Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 3 Mësimi 4: Territoret shqiptare gjatë sundimit osman shek XVI shek XVIII

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 3 Mësimi 4

Territoret shqiptare gjatë sundimit osman (shek. XVI-XVIII)

Organizimi administrativ në tokat shqiptare
Në fillim të shek. XVI, pas pushtimeve të shumta, Perandoria Osmane u zgjerua. Sulltan Sulejman Ligjvënësi (Kanuniu) bëri një riorganizim të ri administrativ të territoreve të Perandorisë. Ai e ndau atë në 32 krahina të mëdha, që quheshin ejalete. Ejaleti, ndahej në disa njësi të vogla, të quajtura sanxhakë. Shqipëria ishte pjesë e ejaletit të Rumelisë dhe ndahej në disa sanxhakë. Çdo sanxhak përbënte një njësi administrative dhe ushtarake ku përfshiheshin, timaret, ziametet. Sanxhaku (liva) ndahej në njësi më të vogla, kaza, dhe kjo e fundit në nahije. Ejaleti kishte në krye Bejlerbeun. Në krye të çdo sanxhaku qëndronte sanxhakbeu. Nahija drejtohej nga myteselimi, i cili ishte mëkëmbës i sanxhakbeut. Ndërsa kazaja drejtohej nga kadiu (gjykatës) i cili kryente veprimet gjyqësore. Veprimtaria gjyqësore mbështetej në ligjin islamik, sheriatin, por edhe në kodin qendror sulltanor, Kanuname. Kodi qendror përmblidhte dispozitat themelore të regjimit feudal ushtarak, ligjet sulltanore, fetare dhe kodet jo-zyrtare si dhe marrëdhëniet ekonomike-shoqërore në të gjithë Perandorinë Osmane. Për tokat shqiptare kodi më i vjetër është ai i Shkodrës, i hartuar në vitin 1529.

Tipare të zhvillimit ekonomiko-social
Bashkë me riorganizimin administrativ u bë edhe regjistrimi i tokave si dhe u zgjerua më tej sistemi i timarit. Tokat shqiptare, u shpallën pronë shtetërore, mirie ku sulltani njihej si pronari suprem. Ai me dekrete të posaçme ua dha ato në zotërim të drejtpërdrejtë klasës drejtuese vendase të të gjitha niveleve, në përshtatje me shërbimet dhe funksionet. Këto prona quheshin timare dhe zotëruesit e tyre timarlinj. Këto prona ndaheshin në tri kategori pronësie: timaret, ziametet dhe haset. Tokat punoheshin nga fshatarët raja, të cilët duhej të paguanin një numër taksash e detyrimesh për shtetin osman si dhe për zotëruesit timarlinj. Kishte dhe një shtresë fshatarësh, pronarë tokash. Shqipëria, me shtrirjen e regjimit timareve u kthye jo vetëm në një vend shfrytëzimi ekonomik, por edhe në një vend rekrutimi forcash njerëzore për nevojat e ushtarake të perandorisë. Si pasojë shumë shpejt u mundësua që klasa e spahinjve të ishte pothuajse e gjitha me origjinë shqiptare. Megjithatë si në çdo vend të perandorisë edhe shoqëria shqiptare u nda në klasa, përkatësisht në klasën ushtarake dhe në raja. Ushtarakët (spahinjtë) ishin të gjithë ata që nuk merreshin me prodhimin, por vareshin drejtpërdrejt nga sulltani. Në klasën e rajave hynin të gjitha ata që merreshin me prodhim dhe që paguanin taksa. Më e rëndësishmja ndër taksat ishte xhizja e cila deri në vitet 90-të të shek. XVII, paguhej duke pasur për bazë shtëpitë dhe më vonë paguhej, nga çdo individ i krishterë mashkull, i cili kishte mbushur moshën 18 vjet. Detyrimi tjetër me rëndësi për fshatarin raja ishte e dhjeta (yshyri) mbi prodhimet bujqësore dhe blegtorale që kalonte në dobi të spahiut. Po ashtu ai paguante detyrimet në natyrë për arkën e shtetit, taksën e bagëtive (xhelepin), për martesën (benakun) etj. Gjatë shek. XVIIXVIII sistemi i timareve filloi të tronditej, mori përhapje të gjerë shitblerja e tokë. Lindi një kategori e re pronësie mbi tokën çifligu. dhe fshatarët që punonin në këto toka quheshin çifçinj. Përfaqësuesit e administratës osmane, ushtarakët, tregtarët etj., formuan shtresën e çifligarëve.

Krahinat autonome dhe zhvillimi i qyteteve
Krahinat autonome ose siç quhen ndryshe të vetëqeverisura në Shqipëri në atë kohë ishin: Malësia e Madhe, Dukagjini, Mirdita, Dibra, Çermenika, Labëria, Himara etj. Për të ruajtur këtë formë administrimi, ka ndikuar terreni i vështirë malor, si dhe qëndresa e vazhdueshme e malësorëve shqiptarë. Këto krahina malore qeveriseshin në bazë të së drejtës zakonore. Në krahinat malore të veriut zbatohej Kanuni i Lekë Dukagjinit, ndërsa në ato verilindore, Kanuni i Skënderbeut, në Jug Kanuni i Labërisë. Popullsia e këtyre zonave i paguante shtetit osman një tribut (haraç). Krahinat autonome kishin një organizim shoqëror të veçantë të quajtur “male” ose “bajrakë” që drejtoheshin nga krerët, si bajraktarë ose kapedanë. Gjatë luftës pushtuese osmane një goditje shumë të rëndë pësuan qytete shqiptare. Ekonomia e shumë prej qyteteve ishte dëmtuar dhe shkatërruar. Në shek. XVI do të fillojë rimëkëmbja e shpejtë e tyre, zhvillimi eci me ritme të larta dhe popullsia u rrit. Në këtë kohë vendbanimet e njohura si shehir (qytete), nuk u përfshinë në sistemin e timareve. Qytetet ishin njëherazi dhe qendra tregtare dhe zejtare dhe shënuan nivele të larta zhvillimi në këto fusha. Ndër qytetet më të përmendura ishin: Shkodra, Durrësi, Berati, Vlora, Elbasani, Kruja, Ulqini, Prizreni, Peja, Gjakova, Shkupi, Janina, Tetova, Dibra etj. Zhvillim të madh morën zejet e ndryshme, si për regjjen e lëkurës, për përpunimin e hekurit, të argjendit, këpucëve, qëndistarisë, prodhimit të armëve etj. Pjesa më e rëndësishme e qyteteve ishte pazari ose çarshia ku ndodheshin dyqanet zejtare dhe tregtare. Zejtarët dhe tregtarët ishin të organizuar në korporata ose esnafe të cilat ishin ndarë sipas besimeve. Vendimet e drejtuesve të esnafit, pasqyroheshin në regjistra të posaçëm (kodikë), që ktheheshin në rregulla e ligje të detyrueshme për të gjithë zejtarët në formën e statuteve. Nga ajo kohë kemi të trashëguar statusin e tabakëve të Elbasanit (1657), që është më i vjetri në Ballkan etj.

 

Islamizimi i popullsisë
Vendosja e sundimit osman në Shqipëri solli ndryshime edhe në përkatësinë fetare të popullsisë. Përkatësia e besimit të krishterë tek shqiptarët filloi të cenohej në dobi të përhapjes së fesë islame si fe zyrtare e perandorisë. Fisnikëria shqiptare ishte e para që provoi dukurinë e kalimit në fenë islame. Ata e shfrytëzuan këtë dukuri për të siguruar poste dhe ofiqe, por edhe për t’u integruar në radhët e klasës ushtarake dhe më pas të administratës osmane. Në fund të shek. XV dhe në fillim të shek. XVI islami nisi të përhapej në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare. Në fillim depërtoi në qytete dhe më pas në shek. XVII edhe në fshat. Islami u përhap në tokat shqiptare jo vetëm në variantin kryesor, sunit por edhe në formën e tarikateve të ndryshme. Midis këtyre bektashizmi shënoi një përhapje të konsiderueshme në popullsinë shqiptare të viseve jugore. Në shek. XVIII rreth 2/3 e popullsisë shqiptare rezultonte e islamizuar. Kudo ku u vendos administrata osmane, ishte dhe kleri islamik, i cili ndërtoi shumë objekte kulti si xhami, teqe, medrese etj.

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: ejalet i Rumelisë, sanxhakë, nahije, timare, hase, ziamete, xhize, islam, bektashi.

PËRGJIGJUNI
1. Cila ishte ndarja administrative e trojeve shqiptare nën sundimin osman?
2. Në, ç’mënyrë qeveriseshin krahinat autonome të Shqipërisë?
3. Si ishte i organizuar sanxhaku si njësi administrative?
4. Cilat ishin detyrimet që duhet të paguante fshatari shqiptar?
5. Cilat ishin kategoritë kryesore të pronës në sistemin e timarit?
6. Në ç’mënyrë u përhap islami në territoret shqiptare?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë qytetet kryesore dhe qëndresën antiosmane.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimin dhe formuloni përfundimet tuaja. Fisnikëria shqiptare ishte e para që provoi dukurinë e kalimit në fenë islame. Ata e shfrytëzuan këtë dukuri për të siguruar poste dhe ofiqe, por edhe për t’u integruar në radhët e klasës ushtarake dhe më pas të administratës osmane.

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna dhe jepni përfundime për:
1. Qytetin shqiptar në periudhën osmane. Analizonizhvillimin e tij.
2. Besimin fetar të popullsisë së vendbanimit tuaj, dukee krahasuar me atë të para pushtimit osman.