Rusinë veriperëndimore, Finlandë, Suedi, Kanada etj ngrijnë për një kohë të gjatë.

Uji i liqeneve zakonisht është i ëmbël. Reshjet dhe rrjeti lumor furnizojnë liqenet me ujra që kanë nivel të ulët kripësie. Por ka edhe raste kur ujit i liqenit mund të jetë edhe i kripur. Ujë të kripur kanë shumica e liqeneve bregdetare dhe liqenet e klimës së thatë (si liqeni Lobnon, Kuku-non në Iran etj). Liqeni më i kripur në botë është Deti i Vdekur ku niveli i kripësisë arrin në rreth 300 ‰.

 

Dinamika e tranformimit të liqeneve në kënetë
Liqenet janë në transformim të vazhdueshëm. Uji në to është në qarkullim të pandërprerë. Ndryshimi i bilancit të ujërave liqenore me rritjen e nivelit, apo edhe uljen e madhe të tij pasqyron edhe fazat e zhvillimit të tij. Një rol përcaktues në jetën e liqeneve ka përbërja shkëmbore dhe tektonika e hapësirës ku ata ndodhen. Në shkëmbinjtë terrigjenë rritet mundësia e qëndrimit të pasqyrës liqenore, ndërsa tek karbonatikët e karstifikuar kalimet nëntokësore të ujërave shtojnë mundësinë e tharjes së tyre. Shpesh herë tërmetet shoqërohen me fundosje duke theksuar karakterin depresiv të sipërfaqes tokësore. Kjo shton thellësinë dhe jetëgjatësinë e liqenit. Një element të tillë ka përjetuar edhe liqeni i Shkodrës në vendin tonë. Nëse lëvizjet tektonike nuk do të jenë zhytëse, por ngritëse kjo do të shoqërohet me uljen e thellësisë së liqenit. Në këtë rast liqeni kalon në kënetë. Bimësia lagështidashëse fillon të rritet me shpejtësi dhe tenton të mbulojë pasqyrën liqenore. Vijimi i tendencës ngritëse të lëvizjeve tektonike mund të sjellë mbulimin total të sipërfaqes dhe shndërrimin e kënetës në tokë bujqësore. Një mekanizëm i tillë i transformimit të liqeneve në këneta e ndeshim në ultësinë perëndimore të vendit tonë. Bonifikimi i kënetave nga njeriu solli humbjen e ekosistemeve të pasura biologjike, por rriti sipërfaqe bujqësore të vendit. Përveç përbërjes shkëmbore dhe tektonikës në transformimin e liqenit në kënetë mund të ndikojë edhe ndërhyrja e njeriut në ekuilibrat hidrologjikë të liqenit. Shembulli ideal është zvogëlimi i pasqyrës ujore të liqenit të Prespës së Vogël në Shqipëri.