Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.11
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
VEPRIMTARIA E LUMORE
Shumëllojshmëria e formave të shkëmbinjve të një zone, shumë shpesh ka lidhje me dukuritë e gërryerjes dhe depozitimit. Veprimi i ujit, detit, erës, dhe akujve shkëput material terreni nga shkëmbinjtë, i transporton, dhe i çon (depoziton) diku gjetkë. Edhe materialet në dukje më të fortë dhe më rezistentë, mund të gërryhen dhe të konsumohen gjatë kohës. Ujërat e reshjeve, ujërat rrjedhës, deti, era, akujt, kontribuojnë që t’u japin formë sipërfaqeve tokësore, duke hequr lëndë nga shkëmbinjtë dhe nga terrenet. Dukuria e gërryerjes (erozionit) kryhet në natyrë duke krijuar forma të shumëllojshme që varen nga: lloji i shkëmbit që gërryhet (shkëmbinj kompaktë, të copëtuar, apo të shtresëzuar); lloji i terrenit (malor, kodrinor, bregdet i ulët, apo bregdet i lartë), dhe lloji i klimës. Ndonjëherë, gërryerja mund të jetë shumë e shpejtë, duke u konsideruar “e përshpejtuar”. Kështu, shira intensive dhe në formë rrebeshi mund të shkaktojnë rrëshqitje në shpate me përbërje shkëmbinjsh të butë, duke krijuar situata rreziku në afërsi të zonave të banuara. Gjithmonë e më shpesh ndërhyrja njerëzore, si p.sh., nëpërmjet shpyllëzimit të pakontrolluar, e përshpejton edhe më shumë erozionin, sidomos erozionin e tokës, duke dhënë pasoja negative e të rënda në mjedis dhe ekonomi.
►Erozioni i ujërave rrjedhëse
Ujërat rrjedhëse sipërfaqësore përbëhen nga të gjithë ujërat që rrjedhin në sipërfaqen e Tokës. Sipas madhësisë dhe rëndësisë i rendisim: përroska, përrenj dhe lumenj. Natyrisht që erozioni i ujërave rrjedhëse varet nga disa faktorë si, pjerrësia e terrenit apo luginës, përbërja shkëmbore, sasia e reshjeve që bien, dendësia e mbulimit me bimësi etj. Në të gjitha këto kushte, ligjësia kryesore është që “sa më e madhe të jetë rrjedhja ujore aq më i madh është erozioni”. Prandaj, nëse bëjmë një klasifikim të shkallës së erozionit, do të kishim: Shpëlarje sipërfaqësore (erozion që përfshin gjithë sipërfaqen e një zone, nga rrjedhja që krijohet nga uji i shiut), rrëkeza erozioni, lugina në formë V, lugina në formë U. Përroskat, përrenjtë, dhe lumenjtë ushqehen nga cikli i ujit në Tokë: avullim, reshje, rrjedhje sipërfaqësore ose nëntokësore, avullim. Rrjedhjet sipërfaqësore të të gjitha llojeve, në rrugën e tyre nga burimi, përgjatë luginës, e deri në det, ushtrojnë veprimtari të disafishtë: erozion, transport, depozitim.
Në zonat me pjerrësi të madhe përrenjtë kanë shpejtësi të madhe dhe gërryejnë më shumë. Për këtë shkak ata quhen “përrenj torrencialë”, dhe gërryejnë edhe copa të mëdha shkëmbinjsh. Kur një zonë e pyllëzuar shfrytëzohet barbarisht duke e shpyllëzuar, mund të ndodhë që shpëlarja sipërfaqësore dhe rrëkezat të erodojnë të gjithë mbulesën e tokës së territorit. Në ato kushte mbulesa e tokës mund të mos ripërtërihet dot më, dhe kështu zona shkon në degradim të përhershëm: këto zona quhen bedlende ose“toka të këqija” (badland, nga anglishtja bad-e keqe, dhe land-tokë). Në zonat kodrinore të Shqipërisë ne kemi shumë bedlende. Veçanërisht gjatë periudhës së komunizmit, shumë zona kodrinore u zhveshën nga bimësia e tyre natyrore për t’u shndërruar në tokë bujqësore. Këto toka përgjithësisht iu nënshtruan erozionit nga shpëlarja sipërfaqësore, dhe një pjesë e tyre u shndërruan në bedlende.
►Energjia e lumit dhe llojet e erozionit
Përrenjtë dhe lumenjtë gërryejnë territorin ku rrjedhin. Çdo rrjedhje ujore rrjedh nga burimi drejt pikës ku derdhet, që mund të jetë një det, një liqen, apo një lumë tjetër. Lartësia e pikës ku ata derdhen quhet “niveli bazë i erozionit”. Diferenca në lartësi mbidetare midis nivelit bazë të erozionit me pikën e burimit, quhet “energji e relievit të lumit”. P.sh., le të marrim rastin e lumit më të gjatë ende në gjendje natyrore (pa diga) në Shqipëri, Vjosa. Lumi i Vjosës buron në lartësinë rreth 1350 m mund, dhe derdhet në lartësinë 0m, në detin Adriatik: pra, energjia e relievit të lumit është 1350 m. Nëse e ndajmë për 272 km të gjatësisë së lumit Vjosa, del që energjia mesatare është 5m/km (5 metra lartësi për çdo 1 km gjatësi lugine). Lumi në përgjithësi tenton që këtë diferencë prej 1350 m ta bëjë 0: ky quhet erozion në thellësi i lumit. Nëpërmjet këtij erozioni lumi modelon luginat në formën e germës V. Lugina në formë V është tipike për rrjedhën e sipërme të lumit, ku edhe energjia mesatare e lumit është më e madhe. Luginat në formën e germës V gradualisht mund të shndërrohen në lugina në formën e germës U. Këto janë tipike në rrjedhën e mesme të lumit. Duhet të kuptojmë që ky evolucion nga luginë V në luginë U është më kompleks se sa thjesht erozioni i lumit, por ky i fundit është një faktor shumë i rëndësishëm. Në luginat në formën e germës U, lumi ushtron edhe atë që zakonisht e quajmë “erozion anësor”, që është gërryerja e lumit edhe në anët e luginës.
►Transporti dhe akumulimi
Gjatë gjithë rrugës së tij lumi transporton një pjesë të mirë të materialeve që gërryen vetë apo që ia sjellin përrenjtë që derdhen në të. Lumi i transporton materialet në disa mënyra. Materialet më përmasa më të mëdha rryma e ujit i zhvendos me rrokullisje të ngadalshme përgjatë tabanit të lumit, dhe kështu ushtrojnë veprim gërryes edhe gjatë zhvendosjes. Materialet me përmasa mesatare rryma e ujit i zhvendos me kërcime përgjatë tabanit të lumit dhe përgjatë brigjeve të tij. Edhe këta materiale kontribuojnë shumë në gërryerjen e tabanit dhe brigjeve të lumit. Ndërsa materialet më të imta, për shkak të peshës së tyre të vogël, uji i lumit i zhvendos duke i mbajtur në gjendje pezull në përbërje të tij ose të tretura në të. Janë këto materiale që edhe depozitohen nga lumi kur ai hyn në luginën në formë U-je. Në këto lugina, lumi humb pak nga shpejtësia e tij. Ai gërryen në njërin krah dhe depoziton në krahun tjetër, dhe kështu modelohet dhe zgjerohet lugina edhe më shumë. Pjesët ku lumi depoziton quhen “tarraca lumore”. Në fund lumi derdhet diku, që mund të jetë një lumë tjetër, një liqen, apo det: vendi ku lumi derdhet quhet grykëderdhje. Grykëderdhjet, në varësi të terrenit, mund të kenë formë të ndryshme. Për shkak të formës së tyre i quajmë delta (kanë formën e germës greke që quhet delta Δ), si p.sh. delta e lumit Nil, Misisipi, delta e lumit Seman, Mat, Vjosa. Disa grykëderdhje të tjera i quajmë estuare për shkakun se ato kanë formën e hinkës. Në përgjithësi burimi, grykëderdhja, bregu i majtë dhe bregu i djathtë, gjerësia, gjatësia, shtrati i lumit, degët e lumit, meandret, janë pjesët përbërëse kryesore të një lumi.