Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 7.9
TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE
TOKAT
►Shtresat dhe përbërja e tokës
Shtresa e tokës ndonjëherë në të përditshmen tonë quhet edhe “shtresa e dheut”, ‘terreni”, apo thjesht “toka”. Kujdes: kur këtë fjalë e shkruajmë me “T” të madhe e kemi fjalën për planetin Tokë, ndërsa kur e shkruajmë me “t” të vogël e kemi fjalën për shtresën e tokës ose thjesht toka. Shtresa e tokës është pjesa më sipërfaqësore e kores së planetit Tokë. Kjo shtresë është shumë e rëndësishme, sepse ajo ofron ushqimin dhe mbështetjen për jetën e bimëve, por edhe për faktin se ajo vetë përfaqëson “shtëpinë” për shumë organizma (që nga mikroorganizmat e deri tek gjitarët e vegjël). Proceset e tjetërsimit fizik, kimik, dhe biologjik, që mësuam në mësimin e kaluar krijojnë copëza dhe grimca me prejardhje nga shkëmbinjtë. Këto materiale mbesin aty ku janë krijuar ose transportohen nga agjentët e jashtëm (ekzogjenë) dhe depozitohen në vende më pak të pjerrëta. Aty pastaj fillon procesi i pedogjenezës, pra i “krijimit të tokës”. Në tokën në fazë pjekurie mund të dallohen tri shtresa horizontale: Shtresa më sipërfaqësore është horizonti A, dhe mund të shkojë deri në thellësinë 25 cm. Në të gjithë horizontin A mbizotërojnë materialet organike. Pjesa më e sipërme e saj përbëhet nga mbetje bimësh, rrënjësh, degësh, gjethesh të thara, apo organizmash të tjerë në kalbëzim e sipër. Kalbëzimi i këtyre materialeve organike bën që substancat e këtij procesi të zbresin dhe të formojnë shtresën më poshtë: humusin.
Sa më e madhe është sasia e humusit, aq më pjellore është toka. Humusi lejon edhe qarkullimin e ajrit, ç’ka është një kërkesë e nevojshme për pjellorinë e tokave. Dekompozimi përfundimtar i humusit, nëpërmjet një procesi që quhet mineralizim, prodhon kripëra minerale të nevojshme për organizmat bimore dhe shtazore. Në vijim gjendet shtresa që quhet “zona e infiltrimit”, për shkakun se pikërisht përmes kësaj shtrese, shumë nga kripërat e krijuara nga mineralizimi transportohen nga uji më në thellësi drejt horizontit B. Shtresa më poshtë horizonti B, dhe mund të shkojë deri në thellësinë 75-100 cm. Në brendësi të horizontit B mbizotërojnë materialet inorganike. Në pjesën e vet më të sipërme, horizonti B mund të ketë një ngjyrë më të mbyllur, pikërisht për shkak të akumulimit këtu të kripërave që zbresin nga horizonti A. Shtresa më e poshtme quhet horizonti C. Kjo shtresë përbëhet nga material origjinal, pra nga material që nuk ka pësuar ende shndërrime të mëdha nga veprimtaria e organizmave të gjallë. Kjo shtresë përmban grimca dheu, copëza shkëmbi apo materiale të transportuara nga agjentët e jashtëm (uji, era, apo akullnajat).Horizonti C qëndron mbi atë që ne e quajmë “shkëmbi mëmë”, pra mbi shkëmbin që është ende i pa shpërbërë dhe që përbën bazamentin e profilit të tokës. Shkëmbi mëmë prodhon copëza të cilat, duke u shkërmoqur më tej me kalimin e kohës, përcaktojnë përbërjen minerale të tokës.
►Përbërja e tokës
Ne mund të bëjmë vlerësime të përbërjes mesatare të tokës. Në përgjithësi, volumi i tokës përbëhet nga dy grupe: pore (50%) dhe lëndë organike (50%). Konkretisht përbërja është e tillë: 20-30% ajër; 20-30% ujë; 45% përbërës mineralë; 5% përbërje organike (organizma të gjallë apo mbetje të organizmave të gjallë). Organizmat e tokës mund të grupohen në bazë të madhësisë së tyre, apo në bazë të rolit që ata luajnë në pjellorinë e tokës. Përbërësit inorganikë të tokës grupohen përgjithësisht mbi bazën e granulometrisë së tyre (përmasave të tyre mesatare), pa marrë parasysh origjinën e tyre. Disa nga termat që përdorim në të përditshmen tonë, si p.sh., rërë, argjilë, gurrëza, lym, etj., në shkencën e “pedologjisë” marrin një domethënie shumë të saktë të lidhur me përmasat e materialit. Pedologjia (nga greqishtja, pedon-tokë, dhe logos-shkencë) është shkenca që studion tokat, dhe pedologët janë ekspertët e kësaj fushe. Një element i rëndësishëm që i analizohet tokës është aciditeti i saj. Njësia matëse e aciditetit është Ph. Vlerat neutrale të Ph për tokën janë 6,6 – 7,3. Vlera nën 3,5 Ph tregon për një tokë shumë acide, ndërsa vlera mbi 9 Ph tregon për një tokë shumë bazike (alkaline). Të dyja ekstremet e bëjnë tokën të papërdorshme për qëllime bujqësore.
►Formimi i tokës
Toka formohet nga materiale inorganike që vijnë nga shpërbërja e shkëmbinjve, dhe nga substanca organike. Në formimin e tokës kontribuojnë ujërat, ndryshimet e temperaturës, era dhe organizmat e gjallë. Formimi i tokës kalon nëpër dy faza: tjetërsimi fizik i shkëmbinjve, që krijon grimca dhe copëza shkëmbi; tjetërsimi pedologjik, nëpërmjet faktorëve kimikë, fizikë, dhe biologjikë, që shënon fillimin e krijimit të tokës. Meqë e kemi studiuar mënyrën se si krijohen materialet e ngurta nëpërmjet tjetërsimit, le të shohim se si krijohen substancat organike të tokave. Materialet organike të pranishme në tokë vijnë nga degradimi i mbetjeve që gjenden në shtresën më sipërfaqësore të horizontit A. Veprimi i degradimit kryhet nga organizma që i quajmë në tërësi “organizma dekompozues”, të cilat ndryshojnë nga njeri-tjetri për nga funksioni që kryejnë në këtë proces, dhe për nga përmasat. Ata me përmasa më të mëdha, si p.sh. krimbat e tokës, gëlltisin lëndë organike dhe e copëtojnë më tej. Në këtë fazë hyjnë në proces organizmat mikroskopikë, pra shumë të vegjël, si bakteriet apo kërpudhat njëqelizore, të cilët plotësojnë degradimin duke i shpërbërë lëndët organike në deri në gjendje minerale. Në këtë mënyrë mineralet bëhen të gatshme për t’u kapur nga bimët. Ky proces, në faza të ndryshme të tij, është shumë i rëndësishëm, sepse, përveçse përgatit substanca ushqyese në tokë, edhe riciklon në mënyrë aktive materialet, që përndryshe do të akumuloheshin në mjedis. Një tokë e përbërë vetëm nga akumulimi i materialeve që vijnë nga tjetërsimi i shkëmbinjve, dhe pra që nuk ka një ndarje të qartë në horizonte, quhet tokë e paevoluar. Me qëllim që toka të quhet e evoluar plotësisht, ajo duhet të plotësojë disa kushte: të ketë të tri horizontet të qarta, të jetë stabilizuar duke lejuar kolonizimin e saj nga bimët, si dhe të ketë zhvilluar një komunitet gjallesash që plotësojnë gjithë riciklimin e materialeve (organizma fotosintetizues dhe organizma dekompozues).
►Mbrojtja e tokës
Shtresa e tokës është një ndër elementët më të rëndësishëm dhe më të brishtë të mjedisit. Toka nuk krijohet dot artificialisht nga njeriu, dhe madje procesi i pedogjenezës as nuk nxitet dot nga njeriu që të përshpejtohet. Që të krijohet toka ka nevojë për një evolucion që shkon nga disa dhjetëra vjet deri në disa shekuj kohë. Nëse toka degradohet dhe erodohet (gërryhet) ka raste kur ajo mund të mos rikrijohet dot më. Toka, vërtet klasifikohet tek “burimet e ripërtërishme”, por me specifikën që nëse përdoret jashtë kritereve (varfërohet, mbishfryëzohet, erodohet etj) toka mund të shndërrohet në “burim i paripërtëritshëm”. Kjo do të thotë se degradimi i saj shpeshherë mund të jetë i pakthyeshëm. Disa nga kërcënimet që i kanosen tokës si burim natyror janë:
Ndërtimet. Forma më e rëndë e degradimit të tokës është ndërtimi në të. Ndërtimi nënkupton gërmim, dhe rrjedhimisht humbje përfundimtare të shtresës së tokës. Veçanërisht në vendin tonë ku dukuria e ndërtimit në tokë bujqësore është rënduar shumë gjatë 25 viteve të fundit që prej fillim viteve ’90 të shek. XX. Tradicionalisht,vendbanimet në Shqipëri kanë qenë ndërtuar në ato pjesë të tokës që ishin më pak pjellore së zonat e tjera. Kjo bëhej duke pasur kujdes që të ruhej toka bujqësore vetëm për qëllime kultivimi bujqësor. Toka bujqësore nuk shndërrohej asnjëherë në tokë ndërtimi.
Varfërimi i tokës. Nëse kultivohet me intensitet të lartë, tokës mund t’i hiqen përbërësit organikë dhe kjo mund të çojë në varfërim të saj. Kjo ndodh sidomos kur një tokë mbillet vetëm me një lloj kulture bujqësore (bimë bujqësore) vazhdimisht. Kjo quhet “praktikimi i monokulturës”, pra mbjellja vetëm e një lloj kulture. Meqenëse çdo lloj kulture bujqësore konsumon disa lloje të caktuara të substancave organike dhe të mineraleve, toka mund të rrezikojë të varfërohet prej tyre. Për këtë arsye, të parët tanë përdornin teknikën e qarkullimit të kulturave bujqësore në harkun e një viti apo të disa viteve në të njëjtën tokë.
Erozioni. Një nga dukuritë më të rënda të degradimit të tokës është erozioni, ose gërryerja e tokës nga agjentët e jashtëm si reshjet, ujërat rrjedhës, akujt, era etj. Fillimisht shpyllëzimi dhe kthimi i tokave të pyllëzuara në toka bujqësore, veçanërisht kur pjerrësia e tokave është e madhe, apo kur tokat i ekspozohen veprimit të erës, çon në erozion. Erozioni është një dukuri që favorizohet nga kultivimi i pakujdesshëm bujqësor i tokave, dhe nga zbatimi i praktikave bujqësore të gabuara, si p.sh. mbjellja me kultura bujqësore që e varfërojnë tokën, apo mosriciklimi i kulturave gjatë vitit etj. Një nga episodet më të rëndësishme në historinë e erozionit të tokave në botë është dukuria e quajtur “dast boull” (dust bowl) në SHBA në vitet 1930-1940. Kthimi i tokave kullotë në toka bujqësore, dhe mosmarrja e masave për mbrojtjen nga erozioni bëri që era të ngrejë për shumë vite me radhë stuhi të tilla që u quajtën “apokaliptike” (fundi i botës). Kjo krijoi një situatë krize për prodhime bujqësore. Që prej asaj kohe në SHBA për herë të parë në botë masat për mbrojtjen e tokës nga erozioni u shndërruan në politika të detyrueshme shtetërore. Në Bashkimin Europian, që në vitin 1972 është aprovuar një dokument që quhet Karta Europiane e Tokës. Në këtë dokument renditen detyrimet për mbrojtjen e tokës. Sot në të gjithë botën zbatohen të tilla politika. Bashkimi Europian ka strategji të veçanta shumë të rrepta për mbrojtjen e tokës. Për këtë qëllim fillimisht studiohen llojet e tokave, dhe gjendja e tyre. Për këtë ju mund të konsultoni web: http://eusoils.jrc.ec.europa.eu/networkcooperations/educational-material-soils