Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 2.1: Paraqitja e Tokës në Hartë, Glob dhe Plan

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 2.1

TEMATIKA PROCESET NATYRORE DHE SHOQËRORE

PARAQITJA E TOKËS NË HARTË, GLOB DHE PLAN

Paraqitja ideale e Tokës
Toka është një trup sferik, i shtypur në pole. Sipërfaqja e saj është 510 milion km², ku kontinentet zënë afërsisht 149 milion km², ose 29.2% e sipërfaqes totale. 70.8% e sipërfaqes përfaqësohet nga ujërat e deteve, oqeaneve, ose akujt. Shpërndarja e tokave dhe baseneve oqeanike është e ndryshme midis dy hemisferave; ajo veriore më “kontinentale”, ku tokat zënë 49% të sipërfaqes, ndërsa në hemisferën jugore gati totalisht “oqeanike” ku ato zënë 93%. Karakteristikat e zonave oqeanike e kontinentale mund të paraqiten nga lakorja ipsografike. Ajo prezanton linjën e shpërndarjes statistikore të pjesëve tokësore dhe thellësive oqeanike në planetin tonë. Lakorja ipsografike prezantohet në një sistem koordinativ, ku boshti i abshisave shfaq hapësirat oqeanike e kontinentale dhe boshti i ordinatave jep thellësitë e lartësitë e këtyre hapësirave. Nga vëzhgimi i kësaj lakoreje rezulton se; thellësia mesatare e oqeaneve është 3800m; lartësia mesatare e kontinenteve është 840 m; pika më e lartë tokësore është maja e Everestit, 8848 m; thellësia maksimale i takon humnerës oqeanike Kook, në ishujt Filipine me 11516 m. Masat e mëdha tokësore, të rrethuara nga ujërat e oqeaneve dhe deteve, quhen kontinente dhe ato ndahen në pesë masa të mëdha: Euroazia, Amerika, Afrika, Australia e Antarktida. Ndryshueshmëria e lartësive në kontinent dhe thellësive në dete e oqeane është kaq e theksuar, sa Toka përfaqëson një trup kompleks trajtash në forma e dimensione të ndryshme. Pikërisht ky kompleksitet i theksuar e bën të vështirë paraqitjen e saktë të Tokës.

Paraqitja e Tokës nëpërmjet globit dhe hartës
Për një studim më cilësor ne përpiqmi ta paraqesim sipërfaqen e Tokës në sferë ose në rrafsh, nëpërmjet globit e hartës. Globi përfaqëson paraqitjen e zvogëluar të gjithë rruzullit tokësor në sferë. Kjo paraqitje ka disa anë pozitive, sepse na jep një përfytyrim shumë të mirë: të formës së Tokës në hapësirë; të lëvizjes ditore të Tokës rreth vetes; për boshtin e Tokës; ndërtimin e rrjetit gjeografik; për këndin e boshtit të Tokës me planin e eliptikës dhe ndikimin e tij në krijimin e stinëve; për efektin Koriolis të zhvendosjes horizontale të trupave që fluturojnë në gjërësi të ndryshme gjeografike sipas një meridiani. Përtej anëve pozitive, sasia e informacionit që ne marrim prej globit nuk është e mjaftueshme. Janë bërë përpjekje për eliminimin e kufizimit të informacionit me anë të rritjes së përmasave të globit. Megjithëse u ndërtuan globe me diametra të mëdha, rezultatet nuk ishin ato të dëshirueshmet. Kjo sepse nuk është komode që njerëzit të hipin me shkallë për të marrë informacionin e duhur. Kjo lindi nevojën e pasqyrimit të sipërfaqes tokësore në rrafsh, nëpërmjet hartave. Harta është paraqitja e zvogëluar në rrafsh e gjithë sipërfaqes së Tokës ose e pjesëve të veçanta të saj, në bazë të rregullave matematikore. Me anë të hartës u zgjidh mungesa e informacionit që sillte globi, sepse hartat paraqitnin me shumëllojshmërinë e tyre një sasi shumë të madhe informacioni. Por hartat mbartin qysh me krijimin e tyre një të metë serioze, që është shformimi. Është e pamundur që, jo vetëm gjithë sipërfaqja e Tokës, por edhe sipërfaqe të vogla të saj, të pasqyrohen pa “rrudhosje” ose shformime. Nëse do të merrnim qoftë edhe një copë (qark) të vogël globi dhe të përpiqeshim që ta rrafshonim do të shihnim që qarku ose do të çahej ose do të rrudhosej. Pra sipërfaqja e harkuar e qarkut do të shformohej. Megjithëse njerëzit janë përpjekur që të gjejnë mënyra të ndryshme për pasqyrimin e Tokës në hartë, nuk është gjetur ende një mënyrë ideale, e cila të paraqesë saktë dhe pa shformime tokën në përgjithësi dhe pjesë të veçanta të saj, në veçanti.

Paraqitja e Tokës nëpërmjet planit
Një mjet tjetër i përdorshëm, për paraqitjen e territoreve të caktuara, është edhe plani. Plani është paraqitja në rrafsh, pa shformim, në mënyrë të zvogëluar e një sipërfaqeje tepër të kufizuar toke. Sipërfaqja e vogël jep mundësi që paraqitja e territorit të jetë e saktë, pa deformime të dukshme dhe të ruhet konfiguracioni i sektorit të hartografuar. Në plan nuk kemi paraqitje të rrjetit hartografik, të meridianëve e paraleleve etj. dhe objektet jepen të para nga lart. Kështu në plane paraqiten objekte të ndryshme si shtëpi banimi, uzina, fabrika, spitale, fshatra e qytete, rrugë etj. në të cilat përmasat e tyre, si gjatësia e gjerësia, jepen me saktësi tepër të madhe. Ato na japin në këtë mënyrë në dallim nga harta, një informacion tepër të hollësishëm. Hartat e planet kanë rëndësi të madhe në veprimtarinë e përditshme të shoqërisë njerëzore dhe përdoren gjerësisht si një mjet për realizimin e studimeve praktike e shkencore.