Kurrikula
Kursi: Gjeografia klasa 10
Identifikohu

Curriculum

Gjeografia klasa 10

0/51
Mësimi me video

Mësimi 3.2: Atmosfera, rëndësia e përbërjes

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjeografia 10 Mësimi 3.2

NËNTEMATIKA 3 ATMOSFERA

ATMOSFERA, RËNDËSIA E PËRBËRJES

Përbërja e atmosferës
Atmosfera shtrihet duke filluar që nga sipërfaqja e Tokës (det ose tokë) deri mbi 2500 km lart në hapësirë. Ashtu si çdo gjë tjetër mbi sipërfaqen e planetit, edhe grimcat e ajrit qëndrojnë përreth tij në sajë të forcës tërheqëse (gravitacionale) të Tokës. Si rrjedhim, ajri është më i dendur pranë sipërfaqes së tokës, ndërsa grimcat e gazeve më të lehta janë më të shpërndara në atmosferë. Për këtë arsye, përbërja e ajrit pëson ndryshime të vogla nga njëra shtresë në tjetrën. Pra, kur flasim për llojet e gazeve, që përbëjnë atmosferën, marrim si pikë referimi “ajrin e thatë në lartësinë 0 m mbi nivelin e detit”. Ky ajër përmban vetëm dy gaze: azot (78%) dhe oksigjen (21%). Të gjithë gazet e tjerë përbëjnë 1% që mbetet: përkatësisht argon (0,93%) dioksid karboni (0,04%), ozon dhe më pak gaze të tjerë si helium, hidrogjen etj. Këto përqindje pësojnë disa ndryshime në shtresat më të sipërme të atmosferës. Kështu, p.sh., gazi i ozonit nuk gjendet në shtresat e poshtme, por vetëm në ato të sipërme. Elementi tjetër, që ndryshon në ajër, është sasia e avujve të ujit.

Roli i gazeve në planetin tonë
Gazet, që përbëjnë ajrin e atmosferës sonë, kanë rol themelor dhe të papërsëritshëm. Le të shohim secilin me radhë. Azoti është përbërësi bazë i qenieve të gjalla. Atë e gjejmë në përbërje të aminoacideve, proteinave etj. Qeniet e gjalla e konsumojnë azotin vetëm nëse është i lidhur në përbërës kimikë. Në atmosferë ai është i pranishëm në formën molekulare (N2). Por duke qenë shumë inert, ai është i vështirë për t’u shpërbërë dhe në kushte normale nuk reagon. Në këtë formë inerte, vetëm disa baktere munden ta konsumojnë, të cilat bëjnë të mundur edhe futjen e tij në “ciklin e azotit” ku ai qarkullon. Pra, nga atmosfera ai “hyn” në mikroorganizmat, të cilët e fiksojnë dhe e lëshojnë në tokë, ku konsumohet nga bimët dhe pastaj nga kafshët e nga njerëzit.

Oksigjeni (O2) është gazi i frymëmarrjes së qenieve shtazore dhe njeriut. Ai është krijuar dhe vazhdon të krijohet në atmosferë nga fotosinteza e bimëve. Sasia e oksigjenit të pranishëm sot në atmosferë, është aq e bollshme sa që do të mjaftonte edhe për 2000 vite të tjera për jetën në Tokë, edhe sikur fotosinteza të pushonte së çliruari oksigjen.

Dioksidi i karbonit (CO2) është rregullatori i temperaturës në Tokë. Ai bën të mundur që temperaturat në Tokë të jenë të përshtatshme për jetën. Nëpërmjet aftësisë së tij natyrore për të mbajtur ngrohtësinë në afërsi të Tokës, ai shkakton “efektin serrë” natyror, ndaj edhe luan këtë rol të rëndësishëm. Efektet e këtij roli i shohim te ndryshimi i përqindjes së këtij gazi, që ka shkaktuar rritjen e temperaturës. Dioksidi i karbonit është gazi i vetëm që ka ndryshuar përqindjen e vet në atmosferë. Gjatë 400.000 vjetëve me radhë, ai ka patur përqendrimin në masën 0,03% në atmosferë. Që prej Revolucionit Industrial, 200 vjet më parë, ai filloi të rritej dhe sot është mbi 0,04%. Burimi i rritjes së sasisë së tij, është djegia e karburanteve nga njerëzit. Ky fakt ka bërë që temperatura në planet të rritet gjatë kësaj kohe mesatarisht me + 0,85oC.

Ozoni (O3) natyror është gazi që mbron planetin nga rrezatimi ultravjollcë diellor, i cili është i dëmshëm për jetën e gjallë në përgjithësi dhe i rrezikshëm për njerëzit në veçanti. Ky gaz krijohet kur oksigjeni del nga shtresat e sipërme të troposferës dhe reagon nën veprimin e rrezatimit diellor (fotodisocimi ose shpërbërja nga drita). Molekulat e oksigjenit (O2), në këto lartësi, shpërbëhen nga procesi i fotodisocimit, ndërsa atomet e lira të oksigjenit bashkohen me një molekulë të lirë dhe krijojnë molekula ozoni (O3). Proces i shpërbërjes së oksigjenit dhe i krijimit të ozonit është shumë më i pranishëm në zonat mbi tropikët, ku rrezatimi diellor është më i fortë dhe më i drejtpërdrejtë. Pasi krijohet, ozoni zhvendoset nga erërat e qarkullimit të përgjithshëm rreth e qark Tokës, deri mbi zonat polare.

Gjatë viteve 1970 u vu re se mbi disa zona të planetit, ozoni ishte rralluar. Studimet provuan se ozoni po shkatërrohej nga një lloj gazi që kishte filluar të prodhohej që në vitet 1920 nga industria frigoriferike. Këto gaze quhen CFC (kloro-fluoro-karbure) dhe njihen tashmë si “gaze ozonholluese”. Çdo molekulë CFC shpërbën një numër pa fund molekulash ozoni, duke shkaktuar procesin e kundërt me foto-disocimin. Zbulimi i kësaj lidhjeje shkakpasojë bëri që komuniteti botëror të vendoste të ndalonte prodhimin dhe përdorimin e këtyre gazeve. Kjo u bë në vitin 1987 me marrëveshjen që njihet si Protokolli i Montrealit. Tashmë, vrojtimet tregojnë se përqendrimi i ozonit në shtresat e sipërme ka filluar të rivendoset. Por, nga ana tjetër, ozoni është gaz i dëmshëm, nëse ai gjendet në shtresat e atmosferës ku jetojnë njerëzit. Për këtë arsye ai konsiderohet si “ndotës i rrezikshëm” për ajrin e mjedisit të qyteteve. Ozoni, në këtë mjedis, krijohet nga gazet që lëshojnë automjetet, pasi ato hyjnë në reaksion me oksigjenin natyror dhe me dritën e Diellit.