Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 7 Mësimi 4: Rruga e Kosovës për pavarësi

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 7 Mësimi 4

Rruga e Kosovës për pavarësi dhe integrim euroatlantik

Faktorët që ndikuan në pavarësinë e Kosovës
Në rrugën e saj drejt pavarësisë Kosova ka pasur një rrugë të vështirë, të mbushur me sakrifica, heroizma, qëndresë, ku mijëra njerëz u bënë dëshmorët e saj. Pas përpjekjeve të Serbisë për kufizimin e të drejtave të fituara në kushtetutën e 1974- ës, lëvizja e popullsisë shqiptare të Kosovës erdhi duke u rritur dita-ditës deri në pavarësi. Gjatë demonstratave gjithëpopullore të pranverës së vitit 1981 ku për herë të parë në mënyrë masive u kërkua publikisht shtetësia e Kosovës, qeveria serbe filloi një represion të paparë mbi shqiptarët. Kufizimi në mënyrë graduale i autonomisë së Kosovës po nxirrte në pah synimin e vetëm të Serbisë, atë të shpërnguljes dhe asimilimit etnik të tyre. Revolta e punëtorëve të minierës së Trepçes në vitin 1989, u bë shkëndija për rritjen e ndërgjegjes dhe shpërthimin e revoltës popullore. Revoltës së punëtorëve iu bashkuan intelektualë të ndryshëm dhe studentët e Universitetit të Prishtinës. Në kërkesën e tyre ata kërkonin forcimin e autonomisë së Kosovës. Qeveria e Beogradit dislokoi forca të mëdha ushtarako-policore për të shtypur çdo përpjekje për revoltë. Intelektualët në Kosovë krijuan organizmat e tyre institucionale për të mbrojtur të drejtat e popullit të Kosovës në mënyrë paqësore. U krijua Lidhja Demokratike e Kosovës nën drejtimin e Ibrahim Rugovës dhe Kuvendi i Kosovës me 115 delegatë. Kuvendi miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës me president Ibrahim Rugovën dhe formimin e qeverisë se përkohshme. Më 1997 u krijua edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila do të organizonte dhe udhëhiqte luftën e armatosur të popullit të Kosovës për pavarësi. Në vitin 1999 mijëra vetë u shpërngulën me forcë nga vatrat e tyre dhe u strehuan në Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni dhe vende të tjera të Europës. Mijëra të tjerë u bënë viktima të dhunës dhe barbarizmit të Milosheviçit. Nga organizmat ndërkombëtare u bënë përpjekje për t’u ulur në bisedime me autorin e masakrave Slovobodan Milosheviç, por qëndrimi i tij vazhdoi më i ashpër. Ditët vijuan me masakra që shkonin deri në vrasje dhe varrosje masive të popullsisë së pafajshme si gra, burra dhe fëmijë në Drenicë, Reçak, Rugovë. Gjendja e krijuar bëri që forcat ushtarake të NATOS të fillojnë bombardimet mbi objektet ushtarake serbe që ndodheshin në Kosovë edhe në Serbi. Synimi ishte t’i jepej fund katastrofës humanitare. Nga 1999, kur NATO ndërhyri në Kosovë, deri në 2008, kur u njoh pavarësia u lobua në forma të ndryshme midis shteteve të Europës perëndimore dhe SHBA-së për çështjen e Kosovës. Më 17 shkurt 2008 parlamenti shpalli shtetin e pavarur të Kosovës.

Roli i ndërkombëtareve për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin euroatlantik të saj
Fitorja e pavarësisë së Kosovës pa diskutim që ishte rezultante e luftës heroike të popullit të Kosovës dhe mbështetjes ndërkombëtare. Në 6 shkurt 1999, nisi hapja e negociatave, organizuar në Konferencën e Rambujesë (Francë), që njihet si e para konferencë ndërkombëtare për Kosovën, organizuar nga Grupi Ndërkombëtar i Kontaktit. Kjo konferencë zgjati deri më 23 shkurt, por pa arritur ndonjë zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës. Marrëveshja e Rambujesë u nënshkrua në Paris më 15 mars 1999, vetëm nga delegacioni shqiptar i Kosovës dhe dy ndërmjetësit ndërkombëtarë. Ajo u refuzua nga delegacioni i Serbisë dhe përfaqësuesi rus. Me gjithë përpjekjet për bllokim të Statusit të Kosovës, ajo u përpunua dhe realizua intensivisht përgjatë viteve 2005-2007. Në këto vite palët pranuan “Planin Ahtisari” (Marti Ahtisari propozoi që Kosova të ketë një pavarësi të mbikëqyrur nga ndërkombëtarët), përveç Serbisë dhe Rusisë, si zgjidhje e vetme e funksionale për Kosovën. Mjaft aktiv ka qenë edhe Këshilli i Sigurimit (KS), i cili në emër të mbrojtjes së të drejtave njerëzore ndërkombëtare hartoi mjaft rezoluta si shqetësim për dhunimin e lirive njerëzore. Rezoluta 1244 e KS e qershorit 1999 vendosi Kosovën nën administrimin e OKB-së përmes forcave të sigurimit të Kosovës KFOR, i cili mundësoi edhe rikthimin e popullsisë së dëbuar. Me këtë rezolutë Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vepron nëpërmjet Misionit të Përkohshëm Administrativ të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe ka gjithë përgjegjësinë administrative mbi Kosovën. Kështu, Kosova u vendos nën administrimin ndërkombëtar. Kjo tregonte se misioni ndërkombëtar mund të impononte mendimet e tij. Integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është orientuar në dy drejtime: njehsim me reformat ekonomike dhe politike të vendeve të rajonit dhe Europës dhe përshtatja me realitetin e Kosovës. Në 2009 Kosova bëhet anëtare e FMN-së dhe Bankës Botërore. Problemi i saj qëndron në çështjen e njohjes së pavarësisë së saj nga shtete të rajonit (Serbi, Bosnjë) dhe madje edhe nga disa shtete të Bashkimit Europian (Greqia, Spanja, Rumania, Qipro, Sllovaki). Deri tani Kosovën e kanë njohur 114 vende nga193 dhe ndër këto 23 janë të BE-së. Kjo përbën natyrisht një sfidë të vërtetë për shtetin e Kosovës. Problemi tjetër i Kosovës është shtrirja e autoritetit të saj në gjithë territorin, që do të thotë në Mitrovicë dhe komuna të tjera rreth saj, të cilat qeverisen nga Beogradi. Megjithatë, më 7 shkurt 2013 – Parlamenti Europian miratoi rezolutën për Kosovën, duke i hapur kështu rrugën marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes BE dhe Kosovës. Roli i ndërkombëtarëve në pavarësinë e Kosovës para së gjithash ka qenë i padiskutueshëm edhe në: përpunimin e legjislacionit, duke hartuar ligje të përafërta me BE-së; funksionimi i administratës është bërë nga institucionet ndërkombëtare përmes trajnimeve apo stacionimeve të strukturave ndërkombëtare si forcat e NATOS, zyrat e BE-së; përdorimi i monedhës euro; lirinë e medias, përmes ekspertëve dhe menaxherëve të trajnuar dhe këshilluar prej tyre. Një nga sfidat është edhe hapja me botën përmes liberalizimit të vizave.

Rëndësia e shpalljes së pavarësisë për Kosovën
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është një ngjarje me një peshë historike jo vetëm për shqiptarët, por edhe për rajonin e Ballkanit. Pavarësia ishte kurorëzim i përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për të fituar lirinë, triumf i të drejtës mbi padrejtësinë, realizim i ëndrrës njëshekullore mbi pretendimet serbe shumëshekullore. Kjo fitore nuk ishte vetëm një hap historik, por edhe një përpjekje për fillimin e rrugës drejt konsolidimit të demokracisë. Pavarësia e Kosovës pati mbështetjen dhe njohjen ndërkombëtare duke e bërë çështjen e Kosovës aktuale. Një rol të padiskutueshëm në sigurimin e pavarësisë së Kosovës pati edhe Shqipëria. Ajo e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës duke synuar njohjen e saj nga vende të ndryshme të botës. Kjo luftë e përbashkët diplomatike forcoi edhe më shumë bashkëpunimin mes tyre dhe me organizmat ndërkombëtare dhe ishte modeli i bashkëjetesës dhe fqinjësisë për vendet e rajonit. Shpallja e pavarësisë i siguroi asaj mundësi për të ndërtuar institucione demokratike me përbërje të ndryshme etnike, që përbën një fakt dhe model për të dëshmuar qytetarinë europiane.

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Pavarësia e Kosovës, administrim ndërkombëtar, UÇK

PËRGJIGJUNI
1. Veçoni 3 faktorë që ndikuan në sigurimin e pavarësisë së Kosovës?
2. Cilat janë ndërhyrjet më të rëndësishme ndërkombëtare që shënojnë hapa në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe integrimit euroatlantik?
3. Ku qëndron rëndësia e shpalljes së Kosovës si shtet i pavarur?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1.Punoni me burimin në këtë adresë: http://www.kipred.org/repository/docs. Zbuloni vendet që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe jepni argumente për arsyet e përbashkëta dhe të veçanta të mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga këto shtete. Si mendoni, çfarë rrugësh duhet të ndjekë qeveria e Kosovës për të marrë njohjen zyrtare nga të gjitha shtetet?
2. Cilat janë standardet që Kosova nuk i ka plotësuar akoma për të marrë statusin e vendit kandidat në BE? A mund të hiqni vija paralele me ndonjë vend tjetër të Ballkanit lidhur me këtë? Pse?
3. Mendoni se pavarësia e Kosovës do të ishte bërë e mundur vetëm me luftën e popullit të Kosovës? A ishte kjo fitore një rikthim në vend i drejtësisë së munguar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër?
4. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.

KËRKONI INFORMACION
Përdorni shtypin e ditës dhe burime të tjera për të krahasuar marrëveshjen e Rambujesë dhe atë të Dejtonit për të veçuar ngjashmëritë dhe dallimet midis tyre.